Policia e Kosovës ka informacione se në territorin e Kosovës veprojnë “grupe apo organizata ilegale” nga Serbia, ndërsa Prokuroria Speciale në Prishtinë është duke zhvilluar hetime ndaj disa prej tyre.
Këtë informacion e ka konfirmuar Policia e Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë. Megjithatë, ky institucion nuk ka dhënë informata për këtë çështje, për shkak të hetimeve të Prokurorisë.
Prokuroria Speciale nuk i është përgjigjur Radios Evropa e Lirë në kërkesën për informacion. “Policia e Kosovës, në bashkëpunim edhe me institucionet tjera të sigurisë në Kosovë, por edhe me partnerët ndërkombëtarë, trajton të gjitha të dhënat lidhur me grupet ilegale që mund të cenojnë rendin dhe sigurinë publike”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Për çfarë paralajmëroi Kurti?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë në fund të marsit se rreth dhjetë organizata të ekstremit të djathtë nga Serbia, po përpiqen të destabilizojnë situatën e sigurisë në Kosovë, por ai nuk pati dhënë informacione më të detajuara.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 8 gusht, ai gjithashtu nuk ka dashur të zbulojë se për cilat organizata bëhet fjalë, duke shpjeguar se nuk dëshiron t’i bëjë të famshme duke ua përmendur “emrat e princërve nga Mesjeta”.
Megjithatë, Kurti ka thënë se këto grupe aktivizohen publikisht në festa, siç është 28 qershori, kur shënohet Beteja e Kosovës e vitit 1389.
“Ata, duke mos qenë në përputhje me ligjin, një situatë si konflikti ua sjell lirinë e dëshiruar dhe gjithashtu bëjnë aktivitet në rrjetet sociale. Ne, me gjithë kapacitetet që kemi, i luftojmë ata, përballemi me ta”, ka thënë Kurti.
Ministria e Punëve të Brendshme nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it në kërkesën për të marrë listën e organizatave për të cilat ka folur Kurti, dhe as nëse në Kosovë ndalohet aktiviteti i organizatave të djathta nga Serbia.
Ismail Hasani, sociolog nga Prishtina, dhe Predrag Petroviq nga Qendra për Politika të Sigurisë në Beograd, vlerësojnë se grupet e djathta nga Serbia mund të kontribuojnë në rritjen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe të sjellin trazira dhe shqetësim shtesë mes njerëzve.
Të dy ekspertët nënvizojnë gjithashtu se aktivitetet e grupeve të ekstremit të djathtë nga Serbia, janë të lidhura me luftën në Ukrainë, e cila filloi në fund të shkurtit, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi atë që e quan si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Autoritetet e Kosovës kanë thënë në disa raste se, Serbia është “satelit i Rusisë” dhe se Beogradi dhe Moska po punojnë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
Organizatat e “lidhura” me Vidovdanin, Moskën dhe barrikadat
Në Serbi ekzistojnë një sërë organizatash që e lidhin aktivitetin e tyre me Vidovdanin, pra me 28 qershorin kur shënohet Beteja e Kosovës e vitit 1389.
Shumica prej tyre, përmes disa aktiviteteve, veprojnë edhe në Kosovë.
Kështu, Lëvizja “1389” (Pokret “1389) organizon çdo vit shkuarjen e serbëve në Gazimestan, Kosovë, më 28 qershor.
Këtë ditë e shënon edhe Kisha Ortodokse Serbe (KPS) – e cila njihet si Vidovdan.
Në faqen zyrtare të Lëvizjes “1389”, thuhet se grupi është “shoqatë ortodokse shtet-formuese humanitare kombëtare, e cila merret me ruajtjen e vlerave shpirtërore, historike, kulturore e të tjera të popullit serb dhe afirmimit të traditës, duke mos anashkaluar nevojën e zhvillimit të shtetit”.
“Ne po punojmë për ringjalljen e shtetit ortodoks, me theks në dinastinë të Nemanjiqit (themeluesit mesjetar të shtetit serb), Obrenoviqit dhe Karagjorgjeviqit (dy dinastitë që ishin në pushtet në Serbi gjatë shekullit të 19-të dhe në gjysmën e parë të shekullit të 20-të) në Serbi dhe Romanovët në Rusi (familja e fundit perandorake ruse)”, thuhet në përshkrim.
Por, “1389” është një lëvizje e djathtë nga Serbia, anëtarët e së cilës flasin hapur për “mbrojtjen” e Kosovës dhe janë kundër bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, në kuadër të dialogut mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Pjesëtarë të kësaj lëvizjeje janë parë edhe në vitin 2011 në barrikada në veri të Kosovës.
Në zgjedhjet e fundit presidenciale në Serbi, ish-lideri i kësaj lëvizjeje, Misha Vaçiq, ka qenë kandidat për president para grupit qytetar “Patrioti serb”. Nënshkrimet për kandidaturën për president i ka dorëzuar me pishtar.
Shërbimi informativ i së djathtës serbe pati njoftuar më pas se ai ka mbërritur në Komisionin Republikan të Zgjedhjeve, me një “xhip të blinduar me targa ruse”. Në kolonën e automjeteve me flamuj serbë dhe rusë, disa automjete kanë pasur shenjën “Z”, simbol i pushtimit rus në Ukrainë.
Përveç Lëvizjes “1389”, Radio Evropa e Lirë ka identifikuar edhe disa organizata të tjera që i përshtaten përshkrimit të “organizatave ekstremiste serbe, të ekstremit të djathtë, të cilat propagandojnë frymë mesjetare të ortodoksisë mistike”, siç i ka quajtur kryeministri i Kosovës.
Në deklaratat e mëparshme për mediat lokale në Kosovë, ai tha se këto organizata “njërën këmbë e kanë në Beograd, dhe tjetrën në Moskë”.
“Lëvizja për mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë” është formuar në vitin 2020, ndërsa një degë e saj në Kosovë është hapur në fillim të këtij viti.
Organizata tha në atë kohë se “do të punojë për të ruajtur krahinën si pjesë të Serbisë”.
Nebojsha Joviq nga Mitrovica e Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, u emërua si kryeadministrator, ndërsa anëtarët janë nga komunitetet serbe në jug të Ibrit, Zvonko Mihajloviq nga Shtërpca dhe Nenad Kojiq nga Vitia.
Në fillim të marsit, kjo Lëvizje publikoi një “apel për mbështetje Rusisë”, duke dënuar faktin se Serbia e mbështeti Rezolutën e Kombeve të Bashkuara për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës.
“Prandaj ne e dënojmë fuqishëm këtë gjest të turpshëm, i cili është kundër traditave dhe interesave më të rëndësishme jetike të popullit serb”, theksuan ata.
Se barrikadat në veri të Kosovës janë “frymëzim” i organizatave të djathta, tregon edhe fakti se Kuvendi serb i Lëvizjes Besëlidhja (Zavetnici) u themelua në fillim të vitit 2012 nga një grup njerëzish që ishin parë te barrikadat në veri të Kosovës.
Mirëpo, në gusht të vitit 2019, kjo Lëvizje u bë parti politike e quajtur, Partia serbe Zaventici (Spska stranka Zavetnici).
“Zavetnici” rregullisht mban protesta në Beograd kundër festivalit të kulturës kosovare “Mirdita, Dobar dan!”.
Milica Gjurgjeviq-Stamenkovski, e cila drejton këtë parti serbe të ekstremit të djathtë, ishte gjithashtu kandidate në zgjedhjet e fundit presidenciale në Serbi.
Kjo parti e ka marrë emrin e saj, siç thuhet në faqen e tyre, bazuar në përvojën historike në të cilën Besëlidhja e Kosovës, është pika qendrore.
Ata e konsiderojnë të papranueshme pjesëmarrjen e Serbisë në “ndjekjen politike të shtetit të (Rusisë), e cila si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit është garantuesi më i fortë i Rezolutës 1244 dhe i ruajtjes së sovranitetit të saj në Kosovë e Metohi”.
Disa organizata veprojnë si humanitare, por organizojnë edhe aksione të Vidovdanit “Vidovdan aksione”, me rastin e shënimit të përvjetorit të betejës në Kosovë.
Disa prej tyre janë: “Serbët për serbët” dhe organizata “28 Qershori”.
Kush u arrestua më 28 qershor në Kosovë?
Profesori i sociologjisë, Ismail Hasani, thekson se organizatat e ekstremit të djathtë më së shumti u shfaqën në Serbi dhe Kroaci, pas luftërave të viteve ’90 në territorin e ish-Jugosllavisë dhe se ato ishin të lidhura me organizata fetare.
“Organizatat fetare ishin të lidhura ngushtë edhe me udhëheqjen shtetërore. Kam pasur rastin të shoh individë që shfaqin sjellje ekstreme në Vidovdan”, thotë Hasani.
Policia e Kosovës, më 28 qershor të këtij viti, ka arrestuar një shtetas serb për “nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare”.
Komentet