Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë nisur të enjten protestë në Prishtinë, si shenjë pakënaqësie ndaj miratimit në parim të Projektligjit për pagën minimale në Kuvendin e Kosovës më 14 qershor.
Projektligji i miratuar parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.
Projektligji, megjithatë, nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën. Në rast se miratohet edhe në leximin e dytë ashtu siç është, veteranët do të vazhdojnë të marrin pension në vlerë 170 euro.
Veteranët kanë kërkuar që ky Projektligj të mos miratohet edhe në një protestë që kanë zhvilluar para Kuvendit më 6 qershor.
Projektligji i miratuar në parim është kundërshtuar edhe nga partitë opozitare në Kosovë, duke u konsideruar si diskriminues ndaj veteranëve.
Deri më 2017, pensioni i veteranëve nuk ka mundur të jetë më pak se paga minimale në Kosovë, përkatësisht 170 euro. Kjo, njëherësh, vazhdon të jetë shuma që marrin ata.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë që nuk janë kundër rritjes se pensionit të veteranëve, por fillimisht duhet të konfirmohet lista e tyre.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, “Çohu” kanë vlerësuar se pa përfunduar procesi gjyqësor lidhur në rastin “Veteranët”, pastrimi i listës së veteranëve nuk mund të bëhet.
Gjykata e Apelit, më 26 prill të vitit 2022, ka kthyer në rigjykim rastin e njohur si “Veteranët”.
Në akuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila ishte konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, u ngrit dyshimi se për 19.500 persona është dhënë statusi i veteranit në mënyrë të paligjshme.
Xhevdet Qeriqi nga Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë ditë më parë se për “listat e fryra” kjo organizatë ka diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin në dy takime, në qershor të vitit të kaluar dhe në maj të këtij viti.
“Në dy takimet është diskutuar (kjo temë) dhe që duhet ndërmarrë hapa në këtë drejtim. Por, në fakt nuk po veprojnë në këtë drejtim, kompetencë e tij ekskluzive është që të ndërmarrë vendime për pastrimin e këtyre listave. Ne i kemi shprehur gatishmërinë për bashkëpunim për gjithçka, por përveç deklaratave nuk ka ndonjë hap konkret që po pritet të ndërmarrë kryeministri dhe Qeveria në këtë drejtim”, ka deklaruar Qeriqi.
Kur më 2017 është shfuqizuar neni i Ligjit për veteranët e luftës, i cili parashihte që pensioni i veteranit mos të jetë më i ulët se paga minimale, i njëjti është plotësuar me nenin që parashihte kategorizimin e veteranëve – varësisht nga vitet e angazhuara në UÇK – gjë që deri më tani nuk ka ndodhur.
Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare nga Qeveria e Kosovës, statusin e Veteranit Luftëtar e kanë 53,188 persona, kurse, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 37,006 janë përfitues nga skema për veteranët e luftës.
Komentet