Mijëra njerëz pritet të marrin pjesë në përkujtimet e së hënës të 27-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës, të cilin shumica e serbëve dhe udhëheqësve të tyre ende refuzojnë ta njohin në Bosnjën e ndarë etnikisht.
Eshtrat e 50 viktimave të identifikuara së fundmi të masakrës më të rëndë të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore do të varrosen së bashku me 6671 të tjera në varrezat e qendrës përkujtimore.
Rreth 8,000 burra dhe djem myslimanë nga qyteti lindor i Srebrenicës u vranë nga forcat serbe të Bosnjës në korrik 1995, një akt gjenocidi sipas ligjit ndërkombëtar.
Kryediplomati i BE-së Josep Borrell dhe komisioneri i zgjerimit Oliver Varhely bënë homazhe për të vdekurit e Srebrenicës në një kohë kur pushtimi rus i Ukrainës tregon “se ende sot ne nuk mund ta marrim paqen si të mirëqenë”.
“Agresioni i pajustifikuar dhe i paprovokuar i Rusisë kundër Ukrainës ka sjellë përsëri një luftë brutale në kontinentin tonë”, thanë ata në një deklaratë.
“Vrasjet masive dhe krimet e luftës që shohim në Ukrainë sjellin kujtime të gjalla të atyre që u dëshmuan në luftën në Ballkanin Perëndimor në vitet 1990.
“Është më shumë se kurrë detyra jonë të kujtojmë gjenocidin e Srebrenicës… të ngrihemi për të mbrojtur paqen, dinjitetin njerëzor dhe vlerat universale.
“Në Srebrenicë, Evropa dështoi dhe ne jemi përballur me turpin tonë.”
Zbulimi i skeletëve të kësaj masakre është bërë i rrallë vitet e fundit, edhe pse rreth 1200 njerëz janë ende të zhdukur, sipas Institutit të Personave të Zhdukur të Bosnjë-Hercegovinës.
Pritje 20 vjet ‘për asgjë’
Procesi i identifikimit është bërë më i vështirë nga shkatërrimi i eshtrave dhe zhvendosja e tyre në varreza masive në përpjekje për të fshehur përmasat e masakrës.
Funerale masive të të identifikuarve mbahen çdo 11 korrik, data kjo e marrjes së pushtetit nga forcat e gjeneralit serb të Bosnjës Ratko Mlladiç, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte.
Eshtrat e një prej 50 personave që prisnin varrosjen u gjetën të shpërndara nëpër tre varre masive të veçanta, tha Amor Masovic, një ekspert mjeko-ligjor që ka punuar në dhjetëra vende të varrezave masive në rajonin e Srebrenicës.
Eshtrat e shumicës së të tjerëve u gjetën të shpërndara nëpër dy varre masive, shtoi ai.
Behrem Halilovic, 62 vjeç, ka shpresuar për vite të tëra që do të identifikoheshin më shumë eshtra të vëllait të tij përpara se të bënte një varrim siç duhej.
“Ne kemi pritur 20 vjet për të gjetur më shumë eshtra, por nuk pati. Nuk mund të presim më,” tha ai të premten, kur 50 arkivolët ishin nisur nga Sarajeva për në Srebrenicë.
Më 11 korrik 1995, vëllai i tij ishte 27 vjeç. Ai dhe i ati po përpiqeshin të strehoheshin te forcat e OKB-së, por të dy u kapën dhe u vranë.
Behremi mbijetoi duke ikur nëpër pyll.
“Heronjtë”
Që nga lufta brutale e viteve 1990 që mori rreth 100,000 jetë, Bosnja është ndarë sipas vijave etnike. Gjysma e vendit i përket entitetit serb, ndërsa tjetra drejtohet nga një federatë myslimano-kroate.
Ka kaluar më shumë se një çerek shekulli, por Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç, presidenti i Republikës Srpska gjatë luftës, i cili gjithashtu është dënuar me burgim të përjetshëm, mbeten “heronj” në sytë e shumë serbëve, me fotografitë e tyre që ende zbukurojnë shumë mure.
Udhëheqësit politikë të serbëve që jetojnë sot në Bosnje dhe në Serbinë fqinje refuzojnë të pranojnë që një gjenocid ka ndodhur në Srebenicë, duke preferuar ta quajnë atë një “krim të madh”.
“Ne kemi 27 vjet që luftojmë për të vërtetën dhe kërkojmë drejtësi, por për 27 vjet ata kanë mohuar të vërtetën, kanë mohuar gjenocidin,” tha Munira Subasic, kryetare e një shoqate të grave të Srebenicës.
Korrikun e kaluar, ish-përfaqësuesi i lartë për Bosnjën, Valentin Inzko, e shpalli të jashtëligjshëm mohimin e gjenocidit dhe krimeve të luftës, duke e bërë atë të dënueshëm me burg.
Vendimi ngjalli zhurmë mes serbëve të Bosnjës të kryesuar nga Milorad Dodik, i cili mban presidencën kolektive të vendit.
Ai ka nisur një proces të tërheqjes së serbëve nga ushtria, gjyqësori dhe sistemi i taksave, duke nxitur frikën e shpërbërjes së vendit ose të fillimit të një konflikti të ri./ar.sh/SYRI.NET
Komentet