Shkelqim Hysenaj
Ekrem Fazliu
“K’cimi i Tropojës” është futur zyrtarisht në Listën e UNESCO-s. Ky vallëzim ritmik shqiptar i shoqëruar me tupan, çifteli dhe fyell luhet zakonisht në festa tradicionale, përfshirë dasma, fejesa, ditëlindje e shumë ngjarje të tjera festive.
“Iu nënshtrua torturave çnjerëzorë në qelitë e diktaturës”- Historia e trishtë e agronomit të famshëm të diplomuar në Francë
Jeta e Adem Belit, një prej agronomëve të rëndësishëm shqiptarë, e rrëfyer përmes përshkrimit të të birit, dokumenteve zyrtare dhe fotove domethënëse. Një jetë e ndarë mes kontributit të vyer në disa sektorë të bujqësisë dhe torturave çnjerëzore në qelitë e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Rryma elektrike në veshë dhe goditjet në shputat e këmbëve, i lanë dëmtime të pariparueshme e megjithatë, pas daljes nga burgu, ai vazhdoi të shërbente aty ku ua kishin nevojën, dijeve dhe përvojës së tij! Tulipanët dhe Gladiolat, eksportoheshin me sukses në Holandë, por ato nuk mund të “tregonin” për torturat që ishin bërë ndaj agronomit të tyre, si dhe padrejtësitë e tokës ku rriteshin.
E kush e ka menduar që Holanda e Tulipanëve, në vitet ’70-të, një pjesë të luleve të saj simbolike i importonte nga Shqipëria! E bashkë me Tulipanët, Irisë, Zymbyla, Zambakë e Gladiola…! Kultivimi i tyre, mbikëqyrej nga Stacioni Eksperimental i Flori-kulturës, drejtues teknik i të cilit, në vitin 1971, u emërua agronomi Adem Beli. Ademin e caktuan në këtë stacion, që rezultoi shumë i suksesshëm, për të plotësuar vitet e punës, pasi kishte dalë në pension të parakohshëm, për shkak të gjendjes shëndetësore, si shkak i viteve që kishte kaluar në qelitë e Sigurimit dhe kampeve dhe burgjeve të regjimit komunist në fuqi.
Shqetësimi kryesor ishin këmbët që, të gangrenizuara dikur prej torturave në birucat e hetuesisë dhe punës për tharjen e kënetës së Maliqit, ishin acaruar më pas, nga ecja, terreni i thyer i kooperativave bujqësore ku e caktonin me punë dhe çizmet e llastikut, që nuk iu ndanë gjatë viteve kur ai shërbeu nëpër fshatra.
Siç thuhet në jetëshkrimin e tij, që i biri, Arben Beli, na ka mundësuar, shtëpia ku, në vitin 1909, u lind Ademi, në Korçë, ishte një nga qendrat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pranë oxhakut të së cilës mblidheshin patriotë të shquar, si; Sali Butka, Mihal Grameno, Spiro Bellkameni etj.
Ai ishte një nga nxënësit e shkëlqyer të Liceut Francez, ku filloi të studionte në vitin 1921 dhe më 1924, nisi Shkollën Ushtarake Mbretërore në Tiranë, të cilën e përfundoi në vitin 1931. Punoi për pak kohë si oficer dhe në fillim të vitit akademik 1935, nisi në Itali, Fakultetin e Mjekësisë Veterinare. Mbaron vitin e parë aty dhe zhvendoset në Universitetin e Tuluzës në Francë, ku përgatitet si inxhinier agronom.
U diplomua në vitin 1939 dhe në fund të atij viti u kthye në atdhe. Ademi ishte një i ri aktiv që u përfshi në veprimtaritë antifashiste dhe ndihmoi në mbledhjen e kontributeve financiare për të mbështetur Luftën Civile të Spanjës gjatë kohës që ishte në Tuluzë e Paris.
Në Shqipëri, u emërua kryeinspektor i bujqësisë, në prefekturën e Vlorës. Ai kishte ide nacionaliste, për një demokraci liberale perëndimore. Edhe këtu, vazhdoi të ishte njëkohësisht i angazhuar në punën shkencore dhe në zhvillimet kombëtare. Ndërsa trajtonte kulturën e ullinjve të bregdetit, zyra e tij në Vlorë, u shndërrua në qendër të organizimit të demonstratave antifashiste.
Bashkëpunonte me nacionalistët Skënder Muço e Hysni Lepenica dhe mori pjesë në luftën e Gjormit, si dhe veprime të tjera luftarake. Megjithatë, pikën kulmore të acarimit, marrëdhëniet e tij me pushtuesit italianë e arritën kur ai refuzoi të firmoste shitjen atyre, të fushës së aviacionit. Emri i tij u shtua në listën e internimeve në Ventotene, që Ademi i shpëtoi duke u hedhur në ilegalitet.
Në Vlorë la pas një bazë të saktë të dhënash, për çdo rrënjë ulliri, të ndërtuar sipas modelit francez. Jo vetëm kaq, por organizoi edhe punën për ndërtimin e Stacionit të Parë Sinoptik të Vlorës. Mbas tetorit të vitit 1943, rikthehet në detyrë, si kryeinspektor i përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë.
Pas luftës, kur Shqipëria po përgatiste kuadrot e rinj në sektorë të ndryshëm, Adem Beli drejtoi kurset e para për formimin e mekanikëve, traktoristëve dhe drejtuesve të bujqësisë në fermën e Xhafzotajt, pasi ai kishte marrë në Tuluzë edhe dy diploma plotësuese, për traktorist dhe manovrator të makinerive bujqësore. Më pas transferohet në Berat, ku angazhohet ndër të tjera, me problemin serioz të karkalecave, që shkatërronin të mbjellat e asaj periudhe.
Vitet e reja të mbrapshta
Kishte vetëm shtatë vite që ishte kthyer në Shqipëri, kur e arrestuan. I vunë prangat më 31 dhjetor të vitit 1946. Të nesërmen për të, do të niste një vit dhe një jetë e re, e kundërta e asaj që zakonisht njerëzit janë të prirur të shpresojnë me optimizëm, në fillim të një viti. Jo vetëm për të, por edhe për familjen. Në këtë kohë Ademi ishte martuar me Shadije Alizotin dhe prej dy vitesh, ishte bërë baba i një vajze.
Adem Belin e akuzuan për tradhti në bashkëpunim me grupin e deputetëve, të kryesuar nga Riza Dani. 37-vjeçari provoi mbi trupin e tij, disa nga torturat më të egra të manualeve që hetuesve shqiptarë, u kishin rënë në dorë: goditje elektrike me fije të vendosura në veshë, goditje me shkopinj në shputat e këmbëve, mbushja e birucës me ujë, ku, prej plagëve të hapura e të patrajtuara, shumica e gishtërinjve, po i shkëputeshin. Për një vit të tërë, hetuesit, me në krye Nevzat Haznedarin dhe Stavri Xharën, nuk u lodhën së e torturuari. E lëshonin vetëm atëherë kur era e këmbëve të gangrenizuara iu bëhej e padurueshme.
Nuk merreshin vetëm me trupin, por edhe me shpirtin. E torturonin psikologjikisht, duke e çuar në një vend të panjohur, ku i vinin litarin në qafë, me kërcënimin që do e varnin po të mos tregonte bashkëpunëtorët. I fusnin spiunë në birucë…! Megjithatë, ai nuk e hapi kurrë gojën.
Akuza e tij dhe e një grupi të tërë të arrestuarish, ishte se; “kishin formuar komitete të ‘Ballit Kombëtar’, se kishte ekzekutuar vendimet e Komitetit Qendror, të përbashkët dhe nëpërmjet funksionarëve të UNRRA-s, janë lidhur me kriminelët e arratisur në Itali, Mid’hat e Mehdi Frashëri, Ali Këlcyra etj., prej të cilëve kanë marrë udhëzime, ndihma dhe u kanë dhënë informata”.
Morali i fortë, stoicizmi që buronte nga vlerat familjare dhe patriotike, besimi në Zot, i dha atë forcë të paimagjinueshme për t’u rezistuar të gjitha përpjekjeve të tyre që të pranonte fajin. I mbetej të priste ekzekutimin, që ia kishin premtuar më shumë sesa një herë, mirëpo kur doli në gjyq, në janar të vitit 1948, u dënua me 20 vjet heqje lirie dhe punë të detyruar, i akuzuar “për organizimin e komiteteve, kundër pushtetit popullor”.
Meritën për ndryshimin e akt-akuzës dhe vendimit të dënimit, e kishte ndërhyrja e të vjehrrit, Ali Demir Alizotit. Emrin e tij e gjejmë në përshkrimet e hershme, si një nga themeluesit e Fabrikës së Trikotazhit në Korçë, ku bashkëshortja e Koçi Xoxes, kishte qenë drejtuese teknike, për disa vjet. Kjo njohje e vjetër, bëri që Ademit t’i falej jeta, por nuk ishte ndërhyrja e vetme, që e ka shpëtuar mrekullisht jetën e tij, gjatë viteve të dënimit dhe përndjekjes.
Këtë të dënuar me këmbë të gangrenizuara, e çuan në kampin ku të dënuarit punonin me këmbë të zhytura në baltë, për tharjen e kënetës së Maliqit. Gjendja e tij u rëndua, por me ndihmën e çmuar të doktor Isuf Hysenbegasit, plagët iu mbyllën. Megjithatë, veçse i shurdhët nga veshi i djathtë dhe pjesërisht nga i majti, prej goditjeve elektrike, ai mbeti përgjithmonë i dëmtuar, edhe nga këmbët.
Gjatë vitit që torturohej në hetuesi, qeveria shqiptare vazhdonte reformat e saj, të cilat do të preknin edhe familjen e Ademit. Fabrika e Trikotazhit të të vjehrrit, ku në vitet e para ishte angazhuar edhe bashkëshortja, Shadija, do të shtetëzohej. Pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të Ademit, u sekuestruan si pjesë e dënimit. Të gjitha këto ia vështirësuan edhe më shumë jetën bashkëshortes së tij, e cila kishte mbetur e vetme, me vajzën e tyre dyvjeçare, Zanën.
Gangrenë në këmbë, gladiola në shpirt
Në vitin 1952, Adem Beli lirohet me kusht dhe çohet, sigurisht i survejuar, të punojë si i burgosur, në Gjazë të Lushnjës. Nga aty e çojnë në burgun e artizanatit në Tiranë, për të përkthyer literaturë nga italishtja dhe frëngjishtja. Në këtë kohë, ndodh sërish një nga ato ndërhyrjet mrekullibërëse që i jep lirinë agronomit, të cilin regjimi kishte vendosur ta kalbte në burg.
Drejtori i burgut, Laze Sulejmani, nga Vlora, e cili e njihte që në vitet e punës së Ademit në Vlorë, habitet kur e sheh dhe i premton se do të fliste me vlonjatin tjetër, Hysni Kapon, për ta nxjerrë që aty. Hysni Kapo, i cili njihte kontributin e Ademit në Francë, e më pas në qytetin e Vlorës, arrin që ta lirojë përfundimisht nga burgu. Nga viti 1954, deri në vitin 1971, kur doli në pension të parakohshëm, Ademi punoi si agronom në kooperativa të ndryshme të Shkodrës, Lezhës, Krujës e Tiranës.
Gjatë këtyre viteve, ai implementoi metoda origjinale të suksesshme, siç ishte ajo e plehërimit të kombinuar, për të cilat dekoratat shkonin në duart e gjoksin e kryetarit të kooperativës ku ai shërbente. Megjithëse Ademi arriti të kthehej në profesion, nuk ishte e thënë se “reja” e përndjekjes, u largua nga ai.
Në vitin 1957, e caktuan pedagog në Shkollën e Kuadrove të Kooperativave Bujqësore, por me ta marrë vesh drejtori, se kush ishte, bëri çmos, derisa e pushoi nga puna. Me të njëjtin trajtim të padrejtë, u godit dhe familja e tij, megjithëse ata patën fatin, të mos internoheshin.
Bashkëshortja, megjithëse një ish-liceiste ekselente dhe njohëse e disa gjuhëve të huaja, nuk mundi të ishte më shumë sesa edukatore kopshti. Vajza e madhe, Zana, megjithëse mbaroi me rezultate të larta shkollën Pedagogjike, punoi deri në rrëzimin e regjimit komunist, vetëm nëpër fshatra. Djemtë e tij, të lindur pas daljes nga burgu, Lirimi dhe Arbeni, pavarësisht aftësive intelektuale (Lirimi ishte një nxënës ekselent, siç thekson i vëllai), – nuk vazhduan dot studimet e larta, si bashkëmoshatarët e tyre, por u dërguan në repartet e punës, “ku kishte nevojë atdheu”. Ashtu si kishte shkuar gjatë gjithë jetës së tij, edhe Adem Beli.
Agronomi Adem Beli, e mbylli karrierën në sektorin e kultivimit të luleve bulbore, që kontrastonte për nga bukuria dhe ngjyrat me gjendjen e tij. Jeta e Ademit, ishte krejt e kundërta e një fushe me lule. Kishte mes tyre, megjithatë, një lule që përputhej me shpirtin e agronomit: Gladiola, që në shumicën e kulturave, simbolizon forcën e karakterit, ndershmërinë, integritetin dhe të mos dorëzuarit kurrë.
Koreja e Jugut u bë një demokraci vetëm në fund të viteve 1980 dhe ndërhyrja ushtarake në çështjet civile mbetet një temë sensitive.
Gjatë diktaturave që u shfaqën ndërsa vendi u rindërtua nga shkatërrimi i luftës koreane të viteve 1950-1953, liderët herë pas here shpallën ligjin ushtarak që i lejonte ata të vendosnin ushtarë luftarakë, tanke dhe automjete të blinduara në rrugë ose në vende publike për të parandaluar demonstratat antiqeveritare.
Skena të tilla sot për shumë njerëz janë të paimagjinueshme.
Diktatori Park Chung-hee, i cili sundoi Korenë e Jugut për gati 20 vjet përpara se të vritej nga shefi i tij i spiunazhit në vitin 1979, udhëhoqi disa mijëra trupa në Seul në orët e para të 16 majit 1961, në grushtin e parë të suksesshëm të shtetit.
Gjatë sundimit të tij, ai herë pas here shpalli ligjin ushtarak për të shtypur protestat dhe kritikët e burgjeve.
Më pak se dy muaj pas vdekjes së Park Chung-hee, gjeneralmajor Chun Doo-hwan udhëhoqi tanket dhe trupat në Seul në dhjetor 1979 në grushtin e dytë të suksesshëm të vendit. Vitin tjetër, ai orkestroi një goditje brutale ushtarake ndaj një kryengritjeje pro-demokracisë në qytetin jugor të Gwangju, duke vrarë të paktën 200 njerëz.
Në verën e vitit 1987, protestat masive në rrugë detyruan qeverinë e Chun të pranonte zgjedhjet e drejtpërdrejta presidenciale. Aleati i tij i ushtrisë Roh Tae-woo, i cili i ishte bashkuar grushtit të shtetit të Chun-it në 1979, fitoi zgjedhjet e mbajtura më vonë në 1987 falë kryesisht votave të ndara midis kandidatëve të opozitës liberale.
Vetëm me inaugurimin e Roh më 25 shkurt 1988, pas 40 vjetësh nën forma të ndryshme të sundimit ushtarak-autoritar, dhe me miratimin e kushtetutës së saj të pestë në atë kohë, Koreja e Jugut u bë Republika e Gjashtë aktuale, demokratike. Panorama
“Nafta derdhet lumë në Kuçovë, por institucionet bëjnë një sy qorr”- BIRN: Banorët ankohen prej vitesh për ndotjen! Ankesat kanë rënë në vesh të shurdhër
Në zonën naftënxjerrëse më të vjetër të Shqipërisë, në Kuçovë, autoritetet mjedisore kanë zhvilluar vetëm një kontroll mjedisor në dy vjet dhe kanë vendosur vetëm një gjobë për kompaninë publike Albpetrol, ndonëse ndotja në mjedis është e dukshme dhe banorët ankohen prej vitesh.
Është fillim i ftohtë dhjetori, por aroma e fortë e naftës dhe e gazit të shpon hundët sapo hyn në lagjen ‘’Rreth Tapi” të Kuçovës. Puset e naftës që ndodhen në lagje – në disa raste edhe brenda oborreve të banesave – rrjedhin vazhdimisht gjatë kohës që vendosen në punë.
‘’Po ja shikoje si është bërë rreth pusit, ‘lumë’ me naftë ndaj vjen kjo erë”, tha një banor i lagjes ndërsa kullot disa krerë dhi në lagje.
Rreth Tapia, lagjja hyrëse e Kuçovës është e mbushur me banesa të reja, por në zonë shikon pak aktivitete private. Një bar-kafe e vogël në hyrje të lagjes është mbyllur prej kohësh dhe ka lënë pak shenja të shërbimit me disa tavolina dhe karrige të braktisura në oborr.
“Çfarë aktiviteti mund të bësh në një vend ku ndotja nga nafta vazhdon dhe askush nuk pyet për këtë”, thotë i nevrikosur Servet Tushe, pronar i një pike të vogël servisi ndodhur në krye të rrugës kryesore.
Ndotja prej naftës është një prej problemeve kryesore të banorëve, por për vite me radhë autoritetet kanë bërë një sy qorr ndaj Albpetrol, kompania publike që shfrytëzon puset aty. Ankesat e shumta shpesh kanë rënë në vesh të shurdhër dhe pavarësisht ndotjes së dukshme, i vetmi kontroll u zhvillua në korrik 2023 kur Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe policia u sinjalizuan për derdhje të drejtpërdrejtë të naftës në një përrua të zonës.
“Gjatë vitit 2023 konkretisht në datë 07.11.2023, Drejtoria Rajonale e IKMT Berat në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë ushtruar kontroll në qytetin e Kuçovës për shkak të ndotjes së një përroi si rrjedhojë e shkarkimit apo derdhjes së naftës nga një subjekt me aktivitet në fushën e hidrokarbureve,” tha IKMT kur u pyet nga BIRN për kontrollet në zonë në 2 vitet e fundit.
Sipas institucionit, verifikimi në terren ka nxjerrë në pah faktin se kompania publike e naftës ishte përgjegjëse për ndotjen e përroit.
‘’Nga verifikimet e kryera nga grupi i punës rezultoi se subjekti Albpetrol Sh.a, Dega: Qendra e Përpunimit të Naftës Kuçovë kishte kryer hedhje të një sasie të konsiderueshme të mbetjeve hidrokarbure në një përrua të qytetit duke sjellë ndotjen e tij në kundërshtim me ligjin”, tha IKMT. Pas kësaj gjetjeje, Albpetrol u gjobit me 1 milion lekë, ndërsa ndaj drejtuesve të kompanisë u nis një porocedim penal në gjendje të lirë.
IKMT pati premtuar në një përgjigje pas një kërkesë për informacion në vitin 2022 se do të verifikonte në tërësi situatën, por një kontroll i tillë nuk është kryer.
Kuçova është zona e parë naftënxjerrëse në Shqipëri dhe në shumë lagje të qytetit dhe fshatrat përreth ka prezencë pusesh nafte, një pjesë e të cilëve janë në punë dhe të tjerë jo. Pusi i parë është hapur në vitin 1928 nga shoqëria italiane, AIPA, por shfrytëzimi filloi në vitin 1934 me puse që ndodhen në qytet dhe në fshatrat përreth.
Për banorët e këtushëm problemi i rrjedhjes në naftës nga puset që i sheh kudo është i hershëm dhe të gjithë duken të mërzitur dhe të lodhur duke folur për këtë çështje.
“Sa herë kemi folur për këtë hall, askush nuk na ka dëgjuar se puset vazhdojnë punën dhe asnjë masë nuk merret për të pastruar ndotjen,” tha Servet Tushe. Sipas tij në lagjen ku jetojnë rreth 400 banorë, numërohen dhjetra puse nafte në punë që shkaktojnë ndotje dhe masa nuk kanë parë që të merren.
“Vetëm një vit më parë mbaj mend që erdhën ata të nxjerrjes së naftës dhe hodhën zhavor rreth puseve, pastruan njëherë zonën e mbushur me naftë dhe më pas i hodhën zhavorr, por nuk janë parë më”, tha Tushe.
Situata është e njëjtë edhe në Kozarë, ku shikon shumë puse që duket sikur lundrojnë në pellgje nafte. Megjithëse zona vitet e fundit është mbushur me sera perimesh, pasi dhjetra banorë kanë investuar në këtë fushë, askush nuk duket se kujdeset për ndotjen.
“Problemi ka qenë gangrenë dhe vazhdon të jetë për banorët. Ka munguar një reagim mbarëqytetar dhe askush nuk e zgjidh problemin që ka vite me të cilin bashkëjetojmë”, tha Fadil Marra, një banor i zonës për BIRN.
Marra ushtron një aktivitet tregtimi imputesh bujqësore në fshat dhe i vlerëson si pozitive nismat e banorëve në fushën e bujqësisë, por thotë se ndotja është frenuese.
“Po ka shumë fermerë që kanë ngritur sera, gati në çdo lagje, banorët duan dhe po e tregojnë se përkrahin zhvillimin, por institucionet e shtetit duhet të bëjnë punën e tyre për të eleminuar ndotjen nga nafta”, tha Marra.
Sipas tij e gjithë kjo situatë ka ardhur për shkak të mos kontrollit të autoriteteve ndaj aktivitetit të naftës dhe teknologjisë së vjetër që ka sektori. “Puset janë të vjetër, teknologjia e vjetër, kontrolle nuk ka, ndaj grykat e puseve janë gjithë naftë dhe gaz,” shtoi burri.
Në zonën naftënxjerrëse që ndodhet mes bashkisë së Kuçovës dhe asaj Dimal ka 1623 puse, nga të cilat 950 janë në gjendje pune. Në Kozarë, puset ndodhen shumë afër me serat dhe në disa raste fermerët përpara se të futen në serë, duhet të kalojnë përpara puseve, ku ndotja nga nafta është e dukshme.
“Çfarë të bëjmë, do jetojmë. Herë –herë e mbuloj me dhe grykën e pusit, ç’të bëj tjetër, askush nuk vjen t’i pastrojë”, tha një djalë i ri, të cilin e gjejmë duke punuar në një nga serat e zonës./BIRN
BDI-ja dështoi politikisht sepse drejtuesi i saj nuk merrej me hallet e shqiptarëve të Maqedonisë, por me çështjet globale dhe me mbylljen e suksesshme të ‘Botës Serbe’. Pra ai angazhohej për atë që nuk e kishim votuar përkrahësit e tij: si ta forconte Maqedoninë dhe si ta pëlqenin diplomatët e huaj në Shkup, por ndërkohë duke i defaktorizuar shqiptarët e këtushëm.
VLEN-i që sot bënë pjesë në qeverinë e Republikës së Maqedonisë Veriore, është tërësisht i pavlerë për shqiptarët e këtushëm dhe atë nuk mund ta shpëtojë as e tërë Lëvizja Vetëvendosje e jo më vetëm kryetari i saj – i cili, kalimthi thënë, do mbetet shpresa e rinisë kosovare dhe Kryeministri më i ndershëm e më i mençur që ndonjëherë ka pasur Kosova – sepse nuk dinë të mendojë shqip, gjë që e pengon të vërejë se vendin e drejton një VMRO-DPMNE maqedonase e cila vuan nga mendësia politikë serbe dhe si e tillë Maqedoninë e bënë ‘Serbosllavi’ të vogël.
Pra ‘Vlenistët’, duke u marr vetëm me ndarjen e posteve dhe të tenderëve, nuk shohin se janë ‘vasal’ të pushtetarëve maqedonas, të cilët jo vetëm që janë analfabet politikë, por edhe të verbëruar nga dashuria nda Vuçiqit, e që e bënë edhe më absurde përkrahjen e tyre nga Prishtina zyrtare.
Por ku ta dish, mbase edhe nuk ka si të veprojnë ndryshe drejtuesit e partive të shqiptarëve të Maqedonisë në rrethana kur mëmëdheu i tyre – Shqipëria, ka Kryeministër kryesuesin e ‘aleancës së qelbësirave’, kur në Shqipëri ende është e paqartë nëse PIktori i drejton bandat kriminele, apo ato e drejtojnë atë.
Por ku siç duket nuk është e largët dita kur shqiptarët e atjeshëm do i falënderojnë hajdutët e ‘Rilindjes’ pse kanë qenë të ‘kujdesshëm’ ndaj popullit e atdheut dhe ata nuk kanë vjedhur aq sa kanë pasur mundësi dhe aq sa u është lejuar.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do të qëndrojë në kryeqendrën e Bashkimit Evropian, Bruksel, ku do të ketë takime të rëndësishme me lidershipin e BE-së.
Osmani do të takohet me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Presidentja e Kosovës do të takohet gjithashtu edhe me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Sipas agjendës së publikuar, Presidentja Osmani do të takohet pasdite me Metsolën.
Fillimisht do të bëhet arritja, më pas do të bëhet fotografia e përbashkët dhe në orën 14:00 do të zhvillohet takimi mes tyre. sn
Inspirues për kohët moderne të Shqiptarisë do të mbetet Sami Frashëri, humanist enciklopedist, klonimet e të cilit duhen kërkuar me qiri në histori si ermitet. Për koincidence nominative pasues i denjë i tij qëndroi humanisti eseist Sami Repishti, që u nda nga jeta në vigjilje të Ditës së Pavarësisë. Antifashist, antikomunist antitotalitarist i shërbeu çështjes shqiptare deri në frymën e fundit me patriotizëm. Vuajti burgjet e torturat e komunizmit, por i inspiruar nga religjioni monoteik dhe Hana Arendt ai dinte të falte mbasi i konsideronte persekutorët e torturuesit e tij si Aishmanin tek Banaliteti i Djallit.Paqësor si çdo humanist, injorancën që mbjell kotësinë, mburrjen dhe agresionin sipas Butler e kishte përjetuar në përiudhën fashisto-komuniste, duke e përbuzur, megjithëse vuajti për pasojë torturën fizike e mendore. Ndër bisedat dhe shkrimet e tij ndjehet butësia e tmerrshme kur u drejtohej kundërshtarëve ose toleranca pa kufi, mbasi për të nuk ekzistonte koncepti që të konsideronte armik një shqiptar. Solidariteti i të burgosurve të ndërgjegjes me klerin katolik të martirizuar me të cilin e lidhte formimi, dialekti dhe Abrahami e bënë të qëndrojë i papërkulur ndaj çdo presioni. Ismail Kadare e çmonte humanizmin e tij dhe shprehte keqardhje që për arsye historike nuk kishte mundur ta njihte së afërmi.
Me urtësinë patriotike që e karakterizonte u bë zë i fuqishëm i Kosovës në SHBA, ku argumentimet e tij influencuan bindshëm administratën amerikane deri sa u arrit pavarësia e saj. Mendjen e tij në diktaturë e transkriptonim çdo natë te “Zëri i Amerikës” nëpërmjet mesazheve mesianike me variabël nga Arshi Pipa, Nikolla Pano tek Rexhep Qosja. Analizat e tij pas rënies së perdes së hekurt në zhvillimet në Shqipëri, Kosovë, rajon e më gjerë mbi të gjitha fenomenet shoqërore e politike do të jenë dokumente për studiuesit, për t’i shërbyer asaj që në të ardhmen të mos përsëriten gabimet që shqiptarët më tepër se të huajt i kanë bërë vetes dhe trojeve të tyre. Njëherë, i mërzitur nga komente poshtëruese ndaj tij të disa mbeturinave staliniste në Shqipëri, njëlloj sikur hakerat rusë që paguan Putini, dr. Daren djali i tij, e këshilloi duke iu lutur në moshën 97 vjeç që të ndalonte shkrimet e analizat e tij brilante.
“Nuk mundem” ishte përgjigja e tij. Çfarë i shtyn të klonuarit si Samiu drejt ukronisë, utopisë apo magjepsjes pas Shqipërisë, Kosovës. Shpjegimin e gjejmë te formula Makiaveliste shtetformuese (jo Makiavelik që ka kuptim negativ), që është shkruar tek “Discorssi te Tite Livit”. Samiu shpresonte që mund të realizohej në Shqipërinë etnike të idealizuar shteti i harmonisë midis Princit, Parisë dhe Popullit, që konkludonte Tite Livi. Në meditimet e tij përpiqej të analizonte ngecjen në një nyje Gordiane të shoqërisë shqiptare.
Mendimi humanist i të klonuarve si Samiu, i liberal-demokratëve, gjatë dhe ndërmjet dy luftërave botërore së bashku me nacional-demokratët të persekutuar në komunizëm, ata u përpoqën të zgjidhin ose ta presin nyjën.
A është ky shembull që tregon se në dejet e humanistëve shqiptarë ndër shekuj pas Skënderbeut vazhdonte të rridhte ADN e Aleksandrit të Madh, që me shpate e zgjidhi nyjën?
Samiu humanist, iluminist nuk mund të ishte entuziast si Steven Pinker, mbasi edukimi i tij perëndimor ishte i ndërtuar mbi një atavizëm që iu ngjit në rini me vuajtjet nën totalitarizëm dhe me persekutimin e familjes në vazhdim. Shqipëria e Kosova e lirë nga regjimet shtypëse u bënë më në fund realitet, ndërtimi i shoqërive demokratike properëndimore në një tokë të begatë mbetën ëndrra e Sami Repishtit.
/Gazeta Panorama
Zotimi i Kosovës për të mos e dërguar Forcën e saj të Sigurisë në veri të vendit, pa pëlqimin paraprak të NATO-s, është i vlefshëm edhe sot, kur mandati i kësaj force ka ndryshuar, thotë për Radion Evropa e Lirë Besfort Rrecaj, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës.
Sipas tij, deklaratat e njëanshme lëshohen nga shtetet dhe si të tilla konsiderohen obligative.
“Kosova duhet ta respektojë atë, për aq kohë sa nuk ndryshohet nga ndonjë kryeministër ose nga ndonjë përfaqësues tjetër i shtetit të Kosovës”, thotë Rrecaj.
Në vitin 2013, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një letër-këmbim me shefin e atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, u zotua se FSK-ja nuk do të dislokohet në veri – zonë e banuar me shumicë serbe – pa u dakorduar paraprakisht me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, unë jap garanci se FSK-ja do të ndërmarrë mision në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it”, thuhet në letrën që mban nënshkrimin e Thaçit dhe datën 19 prill, 2013.
Veriu i Kosovës është shpesh vatër tensionesh, pasi popullata shumicë serbe – e dirigjuar nga Beogradi – vështirë u bindet autoriteteve të Kosovës.
Letër-këmbimi me NATO-n besohet të jetë bërë në përpjekje për ta mbajtur situatën atje nën kontroll.
Por, më shumë se një dekadë më vonë, ka zëra që thonë se ky zotim si i tillë nuk është më i vlefshëm, sepse statusi i FSK-së nuk është më i njëjti.
“Për NATO-n, FSK-ja nuk ka ndërruar, por ne e kemi ndërruar [misionin e saj përmes ndryshimeve ligjore]”, thotë për Radion Evropa e Lirë Avni Arifi, dikur shef i kabinetit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.
Sipas tij, FSK-ja nga viti 2018 e ka siguruar mandatin ushtarak, të cilin nuk e ka pasur në kohën kur është bërë letër-këmbimi me NATO-n.
Pse flitet tash për FSK-në veri?
Pas incidentit të 29 nëntorit në Zubin Potok, ku një shpërthim i fuqishëm dëmtoi kanalin kritik të Ibër-Lepencit, KFOR-i tha se institucionet e Kosovës i kanë kërkuar autorizim për dërgimin e mundshëm të FSK-së në zonën e prekur, por se misioni e ka refuzuar.
“Komandanti i KFOR-it nuk e ka dhënë një autorizim të tillë, bazuar në vlerësimin e tij të sigurisë dhe veprimet që tashmë janë ndërmarrë nga KFOR-i”, tha ky mision në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
REL-i kërkoi koment për këtë çështje nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, por nuk mori.
Një ditë më herët, kryeministri Albin Kurti nuk konfirmoi se ka kërkuar një leje të tillë, por tha vetëm se “ushtria jonë – bazuar në marrëveshjen e vitit 2013 – nuk mund të shkojë në veri”.
“Ndaj, situata atje nuk është e njëjtë si në pjesët e tjera të vendit tonë”, tha Kurti në një konferencë për gazetarë.
Duke e konsideruar si të dëmshme për vendin, ai e dërgoi letrën e Thaçit në prokurori në vitin 2021, por në lidhje me të nuk u mor ndonjë vendim.
Po atë vit, gjatë një vizite që zhvilloi në Prishtinë, shefi i atëhershëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se dakordimi për FSK-në në veri mbetet i vlefshëm.
“Kur nënshkruani një marrëveshje, ajo vazhdon [edhe] kur keni persona të rinj në pozita përgjegjëse”, tha Stoltenberg, duke komentuar vendimin e Kurtit për ta dërguar letrën në prokurori.
“FSK-ja ka tani mandat ushtarak”
Arifi, i cili ka shërbyer në kabinetin e Haradinajt nga viti 2017 deri më 2020, thotë se Forca e Sigurisë së Kosovës, përmes ligjit, ka siguruar mandatin e saj ushtarak, të cilin nuk e ka pasur në vitin 2013.
Kuvendi i Kosovës, në vitin 2018, miratoi ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të FSK-së në ushtri.
Ligji për FSK-në, i cili hyri në fuqi në janar të 2019-ës, thotë se kjo forcë “mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës”.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Arifi thotë se, asokohe, vendet partnere të Kosovës i kanë kërkuar Haradinajt që ta rinovonte marrëveshjen për mosdërgimin e FSK-s në veri.
“Haradinaj u ka thënë ‘jo’… ‘konsiderojmë që [FSK-ja] duhet të ketë mandat të plotë dhe se Ministra e Mbrojtjes duhet të jetë operative në të gjithë Kosovën’. Haradinaj ka refuzuar, mirëpo ka thënë se koordinimi me NATO-n është esencial dhe nuk ndodh kurrë asgjë pa koordinim me NATO-n”, thotë Arifi.
Sipas tij, nëse kryeministri Kurti kërkon bazë ligjore për ta dërguar FSK-në veri, ai atë e ka – nisur nga pikëpamja e institucioneve të Kosovës.
Ndërsa nga pikëpamja e NATO-s, thotë ai, misioni i FSK-së nuk ka ndryshuar dhe mbetet ai i vitit 2008, kur ajo kishte mision “t’i ndihmonte autoritetet civile në përgjigje ndaj fatkeqësive natyrore dhe emergjencave të tjera”.
“Letra ka karakter obligues”
Profesori Rrecaj nuk pajtohet. Ai thotë se letra e Thaçit ka karakter juridik obligues për Kosovën.
Sipas tij, ajo është një deklaratë e njëanshme, por rezultat i diskutimeve të përfaqësuesve institucionalë të Kosovës me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.
Për më tepër, shton Rrecaj, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është ende në fuqi dhe, bazuar në të, interpretimi final i situatës së sigurisë në Kosovë i takon KFOR-it.
“Sipas Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të gjitha shtetet janë të obliguara t’i respektojnë rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe vendimet e tij. Rrjedhimisht, kjo vlen edhe për Kosovën”, thotë Rrecaj.
KFOR-i u miratua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, pas përfundimit të luftës më 1999.
Rezoluta 1244 e tij i autorizoi shtetet anëtare të OKB-së për të mbajtur një prani ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë, e cila sot ka mbi 4.400 trupa.
KFOR-i është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare është Policia e Kosovës.
Për dallim prej FSK-së, shkuarja e Policisë së Kosovës në komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, nuk është e kufizuar. REL
Zijadin Gashi, gazetar për shumë vite i Radios Evropa e Lirë, ka vdekur të martën në moshën 51-vjeçare.
Ai është përballur në muajt e fundit të jetës me tumor në tru.
Gashi e ka ushtruar profesionin e gazetarit prej vitit 1997, duke mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.
Më herët gjatë vitit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i ka ndarë mirënjohje për kontributin e dhënë në gazetari, para dhe gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 1998-99.
Nga viti 2001 e deri më 2020 ka punuar për Radion Evropa e Lirë – si gazetar dhe një periudhë si shef i byrosë në Prishtinë – për të vazhduar më pas kontributin në media tjera në Kosovë.
Zijadin Gashi e ka përfunduar shkollimin e mesëm në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, për t’i vazhduar studimet në Universitetin e Prishtinës.
Ai ka lënë mbrapa vetes gruan dhe tre fëmijë, si dhe një trashëgimi të vlefshme në gazetari.
Radio Evropa e Lirë u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të tij! REL
“Kurthe mjalti”- Një spiune ruse u dërgua për të joshur një gazetar të njohur në Britani, planifikuan ta torturonin. Si funksiononte rrjeti rus i spiunazhit
Një grup shtetasish bullgarë të akuzuar për spiunazh për Rusinë shënjestruan një gazetar investigativ me gazetën Bellingcat dhe u përpoqën ta joshin atë në një “kurth mjalti” përmes Facebook, thanë prokurorët në një gjykatë në Londër të hënën.
Në gjyqin në Londër, u zbuluan detaje të një operacioni kompleks nga rrjeti rus i spiunazhit që kishte në shënjestër gazetarin investigativ Christo Grozev, i njohur për ekspozimin e aktiviteteve të inteligjencës ruse.
Plani përfshinte përdorimin e të ashtuquajturit “kurthe mjalti” për të diskredituar apo shantazhuar Grozevin, u tha jurisë në Old Bailey.
Sipas provave, operacioni u organizua nga Jan Marsalek, një shtetas austriak i njohur me pseudonimin “Rupert Ticz” dhe Orlin Roussev, drejtuesi i një grupi spiun me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.
Duke përdorur komunikimin e koduar, dyshja përpunuan një plan në të cilin Grozev do të joshej nga Vanja Gaberova, një estetiste 30-vjeçare nga Londra.
Gaberova udhëtoi për në Valencia, Spanjë për të shoqëruar Grozev në një konferencë në Hotel Palace, ku mori pjesë edhe themeluesi i Bellingcat, Eliot Higgins.
“Ne kemi nevojë për vajza të forta dhe të pavarura, ajo është e sigurt në vetvete dhe një kurvë e vërtetë seksi për këtë punë”, tha Roussev.
Pse ishte një objektiv Kristo Grozev?
Grozev, një gazetar investigativ bullgar dhe anëtar i ekipit Bellingcat, ka qenë i rëndësishëm në ekspozimin e krimeve shtetërore ruse, duke përfshirë helmimin e Sergei Skripal në 2018 në Salisbury dhe rrëzimin e aeroplanit malajzian Flight MH17 në vitin 2014. Puna e tij në dokumentimin e lidhjes së agjencive të inteligjencës ruse me këtë dhe raste të tjera e bëri atë një objektiv kryesor të shërbimeve ruse të sigurisë.
Puna e tij për të ekspozuar rrjetin përgjegjës për helmimin e liderit të opozitës Alexei Navalny zemëroi më tej autoritetet ruse, si rezultat i së cilës Grozev u pa si një kërcënim për interesat e tyre. Operacioni kundër tij duhej të dobësonte reputacionin dhe punën e tij kërkimore.
Detaje të operacionit të spiunazhit
Gjatë konferencës, Gaberova e ndoqi Grozevin, duke bërë fotografitë e tij dhe duke monitoruar aktivitetet e tij. Ekipi i spiunazhit regjistroi gjithashtu ndërveprimet e tij me persona të tjerë me interes për Rusinë, si Eliot Higgins.
Mesazhet midis Marsalek dhe Roussev zbulojnë skenarë të tjerë të mundshëm, duke përfshirë rrëmbimin, djegien e pronës së tij dhe madje edhe vrasjen. “Do të doja ta rrëmbeja edhe më shumë”, dyshohet se ka shkruar Marsalek në një nga mesazhet.
Operacioni nuk u kufizua vetëm në Grozev. Spiunët ndoqën edhe objektiva të tjerë, duke përfshirë gazetarin rus Roman Dobrokhotov, themelues i portalit The Insider. Ivanova, një nga të akuzuarit, ishte përfshirë në spiunimin e Dobrokhotovit në fluturimin nga Budapesti për në Berlin, ku madje arriti të regjistrojë kodin PIN të tij në telefonin e tij celular.
Në bankën e të akuzuarve ishin shtetasit bullgarë Vanja Gaberova, Katrin Ivanova dhe Tihomir Ivanov Ivançev, ndërsa Orlin Roussev dhe Biser Zambazov tashmë e kanë pranuar fajin. Të pandehurit ishin pjesë e një rrjeti më të gjerë që kryente aktivitete spiunazhi për Rusinë për gati tre vjet, duke synuar individë dhe vendndodhje me rëndësi strategjike.
Gjatë operacioneve, spiunët përdorën metoda të sofistikuara, duke përfshirë gjurmimin duke përdorur identitete të rreme dhe maskimin si shofer transporti ose personel mjekësor. bw
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 3 dhjetor do të zhvillojnë takime të ndara me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.
Takimet e ndara në Bruksel nuk do të zhvillohen në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, proces që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Takimet e ndara të Kallasit me Kurtin dhe Vuçiqin u konfirmuan nga zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Anita Hipper.
Kallas është shefja e re e politikës së jashtme dhe sigurisë së BE-së dhe së bashku me pjesën tjetër të komisionarëve të KE-së nisën mandatin më 1 dhjetor.
Hipper në një konferencë për media më 2 dhjetor u është përgjigjur pyetjeve lidhur me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit më 26 dhjetor dhe për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi.
Ajo përsëriti qëndrimin që BE-ja shprehu një ditë pas sulmit në Varragë të Zubin Potokut, duke e cilësuar sulmin si terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës dhe ftoi të gjithë që të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës për të zbuluar kryesit e sulmit dhe që ata të përballen me drejtësinë.
Lidhur me takimet që do të zhvillojë Kallas në Bruksel, Hipper ka sqaruar se ato nuk do të jenë në kuadër të dialogut.
Kallas tani pasi ka marrë mandatin duhet të vendosë se si të vazhdohet me procesin e dialogut, i cili ka nisur më 2011.
Kurti dhe Vuçiq në Bruksel do të zhvillojnë edhe takime të ndara me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta. Më vonë ata do të marrin pjesë në një darkë joformale që Kosta do të organizojë me të gjithë udhëheqësit e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ditëve të fundit, Kurti dhe Vuçiq kanë këmbyer akuza për sulmin në Zubin Potok. Kosova e fajëson Serbinë për sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Serbia mohon se qëndron prapa sulmit dhe ka thënë se ka nisur hetimet e veta për këtë rast.
Autoritetet e Kosovës deri më tani kanë arrestuar disa persona të dyshuar për këtë rast dhe kanë sekuestruar armë dhe pajisje të tjera ushtarake gjatë operacioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Sulmi ka ndodhur në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.
Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Sulmi në Zubin Potok është dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar. REL
Rrëzimi i avionit të mallrave të postës së shpejtë DHL në afërsi të aeroportit të Vilniusit të hënën, bombat që së fundmi frikësuan banorët e Londrës, nga sheshi Euston, aeroporti Gatwick e deri të ambasada amerikane, janë vetëm disa nga tentativat e Rusisë për të filluar luftën e fshehtë me Perëndimin, shkruan Telegraph.
Madje dronët që janë parë duke fluturuar mbi bazat ajrore amerikane në Britani të Madhe dhe shpërthimi i armëve në fabrikat e municionit në Wales në prill, vetëm sa kanë përshkallëzuar situatën.
Kabllot e telekomunikacionit që u këputën në Detin Baltik në fillim të këtij muaji, sulmet me zjarrvënie përfshirë ato të bizneseve ukrainase në Leyton në lindje të Londrës në mars të këtij viti, ndërhyrja në operatorët hekurudhor në Çeki, janë tregues i qartë, janë raste e tjera të regjistruara.
Dëmet në satelitë dhe pengimi, shkaktoi ndryshime në programet televizive në të gjithë Evropën. Dhjetëra incidente tjera të ngjashme ndodhën, ndërsa Perëndimi mbështet Ukrainën, nderkohe Rusia ka rritur veprimet e sabotazhit nëpër Evropë dhe më gjerë – duke ndjellë ndjenjën e pasigurisë në kontinent që nga Lufta e Ftohtë.
Shërbimet e sigurisë tashmë kanë dhënë alarmin. “Ne duhet të presim të shohim akte të vazhdueshme agresioni këtu në shtëpi”, tha drejtori i përgjithshëm i MI5, Ken McCallum në një fjalim muajin e kaluar.
“GRU [shërbimi i inteligjencës ushtarake të Rusisë] në veçanti është në një mision për të krijuar kaos në rrugët britanike dhe evropiane: ne kemi parë zjarrvënie, sabotim dhe më shumë. Veprime të rrezikshme të kryera në rritje”, shtoi ai.
Është, tha ai, një “fushatë e bashkërenduar” që kërkon një “përgjigje të fortë dhe të qëndrueshme”.
Këtë javë, Bruno Kahl, kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Gjermanisë, tha se “masat hibride” ruse vetëm rrisin “rrezikun që NATO përfundimisht të konsiderojë thirrjen e klauzolës së saj të mbrojtjes reciproke [neni 5]”.
Dhe në një fjalim të përbashkët me homologun e tij francez të premten, Sir Richard Moore, shefi i MI6 – i njohur si “C” – foli për “boshtin moralisht të falimentuar të agresionit” të mbikëqyrur nga Vladimir Putin.
“Kohët e fundit kemi zbuluar një fushatë jashtëzakonisht të pamatur të sabotazhit rus në Evropë, edhe pse Putini dhe bashkëpunëtorët e tij i drejtohen goditjeve bërthamore, për të mbjellë frikë për pasojat e ndihmës ndaj Ukrainës dhe për të sfiduar vendosmërinë perëndimore për ta bërë këtë”, tha ai.
Por, “siguria jonë – britanike, franceze, evropiane dhe transatlantike – do të rrezikohet”, shtoi Sir Richard për perspektivën që Putini ta reduktojë Ukrainën në një shtet vasal.
“Kostoja e mbështetjes së Ukrainës është e njohur mirë, por kostoja e mosbërjes së kësaj do të ishte pafundësisht më e lartë”, shtoi ai. Panorama
Lajmet me interesante
-
Një i pastrehë në shtëpinë tonë të përbashkët- Tregim i jetuar nga FATBARDH AMURSI
November 30, 2024
-
Balerini i njohur shqiptar u vetëhodh nga kati i katërt i pallatit në kryeqytet, ja si është gjendja e tij shëndetësore
December 3, 2024
-
NDËRRON JETË ZOICA HAXHO, IKONA E BALETIT SHQIPTAR, PRIMA BALERINA E TEATRIT TË OPERËS DHE BALETIT
November 28, 2024
-
Emil Asdurian, i biri i ikonës së Baletit Shqiptar: Ime më ishte Heroinë që sakrifikoi për Artin, Kombin dhe Familjen!
December 1, 2024
-
NDËRRON JETË SHKRIMTARI I SHQUAR SEJDI BERISHA
-
BREDHI ME DHËMBË I VITIT TË RI -Tregim satrio-humoristik nga Shkëlqim HAJNO
December 3, 2024
Lajmet e fundit
-
UGSHPD: URSULA, KUMLLAXHIU* DHE BELA (Rrëfenja e Zadejës Eolike)
By voal.ch | December 4, 2024
-
Vulini propozon ligj për “agjentët e huaj” në Serbi
By voal.ch |
-
Shkurte Fejza, e mërzitur për ndalimin e ‘Mora Fjalë’ në stadium, Cana: S’ka gjë që e ndalon, me apo pa muzikë
By voal.ch |
-
Shqetësim në Shqipëri lidhur me shtimin e portaleve me origjinë ruse
By voal.ch |
-
VIDEO- Vallëzimi ritmik i Tropojës zyrtarisht në UNESCO
By voal.ch |
-
OpenAI hap një zyrë në Zyrih
By voal.ch |
Komentet