Federata Vatra, ditët e fundit celebroi Jubileun e 110 vjetorit të themelimit të saj. Unë personalisht nuk arrita të marr pjesë për arsye të punës, të cilën e kam primare. Por e kam ndjekur, dëgjuar dhe lexuar me interes dhe në perceptimin tim, kjo festë, duke përfshirë edhe Konferencën Shkecore, mbeten vepra të mira dhe të lavdërueshme për organizatorët dhe që do të mbahen mend gjatë nga ata që morën pjesë e sidomos nga ata që morën vlerësime nga Presidenti. Shpalljet, atmosfera, ngjyrat kombëtare dhe entuziazmi qe i dukshëm kudo.
Meqenëse atje ku punohet edhe gabohet, unë kam veçuar dy-tri vërejtje:
– Interesi i pakët i vatranëve dhe komunitetit për Konferencën Shkencore dhe studimet e shumta që u paraqitën. Edhe pjesëmarrja e Presidentit të Shqipërisë nuk arriti që t’i siguronte kësaj Konference një kuorum të mjaftueshëm dëgjuesish për ta çertifikuar atë si të suksesshme.
-Nuk u ndije fryma përbashkuese, ndonjë sinjal reflektimi apo ftesë për paqe në mes vatranëve, që do të hapte një etapë të re bashkëpunimi të suksesshëm.
-Propozimi per dekoratë nderi që bëri Vatra për një ish officer sigurimi te shtetit diktatorial. Kjo, mendoj unë, mund të krijojë një precedencë të rrezikshme për të ardhmen e Vatrës, për të rehabilituar edhe të tjerë me të shkuar të njëjtë apo të ngjashme dhe jep para opinionit publik shqiptar një imazh të keq apo shembullin më të mirë se si nuk duhet të jetë Vatra.
-Falsiteti apo tendenca për të përdorur këtë festë si mjet për të sheshuar problematikat e shumta që është përballur Federata në tre muajt e fundit.
Unë do të ndalem tek kjo e fundit, e cila megjithëse në listën e të metave, prapë ndoshta ishte edhe suksesi më i madh i këtij Jubileu. Në dukje problemet janë sheshuar, gjithkush është i kënaqur, Kryesia, Këshilli, shkeljet kanunore, autokracia në Vatër u legjitimuan përfundimisht. Edhe Kanunorja, mbajtja fshehur dhe njohja e vatranëve me përmbajtjen e saj, dukshëm janë pa vlerë dhe të panevojshme dhe vatranët duket se kanë besim të patundur tek kryesia e vet dhe nuk kanë interes që të ndjekin rregullat që i kanë miratuar vetë.
Edhe unë, si një ndër nismëtarët e një lëvizjeje brenda Vatrës për të mbrojtur ligjshmërinë dhe Vatrën nga kundravajtësit, kjo pa asnjë interes por vetëm në emër të së drejtës, e ndjej dhe e kuptoj që e kam humbur këtë betejë, herë-herë me momente dobësie të vullnetit për të vazhduar këtë luftë dhe më sidhen mendime se ndoshta janë konjukturat dhe jo vota e lirë, eminencat gri dhe jo transparenca, autokracia dhe jo meritokracia, konformizmi dhe jo mendimi dhe fjala e lirë, ato që mund të jenë rruga më e mirë e suksesit të Vatrës.
Gjate dhe mbas Kuvendit të Vatrës së 26 Shkurtit, pati shkelje themelore kanunore dhe mungesë transparence. Për këto kemi folur shumë më parë dhe besoj biem dakord të gjithë. Atëherë lind pyetja, si po arrin lidershipi i Vatrës që të menaxhojë me kaq sukses me rrugë joligjore Vatrën? Këtë do t’a shtjelloj pak.
Fillimisht brenda Vatrës u deklaruan një numër i madh varanësh si një lëvizje në mbrojtje të Kanunores, por që ishin edhe më shumë ata që nuk dolën hapur. Ndërsa sot duket se shumica prej tyre sikur kanë rënë paq.
Në këndvështrimin tim, strategjia që u ndoq nga kryesia e vogël e Vatrës ishte denigrimi i disa vatranëve kundërshtarë dhe joshja me poste dhe dekorata e të tjerëve, një lloj korrupsioni moral, që në një farë mënyre po e bren Vatrën nga brenda. Pergjithësisht, ofertat për poste u pranuan dhe shumë vatranë u “rehatuan”. Disa te zhgënjyer u tërhoqën nga Vatra, pa përmendur të ndjerët që na lanë zemërthyer të gjithëve.
Unë, me nostalgji mbaj mend biseda pafund me vatranë elitarë, fillimisht të indinjuar që thoshin: “Këta bastardë po e përdhunojnë Vatrën, dhe ne bëjmë sehir”, apo një tjetër “Jepi gaz, digje, neve na ke nga pas”, apo ”Valentin, unë jam me ty në çdo rast kur shkelet kanunorja, i mbroj aktet e tua në Kuvendin e fundit…”, apo “sigurisht që e pranoj kërkesën për seancë shtesë, biles përveç 20 që janë në listë, i kam dhe 7 të tjerë që duan të futen…”, apo një tjetër “sa për zgjatjen e mandatit të kryetarit, ke plotësisht të drejtë, nuk u arrit kuorumi me dy të tretat.. numrat që ofron Besimi janë të turpshme dhe nuk jane të vërteta”, apo “Val, i jam lutur Zotit shumë, ditë dhe natë për Vatrën, dhe Zoti mi ma kthyer lutjet tek ti, ti je i vetmi që do ta shpëtosh Vatrën, të lutem mos u tërhiq”, … dhe shumë të tjera si këto. Sikurse ne në Malësi themi “Fundi dalt’ hajër”, fundi tregoi se ishin këta, ata që u tërhoqën të parët dhe harruan se çfarë kishin thënë.
Po ashtu ishin edhe premtimet për dekorata. Një dekoratë apo një vlerësim nga Presidenti i vendit tënd amë, është shpërblimi i mirë moral, është ajo që çdokush do të dëshirontë që të merrte në vazhdim apo në përfundim të punës dhe kontributeve në komunitet. Një dekoratë, përveç se një shpërblim moral, është edhe motivim për të rinjtë për të punuar edhe më shumë, por edhe një krenari e ligjshme për fëmijët, familjen dhe shoqërinë që e rrethon. Deri këtu gjithçka është në rregull.
Problemi nisi, nëse është ashtu si mendoj unë, kur pesha e dekoratave të premtuara u bë më e rëndë se pesha e dinjitetit (është fjala vetëm për disa që ndërruan kursin). Të gjithë miqtë vatranë sigurisht që i meritojnë dekoratat, por kurrë nuk duhej të ndodhte në shkëmbim të kauzës. Këtë e them duke e matur me metrin e karakterit tim, sepse edhe mua më ofruan fillimisht postin e kryetarit Këshillit, shef e mediave, kryesi, këshill apo ku të doja, por duhej të ndiqja axhendën e tyre. Unë, pa hezituar aspak i pata refuzuar me një të qeshur të mustakut. Pa përmendur propozimin për një dekoratë, më duket se ishte “urdhri i Flamurit”, biles në një moment më ishte thënë se ishte miratuar dhe duhej shkuar me një grup vatranësh në Tiranë për të marrë dekoratat.
Por në mes kishim kushtin e konformizmit. Atë nuk mund ta pranoja kurrë. Jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, unë e refuzova, zgjodha principet dhe dinjitetin përpara dekoratës. Që të jeni të qartë të dashur vatranë, me veprat e mija dhe sjelljet, mundohem që t’i pëlqej vetëm prindërve të mij që më ndjekin nga lart, që të jenë krenarë, fëmijëve të mij që më ndjekin nga pas, që të marrin një shembull dhe shpërblimin e pres vetëm nga Zoti i gjithpushtetshëm. “Të parët do të jenë të fundit dhe të fundit do të jenë të parët”, -thotë Zoti.
Më tha një mik, “hajt Val se je xheloz”. I thashë: “Po të doja dekoratë, aty e kisha.”, dhe vazhdova: “Të them të dejtën, jam xheloz për ty mik që nuk je në Vatër, sa mirë dhe në paqe e kalon ti”.
Sepse, pa e egzagjiruar aspak, shqiptarë me dëshirë dhe passion për të dhënë më të mirën, po futen në Vatër ashtu sikurse jane, patriotë dhe të ndershëm dhe pa-prit-pa-kujtuar po përfundojnë, disa edhe në varr, si ”hajdutë”, “tradhëtarë”, “manipulatorë” apo aktorë të “veprave të pahijshme” nga kjo Vatër të cilës ata i dhanë aq shumë. Uroj, që të më duket vetëm mua, por Vatra është zvogëluar së tepërmi për konservatorët dhe intelektualët e mirfilltë, dhe nga ana tjeter, ka hequr menteshat e dyerve të saj për liberalë, globalistë dhe të tjerë, për të mos thënë se i ngjet një “lavatriçeje” të madhe, ku lahen, shpërlahen dhe thahen në DIELL, marrin famë apo rehabilitohen disa nga ata, që shoqëria shqiptare amë, i ka përzënë si të padëshirueshëm apo të padobishëm.
Në këtë kohë deçizive për egzistencën e Vatrës intelektuale, konservatore dhe patriotike, kur sezoni i posteve dhe dekoratave tashmë ka përfunduar, unë i ftoj të gjithë vatranët që të kthehen në nivelin e të përgjegjësisë dhe vlerave të Vatrës që ata përfaqësojnë, ftoj ata vatranë, të cilët nuk duan një Vatër ordinere apo bërthamë biznesi, që nëpërmjet një fryme të re bashkëpunimi, duke i shmangur te metat që na ndajnë dhe duke vlerësuar tek njëri-tjetri të mirat që na bashkojnë, të ndezim edhe një herë zjarrin e shqipatrizmës në Vatrën tonë Noliane-Koniciane 110 vjeçare. “Për shpirtin e Vatrës jam responsible unë”, pati thënë Konica një herë. Ky është amanet, prandaj jemi të gjithë responsibe për të realizuar shpirtin e bashkimit në mes nesh, jo më si shqiptarë zullumqarë, por tashmë si shqoptaro-amerikanë që e njohin kulturën e zbatimit të rregullit tonë të përbashkët, Kanunores.
Valentin Lumaj, Michigan më 20 Qershor 2022
Komentet