Shen Nënë Tereza
(“Lutja”: Vepër e Mjeshtrit të Madh, Pashk Pervathi – 2016)
Më 26 gusht 2022 do të përkujtohet 112 vjetori i lindjes të Shen Nënë Terezës shqiptare.
Më 5 shtator 2022 mbushen 25 vite, kur pushoi së rrahuri zemra e madhe e Shen Nënë Terezës. Atë ditë, në shtratin e thjeshtë dhe të bardhë, në dhomën e saj të vogël në “Shtëpinë e Nënës” në Kalkuta, pushoi së rrahuri zemra e madhe e motrës misionare Shen Nënë Tereza. Pas 87 vitesh, trupi i saj i vogël qndronte pa lëvizur përtej jetës e vdekjes, mbuluar me lule, e rrethuar nga motrat e dashurisë, që i rrinin pranë me lotët dhe dënesat e dhimbjes, duke përsëritur lutjet-uratat e Nënë Terezës. E rëndë pesha e dhimbjes. Atë ditë Nënë Tereza mbi Pegasin u ngjit në amshim pranë Atit tonë, që e priste në dritën e parajsës. Kumti i kobshëm e mpiu botën, dhimbja dhe lotët e hidhërimit i pushtuan popujt e botës. Në funeralin e ngjitjes në amshim të Nënë Terezës, morën pjesë mbi 1 miljon njerëz, hindian të thjeshtë dhe shumë personalitete të botës, ishte korteu më i madh në historinë e njerëzimit.
MEDITIME PËR SHEN NËNË TEREZËN SHQIPTARE.
Nёnё Tereza, kjo grua e madhe e shtatvogёl, e veshur me sarin e bardhё, me kordona blu nё buzёt anёsore, me shaminё nё kokё ashtu si e vinte nёnlokja Drane; me kryqin tё fiksuar nёn supin e majtё mbi zemёr; nё kёmbё mbathur vetëm sandalet; gjithnjё nё shtegëtim me hap tё shpejtё dhe tё sigurtё nёpёr rrugёt e botёs dhe kur ngjiste shkallёt e pallateve mbretёrore, kur shkonte nё zyrat e pushtetarёve; me tё njejtin ritёm lёvizte nё shtёpitё e motrave tё misionit dhe kur hynte nё shtёpitё e popullit tё thjeshtё, nё barakat e slum-eve tё Hindisё dhe tё 136 vendeve të botёs; pёr herë dhe kudo ishte aktive, dinamike, e fuqishme, e thjeshtё deri nё madhёshti, ishte Nënë Tereza Shenjtorja e Dashurisё.
Nën hapat e lehtё e të sigurta tё Nёnё Terezёs, gjithçka merrte jetë dhe Ajo bëhej me flatra qiellore. Kushdo që e ka takuar Nënë Terezёn, është ndodhur pёrballë pamjes e saj hyjnore, me sytё plot dritё, nga buronte njё vështrim i butё, i ёmbёl, i qeshur, depёrtues, plot mirёsi, por dhe serioz e guximtar, i mbushur me preokupim, me dhimbje dhe rrallё herё me zemёrim, qё i kthente nё forcё dhe nё aksion, pёr tё zgjidhur problemet shumta tё pjesёs sё mbrapshtё tё botёs.
Ky portret i mirёnjohur dhe shumë i dashur nga tё gjithё, plotёsohet me njё veçori tё Nёnё Terezёs, me pёrshёndetjen e saj tipike, me dy pёllёmbёt tё bashkuara para gjoksit tё vogёl, qё i puthiste lehtё – lehtё, si tё merrte ndër duar, pёr tё vendosur brenda zemrёs tё saj tё madhe, tё mbushur me dashuri nëne. Kush e ka takuar Shen Nënë Terezën, nga njerёzit e zakonshёm e deri te burrat e shteteve, Papёt dhe kardinalёt, artistët e shquar, shkrimtarёt, shkencёtarёt, miliona varfanjakë, lypsat, gazetarёt, mbretёr e mbretëresha, princa dhe princesha, presidenta, kryeministra e ministra, diktatorë, burra e gra, nёpunёsit e zyrave, kudo në rrugë dhe nё shtёpitё e misionit, të gjithë pa pёrjashtim, për ta përqafuar, ishin tё detyruar të përkuleshin para shtatit të saj të pakët dhe kjo s’ishte thjeshtё përkulje fizike, por metaforë e adhurimit dhe e magjepsjes, që u impononte madhёshtia e shenjëtores Nёnё Tereza.
Shen Nёnё Terezёs ёshtё ikona e kohëve moderne, ëshë shenjtorja e të varfërve, shenjëtoria e dashurisë. Pёr veprat shpirtёrore dhe humanitare me dashuri nё shёrbim tё njerёzimit, Nënë Tereza nderohej nga tё gjithё popujt e botёs, tё cilët e quanin: “Nёna e dashurisё”, “Nёna e botёs”, “Ungjilli i gjallë”,”Ungjilli i pestё”, “Pena e Zotit”, “Lajmëtare e dashurisë të Jezu Krishtit”, “Nёna e tё varfёrve”, “Shenjtoria e dashurisё”, “Shenjtoria e tё varfёrve”, “Investuesia e dashurisë”, “Engjëlli i dashurisë”, “Engjёlli i jetёs”, “Engjёlli i mirёsisё”, “Mesazhere e dashurisë dhe e lumturisë në botë”, “Shёruese e plagëve të botës”, “Emisaria e Zotit në tokë”, “Ungjilloria transparente” etj, etj
Pesha e viteve kishte lёnё gjurmёt, ndёrsa mundimet qё kishte bartur nё jetё, ia kishin kёrrusur paksa trupin e saj shtatvogël, por nuk e thyen shpirtin dhe forcёn e Motrës së madhe. Shen Nёnё Tereza i shёrbeu njerёzve me vetmohim, duke e shndёrruar dashurinё për njerëzit nё besim, në mision dhe nё profesion, përherë nё ndihmё tё viktimave tё varfёrisё dhe njerëzve në vuajtje.
Tё gjithё ruajmё nё kujtesё fotografitё e panumërta të Nënë Terezës, me fytyrën e bukur dhe fisnike, tё skalitur me rrudha, tё ndriçuar me buzёqeshjen e ёmbёl dhe hyjnore, me vështrimin e ngrohtë, të qeshur e plot dashuri. Kështu mbetet Nënë Tereza, përtej kufijve të kishës katolike dhe të ftohtёsisё zyrtare tё pushteteve. Nuk ishte rastёsi, qё nga gjiri i popullit tё vuajtur shqiptar, Zoti zgjodhi Shen Nënë Terezën, që e pёrdytёsoi me Jezu Krishtin, kёsisoj ajo u ngjit nё lartёsitё e shenjtёrisё universale, u bё simbol i pastёrtisë, i besimit me devotshmёri, i pёrkushtimit me dashuri nё misionin si motёr katolike, misionare e bamirёsisë, misionare e dashurisë. Nënë Tereza i shёrbeu të gjithë njerёzve pa dallime fetare, etnike, sociale dhe ekonomike, i ndihmoi tё varfёrit, tё sёmurёt, tё braktisurit, të gjymtuarit, jetimёt, ata që shoqëria dhe pushtetet i kishin braktisur dhe spitalet nuk i pranonin e me kёto vepra u bё modeli i pёrsosur i humanizmit dhe i dashurisë për njeriun.
Pёr kontributet shpirtёrore dhe humanitare, murgesha misionare Nënë Tereza, ёshtё vlerёsuar një ndёr gratё mё tё shquara tё shekullit XX dhe pёr kontributin e saj, shumё shtete dhe institucione e kanё dekoruar me 35 urdhёra, medalje dhe me shumё çmime prestigjioze, ndёrsa nё vitin 1979 i akorduan çmimin Nobel pёr paqёn, pёr veprat e shquara nё aktivitetet e saj humanitare dhe nё inspirimin shpirtёror. Atё ditё, kur mori çmimin Nobel, Nënë Tereza bёri dhe deklaratёn e fuqishme: “Me origjinё dhe me gjak, jam shqiptare….”, njё thёnie lapidare, qё pёrcjell kumtin e krenarisё të shqiptares, por dhe nderin pёr tё gjithё shqiptarёt, qё i gёzohen dhe e admirojnë bashkatdhetaren e madhe me famё botёrore.
Ashtu si populli e “kanonizoi” Papën Gjoni XXIII, shumë më përpara se të hynte zyrtarisht në katalogun e fatlumëve dhe Lumturimi “i posaçëm” dhe i shpejtë i Nënë Terezës shqiptare më 19 tetor 2003, nxiti dёshirën e pёrgjithёshme tё shpallej menjёherё shenjtore dhe populli, ashtu si e quajti Nёna e Dashurisё, pa hezitim e “kanonizoi” shenjtore dhe popujt e botës e quajtën e Shenjta Nёnё Tereza. Si shenjtorёt e tjerё dhe Shen Nёnё Tereza është kudo e pranishme dhe frymёzuese, pasi Ajo ka lёnё testamentin e besimit katolik tё pastёr e tё ndjerё shpirtёrisht, optimizmin, guximin, shpresёn gjithmonё fitimtare, thjeshtёsinё e admirueshme, dashurinё hyjnore pёr njeriun, forcёn vepruese, dhёmbshurinё dhe pёrkushtimin pёr tё ndihmuar tё varfёrit, lypsat, jeti-mёt, tё sёmurёt, sakatёt, tё gjithё ata qё shoqёria i braktis dhe i konsideron tё paprekshmit. Pёrgjigjia e saj hyjnore ndaj thirrjes sё Jezu Krishtit: “Eja, bёhu drita ime”, e bёnё motёr katolike tё devotëshme, misionare tё bamirёsisё, nёnёn e tё varfёrve, dёshmitaren e dashurisё tё Zotit pёr tё gjithё njerёzit pa dallime fetare, etnike, kulture dhe nivele social-ekonomike. Besimi nё fenë katolike i dha forca tё veproi me dashuri nё shёrbim tё viktimave tё varfёrisё dhe kështu Ajo krijoi shërbimin, moralin, humanizmin dhe dashurinë Tereziane, qё edhe nё ditёt e sotme, janё modele sociale pёrgjithёsuese pёr tё gjithё popujt e botёs.
Duke vlerёsuar veprёn e Nёnё Terezёs, Papa Pali VI tha: “Ju prezantoj Nёnё Terezёn dёshminё autentike tё Ungjillit pёr tё gjithё, lajmëtaren e dashurisё tё Jezu Krishtit”. Papa Gjon Pali II, në ditёn qё e shpalli tё Lumturueme Nёnё Terezёn tha: “Me dёshminё e jetёs dhe tё veprës sё saj, Nёnё Tereza na kujton tё gjithёve, se misioni ungjillor i Kishёs, kalon pёrmes dashurisё, e ushqyer nё lutjet dhe nё dёgjimin e fjalёs sё Zotit”. Shen Nёnё Tereza ёshtё Ungjilli i pestё. Ndonёse dihen cilёt jane katёr Ungjijtë e tjerё, shumё tё krishterё dhe jo tё krishterё nuk e dinё cilёt janё ungjillorёt, por njohin Nёnё Terezën dhe e pranojnë unanimisht si Ungjillin e pestё, misionaren e bamirësisё, mishёrimin e dashurisё nё veprim, shenjtoren e dashurisё.
Edhe nё çastet e vёshtira tё pёrjetimit tё “natёs sё shpirtit”, Nёnё Tereza nuk u fsheh nё fenё e saj, nuk dyshoi, nuk u thye, nuk u dorёzua, nuk e braktisi fenё katolike, pёrkundrazi e kёrkoi Zotin me insitim, pasi besimin nё Zot nuk e donte si dhuratё, ashtu si e pranojnë besimtarёt dhe mistikёt e tjerё, por e kёrkoi me të gjitha forcat e besimit, me mençurinё e saj, kësisoj e gjeti, e përvehtësoi, e zbatoi në fè dhe në jetën si motёr katolike, si misionare e dashurisë, duke rrezatuar dritё mbi tё gjitha errёsirat.
Shen Nёnё Tereza, me misisonet e bamirësisë-dashurisë, ka dhёnё kontribut tё shquar nё ndёrkombёtarizi-min e humanizmit, duke krijuat kulturёn e shёrbimit pёr njerёzit nё nevojё, për njerëzit në vuajtje, pavarёsisht nga pёrkatёsia fetare duke u bёrë protagoniste e shquar e ekumenizmit tё kohёve moderne.
Me misionin ungjillor, Shen Nёnё Tereza u bё “Samaritania e mirё” pёr çdo person qё ka takuar, pёr çdo të varfër, të sёmurë, të braktisur, për çdo njeri nё krizё, nё vuajtje dhe nё dёshprim.
MOTËR KATOLIKE E PËRKUSHTUAR
Dёshira e Gonxhe Bojaxhiut, pёr t’iu përkushtuar veprës sё Jezu Krishtit, e ka zanafillën në zemër të vendlindjes arbërore, e cila në vitet e fёmijërisë dhe të rinisë se saj, ishte e copëtuar dhe nё mjerim. Jetesa mes të varfërve të Shkupit, ndikoi nё shpirtin e brishtë të Gonxhes, duke i ideuar ndjenjat e miqësisë, të ndihmёs dhe të respektit për të nëpërkëmburit nga fati i mbrapsht, nga shtypja dhe padrejtësitë shoqërore, andaj i u përkushtua atyre me dhёmbshuri dhe me dashuri e kёsisoj i parandolli vehtes misionin e kryqit.
Në rrugën e shenjtërimit që ajo zgjodhi, nuk e çoi ndonjë kompleks, apo sugjerim, as urdhër, përkundrazi inspirimi për të hyrë në shёrbim të kishës si motër katolike, i lindi natyrshëm në shpirtin e saj të ndjeshëm dhe për këtë pёrkushtim të veçantё tregon: “Isha e ulur në gjunjë para Zonjës të Letnicës, në Santuarin pranë Shkupit, kur dёgjova thirrjen hyjnore. E kujtoj shumë mirë atë mbrëmje të festës së Zonjёs e ngjitur në qiell. Po lutesha dhe këndoja e mbushur me gëzim tё brendshëm, kur e dëgjova zёrin e Zotit, që më ftoi t’i përkushtohem Atij, të konsakrohem në shërbim të njerëzve”.
Gonxhja rinushe vendosi t’u shërbente njerëzve në emër të Zotit dhe jo të mbyllej si murgeshë në kuvend, për t’i kaluar ditët me lutje dhe meditime, andaj me Jezu Krishtin në zemër, iu pёrkushtua atij në shërbim të njerëzve. Duke parë këtë pёrkushtim, Zoti e ndjeu nevojën e përsëdytjes së Krishtit mbi tokë, andaj zgjodhi Gonxhe Bojaxhiun për barazi dhe si dёshmi të një jete si motër misionare në shërbim të njerëzve.
Nё gusht tё vitit 1928, Gonxhe Bojaxhiu vendosi“… para Zonjёs Sonё, vendosa të shkoj nё mision e do t’i pёrkushtohem tёrёsisht Zotit dhe shpёtimit tё shpirtёrave”. Kёsisoj Gonxhia e nisi jetёn e misionares.
Mё 26 shtator 1928, Gonxhja nisi udhёtimin e misionares dhe nga kjo ditё vazhdoi pelegrine tёrё jetёn. Fillimisht nё Urdhёrin e Motrave tё Loreto-s nё Dublin të Irlandёs, ku qëndroi pak kohё pёr tё marrё mёsimet e anglishtes dhe ku mori velin e motrёs nё rishtari. Nё zbatim tё rregullave tё Urdhёrit tё Motrave tё Loreto-s, Gonxheia zgjodhi emёrin Maria Tereza e Jesu Krishtit Fёmijё, ashtu si Shёn Tereza e Lisieux dhe nga ajo ditё e thёrrisnin Motёr Tereza. Duke marrё emёrin e Terezёs sё vogël, Gonxhja bёri njё zgjedhje tё veçantё, qё i lindi si thirrje e brendёshme, si e tregon ajo vetё: “Tereza e Liseiux bёri gjёra tё vogla me dashuri tё madhe; gjёra tё zakonëshme me dashuri tё jashtёzakonёshme; ja pse u bё e Shenjtё dhe unё besoj, se ne mund ta pёrdorim kёtё shembull nё jetёt tona, duke bёrё gjёra tё vogla me dashuri tё madhe”. Preferoi emёrin Tereza, sepse ndjehej mishërim i tё dyjave, me tё parёn ngjante nga shtati i pakёt dhe inspirimin pёr tё bёrё gjёra tё vogla me dashuri tё madhe, ndёrsa me shenjёtoren e Avilas e lidhёte dashuria pakufi ndaj Krijuesit, deri në vetëflijimin absolut.
Besimi nё fenё katolike dhe shёrbimi me dashuri pёr viktimat e varfёrisё, pёr njerёzit në vuajtje, qё kishin nevojё për ndihmё, pёr pёrkrahje, pёr njё fjalё tё mirё, e kanё zanafillёn nё edukimin qё mori nga prindёrit, nё shkollёn, nё famullinё e Shkupit dhe nga shoqёria shqiptare e kohёs. Në Shkup, tё vobektit dhe nevojtarёt, e kishin ndjerё nga afёr dashurinë, dhёmbshurinё dhe dorёn e ngrohtё tё Gonxhes së vogël, qё u rrinte pranё dhe i ndihmonte, andaj e quanin “Engjёlli i ngushёllimit shpirtëror”. Nuk duhet tё harrojmё se nё atё periudhё, femra shqiptare ishte e shtypur dhe pa tё drejta shoqёrore, ndёrsa Gonxhja, i sfidoi paragjykimet dhe ndalimet e kohës, Ajo spikati mbi kufizimet, qё diktonte kultura dhe mentaliteti patriarkal i kohёs.
Kёto janё tiparet e kulturёs humanitare, fetare dhe tё fisnikёrisё tё familjes Bojaxhiu, tё shkollёs shqipe, të shoqёrisё shqiptare dhe tё famullisё tё Shkupit, ku u rrit dhe u edukua Agnes Gonxhe Bojaxhiu. Nga nёnlokja Drane dhe nga babai Nikolla, Gonxhja mori vlerat më të mira, që çdo fëmijё dëshiron t’i trashëgoi nga prindёrit e vet. Gonxhja ishte 18 vjeçe kur hyri nё jetёn e murgeshёs katolike dhe nё kёtё shtegёtim tё gjatё, mbajti nё thellësi të qёnies sё saj forcёn dhe dashurinё e nёnёs Drane, qё e edukoi me virtyte tё larta, ruajti krenarinё dhe shpirtin e aksionit tё baba Nikollёs, kishte mbёshtetjen e pёrherёshme tё vёllait Lazёr dhe tё motrёs Age; por ndjente dhe jehonёn e Rozafës, gruas mitike të murosur në përjetësi, qё e frymёzonte me sakrificёn sublime pёr tё bёrё mirёsi; nё shpirtin e saj ishte madhёshtia e mbretёreshёs Teuta dhe e princeshës Donika Kastrioti, mençuria dhe fisnikёria e Dora D’Istrias, forca edukuese e Parashqevi Qirjazit, trimёria e Nores të Kelemendit, e Janica Martinit, e Mara Kondit, e Shote Galicёs, ashtu si tërë jetën e shoqëruan uratat e qindramijёra nёnave,
grave dhe vajzave shqiptare.
Kjo botё shqiptare, qё gjallonte nё shpirtin e Gonxhes, u lidh dhe me njё tjetёr botё tё dashurisё, qё e gjeti nё fenё katolike, që i bashkoi nё njё tё vetme e kёsisoj, e plotёsoi universin e pёrkushtimit nё katolicizёm, nё bamirёsi, nё dashurinё pёr njeriun dhe pёr jetёn. Kёto misione, Nёnё Tereza i ka shprehur me veprat e shumta fetare dhe humanitare, por dhe nё shkrimet e nё letrat e shumta, nё uratat, nё esse-tё dhe poezitё e saj tё bukura plot ndjenja, me kёshillat profetike, me veprёn apostolike, me predikimet, me sentencat ungjillore, nё takimet e nё bisedat me njerёzit e thjeshtё dhe nё marrёdhёniet me qytetarёt dhe zyrtarёt. Ta njohësh mirëfilli punën e saj të bërë në Kalkuta dhe në qindra vende tё tjera të botës, të njohësh besimin e palëkundur të saj për Jezu Krishin dhe Shёn Marien, do të thotë ta njohësh Shen Nёnё Terezёn, tё njohish shpirtmadhësinë e saj, pakufish-mërinë pёr të bërë mirësi në jetë, të kuptosh si flijohej për të tjerët, të kuptosh pasurinë e saj fetare dhe shpirtë-rore, sa ishte e mirë, e dobishme për njerëzit, për botën që i përkiste dhe që e shenjtëroi.
Pasi qёndrimit nё Dublin, nё dhjetor tё vitit 1928, rishtarja Tereza udhёtoi pёr në Hindi dhe mё 6 janar 1929 mbёrriti nё Kalkuta. Pas disa ditësh e dёrguan nё kuvendin e Darjeeling, pёr tё plotësuar noviciatin (rishtarinë) dhe pёr t’u kompletuar nё formimin si murgeshё. Për aftësitë dhe nivelin e formimit e emёruan mёsuese nё shkollёn e kuvendit.
Mё 24 maj 1931, pasi mori pёrkushtimin e pёrkohshёm tё murgeshёs, e rikthyen nё Kalkuta, nё kolegjin katolik tё Saint Mary’s High School, nё periferi tё Entally. Nё kolegj, Motra Tereza jepte mёsime nё lёndёt e historisё dhe tё gjeografisё. Rregullat e urdhërit “Motrat e Loreto-s”, nuk i lejonte murgeshat tё dilnin jasht mureve tё kuvendit, por Motra Tereza duke pёrfituar nga veprimtaritё vullnetare tё nxёnёsve të saj, dilte dhe i shoqёronte nёpёr Kalkuta, kёsisoj njohu kushtet e rёnda ku jetonte populli e aty preku mjerimin, vuajtjet. Kёto realitete, i pёrjetoi me dhimbje dhe kjo vuajtje nxiti thirrjen e brendёshme pёr t’i ndihmuar kёta banorё.
Mё 24 maj 1937, mori pёrkushtimin e pёrhershёm tё murgeshёs dhe u quajt Nёnё Tereza. Papa Gjon Pali II, pёr kёtё zgjedhje ka thёnё: “Ta quajmë Nёnё një fetare është e zakonëshme për të gjithë ne, por ky emër, për Nënë Terezën ka shprehje intensiteti special. Një nënë shquhet për aftësinë të dhuroi. Duke e vrojtuar Nënë Terezën në tiparet e saj, në sjelljet dhe në mënyrën e të jetuarit dhe të vepruarit, na ndihmon të kuptojmë çfarë pёrfaqësonte ajo përtej përmasave fizike dhe çdo të thotë të jeshë Nënë”.
Pasi mori pёrkushtimin motrёs sё pёrhersheme, u rikthye nё Kalkuta, ku e ngarkuan drejtuese nё Kuvendin e Motrave tё Loreto-s, ndёrsa nё vitin 1944 e emёruan drejtore e kolegjit katolik tё Shёn Marisё nё Entally.
Nё vitin 1945, populli hindian u ngrit nё luftё pёr pavarёsi nga Anglia. Nё ditёt kur Kalkuta u pёrfshi nga luftimet, Nёnё Tereza i aktivizoi motrat dhe nxёnёset e kolegjit, tё mjekonin tё plagosurit, të ndihmonin jetimёt, fëmijёt e braktisur dhe nё shpёrndarjen e ushqimeve banorёve nё mjerimin e slum-eve të Kalkutёs. Nё fund tё vitit 1945, kuvendi i Entally u sekuestrua nga ushtria, qё e shndёrroi nё spital, ku Nёnё Tereza dhe murgeshat, shёrbyen për mjekimin e të plagosurve dhe të sëmurëve. Nё gusht tё vitit 1946, Kalkuta u shndёrrua nё arenё luftimesh. Ndёrsa ecte nё rrugёt e Kalkutёs shihte shkatёrrimet dhe masakrat, që e tronditёn dhe ndikuan, qё krahas dhimbjes munduese, nё shpirtin e saj tё ndjeshёm tё lindi njё reflektim i brendshёm dhe revolta shpirtёror ndaj padrejtёsive, qё e udhёhoqёn drejt marrjes tё njё vendimi tё rёndёsishёm nё jetёn e saj.
NËNË TEREZA THEMELUESJA E URDHËRIT MOTRAT MISIONARE TË DASHURISË.
Congregatio Sororum Missionarium Caritatis.
Mё 10 shtator 1946, Motra Tereza shkoi nё kuvendin e Darjeeling, ku kaloi 10 ditё me ushtrime shpirtёrore. Gjatë meditimeve kalonte nё kujtesё ngjarjet e Kalkutёs, luftёn, shkatёrrimet, djegiet, tё vrarёt, tё plagosurit, varfёrinё, vuajtjet e njerёzve tё thjeshtё dhe nё ndёrgjegjien e saj shpёrtheu “thirrja e thirrjeve shpirtёrore”, pёr tё cilën tregon: “Atё natё hapa sytё dhe pashё vuajtjen e njerёzve dhe ndjeva mungesёn e pёrkushtimit tim. Dёgjova Zotin, qё kёrkoi nga unё tё braktisja jetёn e qetё, brenda mureve të kongregacionit fetar dhe tё dilja nё rrugё, pёr t’u shёrbyer tё varfёrve, të pamundurve, tё sёmurёve, tё plagosurve. Ky ishte urdhёr, nuk ishte sugjerim, as kёshillё, as propozim”.
Motra Tereza, pas këtij reflektimi dhe e udhёhequr nga thirrja e Krishtit nё kryq: “Kam etje”, vendosi tё largohet nga Kongregacioni i Motrave tё Loreto-s dhe t’i dedikohej bamirёsisё, mbёshtetjes, ndihmёs materiale dhe shpirtёrore pёr tё varfёrit, qё shoqёria e kohёs dhe kastat hindiane i kishin braktisur dhe i konsideronin tё paprekshmit. I kёrkoi ipeshkёvit tё Kalkutёs dhe Selisё sё Shenjtё, ta lejonin tё dilte nga kuvendi e të shёrbente si motёr aktive pranё njerёzve, t’u shёrbente tё varfёrve, ashtu si e kishte ndjerё thirrjen e Jezusit. Ipeshkёvi i Kalkutёs dhe bashkёmotrat e kongregacionit, u pёrpoqёn ta bindnin tё ndёrronte mendimin.
Njё sociolog atesit shqiptar, ka shkruar se Nёnё Tereza e braktisi kuvendin e Motrave tё Loretos, sepse nuk donte t’iu shёrbente vajzave tё familjeve tё pasura. U befasova nga ky lloj sociologu, i cili hiqet si studiues i jetёs sё Nёnё Terezёs dhe kёtё manipulim të induktuar nga kultura e tij komuniste, na e servir si zbulimin e tij tё madh. Nёnё Tereza nuk e braktisi kuvendin, nuk ka thёnё se nuk donte t’i mёsonte nxёnёset pse ishin nga familjet e elitёs, pёrkundrazi i donte, i nderonte, i respektonte dhe i trajtonte njёlloj si motrat e kuvendit, pasi ajo i konsideronte tё gjithё njerёzit tё barabartё para Zotit. Ndarjen me nxёnёset e saj, e pёrjetoj me dhimbje, por misioni qё do ndёrmerrte, ishte mё i madh, mё i rёndёsishëm se detyra e mёsueses nё kolegj. Duhet t’i kujtoi ketij lloj sociologu shqiptar, se shumë nga nxënëset e saj që ishin bija të elitës, u bënë misionare dhe punuan së bashku me Nënë Terezën.
Nёnё Tereza doli nga kuvendi, por nuk e braktisi fenё katolike, ndryshoi vetёm mёnyrёn e pёrkushtimit katolik dhe përjetimin e fesë së krishterë, krijoi kishën pa mure, e zbriti shёrbimin fetar mes njerёzve, zgjodhi tё qёndronte pranё tyre, duke i shёrbyer tё varfёrve, tё sёmurёve, tё braktisurve, leprozёve, jetimёve, sakatëve atyre qё ishin pa mbёshtetje dhe pa pёrkrahje. Me kёtё zgjedhje, Nënë Tereza revolucionarizoi misionin e fesё katolike, krijoi kishën e hapur pranë njerëzve, duke treguar forcёn e besimit katolik nё shёrbim tё njerёzimit, kështu zbriti nё rrugёt e hapura tё Kalkutës dhe mё pas e shtriu misionin në 136 shtete tё botёs, i ndihmoi njerёzit në nevojë me vepra tё vogla e tё zakonёshme dhe me dashuri tё madhe.
Për këtë vendim shpesh shtrohet pyetja: Eksklaustrim apo shekullarizim i Nënë Terezës? Nga letrerkembimi i Nënë Terezës me konfesorët, me ipeshkëvin e Kalkutës e me eproret e kongregacionit “Motrat e Loreto-s”, rezulton se ato e këshillonin për eksklaustrim, pra dalje të përkohshme nga kuvendi, me kusht të ishte e lidhur me urdhërin e saj. Këtë sugjerim, Nënë Tereza e shihte si kufizim të veprës së saj, si pengesë për të kryer misionin, andaj vendosi ta linte bashkësinë e Motrave të Loreto-s, për të themeluar urdhërin e ri, ashtu si ia kishte këshilluar Jezu Krishti gjatë vegimeve mistike në kuvendin e Darjeeling. Nё bazё tё teologjisё moderne, Nёnё Tereza preferoi shekullarizimin, kësisioj u largua nga kuvendi dhe e zbriti besimin fetar në popull, duke modifikuar skemat, rregullat, zakonet tradicionale, pozicionet, praktikat dogmatike dhe ato apriore të besimit fetar katolik. Vatikani ia dha lejen Nënë Terezës, tё jetonte në periferi të Kalkutës, ashtu si kërkoi, të jetonte pranë dhe me njerëzit e varfër, ku ndoqi rregullisht jetën fetare si motër katolike.
Më 15 gusht 1948, në festёn e “Zonja e Ngjitur në Qiell”, Nënë Tereza e hoqi vellon e zezё te Motrave te Loretos, veshi sarin e bardhë hindian dhe filloi jetën si motër e lirë dhe aktive. Në shtator 1948, Nënë Tereza shkoi nё kuvendin e Patna, pranë misionit të motrave mjeke, ku frekuentoi kursin 4 mujor për infermjere, duke rritur aftësitë në shërbim tё njerëzve, qё jetonin në slum-et (barakopolet, lagjet me baraka, bidonvilat) e shumta të Kalkutës dhe të qyteteve të tjera hindiane, ashtu si shërbeu të varfërve dhe në 136 vёnde të tjera të botës.
Në janar 1949, filloi misionin e Motrës Misionare të lirë dhe aktive në shërbim tё varfërve. Banonte në një barakё në Creek Lane në Motijhil dhe aty priti grupin e parë te motrave, që u bashkuan me Nënë Terezën. Në ato ditë kur filloi misionin, në kuletë kishte vetëm 5 rupie, por nё zemër kishte një pasuri të madhe, besimin katolik dhe dashurinë për njerëzit e varfër, të cilëve u shërbeu me devocion hyjnor. Këtë vepёr modeste në ndihmë të të varfërve, që e filloi vetëm me 5 rupie, por që e shndërroi në institucion humanitar gjithëbotëror, qeveria Hindiane, e ka nderuar me emetimin e monedhës 5 rupie me portretin e Nënë Terezës.
Në barakën e ndёrtuar me kartona, Ajo u mësonte fёmijёve shkrim e këndim, rregullat bazë te higjienёs, normat e sjelljes me kulturë dhe njëkohësisht iu shpërndante ushqime familjeve të vobekta. Më 19 mars të viti 1949, Nënë Tereza u sistemua në një shtëpi më të mirë, ku një nga dhomat e përdori për tu asistuar të sëmureve në gjendje të rëndë.
Në fillim të vitit 1950 Nënë Tereza i paraqiti Ipeshkëvit Imzot Pèreir, kërkesën për themelimin urdhërit të ri, tё cilin e quajti Missionarie della Carità (Misionaret e Bamirësisë – Dashurisë), si ia kishte sugjeruar Jezu Krishti nё vegimet nё kuvendin e Darjeeling. Leja nga Roma erdhi më 7 tetor 1950. Atё ditё, kryeipeshkevi i Kalkutës Imzot Pèreir, shpalli themelimin e komunitetit të motrave katolike “Missionarie della Carità”. Fjala karità (latinisht: caritas) në gjuhën shqipe përkthehet me sinonimet: bamirësi, dashuri, dhëmshuri, përdëllim. Shumica e përdorin thjesht bamirësi, si e ndeshim shpesh nё emërtimin Misionaret e Bamirësisë të Nënë Terezës. Kësisoj e përkthyer, nuk e shpreh thelbin e misionit tё Nënë Terezës, pasi në krye të veprimtarive të motrave misionare, nuk është bamirësia, mëshira, lëmosha, altruizmi, filantropizmi, por dashuria për jetën, shёrbimi me dashuri njeriut tё vuajtur. Bamirësi është të dhurosh parà, ushqime, veshje për të varfërit, por këto janë ndihma individuale, janë lëmosha të çastit, ndërsa misionaret e Nënë Terezës u dhurojnë njerëzve që vuajnë shumë më tepër, i trajtojnë me dashuri, me përkushtim, i japin kurajo, i ushqejnë, i lajnë, i përkëdhelin, i mjekojnë, iu japin mbështje shpirtërore, iu kthejnë buzëqeshjen, iu shёrbejnë tё gjithёve me dashuri. Për këtë aspekt, Don Lush Gjergji, autori i 30 veprave dinjitoze kushtuar jetës dhe veprimtarisë të Shen Nënë Terezës, bibliografi kompetent me vepra të përkthyera në 35 gjuhë të botës, me të drejtë ka përdorur emërtimin Misionaret e Dashurisë dhe është nderim e respekt për veprën e saj, tё quhet kesisoj dhe jo tё pёrdoret njё fjalё e përkthyer thjeshtë dhe thatë “bamirësi”.
Mё 22 gusht 1952, inauguroi Shtëpinë e Kalighat, për të sëmurët në gjёndje terminale, ku motrat misionare mjekonin dhe asistonin këta fatkeqё, të cilët spitalet i refuzonin t’i shtronin. Studiuesi Renzo Allegri, shkruan: “Nënë Tereza, me Misionin e Dashurisë, krahas krijimit tё njё rendi tё ri misionar dhe njё kulture shёrbimi pёr tё varfёrit, kërkonte të shmangëte dhe gabimet e të kaluarës të disa prej urdhërave tё krishterё, që kishin lindur për të ndihmuar të varfёrit, por ishin shndërruar në shërbim të tё pasurve.
Në shtëpinë e Kalighat-it të varfërve dhe të sëmurëve iu jipej bukë, shtrat, veshmbathje, ilaçe, mbi të gjitha dashuri, dinjitet, ngrohtësi, trajtim njerëzor. Një ditё ajo pa në rrugë një njeri të shtrirë, të uritur, të rreckosur dhe i pistë, i mbushur me miza dhe krimba. Njerёzit i kalonin pranë dhe e vёshtronin me përçmim, ndërsa Nënё Tereza e mori nga rruga, e lau, e veshi e ushqeu dhe e vendosi në shtrat në shtëpinë e Kalighat. Ky njeri i braktisur u befasua nga përkujdesia dhe nga kjo dashuri, që nuk e kishte ndjerë kurrë në jetën e tij të varfër, andaj i tha Nënë Terezës: “Nënë, kam jetuar në rrugët si kafshë, por tani do të vdes si engjëll!”
E filloi misionin duke ndihmuar njerëzit e braktisur në rrugët e varfërisë të Kalkutës dhe kësisoj vazhdoi të ndihmoi me qindramijëra tё tjerё, duke kryer vepra të vogla me dashuri të madhe, duke kryer shumë mrekulli, nga ato që dinte të kryente vetëm Nënë Tereza. Komuna e Kalkutës e vlerësoj këtë nisëm sociale dhe pёr ta mbёshtetur i dhuroi ndёrtesën e njё hoteli të vogël të braktisur në periferi të Kalighatit e njёkohësisht i dha njё buxhet modest, qё e përdori për krijimin e kushteve minimale të shërbimit ndaj të sëmurëvë terminalё. Në këtë qendër të re, motrat misionare përkujdeseshin për të sëmurët rëndë, për fëmijët jetima dhe për të moshuarit e braktisur nga familjet, nga shoqëria dhe nga shteti. Ata mjeranë ishin të feve të ndryshme, si hindù, myslimanё, budista, sikhizmatikë, katolikё etj, por të gjithë rrinin së bashku. Qёndra e Kalighatit ishte strukturë asistence e një urdhёri të krishterë, por sejcili prej të sëmurëve, ishte i lirë të praktikonte ritet e fesë së vet, pra myslimani lexonte Kuranin dhe falej pesë herë në ditë, hindusëve u jipej uji i lumit Gang, katolikёt kryenin ritet sipas Ungjillit etj. Kështu punuan Nënë Tereza dhe motrat misionare, përherë duke respektuar besimet fetare të sejcilit prej tyre, pa as më të voglën tentativë proselitizmi.
Në shkurt të vitit 1953, motrat misionare u vendosën në selinë e re në shtëpinë N° 54 A Lower Circular Road – Missionaries of Charity, ku ruhet ende tabela e drurit me shkrimin me ngjyrë të bardhë: 1, 54 A Mother Teresa MC IN/OUT; pra nuk quhet kuvend (manastir), si ato të urdhërave të tjerë të krishterë, por Shtëpia e Nënë Terezës Misionare e Dashurisë. Njerëzit e trajtuar nga motrat misionare, flisnin me respekt dhe entusia-zëm për shërbimet që kryenin dhe kjo atmosferë, i sensibilizoi masat e gjëra popullore, të besonin dhe të vlerësonin kontributin e shquar të Nënë Terezës dhe nё nderim të veprës së saj, të gjithë e quanin Nënë Tereza e Kalkutës, kësisoj e njohu bota, me kёtё “titull nderi” e quajti mass media, duke e shёndёrruar Kalkutën nё mbiemёr “zyrtar”.
Në shkurt të vitit 1965, me “Decretum laudis”, Papa Pali VI e aprovoi Urdhёrin “Missionarie della Carità” dhe e shpalli Kongregacion Pontifik, me selinë në Kalkuta. Emёrtimi pontifik, do tё thotё, qё kisha tё krijonte ura lidhёse me besimtarёt dhe me shumë popuj dhe pikёrisht misioni i Nёnё Terezёs e meritonte mё shumё se çdo urdhёr tjetër këtë nderim, pasi duke e zbritur kishёn në popull, krijoj lidhje tё fuqishme mes kishёs dhe popullit, mes Misionit tё Dashurisё dhe popujve të gjitha besimeve fetare. Në vitin 1965, me Nënë Terezёn, punonin 300 motra misionare, të cilat krahas shërbimeve në qendrat e asistencës, zbrisnin në rrugët e Kalkutës për të ndihmuar të varfërit, të braktisurit, jetimët, të sëmurët.
NËNË TEREZA E FAMËSHME DHE E SHENJTË:
Me themelimin e Urdhërit Misionaret e Dashurisё, Nёnё Tereza veshi sarin e bardhё të grave hindiane dhe sipas traditës popullore, bardhësia shpreh bashkëndarjen e dhimbjes me të vuajturit, ndërsa në buzët anësore të sarit, shtoi katër shirita blu, që shprehin katër përkushtimet e motrave misionare: varfëria, pastërtia (kastità), bindja dhe jeta e varfër ndërmjet të varfërve. Zgjodhi ngjyrën blu për shiritat, në nderim të Virgjёreshës Marie, ndërsa tre ravijëzimet, shprehin Trinitetin e Shenjtë. Nën supin e majtë mbi zemër, Nënë Tereza vendosi kryqin me Jezu Krishtin, pra e përdori ndryshe nga të gjitha motrat e rendeve të tjera të krishtera, të cilat e mbajnë kryqin në qafë me varëse.
Nënë Tereza e nisi misionin me një grup të vogël motrash, që u përkushtuan me vetmohim të varfërve dhe nevojtarëve, njё veçori shёrbimi, që e dallonte misionin e Nënë Terezës nga rendet e tjera të krishtera, duke i treguar botës se duhet tё jetojmё me profesionin dhe misionin e dashurisë, me kёtё art shёrbimi për tё varfёrit, tё sёmurёt, jetimёt e të braktisurit. Shёrbimi i motrave misionare, i kapёrcen kufijt e mёshirёs, nuk ёshtё vetёm keqardhje, nuk ёshtё thjeshtë bamirёsi, por ёshtё dashuri dhe ndihmё pёr tё gjithё ata qё vuanin. Martin Luther King nderohet nga bota sepse luftoi pёr drejtёsinё pёr tё gjithё, pa dallime ngjyre tё lëkurёs e pa dallime fetare; Mary Curie ёshtё e famëshme për zbulimet shkencore; Markoni u shqua për zbulimin e radios; Gabriel Garzia Markez u bë i njohur në botë për librat që shkroi; Bill Gates si themeluesi i Microsoft; ndërsa Nёnё Tereza u bё e famёshme dhe e shquar duke luftuar pёr drejtёsi shoqёrore, pёr t’iu rikthyer dinjitetin dhe tё drejtat elementare viktimave të varfërisë dhe të sëmurëve, të cilёve u shërbeu me dashuri, falas, me vepra humanitare dhe me inspirime shpirtёrore, me dashurinё pёr tё varfёrit ndёr mё tё varfёrit, duke kryer vepra madhore pa preçedenta nё përmasa dhe nё intensitet, kësisoj u bë e famёshme dhe e shenjtё për së gjalli dhe njё ndёr figurat mё tё shquara tё shekullit XX. Bota e vlerёsonte dhe Nёnё Tereza i risillte shenjtёrinё botёs.
Me thjeshtёsi tё admirueshme, me dinjitet dhe guxim, pa bёrё shpikje dhe zbulime tё mëdha, Nënë Tereza zbatoi profesionin, misionin dhe artin e dashurisё, kёsisoj u bё e pёrbotёshme, u bё vetё bota. Ajo tregoi me vepra, se nuk u shёrbeu tё tjerёve vetёm me misionet shpirtёrore dhe as me aksione individuale, por i masivizoi kёto shërbime, i organizoi nё institucione fetare, laike dhe shoqёrore jo qeveritare, i fuqizoi me mjete dhe me burime njerёzore, i shtriu nё tё pesё kontinentet, duke ndihmuar popujt e tё gjitha besimeve fetare.
Për imazhin publik, si simbol historik shpirtëror dhe humanitar, Nёnё Tereza është vlerёsuar në vendin e katërt ndër personalitet më të shquara të botës së krishterë, që janë Jezu Krishti, Shën Pali, Shën Françesku i Assisit dhe Shen Nënë Tereza. Në vitin 2010, revista “Time”, në kremtimin e 100 vjetorit të lindjes tё Nёnё Terezёs, i kushtoi njё numёr special me titull në kopertinё “Nënë Tereza e Shenjta e Gjallë”.
Papa Gjon Pali II ka thёnё: “Nёnё Tereza e Kalkutёs, bija e popullit shqiptar, i ka dhёnё nderin dhe shkёlqimin kombit tё saj, ashtu dhe Kishёs Katolike”.
Misioni i Dashurisё i Nёnё Terezёs u rrit, u zgjerua, u fuqizua, u pёrhap nё tё pesё kontinentet, i pranishёm nё 136 vende tё botёs, me 5000 motra misionare, qё u shёrbejnё me vetmohim pjesёs mё tё dobёt tё shoqёrisё, tё varfёrve, tё sёmurёve me SIDA, leprozёve, tё sёmurёve me tuberkuloz, me malarie, me kolera, invalidёve, toksikodipendenteve, jetimёve, tё gjymtuarve, tё uriturve, tё braktisurve, pleqёve tё mbetur vetёm dhe tё paaftё nga ana shёndetesore dhe mendore.
Në vitin 1985, me rastin e 40-vjetorit të themelimit të OKB, Nënë Tereza u ftua të fliste para Asamblesë së Përgjithëshme. Sekretari i Përgjithëshëm i OKB Perez de Cuellar, duke e prezantuar Nënë Terezën tha: ”Kёtu është salla e fjalimeve. Në këtë tribunë kanë folur burrat më të fuqishëm të botës, ndёrsa tani kemi privilegjin të kemi mes nesh dhe tё dёgjojmё gruan më të fuqishme të botës. Nuk besoj se është e nevojshme t’ua prezantoj, sepse e njihni tё gjithё dhe Ajo s’ka nevojё pёr fjalё, por për veprat tona. Mendoj, se gjëja më e mirë që mund të bëjë unë, është ta ftoj tё na nderoi me mesazhin e saj dhe t’u them, se ajo është më e madhe se unë, Ajo është më e madhe se të gjithë ne së bashku. Ajo është OKB-ja, Ajo është paqa në botë.”
Në vitin 2012 Asamblea e OKB, në nderim të kontributit të madh humanitar të Nënë Terezës, 5 shtatorin, ditën e ndarjes nga jeta të shenjëtores tonë, e shpalli Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë – Dashurisë. Populli ynё, krenohet me shqiptaren e shquar dhe shenjëtore, e cila me krenari deklaronte pёrkatёsinё shqiptare. Ditёn kur e nderuan me çmimin Nobel, duke i u përgjigjur pyetjes qё i bёri njё prift nё sallё pёr origjinёn e saj, Nёnё Tereza deklaroi me krenari: “Me origjinё dhe me gjak jam shqiptare, me shtetёsi hinduse, jam motёr katolike dhe pёrmes thirrjes time i pёrkas gjithё botёs, por zemra ime i pёrket vetёm Zotit”. Nënë Tereza u bë figura qendrore e njohjes të shqiptarëve në botë, ishte ambasadorja gjithёbotёrore e popullit tonё, duke ndikuar në rritjen e prestigjit tё Shqipërisё nё arenёn ndёrkombёtare dhe pse politika shqiptare nuk ia dha vendin dhe as meritat qё i takonin, madje dhe aktualisht nuk e nderon si e meriton.
Presidenti i USA Bill Klinton, nё vitin 2002 u shpreh: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo, qё më bëri ta dua kombin shqiptar dhe tani unë ndihem shumё krenar, që plotёsova njё detyrim moral ndaj Saj dhe ndaj vlerave tё lirisё në Kosovë”.
Ditёn e shpalljes e Lumturueme tё Nёnё Terezёs, Papa Gjon Pali II tha: ”Ta lavdёrojmё kёtё grua tё vogёl tё dashuruar me Zotin, kёtё lajmёtare tё pёrulur tё Ungjillit dhe bamirёse e palodhur e njerёzimit. Ta nderojmё kёtё personalitet tё shquar tё epokёs tonё. Ta pranojmё mesazhin e saj dhe tё ndjekim shembullin e saj”.
VIZITAT E NËNË TEREZËS NË SHQIPËRI.
Marrëdheniet e Nënë Terezës me atdheun janë një realitet dhimbje dhe dashurie. Regjimi komunist nuk e lejoj të vinte të çmallej me nënën Drane dhe me motrën Age, por dhe nuk i lejoi nënën dhe motrën të shkonin ta takonin në Romë. Pas shumë kërkesash insistuese personale dhe zyrtare dhe pas ndërhyrjes të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB Perez de Cuellar, Nënë Tereza e realizoi dëshirën e zjarrtë e të kaherëshme e në gusht të vitit 1989, pasi mori vizën në Ambasadën tonë në Romë, erdhi për vizitë në atdheun e saj të dashur, që shënoi
fillimin e lidhjes me popullin shqiptar, që e priti me shumë dashuri.
Ardhja e Nënë Terezës në Shqipëri u prezantua si vizitë private dhe për të shpëtuar shpirtin mëkatar, regjimi dha në lajme vizitën në varrezat e Sharrës. Me shpirtin të mbushur me mall e me dhimbje Nënë Tereza vendosi lule dhe u lut para varreve të nënës Drane dhe motrës Age. Në këtë vizitë me emocione drithëruese, Nënë Terezën e shoqëroi Maria Kraja, shoqja e ngushtë e nënës Drane dhe e motrës Age.
Në takimin me Ramiz Alia, Nënë Tereza i foli me dashuri nëne, e quajti “biri im”, ndërsa presidenti e refuzoi kërkesën e saj për të hapur shtëpitë e misionit, duke i thënë se në Shqipëri nuk ka të varfër e të braktisur. Propoganda komuniste e mbajti të fshehur këtë rrethanë, madje nuk tregoi asgjë për aktivitetet dhe kontributet e shquara të Nënë Terezës në qindra vende të botës. Aktiviteti i parë publik ishte takimi i Nënë Terezës me intelektualë dhe funksionar të partisë e të shtetit dhe me përfaqësitë diplomatike në Tiranë. Takimin e hapi Ministri i shëndetësisë Ahmet Kamberi, i cili e prezantoi me shumë kulturë, me nderim dhe respekte Nënë Terezën. Në vazhdim foli Nënë Tereza, e cila pasi falenderoi për mikpritjen, bëri uratën dhe e bekoi popullin shqiptar, madje një pjesë të uratës e tha në gjuhën shqipe, çka krijoi entusiazëm ndër pjesmarrësit. Në këtë takim u shfaq një film dokumentar me aktivitetet misionare të Nënë Terezës. Në përfundim të ceremonisë pata fatin ta takoj Nënë Terezën dhe nga ky takim lindi një miqësi e madhe, që vazhdoi dhe kur ika në Itali.
Në prag të krishtlindjes të vitit 1989, Nënë Tereza në letrën e urimit më shkruante: “Me gjithë impenjimet e shumta, mendjen e kam në Shqipëri dhe po përpiqem të gjejë kohë të lirë, për t’u rikthyer dhe të punojmë së bashku …” Nënë Tereza e mbajti fjalën, në vitin 1990 erdhi e bardhë plot mirësi, me entusiazëm, me dinamizëm dhe me forcat e saj tipike, punoi me dashuri dhe arrijti plot suksese dhe në atdheun e saj të dashur. U rikthye në atdhe, ashtu si premtoi, e mori Jezu Krishtin për dore dhe ia pruri fisit të vet shqipar.
Kjo vizitë përkoi me 80 vjetorin e lindjes e në këtë përvjetor Presidenti i Republikës e dekoroi me urdhërin “Naim Frashëri” i klasit të parë. Në vitin 1990 Nënë Tereza hapi në Tiranë shtëpinë e Misionit të Dashurisë. Mass media e regjimit jepte lajme të shkurtëra e pa komente për vizitat dhe takimet e Nënë Terezës. Ftohtësinë e shtypit tonë, e sfidoi shkrimtari Luan Rama, i cili në revistën “Ylli” botoi shkrimin “Fytyra e ndritur e humanizmit”, ku për herë të parë e njohu publikun tonë me Nënë Terezën, madje shembi dhe tabut e kohës sepse tregoi për aktivitetet e saj si motër katolike.
Në mars të vitit 1991, Nënë Tereza erdhi përsëri në Shqipëri dhe vizitoi qytete të tjera fillimisht shkoi në Shkodër e më pas në Durrës, Elbasan dhe Korçë. Gjatë këtyre vizitave nuk takoi asnjë nga pushtetarët, as ato lokalë dhe as ato të qendrës, por takonte dhe bisedonte direkt me popullin. Mikpritjen dhe nderimin e këtyre njerëzve të thjeshtë për Nënë Terezën, sidomos për ata që e shoqëronin dhe e që e ndihmuan për ngritjen e shtëpive të dashurisë, e shprehu me respekte dhe me letra falenderimi si familjeve Kraja, Shpati, Vorfi, Zajmi.
Në një nga takimet e zakonëshme i thashë Nënë Terezës: “U bënë tre vjet që vjen në atdheun tënd, këtu ke motrat, ke fisin tënd dhe shumë miq, ke popullin që të do me zemër, pse nuk regjistrohesh banore e Tiranës?”
U mallëngjye e pa komentuar më pyeti: “Ҫfarë duhet të bëjmë e kujt duhet t’ia kërkoj këtë nder?”. Natyrisht kishte zgjidhje. Shkuam në zyrën e gjendjes civile të lagjes Nr. 1 dhe biseduam me përgjegjesen Q. Leci, e cila na spjegoi proçedurën dhe rregullat. Bëmë kërkesën, plotësuam formularin dhe i dorëzuam fotografitë. Pas disa ditësh zonja Leci e ftoi Nënë Terezën në zyrë dhe i dorëzoi Letër Njoftimin dhe lejen e pashaporizimit në Lagjen 1 të rajonit 1 të Tiranës. Nënë Tereza e lumturuar e shtërngonte Letër Njoftimin në gjoks dhe i a tregonte të gjithëve, sidomos të huajve që vinin ta takonin.
Nënë Tereza udhëtonte në shumë shtete ku vepronin shtëpitë e misionit. Në aeroporte, në pikat e kufirit tokësor dhe në porte, nuk ia kontrollonin pashaportën, madje të gjithë ngriheshin në këmbë dhe e përshëndetnin me nderime. Të gjitha portat e shteteve ishin hapur për Nënë Terezën, sepse ajo kishte “pashaportën e dashurisë dhe të mirësisë”. Ndonëse ishte pajisur me pashaportat hindiane, kanadeze, amerikane-USA, franceze, italiane, të Vatikanit etj, ajo dëshironte të kishte pashaportën diplomatike të shtetit amëtar, të udhëtontë nëpër botë si shqiptare. Këtë kërkesë asnjë qeveri shqiptare nuk ia plotësoi, i dhanë vetëm pashaportën e zakonëshme, megjithatë Nënë Tereza shprehte gëzim dhe krenari, duke ia treguar të huajve, të cilëve u thoshte: “.. shihni sa e bukur është pashaporta e atdheut tim”.
Gjatë vitit 1991, Nënë Tereza kontribuoi në ripërtrijen e fesë katolike, ndihmoi në rihapjen e Kishë së Shen Ndout dhe të katedrales “Zemra e Krishtit” dhe të shtatë kishave në rrethe, organizoi mensën për romët e Bregut të Lumit, shpërndahu medikamente në qendrat shëndetësore të malësisë, pruri ndihma ushqimore që u shpërndanë falas popullit. Për çdo aktivitet që organizonte, kërkonte të njihej me ligjet dhe rregullat e shtetit, si veproi në vitin 1992 kur ftoi një grup të madh mjekësh amerikanë, që kryen vizita mjekësore falas dhe shpërndanë medikamentet që kishin sjellë, por duke respektuar nomeklaturën e barnave të vendit tonë.
Në një nga takimet me Nënë Terezën më konfidoi për gjendjen e saj shëndetësore. Më tregoi se në vitin 1989, para se të vinte në Shqipëri kishte kaluar infark miokardi, me çrregullime ritmi, andaj mjekët i kishin vendosur pacemaker; në vitin 1991 i ishte nënshtruar angioplastikës në një klinikë në Kaliforni, në vitin 1992 i u shtuan shenjat e insuficiencës kardiovaskulare, por Ajo kurrë nuk u ankua, as nuk e ndërpreu aktivitetin misionar, vazhdoi me të njëjtin intensitet, madje erdhi në Shqipëri dhe ndejti më gjatë duke punuar për forcimin shtëpive të dashurisë, për rihapjen e kishave, sidomos të Katedrales në Shkodër. Për të kontrolluar gjendjen shëndetësore të Nënë Terezës, dërgova kardiologen Dr Mimoza Lezha, e cila i qëndroi pranë disa ditë, madje fjeti dhe në shtëpinë e Nënë Terezës.
Më 25 prill 1993, Papa Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë. Në aeroportine Rinasit u prit nga personalitetet e larta shtetërore dhe krahas tyre Nënë Tereza, e pranishmë si bija e shtëpisë, që kish dalë të priste Atin e Shenjtë. Në të gjitha aktivitetet, Papa Gjon Pali II e mbajti pranë Nënë Terezën, veprim që nuk e kishte kryer në asnjë vend të botës, më asnje figurë të kishës, as me kryetar shtetesh dhe as me funksionarë të tjerë të shtetit. Ky veprim shprehte nderim dhe respekte për figurën madhështore të Nënë Terezës shqiptare.
Në një bisedë me miqt e mi Shaban Sinani dhe Naim Zoto, konstatuam se gjatë pesë viteve të aktivitetit të Nënë Terezës në Shqipëri, asnjë gazetar i shtypit dhe i televizioneve nuk e kishin intervistuar Nënë Terezën. Një qëndrim paradoksal i mass medias shqiptare. E informova Nënë Terezën për kërkesën e Shabanit dhe të Naimit për intervistën. Pranoi me kënaqësi. U takuam me Nënë Terezën në dhomën e saj, dhe sapo u sistemuam dhe Shabani do të fillonte t’i drejtonte pyetjet, Nënë Tereza e parapriu: “Ju që shkruani për mua dini më shumë sa di unë për veten time, andaj mendoj jo intervistë, sepse nuk kam asgjë të veçantë për të treguar për veten, unë jam një pikë ujë në oqean, por dëshiroj që përmes jush t’i transmetoj një mesazh popullit shqpëtar”.
Mbetëm të befasuar nga kjo syrprizë e bukur, nga ato që dinte të bënte vetëm Nënë Tereza”.
Më 30 prill 1993, në gazetën “Shqip”, u botua mesazhi i Nënë Terezës me titull editorial me germa të mëdha
“E doni atdheun, duke dashur njeri tjetrin”. Ky mesazh u mirëprit nga populli që e admironte, i dëgjonte dhe i respektonte kashillat e saj, ndërsa politika shqiptare e të gjitha ngjyrave mbajti qëndrim indiferent, madje asnjë gazetë dhe asnjë kanal televiziv nuk reaguan dhe as nuk e transmetuan mesazhin. Ishte koha kur Shqipëria grindej me vehten dhe politikanët ishin të ndërsyer mes tyre.
SHENJTËRIMI I NËNË TEREZËS
Kishin kaluar 13 vjet nga dita kur Nënë Tereza u kanonizua e Lumturume dhe në ditët, muajt e vitet, që kalonin shpalleshin prova të shumta dhe dëshmi të qarta për domozdoshmërinë e shpalljes Shenjtore. Në fakt, tërë jeta e Nënë Terezës ishte Vita sanctae – jeta e shenjtores”, e përjetuar çdo ditë në fè, nё ungjill, nё eukaristi dhe në lutjet, qё i zbatoi me përkushtim e me dashuri nё aktivitetet fetare dhe humanitare në ndihmë të viktimave të varfërisë të sëmurëve, jetimeve dhe të braktisurve nga familjet, nga shoqëria dhe shtetet.
Nënë Tereza i kishte përmbushur të gjitha kushtet pёr tu shpallur shenjtore, ashtu si ka percaktuar Koncili i Trentos, andaj çdo ditë e më shumë, idhëtarët e saj dhe populli e quante Sancta Teresa
– Shen Tereza dhe arrijti 4 shtatori, dita e bukur, kur Papa Françesko e shtoi në listën e shenjtorëve të Kishës Katolike, por nga ana tjeter konfirmoj se Ajo nuk ishte e nuk është vlerё vetëm e krishtërimit, por ёshtё vlerё e madhe e njerëzimit dhe i përkiste të gjithë popujve të botës. Në këtë shkrim do t’i rikujtoj lexuesve disa nga kriteret më thelbësoret dhe më tipiket, që e shquajnë Nënë Terezën në aktivitet e shumta si misonare katolike dhe si shenjëtore.
Nënë Tereza është themeluesja e Urdhërit Misionaret e Dashurisë, fillimisht vepruese në Kalkuta dhe në vazhdim në 136 vende të botës duke realizuar ndërkombëtarizimin e Misionit të Dashurisë, duke e shndërruar në mision humanitar gjthëbotëror. Asnjё urdhёr i krishterё, apo i ndonjё feje tjetёr, asnjё shoqatë humanitare, asnjё organizatё joqeveritare bamirёse dhe ato të quajturat ndërkombëtare, nuk kanё aktivitete nё pёrmasat gjithë botërore dhe me intensitetin, që ka zhvilluar Misioni i Dashurisё i Nёnё Terezёs, i cili mbetet unikal nё historinё e njerёzimit, me shtrirje aktive nё shtetet e tё pesё kontinenteve. Me kёtё zgjedhje, Nënë Tereza revolucionarizoi misionin e fesё katolike, krijoi kishën e hapur, duke e zbritur pranë njerëzve, duke e përhapur forcёn e besimit katolik nё shёrbim tё njerёzimit.
Me veprat e saj sublime Nënë Tereza u bë ikona e Samaritanes së Mirë, sepse shkonte kudò për t’i shërbyer Krishtit nё të varfërit ndër mё të varfërit. As konfliktet dhe as luftërat nuk e ndaluan të kryente misionet shpirtërore dhe humanitare. Personaliteti dhe autoriteti i fuqishëm i Nënë Terezës u shpreh në vitin 1984, kur ndërhyri dhe iu imponoi palëve luftuese të ndërpresin luftimet në Liban, atë që nuk e bëri OKB, as USA, as Franca, as Anglia, as Italia. Kjo ngjarje është pa preçedenta dhe për herë të parë në historinë e njerëzimit, një motër katolike shqiptare, u be protagoniste e paqes, duke detyruar armëpushim për motive humanitare.
Po të jetonte në ditët tona, Nënë Tereza do të kishte ndikuar fuqishëm dhe në ndalimin e luftës në Ukrainë dhe në këto ditët të luftës të sotme, Ukrainës dhe botës i mungon një personalitet i fuqishëm si Nënë Tereza.
Me lutjet në përgjërim, me uratat dhe aksionet, me ungjillizimin dhe promocionin njerëzor, Nënë Tereza proklamoi Ungjillin, me jetën e saj, që ua dhuroi tё gjithёve. Ajo është ungjilli i pestë, e pranuar unanimisht, është shenjtore e dashurisë. Shen Nёnё Tereza, Shen Gjon Pali II dhe Shen Pio Pietrelçina, janё tre “shёrbёtorёt e shpirtit”, qё merituan titullin Servus servorum Dei – shёrbёtor i shёrbёtorёve tё Zotit, pёr veprat shpirtёrore dhe humanitare, që kryen me dashuri nё shёrbim tё njerёzimit.
Nënë Tereza me motrat misionare kanë ndihmuar, kanë strehuar dhe ushqyer, kanë larë dhe mjekuar me dhjetramiliona njerëz të varfër, jetima, të sëmurë, sakatë, të braktisur, të përbuzur, ata që kastat i konsideroin të paprekshmit, ata që dergjeshin gjysëm të “vdekur” në rrugët e pista të Kalkutës e në vendet e tjera të botes; i kanë shërbyer popullit të gjitha moshave dhe pa dallime fetare, etnike, social-ekonomike. Me këto shërbime Nënë Tereza solli një risi humanizmi në misionet e kishës katolike. Nënë Tereza dhe motrat misionare shër-benin me përkushtim, me dhimbshuri dhe me dashuri, duke e shndërrruar dashurinë në profesion, në aksion, në mision fetar dhe humanitar.
Shen Nënë Tereza është misionare e bamirësisë, e dashurisë, e paqës, misionare e jetës.
Nënë Tereza nuk ishte teologe, por besimi i saj ishte i madh dhe i thjeshtë, ishte besimi i një motre katolike të devotёshme dhe këtë e ndjenin të gjithë, andaj dhe para se të shpallej e shenjtë, fotografia e saj qëndronte si një ikonë e shenjtë në murin e dhomave të miliona besimtarëve, madje dhe të atyre që nuk besojnё, pra dhe të ateistave dhe kjo është një mrekulli e vërtetë. Të gjithe ishin të bindur për veprën e shenjtë të Nënë Terezës, por konservatorizmi i klerikëve, diktonte si kerkesë prova të dokumentuara të heroizmit dhe të mrekullive të kryera nga Nënë Tereza, të cilat sipas tyre duheshin për ta shpallur shenjtore.
Në vitin 2002, Papa Gjon Pali II, aprovoi dekretin e virtyteve heroike të Nënë Terezës dhe njohu mrekullinë me qytetaren indiane Monika Besra, e cila u shërua nga tumori me ndërhyrjen shpirtërore të Nënë Terezës. Me këtë akt, u miratua dhe dekreti mbi vlefshmërine e proçesit të Lumturimit.
Natyrisht, ky rast nuk është e vetmia mrekulli e Nënë Terezës, janë dhe shumë te tjera.
Në dhjetor të vitit 2015, Papa Françesko shpalli dekretin për miratimin e një tjetër mrekullie dedikur Nënë Terezës. Ky është rasti i Shërimit të një të sëmuri 42 vjeçar nga San Paolo – Brazil, i cili më 9 dhjetor 2008, ra në gjendje kome, gjatë ndërhyrjes për abscese të shumta në tru, të ndërlikuar me hydrocefali. Gjysëm ore pas ndërhyrjes, kur mjeku u kthye te i semuri, e gjeti zgjuar dhe në gjendje koshiente, ndërsa bashkeshortja e tij vazhdonte të lutej për të Lumen Nënë Tereza, ndaj të cilës shprehnin devocion familjarisht. Gjatë kontrolleve shëndetësore të sëmurit pas operacionit, rezultoi mrekullisht shërim i plotë. Më 10 shtator 2015, nga verifikimi që i bënë shtatë antarët e konsultës mjekësore të Kishës Katolike, çdukja e sëmundjes u konsiderua shkencë-risht e paspjegueshme, por u vlerësua një mrekulli e Nënë Terezës. Bazuar ne raportin e hartur nga komisioni i mjekëve, antarët e Konsultës Teologjike, që kanë detyrë të shprehen në rastet e kanonizimit, deklaruan “lidhje perfekte e shërimit, me vokacionin për të Lumturumen Nënë Tereza”. Kolegji i Kardinalëve dhe i Ipeshkëve të Kongregacionit për Çështjen e Shenjëtorëve, miratoi raportin e hartuara nga teologët dhe nga komisioni i mjekëve dhe sanksionoi virtytin heroik dhe mrekullinë e Nënë Terezës, në shërimin e qytetarit brazilian.
E tërë jeta e Nënë Terezës është plot vepra heroike dhe mrekulli të shumta. Ndonëse shkruhet pak, madje pothuaj nuk flitet rreth këtij fakti, do të shtoj dhe një mrekulli tjetër, që është unikale në historinë e njerëzimit. Në vitin 1958, për kurimin e të sëmurëve me lepër, në Titagarh, një lagje e madhe e degraduar në shtetin federal tё Bengala, Nënë Tereza hapi qendrën e asistencës dhe të kurimit të sëmurëve me lepër. Sëmundja e leprës ishte shumë e përhapur në Hindi, ishte një plagë e madhe shoqërore. Hindia është leprozari i hapur dhe më i madh i botës. Për ta vënë nën kontroll këtë situatë, Nënë Tereza iu përvesh punës, duke krijuar një rrjet me ambulanca infermierie, ku Ajo vetë personalisht dhe me motrat misionare u shërbenin të sëmurëve me lepër. Lepra është sëmundje infektive ngjitëse, andaj në të gjitha vendet e botës, këta të sëmurë trajtohen në leprozare, të izoluar, për të parandaluar infektimin e personave të tjerë. Si të mos mjaftonte izolimi për motive mjekësore, familja dhe shoqëria i përbuz, nuk u afrohet, i braktis këta mjeranë, të cilët janë të detyruar të jetojnë të mbyllur mes tyre në leprozarët. Është fakt i njohur nga të gjithë, i dokumentuar me fotografi dhe me filma dokumentarë dhe me të dhëna klinike, që pasqyrojnë punën vetmohuese të Shen Nënë Terezës dhe të motrave misionare, që u shërbyen këtyre të semurëve me dashuri, i kanë përkedhelur, i kanë ushqyer, i kanë larë, i kanë veshur, i kanë ndihmuar të shtrihen në shtrat, i kanë kuruar, u kanë lehtësuar dhimbjen, u kanë dhënë shpresa.
Shen Nënë Tereza dhe pse i prekte, i mjekonte dhe i ushqente të sëmurët me lepër, nuk u infektua nga bacili tepër ngjitës i leprës dhe kjo është një nga mrekullitë e vërteta, që karakterizojnë jetën dhe veprën e saj sublime, në shërbim të këtyre të sëmurëve, është një sfidë për pushtetet indiferente dhe për mjekësinë. Impenjimin në trajtimin e këtyre të sëmurëve Shen Nënë Tereza e shprehte me thjeshtësinë dhe përkushtimin e saj, duke theksuar me bindje: “Nuk ka leprozë, është vetëm sëmundja e leprës e cila mund të kurohet”.
Misionet e Shen Nёnё Tereza pёrfshijnё aktivitete tё shumta tё karakterit fetar, humanitar, shpirtëror, bamirёs, kulturor dhe tё gjitha nё veçanti e sё bashku, janё shprehje e dashurisё pa kufi pёr njerёzit nё vuajtje, janё shёrbime pёr tё shpёtuar dhe shёruar jetёn e lënduar nga sëmundjet, janё misione hyjnore, misione të shenjta, qё i realizoi me thjeshtësinë dhe me madhështinë e saj dhe nё pёrmasa gjithё botёrore. Shen Nënë Tereza shqiptare është gruaja më potente e botës, është motra misionare, që e ndërkombëtarizoi dashurinë për njeriun.
Më 15 mars 2016, Papa Francesko firmosi dekretin e kanonizimit shenjtore të Lumturumes Nënë Tereza.
Më 4 shtator 2016, Selia e Shënjtë zyrtarizoi vendimin e Kongregacionit të Kardinaleve të Kanonizimit shenjtore të Nënë Terezës, duke konfirmuar verdiktin mbarë popullor: “Vox Populi, vox Dei”, pasi de facto, popujt prej kohe e kishin shpallur shenjtore. Ceremonia e shenjtërimit u zhvillua në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan dhe shënoi një ndër ngjarjet kryesore të Vitit Jubilar të Mëshirës.
Pas kanonizimit shenjëtore, në disa vende të botës u konsakruan kisha me titullin Shen Nënë Tereza, por kjo nuk ndodhi në Shqipëri, sepse si gjithmonë shqiptarët janë te vonuar në nderimin e figurave të shquara të kombit, ndër të cilat shquhet në përmasa gjithëbotërore Shen Nëna Tereza.
Shen Nёnё Tereza shqiptare është Nёna e pёrjetёshme e popujve, Apostola e Dashurisё, Shenjtoria e Dashurisë, vepra e saj shpreh shërbimin, moralin, humanizmin dhe dashurinë Tereziane, qё edhe nё ditёt e sotme, janё modele sociale pёrgjithёsuese pёr tё gjithё popujt e botёs.
Komentet