Vdekja e parakohshme e Fadil Vokrrit, kryetar i Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës,është pritur kudo me dhembje dhe pikëllim të thellë.
Vokrri lindi më 23 qershor 1960 në Podujevë. Origjina e familjes së tij është nga fshati Sfeqël i kësaj komune. Rizahu, gjyshi i Fadilit njihej në gjithë Llapin si njeri i urtë e arsimdashës.
Në mënyrë që katër djemtë e tij Bejtullahu, Abdullahu, Selatini dhe Muhameti, të kenë një jetë më të lehtë dhe më të begatët ai me familjen e tij të ngushtë në fillim të viteve të 50-ta largohet nga Sfeqla dhe vendoset në qytezën e Podujevës.
Me gjithë vështirësitë e shumta të asaj periudhe djem dhe vajza të kësaj familje tregohen mjaft të suksesshëm si në edukim ashtu edhe në sport.
Abdullahu, babai i Fadil Vokrrit, është njëri nga pedagogët e parë në Llap. Ai së bashku me Nexhmi Sejdiun, Ramadan Salihun, Nazmi Rrahmanin, Murat Blakun, Kadrush Ramën dhe intelektualë të tjerë të kohës konsiderohen edhe si themelues të gjimnazit të përgjithshëm “8 Nëntori” të Podujevës.
Një kohë të gjatë ai punoi si redaktor dhe drejtor i Entit të Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të Kosovës. Tani ky institucion i Arsimit dhe Shkencës,njihet si“Libri Shkollor i Republikës së Kosovës”
Pas dëbimit të Serbisë nga Kosova ,Abdullahu ndihmë të jashtëzakonshme dha edhe si ligjërues i lëndës së Pedagogjisë, në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Kosovës.
Ai gjithashtu la pas vetes edhe dhjetëra vepra mbi Shkollat dhe Arsimin në Kosovë.
Krahas punës edukative Abdullah Vokrri shquhej edhe si futbollist, i cili mbi një dekadë luajti në Llapin e Podujevës,së bashku me humoristin e njohur Fitim Domi-Mixha Ramë.
Rrugën e tij e ndoqën edhe dy vëllezërit e tij më të rinj Selatin dhe Muhamet Vokrri.
Selatini në pozitën e qendërsulmuesit me lojën e tij të bukur gjatë e mbajti Llapin në grupin e skuadrave më të mira të Kosovës.
Në periudhën kur Vëllazërimi i Gjakovës, zhvillonte gara në Ligën e Dytë Futbollistike të ish-Jugosllavisë, grupi i Lindjes, Selatin Vokrri dhe Luan Vokshi, si lojtarë perspektivë të këtij ekipi lakmoheshin nga skuadra të njohura dhe me renome të futbollit jugosllav.
Arsyeja që Selatini refuzonte çdo ofertë të klubeve jashtë Kosovës, qëndronte në faktin se ai ishte dënuar nga regjimi i atëhershëm jugosllav për pjesëmarrje në demonstratat e 68-ës.
Në popull këto demonstrata njiheshin edhe si demonstrata për Flamur e Universitet në Gjuhën Shqipe. Prandaj me të drejtë ai druante edhe kurdisjen e ndonjë procesi të montuar politikë.
I pathyeshëm në mbrojtjen e Llapit u tregua edhe Muhamet Vokrri, i cili dydhjetvjeçarë të plotë u solli adhuruesve të këtij ekipi momente gëzime e hareje.
Ai për kohën pa mëdyshje ishte njëri nga mbrojtësit më të mirë në Ligën e Parë Futbollistike të Kosovës.
Vëllezërit Selatin dhe Muhamet Vokrri, po ashtu u dalluan me punën e tyre të mirë prej mësimdhënësi në shkollën ”Naim Frashëri” të Podujevës.
Famën e kësaj familje pedagogësh dhe futbollistësh të dalluar e ngriti në zenit Fadil Vokrri,i cili në moshën 17 vjeçare debutoi vrullshëm në njëmbëdhjetëshin e parë të KF“Llapi“atëbotë anëtar i Ligës së Parë të Kosovës.
Vokrri së bashku me axhën e tij Selatinin, dhe dajën Emin Simnica, si dhe me mesfushorët Shukri Shabani e Basri Muçolli përbënin sulmin më efikas të kësaj lige.
Falë lojës së mrekullueshme të Fadilit ende fëmijë Llapi ua prishte llogarit edhe skuadrave si: KF“Liria”të Prizrenit, KF”Vëllazërimi” të Gjakovës, KF“Budiçnost”të Pejës, KF”Cervena Zvezda”të Gjilanit, KF”Ramiz Sadiku të Prishtinës, KF“Kek-u”të Kastriotit,ekipe këto në periudha të ndryshme kohore anëtare të Ligës së Dytë të ish-Jugosllavisë në futboll.
Pakkush mund të besojë edhe një të vërtetë tjetër që Fadil Vokrri, krahas suksesit në fushatë e futbollit ishte i suksesshëm edhe në mësime.
Ai në shtator të vitit 1974 u regjistrua në gjimnazin e atëhershëm“8 Nëntori”të Podujevës, të cilin e kreu në qershor të vitit1978 me sukses të shkëlqyeshëm.
Fadili posedonte si virtyt të rrallë modestinë që vështirë e gjeje tek të tjerët. Ai vazhdimisht kohën e lirë e ndante me shokët dhe shoqet e tij të fëmijërisë si: Xhevrije Shalën-Bajgorën, Nurije Toplicën, Minire Demirin, Lule Muçollin, Astrije Blakçorin, Besim Hotin, Nehat Gashin, Bajram Havollin, Behxhet Blakçorin, Muhamet Hoxhën, Ibrahim Gashin, Sami Xheladinin, Bislim Selmanin, Hizdri Demirin, Rifat Sylën, etj,
Paharruar për asnjë çast respektin dhe mirësjelljen edhe ndaj shokëve të tjerë të gjeneratës.
Katër vite aq sa edhe luajti në KF”Llapi”të Podujevës, të shtunat dhe të dilet e gjithë rinia e Llapit papërjashtuar edhe të moshuarit si: Sherif Hajdari, Xhafer Meta, Jetish Rekaliu, Halil dhe Ibrahim Demiri, Ejup e Alush Bekteshi, Sylejman Babatinca, Bejtullah Tahiri, vëllezërit Sylejman dhe Ajvaz Demiri etj, i duartrokitnin lojës së bukur e plotë aksione të Fadil Vokrrit.
Tepër vështirë është që të përshkruhen lëvizjet e shpejta vetëtimë të Vokrrit, dhe shmangia me aq mjeshtëri e mbrojtësve kundërshtarë. Këto paraqitje të shkëlqyera të tij në skuadrën e Llapit, joshën udhëheqësit e KF“Kek-u”(ish-Obiliqi i Kosovës)që në radhët e veta të angazhojnë Fadil Vokrrin, duke i siguruar edhe punë në Administratën e Korporatës Energjetike të Kosovës.
Fadili këtu qëndron vetëm tre-katër muaj dhe rikthehet në Llapin e hapave të tij të parë,ngase kjo skuadër pas shumë viteve gara në Ligën e Parë të Kosovës, rrezikonte rënien në rangë më të ultë.
Rikthimi i Fadilit në Llap siguron mbetjen e skuadrës në mesin e më të mirëve të Kosovës.
Ai përveç golave të bukur krijonte edhe spektakël të vërtetë me driblimet e tij të papara, duke na dhuruar gëzim dhe kënaqësi të veçantë.
Në momentin kur KF”Llapi”zgjodhi problemin e qendërsulmuesit me Luan Salihun-Lulin, pa ndonjë brengë të madhe për të ardhmen e klubit të tij të fëmijërisë Fadili vendos të kalojë në KF“Prishtina, e cila ato vite me tërë potencialin që kishte synonte inkuadrimin në Ligën e Parë Federative të ish-Jugosllavisë.
Vokrri së bashku me bashkëlojtarët e tij gjatë viteve të 80-ta stadiumin e qytetit në Prishtinë e ktheu në vendin më të preferuar të rinisë shqiptare.
Në katër anët e stadiumit dëgjohej kënga“Besa-Besë”e përcjell me daulle e surle. Kjo atmosferë e paparë festive bartej edhe jashtë stadiumit.
Kremtja e fitoreve të Prishtinës, vazhdonte deri në orët e vona të natës. Fadilit kjo përkrahje e pakursyer e tifozërisë së zjarrtë të Prishtinës, sikur i jepte forcë e kurajë. Ai asnjëherë nuk ndiente lodhje. Në ndeshjet e radhës kthehej me energji të ripërtërira dhe tejet i disponuar për lojë.
Atij edhe pse i viheshin pas dy-tre mbrojtës kundërshtarë nuk e ndalnin dot. Bile herë-herë ata tejkalonin edhe rregullat e lojës, duke startuar ndaj tij brutalisht.
Mirëpo,Vokrri me energjitë e tij të pashtershme sa hap e mbyll sytë aftësohej për vazhdimin e lojës.
Të gjithë i kalonte me lehtësi të paimagjinuar. Ai ishte në gjendje të shënojë nga çdo pozitë.
Në periudhën kur Prishtina bënte gara në Ligën e Dytë Federative të ish-Jugosllavisë, në një konkurrencë jashtëzakonisht të fortë ai në 84 ndeshje aq edhe sa luajti i detyroi portierët kundërshtarë që nga rrjetat e tyre të nxjerrin topin hiç më pak se33herë.
Falë lojës së tij brilante Prishtina më 1983 pas një pritje prej 10 vjetësh inkuadrohet në elitën e futbollit jugosllav në të ashtuquajturën Ligë e Parë Federative e Jugosllavisë.
Kjo Ligë pa diskutim ishte nga më të fortat jo vetëm në ish-Jugosllavi por edhe në Evropë.
Vokrri edhe këtu tregohet i suksesshëm. Në asnjë mënyrë nuk mbetet nën hijen e sulmuesve me emër si: Dragan Xhaiq, Dushan Bajeviq, Vahid Halilhoxhiq, Zlatko Kranjçar, Safet Sushiq, Nenad Bjekoviq, Zlatko Vujoviq, Dejan Saviçeviq etj.
Ai në 88 paraqitje me fanellën e Prishtinës, shënoi 22 gola duke mposhtur portierë të kalibrit si: Stojiq, Omeroviq, Pudar, Kataliniq, Ivkoviq, Janjush, Panteliq etj.
Më 1984 selektori i atëhershëm i reprezentacionit të ish-Jugosllavisë, Milosh Milutinoviq, duke parë formën e shkëlqyer të Fadil Vokrrit e fton atë, dhe e aktivizon në 11-shin e parë të kësaj skuadre.
Përveç Fadilit kjo ftesë i gëzoi të gjithë,sepse ai ishte shqiptari i parë nga Kosova që luajti në një reprezentacion kaq të fortë,të futbollit,siç ishte ai i Jugosllavisë.
Me këtë përfaqësuese Fadil Vokrri zhvilloi 12 ndeshje dhe shënoi 6 gola. Po më 1984 Vokrri ishte bartës i flamurit në Lojërat Olimpike Dimërore të mbajtura në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Meqenëse ai vazhdonte me formën e tij të shkëlqyeshme Klube të mëdha si Dinamo e Zagrebit, Hajduku i Splitit, Partizani i Beogradit, madje edhe skuadra të njohura jashtë Jugosllavisë, si Juventus i Torinos u vunë në garë për ta sjellë në radhët e veta.
Sigurt që sikur të mos paraqiste problem shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Armatën e ish-Jugosllavisë, Vokrri do të shkonte tek gjiganti i njohur italian Juventus.
Pas shumë hamendjesh ai më 1986 kalon tek Partizani i Beogradit, kampion i disahershëm i
Jugosllavisë. Edhe pse i gjendur në një ambient dhe situatë të rëndë Vokrri manifeston në mënyrën
më të mirë aftësitë e tij prej futbolliti me emër.
Vokrri, në Partizan luajti 27 ndeshje dhe shënoi 13 gola. Ata që e jetuan këtë periudhë e dinë fare
mirë se në çfarë konkurrence shpallej futbollisti i vitit në ish-Jugosllavi.
Edhe pse në konkurrencë të denjë epiteti i më të mirit më 1987 iu dha legjendës së futbollit shqiptar Fadil Vokrri, qërdërsulmues i KFPartizan të Beogradit.
Fadili ishte mjaft intelegjent dhe me shumë vëmendje përcillte e analizonte rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë, dhe ish-Jugosllavi.
Ai duke hetuar përshkallëzimin e situatës pazhurmë më 1989 largohet nga Partizani dhe kalon në FC “NIMES OLYMPIQUE”të Francës.
Këtu qëndron një vit duke treguar formë të mirë dhe lojë të shkëlqyer. Fadili me natyrën e tij të butë e gjithnjë modest kudo bënte shokë e miq.
Disa mërgimtarë tanë në Gjenevë, duke rrëfyer dhembjen e tyre për vdekjen e hershme të Vokrrit, tregojnë se disaherë në mënyrë të organizuar kanë shkuar në Nimes të Francës, për ta përkrahur idhullin e tyre Fadil Vokrri.
Më 1990 Vokrri mbrrin kulmin e karrierës së tij duke kaluar tek Fenerbahçe e Turqisë, e cila përveç sukseseve në vendin e saj ka shënuar arritje edhe në arenën ndërkombëtare.
Pas përfundimit të Kampionatit të Turqisë në fund të vitit 1992 Vokrri rikthehet në Francë.
Meqë jetën e shihte të mangët pa futbollin nis të luajë në FC ”Bourges 18“ dhe më vonë në FC “Montluçon”të regjionit Auvergne—Rhone-Alpes të Francës, ku edhe e përfundon kerrierën e tij prej futbollisti ikonë e futbollit shqiptar dhe atij ndërkombëtar.
Edhe pse e kishte të rregulluar qëndrimin në Francë, pas përfundimit të luftës ai kthehet së bashku me familjen e tij në Kosovë, me dëshirën e vetme që të kontribuojë në zhvillimin dhe masovisimin e futbollit shqiptar.
Fillimisht e kryen funksionin e Drejtorit ekzekutiv në ish-Klubin e tij KF”Prishtina”Kurse më 2008 persona që njihnin në thelb profesionalizmin e Fadil Vokrrit, këmbëngulin që ai të marrë timonin e Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës.
Fadili edhe pse i vetdijshëm që kjo pozitë kërkon punë dhe angazhim pranon drejtimin e kësaj Federate. Menjëherë nis rikonstruktimin e brendshëm të saj duke emëruar njerëz kompetentë në pozitat e lëna gjatë bosh. Pastaj pandërprerë lobon për anëtarësimin e Kosovës në instancat më të larta të Futbollit botëror dhe atij evropian.
Fadil Vokrri në cilësinë e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës, disaherë vizitoi Zvicrën, ku i shoqëruar nga Z.Naim Malaj, ish-Ambasador i vendit tonë në Bernë të Zvicrës, bëri takime pune me Josef Sepp Blatter, president i FIFA-s.
Malaj plot nostalgji dhe emocin kujton këto takime, duke thënë që Vokrri,ishte njeri i dialogut dhe mirëkuptimit. Ai si i tillë gëzonte respekt të veçantë tek Blatter dhe Platini, i pari president i FIFA-s, kurse i dyti i UEFA-s.
Pamje nga takimi i Vokrrit dhe Malajt, me Josef Sepp Blatter president i FIFA-s.
Malaj, shpjegon deri në detaje bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Fadil Vokrrin. Ndër të tjera kujton edhe takimin e vitit 2013, kur ai dhe Vokrri u pritën përzemërsisht në selin e FIFA-së në Cyrih të Zvicrës, nga Presidenti i atëhershëm i kësaj organizate Blatter.
Me këtë rast thotë Malaj, kryetari i Federatës së Futbollit tonë z.Vokrri ofroi argumente të bazuara në prova që Kosova, duhet të jetë pjestare e 211-të e këtij mekanizmi të rëndsishëm të futbollit botëror.
Në mënyrë që të zbuten reagimet e Serbisë dhe aleatve të saj fillimisht antarsimit të Kosovës në UEFA DHE FIFA, i parapriu e drejta e zhvillimit të ndeshjeve miqësore.
Kyfarë statusi as mish e as peshk nuk i pëlqeu gjithëaq Vokrrit. Ai nga frika që kjo e drejtë e kufizuar mund të vazhdojë në kohë të pacaktuar intensifikoi tekimet me krerët udhëheqës të këtyre dy institucioneve elitë në Evropë dhe Botë.
Ëndërra e kahëmotshme e Vokrrit u plotësua kur nga ky status i përkohshëm u kalua në atë të rregullt. Kështu Federata e Futbollit të Republikës së Kosovës, e drejtuar plot një dekadë nga Fadil Vokrri, përmbushi me sukses objektivat e saj.
Vdekja e fshehtë dhe tinzare e mori shumëherët Vokrrin, cili ishte në kryrje të mandatit të tretë si Kryetar i Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës.
Konstatim i të gjithëve është që prirjet për lojën dhunti nga Zoti, Fadil Vokrri i shfrytëzoi maksimalisht, duke vënë gjithçka në të mirën e futbollit të Kosovës.
Andaj, emërtimi i stadiumit të Prishtinës me emërin e tij as që duhet të diskutohet, por duhet të krijohet edhe ndonjë çmim prestigjioz dhe me vlerë me emrin e tij, me çfarë i bëhet nder i posaçëm Kosovës dhe sportit shqiptar në përgjithësi.
Kujtimi për Fadil Vokrrin do të jetojë prore! Fadil të qoftë i lehtë dhèu i Kosovës,të cilën e prezantove kudo në mënyrën më të mirë të mundshme!
Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar në Website-n zyrtar, pas humbjes së ndeshjes 3-0 në tavolinë ndaj Rumanisë. FFK shkruan se pavarësisht vendimit të UEFA-s, ekzistojnë provat e mjaftueshme që çështja të fitohet në CAS.
REAGIMI I FFK:
Sot, pas ankesës sonë të bazuar në fakte për përdorimin e thirrjeve raciste, ksenofobe dhe gjuhës së urrejtjes nga tifozët rumun gjatë ndeshjes ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës, UEFA ka marrë vendimin për të dënuar Federatën Rumune të Futbollit me një gjobë prej 128,000 eurosh dhe një ndeshje pa shikues.
Për FFK-në dhe lojtarët e Kombëtares tonë ky vendim është një konfirmim i arsyeshmërisë së veprimeve tona kundër thirrjeve raciste dhe mesazheve provokative politike kundër Kosovës. Për këtë, Rumania është dënuar me një vlerë totale prej 80,000 eurove. Ky vendim arsyeton në plotni veprimet tona, dhe jemi krenarë që Kombëtarja jonë e vlerësoi saktë situatën kur vendosi të lërë fushën në shenjë proteste ndaj këtyre thirrjeve raciste, mesazheve provokuese politike dhe sjelljeve të tjera diskriminuese. Ky vendim konfirmon se Kosova ka ngritur një standard të ri për mbrojtjen e dinjitetit dhe respektit në futbollin ndërkombëtar.
Pavarësisht kësaj, ne nuk jemi dakord me vendimin për t’i hequr Kosovës tri pikë në tavolinë dhe për ta shpallur rezultatin 3-0 në favor të Rumanisë. Për këtë vendim, FFK do të bëjë ankesa dhe do të apelojë rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, duke vazhduar të mbrojë të drejtën dhe integritetin e Kombëtares sonë.
FFK tashmë ka dorëzuar një kërkesë formale për të marrë vendimin e plotë nga UEFA, për të patur qasje të plotë në të gjitha detajet dhe arsyetimet ligjore që kanë çuar në këtë vendim dhe pas pranimit të vendimit të plotë, ne do të përdorim çdo shkallë tjetër të apelimit që kemi në dispozicion për të kundërshtuar heqjen e pikëve, e cila nuk reflekton drejtësinë dhe nuk pasqyron përpjekjet tona për të mbrojtur vlerat sportive.
Ky rast nuk është thjesht një sfidë për futbollin kosovar, por një betejë kundër racizmit dhe diskriminimit në të gjitha format e tij. Lojtarët tanë treguan një guxim të jashtëzakonshëm dhe qëndrim shembullor duke refuzuar të luajnë në kushte të padenja, dhe ky vendim i UEFA-s është një dëshmi e qartë që gjuha e urrejtjes, racizmi dhe mesazhet provokuese politike nuk kanë vend në futboll.
FFK mbetet e përkushtuar të mbrojë interesat e lojtarëve dhe të komunitetit tonë sportiv, duke vendosur standarde të reja për drejtësi dhe respekt në sport. Ne falënderojmë të gjithë ata që na kanë mbështetur në këtë rrugëtim dhe ftojmë të gjithë dashamirët e futbollit të na bashkohen në këtë betejë për barazi dhe dinjitet. bw
Organizimi i Kampionatit Europian të Futbollit U21 më 2027 nga Shqipëria dhe Serbia ka sjellë reagimin e radhës të Tifozave Kuqezi, që nëpërmjet pankartave në ndeshjen ndaj Ukrainës, dhanë mesazhe të rëndësishme në “Arenën Kombëtare”.
Tifozat Kuqezi e cilësojnë këtë bashkëpunim si të papranueshëm, duke kujtuar masakrat e bëra në Kosovë.
Postimi:
Mbrëmë, jo për të përmbyllur, por për të vazhduar edhe më, me reagime ndaj organizimit të përbashkët me shkijet të EURO’27 për kategorinë U-21.
Si një reagim ndaj FSHF-së si bashkëorganizatore dhe mbrojtëse e madhe e idesë së këtij bashkëpunimi, kemi shkruar disa nga të bëmat e shkijeve ndaj popullit shqiptar që konsiderojmë se janë të mjaftueshme, që bashkëpunime të tilla të konsiderohen TRADHTI.
– 15 mijë të vrarë vetëm në luftën e fundit dhe dhjetëra mijëra të vrarë e masakruar nëpër histori.
– 20 mijë gra shqiptare të dhunuara
– 1 milion shqiptarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre
– 650 shkolla të shkatërruara
– 30 masakra të kryera mbi civilë shqiptarë të pambrojtur për më pak se 6 muaj.
– 14.10.2014, kur një stadium i tërë në prani të gjithë krerëve shtetëror këndonte për vrasjen e shqiptarëve në kor. Këto thirrje vazhdojnë edhe sot në çdo ndeshje të tyre.
– Afrim Bunjaku, heroi më i ri, i cili u vra nga shkijet pak kohë më parë
– Përparim Thaçi, futbollist, i cili u vra nga shkijet në luftën e fundit
Këto ishin vetëm disa nga pankartat tona që u shfaqën në këtë ndeshje, por jo për të përmbyllur ciklin e reagimeve nga ana e jonë në lidhje me këtë organizim të turpshëm.
Reagimet tona, do të vijojnë, e do të radikalizon deri në dhënien fund të kësaj marrëzie që në emër të kozmopolitizmit po fyhen viktimat dhe e kaluara jonë e dhimbshme. bw
Lojtarët e Kombëtares së Kosovës në futboll duke u larguar nga ndeshja me Rumaninë në Bukuresht më 15 nëntor 2024.
Shtëpia evropiane e futbollit, UEFA, vendosi se Kosova është përgjegjëse për braktisjen e ndeshjes kundër Rumanisë, duke e humbur atë me rezultat zyrtar 3:0.
UEFA tha se Kosova humbi lojën në tavolinë për shkak se ishte përgjegjëse për ta luajtur atë deri në fund dhe me braktisjen e saj, ajo shkeli nenin 25.01 të Rregullores së Ligës së Kombeve të UEFA-s.
“Federata e Futbollit e Kosovës të dënohet me 6.000 euro për sjellje të pahijshme të ekipit të saj”, tha UEFA.
Në ndeshjen futbolliste në kuadër të Ligës së Kombeve, lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha në minutën e 92-të, pasi u ankuan për thirrje raciste nga tifozët rumunë në Arenën Kombëtare në Bukuresht.
UEFA shqiptoi 50.000 euro gjobë për Federatën rumune të Futbollit dhe e dënoi me një ndeshje pa prani të tifozëve “për sjelljen raciste apo diskriminuese të mbështetësve të tij [sa i përket brohoritjeve ksenofokike dhe antihungareze]”.
Kjo federatë u dënua edhe me 30.000 euro për transmetim të mesazheve provokuese politike “që nuk janë të përshtatshme për ngjarje sportive”.
Federata rumune u dënua me 9.000 euro për hedhje të gjësendeve, me 4.500 euro për ndezje të fishekzjarrëve, 8.000 euro për përdorimin e laserëve, 12.500 euro për pengim gjatë antonimeve të himneve kombëtare dhe 14.000 dollarë për bllokim të korridorit në stadium.
Në minutën e 92-të të ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës, kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, udhëzoi ekipin që të largohej nga fusha.
Ai tha se në stadium kishte thirrje “Serbia, Serbia” dhe “Kosova është Serbi” nga tifozët vendës. Rrahmani deklaroi se e kishte njoftuar gjyqtarin e ndeshjes “së paku tri herë” para se ekipi i Kosovës ta braktiste fushën.
Rrahmani dhe shtabi teknik e ekipit verdhekaltër i udhëzuan futbollistët të largohen nga fusha dy minuta pa përfunduar ndeshja në Arena Bukuresht, kur rezultati ishte 0:0, derisa lojtarët e Rumanisë qëndruan në fushë.
Pas diskutimeve për rreth një orë mes gjyqtarit të ndeshjes dhe përfaqësuesve të të dyja kombëtareve, lojtarët e Kosovës nuk pranuan të ktheheshin në fushë edhe pse u ishte thënë se kushtet ishin përmirësuar për vazhdimin e ndeshjes së ndërprerë në minutën e 92-të.
Gjyqtari danez Morten Krogh u kthye në fushë dhe i kërkoi ekipit rumun ta rinisë lojën dhe e pezulloi atë më pas, sipas rregullores së UEFA-s.
Pas kësaj, UEFA hapi procedurë disiplinore ndaj dy kombëtareve.
Kombëtarja rumune në futboll një ditë pas ndeshjes kishte falënderuar tifozët e saj për “mbështetjen” dhe “sjelljen” gjatë lojës me Kosovën.
“Është për keqardhje gjesti i ekipit mysafir, që zgjodhi të largohej nga fusha pa pajtimin e referit, refuzoi ta përfundonte ndeshjen në fushë në frymën e lojës fer, që reflekton mungesë të respektit jo vetëm për futbollin, por edhe për ata si futbollistë profesionistë”, tha Kombëtarja e Rumanisë, shtetit që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Ndërkaq, Federata e Futbollit të Kosovës më 16 nëntor dënoi ashpër “provokimet dhe sjelljet raciste” gjatë ndeshjes në Bukuresht.
“Thirrjet si ‘Kosovo is Serbia’ dhe ‘Serbia, Serbia’, fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës, hedhja e gjësendeve të forta në stadium dhe veprime të tjera ofenduese e provokuese ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar një atmosferë të papranueshme dhe jo të sigurt për lojtarët tanë”, u tha në reagimin e FFK-së.
Paraprakisht, FFK-ja la të kuptohet se do të ankohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër (CAS), nëse UEFA vendos ia jep fitoren Rumanisë
CAS-i ka rrëzuar shpesh vendimet e UEFA-s apo të shtëpisë botërore të futbollit, FIFA.
Kjo është hera e dytë në dy vizitat e fundit të Kosovës në Bukuresht brenda një viti që ndeshja është ndërprerë për shkak të thirrjeve të tifozëve vendës kundër Kosovës.
UEFA e gjobiti Federatën e Futbollit të Rumanisë me 52.000 euro, si dhe e dënoi me një ndeshje pa tifozë, pas një hetimi për disa shkelje gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 kundër Kosovës në shtator 2023.
Atëbotë, ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht ishte ndërprerë për rreth një orë, pasi tifozët vendës kishin bërë thirrje dhe e kishin shpalosur një pankartë “Kosova është Serbi”, para se të rifillonte pas qetësimit të situatës dhe heqjes së pankartës. REL
Futbollistët e Kosovës (me fanella të zeza) gjatë një kacafytjeje me futbollistët e Rumanisë, para se ta braktisnin lojën e Ligës së Kombeve në Bukuresht, 15 nëntor 2024.
Tema më e diskutuar e ditëve të fundit ka qenë vendimi i futbollistëve të Kombëtares së Kosovës për ta braktisur një ndeshje të Ligës së Kombeve kundër Rumanisë në Bukuresht. Cilat pritet të jenë pasojat e këtij veprimi?
Kosova argumenton se futbollistët e saj kishin të drejtë ta braktisnin njëanshëm ndeshjen e Ligës së Kombeve në futboll kundër Rumanisë në Bukuresht javën e kaluar, pas ankesave për thirrje raciste nga tifozët rumunë.
Por për këtë Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) tani duhet ta bindë Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA), e cila pritet të vendosë për epilogun e ndeshjes së zhvilluar më 15 nëntor.
Disa ekspertë ligjorë me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, megjithatë, thanë se ka pak mundësi që vendimi i shtëpisë qeverisëse të futbollit evropian të shkojë në dobi të Kosovës, duke parë mënyrën se si rrodhi ndeshja, e cila nxiti reagime madje edhe përtej futbollit, edhe nga krerët e të dyja vendeve.
Futbollistët e Kosovës e lanë fushën e lojës kur kishin mbetur pak sekonda para vërshëllimës së fundit të gjyqtarit, teksa rezultati ishte 0:0. Ndeshja fillimisht u pezullua, para se të braktisej një orë më vonë, sepse kosovarët nuk pranuan të ktheheshin në barin e gjelbër.
Kjo ndodhi pasi disa tifozë rumunë brohoritën “Serbia! Serbia!”, gjatë një kacafytjeje mes kapitenit të Kosovës, Amir Rrahmani, dhe sulmuesit rumun, Denis Alibec.
FFK-ja i akuzoi tifozët e Rumanisë për “sjellje të papërgjegjshme dhe diskriminuese”, dhe tha se futbollistët e saj u larguan nga fusha për shkak të “mungesës së dinjitetit dhe sigurisë”.
Pohimet e saj u hodhën poshtë nga Federata e Futbollit e Rumanisë (FRF), e cila tha se “nuk kishte thirrje raciste gjatë ndeshjes”, dhe shprehu keqardhje që Kosova mori vendim për ta braktisur ndeshjen.
UEFA njoftoi më 16 nëntor për hapjen e procedurave disiplinore ndaj të dyja federatave, dhe tha se do ta kumtojë vendimin rreth procedurave “kur të jetë koha e përshtatshme”.
Avokati sportiv italian, Claudio Monteleone, tha për Radion Evropa e Lirë se, megjithëse është herët të thuhet se cili do të jetë vendimi, në rastet kur një ekip e braktis lojën njëanshëm, ai e humb ndeshjen me rezultat zyrtar si pasojë.
“Në shikim të parë, faktet duket se thonë që këtu vlen rregullorja e UEFA-s, e cila përcakton se ekipi që e ka braktisur lojën konsiderohet ta ketë humbur atë me rezultat 3:0”, tha Monteleone.
Sipas rregullores së UEFA-s për siguri dhe mbrojtje, ndeshja braktiset në rast të incidenteve të rënda racizmi dhe ajo, në parim, duhet të bëhet me pajtimin e të gjitha palëve të përfshira.
Procedura me tre hapa kërkon që gjyqtari i ndeshjes të kërkojë thirrje publike për ndaljen e sjelljeve raciste, ta ndërpresë ndeshjen derisa të ndalen ato dhe, si zgjidhje e fundit, ta ndërpresë ndeshjen përfundimisht.
Gjyqtari danez, Morten Krogh, e ndërpreu ndeshjen në Arenën Kombëtare në Bukuresht për rreth 50 minuta, dhe më pas u kërkoi futbollistëve të Kosovës të ktheheshin në fushë për vazhdimin e saj. Por, ata nuk pranuan.
Avokati Sabin Gherdan, i cili përfaqësoi Rumaninë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në rastin e medaljes së bronztë të fituar nga gjimnastja Ana Barbosu pas Lojërave Olimpike, tha se në ndeshjen Rumani-Kosovë argumentet për një vendim të favorshëm janë në anën e rumunëve.
“Sa i përket asaj që ndodhi, nuk shoh ndonjë tjetër zgjidhje, përveç një ndeshjeje të fituar nga Rumania 3:0, në tavolinë”, u shpreh avokati për Radion Evropa e Lirë.
Por, jo gjithçka është shumë e qartë. Organi për kontroll, etikë dhe disiplinë i UEFA-s pritet të marrë kohë për të vendosur për këtë ndeshje, e cila ishte pothuajse një përsëritje e ndeshjes së para një viti në stadiumin e njëjtë ndërmjet dy kombëtareve të njëjta.
Kosova u ankua se tifozët rumunë të premten e kaluar brohoritën “Kosova është Serbi” dhe “Serbia” – nga e cila Kosova shpalli pavarësinë më 2008 – që ishte përsëritje e thirrjeve të bëra gjatë vizitës së fundit të Kosovës në Bukuresht në shtatorin e 2023-tës, për çka UEFA e kishte dënuar dhe gjobitur Rumaninë.
Kapiteni i Kosovës, Rrahmani, tha pak pas ndeshjes se e kishte njoftuar gjyqtarin “së paku tri herë” për thirrjet, të cilat u bënë pasi ai u përfshi në një incident me lojtarin kundërshtar, Alibec.
Menaxheri i ekipit kombëtar të Kosovës, Bajram Shala, tha më 17 nëntor se ekipi ligjor i FFK-së i ka dorëzuar të gjitha dëshmitë e saj, dhe se është duke “punuar fort për të sjellë drejtësinë në vend”.
Monteleone, ndërkaq, beson se është e vështirë të përcaktohet në këtë fazë nëse Kosova është fajtorja e vetme për mosvazhdimin e ndeshjes më 15 nëntor.
“Nuk kemi qasje në dokumente zyrtare të asaj ndeshjeje, siç është raporti i gjyqtarit, që mund të merret për referencë specifike”, tha Monteleone, duke shtuar se shumë do të varet nga raporti i delegatit të ndeshjes.
Një arbitër në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv në Kosovë dhe në Gjykatën Evropiane të Arbitrazhit (ECA), Fisnik Salihu, tha se pret që UEFA t’i dënojë të dyja federatat. Raporti i gjyqtarit të ndeshjes, i delegatit zyrtar të ndeshjes, si dhe dëshmitë e të dyja federatave do të jenë vendimtare, sipas tij.
Futbollistët e Kosovës u panë duke e bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenore përballë tifozëve të Rumanisë derisa po largoheshin nga fusha, duke i zemëruar ata. Ky gjest është imitim i shqiponjës në flamurin kombëtar të Shqipërisë.
Edhe Kosova ishte gjobitur muajin e kaluar për shkak të ndërprerjeve në ndeshjen e parë me Rumaninë në shtator, kur tifozët kishin hedhur flakadanë, ishin futur në fushë dhe e kishin fishkëllyer himnin kombëtar rumun.
“Në veçanti janë të rëndësishme deklaratat e gjyqtarit dhe delegatit të ndeshjes, pasi në situata të tilla janë protokolle të caktuara të sigurisë që duhet të administrohen dhe aplikohen. Lidhur me këtë ndeshje, pres që të ketë dënime të ashpra nga organet përgjegjëse për të dyja palët. Nuk pres që palët të arrijnë ato që pretendojnë”, tha Salihu.
Ai shtoi se është interesant të shihet se si UEFA do ta interpretojë ankesën e Kosovës për racizmin dhe për sjelljet e publikut, dhe nëse përsëritja e këtyre veprimeve arrin standardin e mjaftueshëm për moszhvillim të ndeshjes.
Federata kosovare ka lënë të kuptohet se do të ankohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër, nëse UEFA vendos përfundimisht t’ia japë fitoren Rumanisë.
CAS-i ka rrëzuar shpesh vendimet e UEFA-s apo të shtëpisë botërore të futbollit, FIFA, por do të ishte e vështirë të mendohej çfarë do të kishte qenë vendimi i kësaj gjykate në një fazë kaq të hershme.
“Është herët të flitet për CAS, pa pasur vendimet e shkallës së parë dhe dytë të UEFA-së. Varësisht, këtyre vendimeve, pres që palët t’i drejtohen CAS-it për një vendim final”, tha Salihu.
Reagime përtej fushës së futbollit
Incidenti i 15 nëntorit në Bukuresht nxiti reagime edhe përtej fushës së futbollit, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që e mbrojti vendimin e lojtarëve të vendit të tij për ta braktisur fushën, duke e nxitur homologun e vet rumun, Marcel Ciolacu, ta kritikojë atë për “përzierjen e sportit me politikë”.
Kurti i takoi futbollistët e Kosovës pas kthimit të tyre në Prishtinë, një ditë pas ndeshjes në Rumani, dhe i përgëzoi për vendimin.
“Ai është qëndrim parimor, i drejtë e dobishëm edhe për Kosovën, për futbollin e për secilin qytetar të vendit tonë, që është ndier i përfaqësuar me deklaratën dhe qëndrimin e kapitenit Amir Rrahmani”, u shpreh Kurti.
Ai i bëri thirrje UEFA-s dhe FIFA-s që të “mos lejojnë këto gjëra”.
“Kosova ka pasur të kaluar të vështirë, luftë, masakra e gjithçka. Nuk ka qenë e lehtë të arrihet këtu, andaj meritojmë respekt. Të gjithë duhet të dinë se Kosova është Kosovë, ose se Kosova është Shqipëri, kaq, këtu mbaron”, tha Kurti.
Rumania është njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, bashkë me Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Sllovakinë, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri i Rumanisë tha se homologu i tij kosovar po përpiqet ta shndërrojë “viktimën në agresor”.
Çfarë do të nënkuptonte për Kosovën fitorja apo humbja?
Kosova dhe Rumania i fituan ndeshjet e tyre të mbetura në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve, të hënën e 18 nëntorit, që nënkupton se as fitorja jashtë fushës nuk do t’i kryente punë Kosovës për ta fituar grupin.
Rumania i prin grupit me 15 pikë, ndërsa Kosova ka 12 pikë, në vendin e dytë, pra pa llogaritur pikët nga ndeshja e braktisur më 15 nëntor.
Nëse Kosovës i jepet fitore 3:0 për ndeshjen e braktisur, atëherë ajo do ta barazonte Rumaninë në krye të grupit, me nga 15 pikë secila.
Gjëja e parë që do të shikoheshin janë ballafaqimet kokë më kokë, dhe meqë Kosova e humbi ndeshjen e parë në Prishtinë 3:0, do të duhej të vendoste goldallimi, pra cila skuadër ka shënuar dhe pranuar më pak gola.
Edhe në këtë rast, të dyja skuadrat do të kishin goldallim të ngjashëm, +9, gjë që dërgon te një kriter tjetër: kush ka shënuar më së shumti gola.
Rumania i ka shënuar 15 gola në këtë fushatë, ndërsa Kosova 10, dhe sikur t’i shtoheshin tri gola nga fitorja e mundshme 3:0 nga ndeshja e braktisur, ato nuk do t’i mjaftonin.
Pra, Rumania e ka fituar grupin dhe është ngritur në Ligën B.
Shqipëria do të mbyllë rrugëtimin në Nations League këtë mbrëmje, në përballjen ndaj Ukrainës.
Para këtij takimi, në “Stadiumin Kombëtar” do të mbahet një minutë heshtje, për 14-vjeçarin Martin Cani, i cili ndërroi jetë të hënën pas një sherri me bashkëmoshatarë.
Cani, së fundmi ka qenë pjesë e Dinamo U-15, ndërsa është impenjuar me Akademinë e klubit Partizani për dy vite, në ekipet e moshave U-13 dhe U-14. sn
Narcis Drejan është një gazetar dhe komentator sportiv rumun. Ai komentet e tij i shkruan në gazetën GSP (Gazeta Sporturiol), ndërsa së fundmi ai ka komentuar edhe për ndeshjen Rumani – Kosovë.
Drejan është i njohur për analizat e tij të detajuara dhe për opinionet e tij të hapura mbi ndryshime dhe ngjarje në botën sportive.
Shkrimi i tij nis me kritika ndaj UEFA-s dhe presidentit Aleksandar Ceferin, duke e cilësuar atë si fajtorin kryesor për të gjitha rrëshqitjet e motivuara politikisht në ndeshjet e futbollit.
“Është shumë e lehtë të shkosh përpara me paramendim, t’u hidhesh në qafë kosovarëve. Kur UEFA dhe FIFA miratuan që Kombëtarja e Kosovës nuk mund të luante kundër vendeve si Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Rusia, ishte qartësisht një problem”, shkroi fillimisht Drejan për GSP.
Ai theksoi po ashtu se janë të ndaluara edhe ndeshjet Spanjë – Gjibraltar, Ukrainë – Rusi dhe Armeni – Azerbajxhan.
Me përjashtim të Spanjës dhe Gjibraltarit, të gjithë të tjerët janë në lindje dhe UEFA beson se ky nuk është problem.
Gazetari është futur në ndeshjet mes Kosovës dhe Rumanisë, duke nxjerrë edhe analiza politike, që datojnë para 25 vitesh, kur president i Rumanisë në atë kohë ishte Emil Constantinescu, i cili nuk e lejoi NATO-n në hapësirën ajrore rumune për kryerjen e operacioneve të forcave aleate, të cilat bombarduan ish-Jugosllavinë.
“Dhe meqë ra fjala, le të kuptojmë pak historinë, nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar nga serbët, po ashtu 25 vjet me parë. Nuk po flasim për vitet 1940, e vërteta është se ne jemi ende të traumatizuar sot për shkak të Revolucionit të 89-ës, ku rumunët qëlluan rumunët”, shkruan Drejan.
Ai ka shkruar për masakrat e shumta të vitit 1999 në vende si Lipjan, Gjakovë, Vushtri, Korishë, Prizen dhe Pejë, ku serbët vranë shqiptarët kosovarë në stilin mesjetar.
Drejan i kritikon rumunët, pasi sipas tij sillen si një popull i pashkolluar, një popull që nuk ka kaluar luftën, që nuk e ka empatizuar në jetë dhimbjen e të tjerëve.
“Dhe pse? Sepse një bandë banditësh, shumë me precedentë penalë, e kuptojnë se është mirë në stadium prekësh një vend që kaloi tmerret e luftës. Nëse të nesërmen do t’i gjenit prindërit tuaj të varur në pragun tuaj dhe do të zbulonit se ata ishin serbë gjakatarë, a do të bërtisnit ndonjëherë, “Serbi, Serbi!”? Apo i keni harruar ndeshjet Serbi-Rumani kur na quanin “ciganët”? Por ne harrojmë shpejt se gjithmonë e zëmë kohën tonë me gjithçka tjetër”, shkruan ai në analizën e tij.
Në fund ai shkroi për UEFA-n, duke e cilësuar si organizatë të korruptuar që ende punon me paratë e Gazprom. sn
Kosova mundi 1-0 Lituaninë në shtëpi, në ndeshjen e fundit të Nations League.
“Dardanët” e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, teksa kaluan në epërsi që në minutën e pestë. Presioni i skuadrës së Fodas u shpërblye më së miri, teksa kombinimi Muriqi-Jashari u finalizua në mënyrë perfekte. Jashari nuk fali, duke dërguar topin në rrjetë.
Jashari u shndërrua në protagonist negativ në të 45-tën, teksa u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë skuadrën me një lojtar më pak.
Pavarësisht rasteve, në pjesën e dytë nuk pati gol. Kosova renditet në vendin e dytë në League C me 12 pikë, ndërkohë që ende nuk është mësuar fati i sfidës së ndërprerë me Rumaninë. bw
Ndeshja mes Kosovës dhe Rumanisë, e vlefshme për Nations League, vazhdon të bëjë bujë. “Dardanët” u larguan nga fusha e Bukureshtit pak sekonda para fundit të ndeshjes, pas thirrjeve raciste.
Skandalet nuk kanë të ndalur, pasi së fundmi, gazetari i njohur Arlind Sadiku ka siguruar një fotografi të arbitrit të ndeshjes, Krogh M, duke komunikuar në telefon.
Pamje me të vërtetë e rrallë e gjyqtarit danez, pasi dihet që gjëra të tilla janë rreptësisht të ndaluara në një sfidë të nivelit të lartë. Mediat në Kosovë shkruajnë se ende nuk dihet se me kë ka komunikuar Krogh, në ato momente.
Vlen të theksojmë se UEFA po merr në shqyrtim rastin dhe shumë shpejt do të dalë vendimi zyrtar për këtë ndeshje. Deri të martën, të dyja palët duhet të dorëzojnë të gjitha provat materiale. bw
Thellohet skandali në ndeshjen Rumani-Kosovë. Thirrjet raciste në shkallët e stadiumit nga tifozët të cilët në kor lëshuan mesazhe antishqiptare dhe në mbështetje të Serbisë u shoqëruan edhe nga sjellja brutale e policisë rumune.
Një grup i vogël i tifozëve që mbështesnin përfaqësuesen e Kosovës shpalosën në stadium flamurin kombëtar.
Siç duket nga pamjet që ka siguruar BalkanWeb, policia rumune ka ndërhyrë duke larguar flamurin kuqezi, ndërsa ka nxjerrë jashtë stadiumit me dhunë edhe tifozët.
Ndeshja Rumani-Kosovë u shoqërua me incidente të forta si në shkallët e stadiumit ashtu edhe në fushën e blertë. Tensioni që vinte nga ana e tifozerisë përmes thirrjeve të tyre raciste u reflektua në lojën e ekipeve teksa nuk munguan as përplasjet fizike. Duhet të vinte minuta e ’93-të e shtesës kur ndeshja do të ndërpritej pasi koret antishqiptare ishin intensifikuar. Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani u përplas fizikisht me një lojtar rumun në fundin e ndeshjes.
Ekpi i Kosovës braktis fushën dhe i drejtohet dhomave të zhveshjes.
Disa minuta më pas arbitri kërkon rikthimin e lojtarëve në fushë për të zhvilluar minutat e mbetura, por futbollistët e përfaqësueses së Kosovës refuzojnë vazhdimin e lojës dhe për rrjedhojë ndeshja u ndërpre përfundimisht.
Ata e fitojnë gjithmonë “betejën” e tyre në shkallët e stadiumit. Tifozët Kuqezi kanë shpalosur një banderolë mjaft interesante për ndeshje Shqipëri-Çeki në Stadiumin Kombëtar.
“Shqiponjat janë të uritura”, shkruhej në banderolën goditëse të mbështetësve të përfaqësueses tonë. Kujtojmë që ky takim shkon për llogari të ndeshjet së pestë në Nations League. bw
E gjithë vëmendja është e spostuar në Stadiumin Kombëtar, aty ku Shqipëria pret Çekinë në ndeshjen e vlefshme për Nations League. Pak më parë janë publikuar edhe formacionet zyrtare, me trajnerin Sylvinho dhe homologu Hasek kanë shuar të gjitha dilemat, duke zgjedhur titullarët për skuadrat respektive.
Kuqezinjtë janë në vendin e katërt në grup1 të League B, me 6 pikë të grumbulluara. Në krahun tjetër, çekët kryesues nuk janë larg, pasi kanë vetëm një pikë më shumë se përfaqësuesja jonë. Arbitër kryesor për këtë takim është zvicerani Scharer. bw
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) tha se kishte paralajmëruar vazhdimisht organin qeverisës të futbollit evropian UEFA për provokimet e mundshme nga tifozët e Rumanisë, përpara ndeshjes së të premtes në Ligën e Kombeve, e cila u braktis nga futbollistët e Kosovës.
Ndëshja ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës u braktis pasi lojtarët vizitorë u larguan nga fusha ku po luhej me rezultat zero me zero, kur dëgjuan brohoritjet pro Serbisë nga tifozët vendas.
Ndeshja fillimisht u ndërpre përpara se të braktisej nga skuadra e Kosovës e cila refuzoi të kthehej në fushë. UEFA tha se do të jap “informacione të mëtejshme në kohën e duhur”.
Thirrjet si “Kosova është Serbi” dhe “Serbia, Serbia”, fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës, hedhja e gjësendeve të forta në stadium dhe veprime të tjera ofenduese e provokuese, ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar një atmosferë të papranueshme dhe jo të sigurt për lojtarët tanë”, thuhet në një deklaratë të Federatës së Futbollit të Kosovës.
“FFK-ja kishte paralajmëruar më shumë se dy herë me shkrim organet përkatëse të UEFA-s për mundësinë e veprimeve të tilla, një herë disa ditë para ndeshjes dhe më pas disa minuta përpara fillimit të saj. Përkundër këtyre paralajmërimeve, tifozët rumunë vazhduan me sjellje të papërgjegjshme dhe diskriminuese, duke detyruar Kombëtaren e Kosovës të lërë fushën për shkak të mungesës së sigurisë dhe dinjitetit”, thuhet në deklaratë.
FFK-ja gjithashtu pretendoi se një zyrtar i Rumanisë “kërcënoi dhe sulmoi” një lojtar të Kosovës në korridoret e stadiumit.
“Për të gjitha këto shkelje të rënda, FFK ka raportuar menjëherë incidentet tek delegati i ndeshjes dhe ka nisur përgatitjen e një ankese të plotë me fakte dhe prova që do t’i dorëzohen organeve disiplinore të UEFA-s”.
Federata Rumune e Futbollit (FRF) tha se ishte zhgënjyer nga sjellja e delegacionit dhe lojtarëve të Kosovës, duke i cilësuar akuzat e tyre si të pabaza, ndërsa pretendon se veprimet e tyre ishin të paramenduara.
“Është e rëndësishme të theksohet se gjatë ndeshjes nuk ka pasur thirrje raciste dhe as edhe një herë nuk është brohoritur parulla ‘Kosova është Serbi’”, tha kjo federatë
“Për më tepër, dëshirojmë t’u kujtojmë të gjithëve vendimin Komitetit Disiplinor të UEFA-s lidhur me një incident të ngjashëm gjatë një ndeshjeje të vitit të kaluar, kur Kosova ka vepruar në të njëjtën mënyrë. Vendimi thoshte qartë se parulla “Kosova është Serbi” nuk mund të klasifikohet si raciste dhe për rrjedhojë, nuk mund të nxisë procedurën prej tre hapash”, thuhet në deklaratën e federatës rumune.
Procedura me tre hapa, nënkupton që arbitri të kërkojnë një njoftim publik për të bërë thirrje për ndërprerjen e sjelljeve raciste, pezullimin e ndeshjes derisa të ndërpriten sjelljet e tilla dhe braktisjen e plotë të ndeshjes.
“Kjo cështje u ritheksua edhe nga delegati i UEFA-s gjatë takimit teknik para ndeshjes së mbfremshme”, thuhet në deklaratë në të cilën theksohet “keqardhja … që një ekip futbolli do të zgjidhte të largohej nga fusha dhe të tërhiqej në dhomën e zhveshjes vetëm dy minuta para fishkëllimës së fundit, duke qenë se rezultati nuk ishte i favorshëm për të”.
Federata Rumune e Futbollit u gjobit nga UEFA vitin e kaluar për shkak të thirrjeve pro Serbisë deh shpalosjes së një një mbishkrimi “Kosova është Sërbi” nga tifozët gjatë një ndeshjeje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024 kundër Kosovës.
Kosova gjithashtu u gjobit muajin e kaluar për ndërprerjen e një ndeshjeje mes dy palëve në shtator, kur tifozët e saj ndezën dhe hodhën fishekzjarrë, hynë në fushë dhe fishkëllyen gjatë himnit kombëtar rumun.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe është njohur nga më shumë se 100 vende të botës, por jo nga Rumania.
Komentet