Luftime të ashpra po vazhdojnë në Donbas, me forcat ukrainase që po përballen me bombardime masive në qytetin kyç të Severodonjeckut, teksa forcat ruse po tentojnë që ta përfundojnë rrethimin e zonës dhe të bllokojnë mbrojtësit dhe civilët që gjenden në këtë qytet.
Ministria britanike e Mbrojtjes tha më 17 qershor se në 24 orët e fundit, ushtria ruse ka të ngjarë që ka tentuar që ta rifitojë momentumin në aksin e Popasnës, rreth 55 kilometra në jug të Severodonjeckut, prej ku ata po tentojnë që ta rrethojnë qytetin.
Shtabi i Përgjithshëm i forcave të armatosura ukrainase tha në orët e vona të 16 qershorit se luftimet kanë qenë të ashpra veçmas në dhe përreth Severodonjeckut dhe Lisiçaskut. Lisiçansku është nën kontrollin e Ukrainës dhe ndahet me një lumë nga Severodonjecku.
Për javë të tëra po zhvillohet beteja për Severodonjeckun dhe sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, luftimet për këtë qytet mund të përcaktojnë fatin e Donbasit. Moska do të kontrollonte të gjithë rajonin e Luhanskut nëse trupat e saj arrijnë të marrin Severodonjeckun dhe Lisiçanskun.
Guvernatori ushtarak për rajonin lindor të Luhanskut, Serhiy Hayday, tha se afër 10,000 civilë gjenden të bllokuar në Severodonjeck dhe furnizimet me gjërat elementare janë duke u harxhuar. Shumë civilë janë strehuar në bunkerët nën fabrikën e kemikateve, Azot, që gjendet në këtë qytet.
Kryetari i Severodonjeckut, Oleksandr Stryuk, i tha një televizioni ukrainas më 16 qershor se janë afër 500 civilë të bllokuar në bunkerët e kësaj fabrike.
Kombet e Bashkuara thanë se numri i civilëve të bllokuar në qytet është 12,000.
“Luftimet dhe bombardimet e vazhdueshme po ndodhin për pothuajse një javë rresht tani”, tha Stryuk, duke paralajmëruar se granatimet mund të dëmtojnë një depo të amoniakut, duke nxitur një katastrofë kimike.
“Është mrekulli që i gjithë qyteti nuk është prekur”, tha ai.
Një sulm ajror goditi një ndërtesë në Lisiçansk më 16 qershor, ku strehoheshin civilët.
Nga ky sulm u vranë të paktën tre persona dhe u plagosën shtatë të tjerë, tha Serhiy Hayday.
Ushtarët ukrainas kanë arritur të ndalin përparimet ruse në zonat e tjera përgjatë vijës së frontit, ndërkaq në Harkiv, trupat ruse kanë ndalur avancimin e forcave ukrainase, duke i sulmuar me artileri.
Në rajonin verilindor të Sumit, Rusia ka kryer sulme me raketa duke vrarë katër persona dhe duke plagosur gjashtë të tjerë, tha përmes Telegramit kreu i administratës rajonale të Sumit, Dmytro Zhyvytskiy.
Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Reznikov, citohet të ketë thënë se numri i ukrainasve që kanë vdekur qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt me gjasë është dhjetëra-mijëra. Reznikov ka thënë se “shpreson” që kjo shifër është nën 100,000.
Reznikov dhe zyrtarë të tjerë u takuan me përfaqësuesit e rreth 50 shteteve që bëjnë pjesë në Grupin e Kontaktit për Ukrainën. Takimi u mbajt më 16 qershor në selinë e NATO-s në Bruksel. Gjatë këtij takimi, Ukraina kërkoi më shumë armë të rënda.
Ndërkaq, inteligjenca britanike tha më 17 qershor theksoi se ka mospajtim në publikun rus lidhur me mbështetjen për luftën.
“Pavarësisht se sondazhet tregojnë se shumica e rusëve mbështesin ‘operacionin e posaçëm ushtarak’, elemente të popullsisë në mënyrë aktive dhe pasive shprehin kundërshtimin e tyre” për luftën, u tha në njoftim.
Inteligjenca britanike po ashtu përmendi ekzistencën e grupit për rekrutimin e rusëve të quajtur “Legjioni për Lirinë e Rusisë” që me gjasë “është dislokuar në luftime përkrah ushtrisë ukrainase”.
Komentet