Një grua ka sulmuar një klerik në qytetin e shenjtë shiit, Qom, në të cilin organizohen seminare dhe ku banojnë ajatollahët me ndikim në Iran.
Gruaja ia ka hequr klerikut turbanin nga koka dhe ka shkelur mbi të, pasi besohet se ai e ka paralajmëruar për mbulesën në kokë.
Videoja e incidentit është bërë virale vitin e kaluar.
Disa e kanë përgëzuar gruan dhe nuk kanë shprehur aspak mbështetje për klerikun.
Të tjerë kanë thënë se ai e ka merituar trajtimin.
Ky incident – që ka rezultuar me arrestimin e gruas – ka vënë në pah zemërimin ndaj klerikëve, të cilët kanë ardhur në pushtet pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.
Si shenjë për rritjen e zemërimit, sulmet fizike kundër klerikëve duket se po rriten në Iran, pasi disa zyrtarë fetarë kanë thënë se nuk vendosin turbanët e tyre në publik, për t’iu ikur sulmeve.
Të tjerë kanë folur për uljen e ndikimit të tyre në shoqëri.
Kleriku disident me bazë në Teheran, Abolfazl Najafi-Tehrani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se performanca e dobët e udhëheqësisë së klerikëve të Iranit, ndikimi në përditshmërinë e iranianëve dhe dështimi i klerikëve për t’iu përgjigjur nevojave moderne, janë në mesin e shkaqeve pse dallimet në mes të klerikëve dhe popullsisë janë duke u zgjeruar prej revolucionit dhe krijimit të Republikës Islamike të Iranit.
“Në vitet e fundit ne jemi dëshmitarë të urrejtjes së njerëzve dhe zemërimit drejt disa klerikëve të cilët ndjekin politikat shtetërore”, ka thënë, Najafi-Tehrani.
Sipas tij, zemërimi ka rezultuar me sulme ndaj klerikëve, të cilët imponojnë “te të tjerët stilin e tyre të jetesës”.
Në muajt e fundit është raportuar edhe për shumë sulme tjera fizike ndaj klerikëve, duke përfshirë atë të qershorit kur përfaqësuesi i liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei, është raportuar të jetë sulmuar nga një burrë që ka tentuar ta sulmojë me thikë.
Në një intervistë pas sulmit, Ayatollah Yusef Tabataeinejad, i cili udhëheq, Lutjet e së Premtes, në qytetin Isfahan, ka thënë se sulmuesi ka qenë një burrë i ri, i cili “duket se ka qenë me probleme”, derisa ka shtuar se motivet e sulmit janë duke u hetuar.
Në fillim të muajit korrik, një klerik është plagosur në atë që është thënë se ka qenë tentim-vrasje, derisa më 28 korrik, një klerik fetar është plagosur disa herë në Karaj, afër kryeqytetit iranian, teksa ka qenë duke predikuar në një faltore.
Në muajin prill, dy klerikë iranianë janë therur me thikë dhe një tjetër është plagosur në një vend të shenjtë në qytetin Mashhad.
Zyrtarët e kanë cilësuar këtë të fundit si sulm terrorist.
Sulmuesi – i cili është identifikuar si 21-vjeçar me etni uzbeke nga Afganistani, ka qenë sunit me qasje radikale.
Ai është ekzekutuar më vonë.
Shumë prej sulmeve të fundit kanë shënjestruar klerikë që kanë tentuar t’i bëjnë të detyrueshme në publik kodet e sjelljes – sipas Islamit – duke përfshirë vendosjen e mbulesës.
Në muajin prill, agjencia iraniane e lajmeve FARS, ka publikuar emrat e dhjetëra klerikëve që janë sulmuar në dekadën e fundit.
Tre prej tyre kanë vdekur pas sulmeve, dhe dy kanë humbur nga një sy.
Në vitet e para pas Revolucionit Islamik, grupet sikurse, Organizata Mujahedin-e Khalq (MKO), kanë kryer shumë tentim-vrasje kundër klerikëve të lartë.
Mirëpo shumica e këtyre sulmeve, që kanë shënjestruar klerikë të njohur pak ose fare, nuk duket se janë të organizuara.
Mediat shtetërore kanë fajësuar “banditët” për disa prej këtyre sulmeve.
Zyrtarët e lartë, në anën tjetër, nuk komentojnë publikisht këto sulme.
Khamenei, i cili e ka fjalën e fundit në Republikën Islamike, ka pretenduar në një fjalim të mbajtur në qershor se “prirja” e njerëzve ndaj fesë dhe klerit është rritur prej fillimit të revolucionit, duke përmendur “miliona” persona që kanë vuajtur vrasjen e gjeneralit, Qassem Soleimani me një dron amerikan më 2020.
Sulmet ndaj klerikëve vijnë në kohën e rritjes së mllefit kundër udhëheqësisë dhe kur ekonomia është shkatërruar nga sanksionet amerikane.
Najafi-Tehrani ka thënë se njerëzit fajësojnë klerikët për jetën e vështirë që bëjnë.
“Ata dëshirojnë largimin e klerikëve, dhe që të mos ketë imponim të fesë në shtet”, ka thënë ai, duke shtuar se “43 vjet pas revolucionit, njerëzit janë dëshmitarë të mungesës së efikasitetit në zinxhirin udhëheqës, ashtu sikurse në strukturën e bazuar në religjion”.
Ai ka përmendur se shumë njerëz janë të zemëruar, sepse buxheti shtetëror po shpenzohet nëpër seminare, sidomos në kohën kur shumë iranianë mezi i mbyllin shpenzimet mujore.
Më herët gjatë këtij muaji, Hojatoleslam Mohammad Nurelahian, ka paralajmëruar për ndasi të mëdha në mes të njerëzve dhe klerit, teksa ka fajësuar klerikët për diçka të tillë.
“Sot, ne jemi dëshmitarë të klerikëve që lëshojnë deklarata sa u përket ceremonive zyrtare dhe atyre shtetërore, mirëpo rrallë rrisin zërin përballë shumë padrejtësive, pabarazive, gabimeve dhe trajtimeve të këqija të njerëzve”, ka thënë Nourelahian, ish-udhëheqës i seminareve në Iran.
Në muajin janar, Mohammad Taghi Fazel Meibodi, anëtar i Asamblesë së Seminareve në Qom, ka thënë se shumë njerëz i shohin klerikët me sy negativ, duke shtuar se në Qom, shumë prej atyre që kanë studiuar nëpër seminare, refuzojnë të veshin rrobat e klerikëve në publik, “sepse njerëzit i shajnë dhe i mallkojnë”.
Zemërimi është rritur prej fillimit të revolucionit të vitit 1979, kur shumë iranianë kanë bërë shaka me klerikët dhe i kanë portretizuar ata si jokompetentë dhe injorantë.
Shumë taksistë madje refuzojnë që t’i vozisin.
Viteve të fundit, në kohën e rritjes së vështirësive ekonomike, sa shkon e rritet zemërimi ndaj klerikëve dhe shumë prej tyre dalin nëpër protesta duke iu bërë thirrje që të “zhduken”.
Përgjatë protestave të dhunshme të vitit 2019 – për rritjen e menjëhershme të çmimeve të gazit – nëntë seminare dhe zyra tjera të liderëve, janë shënjestruar nga protestues të zemëruar, të cilët kanë bërtitur kundër liderëve iranianë, përfshirë edhe Khamenein.
“Njerëzit pyesin ‘pse janë të heshtur klerikët për problemet’. Heshtja nënkupton se ata janë të kënaqur me sistemin dhe mendoj se kjo është pjesa më e madhe e problemit”, ka thënë kleriku Abdolhamid Massumi Tehrani – kritik i udhëheqësisë – në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
“Njerëzit e shohin dallimin në mes të atyre zbatojnë politikat e udhëheqësisë së lartë, dhe atyre që nuk veprojnë kështu”, ka thënë Massumi nga Teherani, duke shtuar se personalisht nuk është përballur me trajtim të keq në publik.
Ai pajtohet se pjesa më e madhe e zemërimit ka në qendër klerikët që janë të afërt me udhëheqësit e shtetit.
Megjithatë, ai ka thënë se shmang veshjen e rrobave të klerikut sa herë që mundet, pasi shumë njerëz nuk mund të bëjnë dallimin se kush është me udhëheqësit e kush jo.
“Nuk mund ta shkruaj në rrobat e mia se jam kritik i situatës aktuale”, ka thënë ai.
Përgatiti: Krenare Cubolli
Komentet