Kryetari demokrat, Sali Berisha, e quajti skandaloze daljen e Edi Ramës dje në Bruksel në prani të Aleksandër Vuçiçit.
“Një shkak tjetër po kaq madhor i refuzimit nga BE dhe mosveçimit nga Maqedonia lidhet me faktin e paprecedentë në historinë e Brukselit, as edhe në historinë e Shqipërisë. Nëse lexoni të gjitha deklaratat para samitit dhe gjatë samitit të Edi Ramës, ato faktojnë katërcipërisht se ky zotëri shkoi në Bruksel jo si përfaqësues i Shqipërisë, por si vasal i Vuçiçit. U soll atje sikur të ishte Milorad Dodik, president i serbëve të Bosnjes dhe jo si kryeministër i Shqipërisë.
Po ju rikujtoj këtu, momentet kur vetëm 2 apo 3 orë pasi padroni i tij në Beograd do mblidhte qeverinë për të marrë vendimin, vasali i tij në Tiranë shpalli menjëherë se nuk do udhëtojë pas konsultimeve me padronin dhe u nis për udhëtim privat, në karshillëk ndaj çdo shqiptari, për Paris. Por sapo padroni i tij ndryshoi qëndrim, dhe ju e kuptoni se qëndrimet e padronit nuk kanë lidhje me veton bullgare sepse Serbia i ka hapur negociatat, vasali ndryshoi qëndrim dhe shkoi në Bruksel.
Në Bruksel ai faktoi se ishte përfaqësues i aleancës së serbomadhit Vuçiç. Edi Rama dëshmoi qartë se ai është i rreshtuar, jo me Ballkanin e Berlinit apo Brukselit, por me Ballkanin e Beogradit dhe Putinit.
Pikërisht në emër të këtij rreshtimi, ai u shfaq në konferencë shtypi me trojkën famëzezë, padronin Vuçiç dhe vasalët Rama dhe Kovaçiç. Asgjë nuk mund të lidhte kryeministrin e Shqipërisë në një konferencë për shtyp të përbashkët me presidentin e Serbisë, përveç faktit se duhej të dëshmonte se mes BE-së dhe Putinit dhe Serbisë, ka bërë zgjedhjen e tij. Brukseli nuk ishte takim trelateral i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor. Ishte takim mes udhëheqësve të BE me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Në konferencë shtypi ishte vetëm trojka e aleancës trelaterale. Nuk u shfaq në atë konferencë as presidentja e Kosovës, as presidenti i Malit të Zi, as përfaqësuesi i Bosnjes. Pra, me paraqitjen në këtë format në konferencë shtypi, Edi Rama faktoi se në cilën anë është i rreshtuar.
Mos harroni se ky samit ishte samit historik. Ishte historik sepse BE në kushte që ndonjëherë nuk mund të imagjinoheshin, u ofroi statusin kandidat dy vendeve të kërcënuara dhe sulmuara nga Putini. Vendi i Shqipërisë nuk mund të ishte në një pozicion tjetër përveçse në krahun e BE.
Statusi nuk iu dha Shqipërisë, pasi hokatari i shpifur që kalon nga samiti në samit me atlete të kuqe dhe benevrekë, për të përqeshur protokollet zyrtare, bëri vetëm avokatinë e Serbisë dhe nuk u mor me Shqipërinë. Qortonte liderët e BE-së pse i kërkojnë Serbisë të zbatojë sanksione ndaj Rusisë, me argumentin e një spekulanti se 80 përqind e serbëve e quajnë Putinin hero.
Por nëse 80 përqind e quajnë kështu, shkaku është se ata qeverisen nga një Putin i vogël. Dhe kjo u dashka marrë në konsideratë nga BE? Që paskan një Putin të vogël në Ballkan dhe të mos i bien në qafë, kur ai është potencialisht i rrezikshëm për vendin e tij dhe rajonin,” tha Berisha.
Berisha i kërkon falje Bullgarisë për sulmet e Ramës: Skandal! Ky nuk është qëndrimi i shqiptarëve
Kryetari demokrat, Sali Berisha, i kërkoi ndjesë Bullgarisë për sulmet dhe fyerjet skandaloze të kryeministrit Edi Rama.
“Do e quaja një skandal shumë të rëndë sulmin ndaj një vendi mik, Bullgarisë. Dua t’u them shqiptarëve që në mënyrë absolute në 32 vitet e fundit, ky vend ka të regjistruar në marrëdhëniet bilaterale me qindra e qindra akte dhe vendime miqësore me shqiptarët.
Turpi të mbulojë Edi Ramën, që i jep një vendi mik në publik, turpin si një ordiner. Bullgaria është një vend mik dhe çdo kryeministër dhe president i këtij vendi ka gjetur në atë komb vetëm miq. Bullgaria u bashkua me NATO në betejën kundër Serbisë në Kosovë. Ajo ka qenë një avokate e Shqipërisë për aq sa ka pasur zërin e saj.
Tani del ky vasal i Vuçiçit dhe i jep turpin këtij vendi. Në emër të opozitës shqiptare u kërkoj ndjesë popullit bullgar dhe qeverisë së tij. I garantoj se nuk është ky vendimi i shqiptarëve, por është vendimi i një aventurieri, një njeriu që nuk njeh asnjë parim. Që nuk di se çfarë është miqësia mes vendeve.
Bullgaria është një vend sllav, por të mos harrojmë se kemi pasur një degë të rilindjes atje, shumë të fuqishme. Nuk mund të ketë kurrë një arsye që kryeministri i vendit, t’u tregojë turpin bullgarëve, përveçse një njeri që turpëron çdo shqiptar me qëndrimet e tij,” tha Berisha.
“Dënoj fyerjen që ai i bëri Bullgarisë. Bullgaria është një mik i çmuar dhe ka dëshmuar veten që nga përmbysja e Shirkov deri më sot. Po kaq ai ka fyer edhe vendet e BE që i ka konsideruar si të marra peng nga Bullgaria. Në fund të fundit po ta zhveshë nuk del gjë tjetër veçse një Spartak Ngjelë më i rrjedhur se ai”.
Berisha: Më 7 korrik i japim përgjigje Ballkanit të Putinit! Protesta nuk ndalet deri në realizimin e qëllimit
Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha në konferencën e të premtes, se protesta e 7 korrikut nuk do ndalet deri në realizimin e qëllimit.
“Le t’i japim me datën 7 korrik përgjigjen më të merituar Ballkanit të Hapur apo Ballkanit të Putinit.
Të dëshmojmë bashkërisht besnikërinë tonë ndaj orientimit perëndimor. Të dëshmojmë se për shqiptarët, anëtarësimi në BE është ëndrra më e bukur, e ardhmja më e shkëlqyer për ta,” tha Berisha.
“Protesta duhet të jetë e atillë që nuk duhet të ndalet gjer në realizimin e qëllimit. Se cila do jetë kjo protestë, do e përcaktojë vetë protesta.
Mos harroni një gjë, një parim: ky është një front. Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë.
Në një lëvizje, suksesi përcaktohet kur pranon që njëherë udhëheq ti, njëherë të udhëheqin.
Vetëm në këtë mënyrë arrihet te suksesi. Unë jam i gatshëm që të udhëheq dhe të më udhëheqin,” theksoi lideri demokrat.
7 korriku- Berisha: Deputetët të rreshtohen me shumicën! Vendimet do i marrë fronti i protestës
Kryetari demokrat, Sali Berisha tha sot se deputetët janë të ftuar të bëhen pjesë e protestës së 7 korrikut.
“Deputetët janë të ftuar të rreshtohen me shumicën. Janë të ftuar të japin kontributin e tyre dhe të rreshtohen me shumicën.
Të shkëputen nga Ali-Basha i cili është varianti bis i Lulzim Bashës në raportet me Edi Ramën.
Vetëm një ndryshim mund të ketë se Bashës i bënte ndonjë telefonatë Rama, kurse për këta ka ngarkuar Taulant Bego Yaris apo Taulant Sharrën,” tha Berisha.
“Qëllimi i protestës është të ngrejë qytetarët në këmbë kundër këtij regjimi armiqësor. Çdo njeri që i thotë vetes shqiptar, e konstaton këtë. T’i ngremë shqiptarët në këmbë kundër një regjimi që ka futur duart në xhepat e tyre dhe po i varfëron çdo ditë”.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse qytetarët do të kërkojnë të futen te kryeministria ose parlamenti, Berisha tha: “Edi Rama është i vetmi kryeministër që ia mbath para se të fillojnë protestat. Kjo është e vërtetë. Ndiqeni atë ditë, nga tunelet e Skraparit deri në galeritë e Klosit, në asnjë protestë ai nuk ka qëndruar në zyrë. Kemi të bëjmë me një front në këtë protestë. Vendimet merren nga koalicioni, nga fronti”.
Berisha: Do të protestojmë edhe kundër Sorosit! Mirëpres kontributin e Metës dhe të LSI-së
Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha sot se më 7 korrik do të protestohet jo vetëm kundër krizës së rëndë ekonomike dhe projektit Ballkani i Hapur, por edhe kundër miliarderit ultramajtist George Soros.
“E konsideroj atë një armik të stabilitetit dhe të demokracisë në Shqipëri. Me mbështetjen e projekteve në sinkron me Lavrovin dhe Putin, Soros fakton se është një faktor i rrezikshëm për paqen në Ballkan,” tha Berisha.
Berisha u shpreh edhe njëherë i hapur për një bashkëpunim me presidentin Ilir Meta pasi të lërë mandatin në krye të shtetit. Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha tha se Meta dhe LSI-ja janë të mirëpritura për t’iu bashkuar opozitarizmit kundër Edi Ramës.
“Disa herë jemi takuar në Baku me presidentin Meta. Ai i mbyll këtë javë detyrimet. Mirëpritet kontributi i tij dhe i LSI-së në opozitarizmin kundër Edi Ramës. Do bashkohemi me të gjitha forcat politike që besoj se ky regjim është armiqësor ndaj shqiptarëve,” tha Berisha.
Sipas tij, në krye të protestës do jetë një front i gjerë. Ai ftoi qytetarët, intelektualët dhe këdo që të bëhet pjesë e saj.
“Ideja ime është një front opozitar, me një udhëheqje kolektive, ku rol kryesor ka PD. Kontributi i çdo force politike, apo faktori tjetër, organizata të shoqërisë civile, individ i shquar është i mirëpritur. Ne jemi të hapur. Rama duhet të përballet me frontin për shpëtimin e Shqipërisë”.
syri.net
Komentet