Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të konsiderojë në mënyrë serioze pjesëmarrjen në iniciativën rajonale – “Ballkani i Hapur”.
“Bashkëpunimi ekonomik nuk ka alternativë në këto kohëra të pasigurta për ekonomitë rajonale dhe globale”, thuhet në një komunikatë për media të OEAK.
Sipas Odës Amerikane vetëm përmes integrimit ekonomik, vendet do të mund të tejkalojnë vështirësitë e ardhshme, siç janë sfidat në zinxhirët e furnizimit, siguria e ushqimit, mungesat e energjisë dhe mungesat e fuqisë punëtore.
“Çfarëdo iniciative e bashkëpunimit rajonal, duhet të mundësojë përfaqësim të barabartë të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe se është përgjegjësi e tri shteteve nismëtare të Ballkanit të Hapur, që të adresojnë brengat e Qeverisë së Kosovës dhe ato të vendeve të tjera skeptike”, thuhet në komunikatën për media të OEAK.
Asnjë iniciativë për treg të përbashkët rajonal, sipas Odës Amerikane nuk mund të ketë sukses në rrethana ‘kur jo të gjitha shtetet e rajonit trajtohen në mënyrë të barabartë dhe me respekt’.
Në nismën “Ballkani i Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Ajo është iniciuar nga krerët e këtyre shteteve në tetor të vitit 2019.
Nisma, që fillimisht është quajtur “Mini-Shengen”, sipas iniciuesve të saj, parasheh lëvizje të lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis të tria vendeve.
Me gjithë thirrjet e iniciuesve, tri vende të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina – vazhdojnë të kundërshtojnë të bëhen pjesë e nismës.
Zyrtarët në Kosovë, në pushtet dhe opozitë, kanë argumentuar se një nismë e tillë është “pa vizion” dhe “e rrezikshme”.
Në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që thuhet se kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.
Marrëveshjet, mes tjerash, përfshijnë lëvizjen e qytetarëve të tyre me letërnjoftime, bashkëpunim në lehtësimin e importit dhe eksportit të mallrave, luftimi i evazionit fiskal, njohja e diplomave universitare, bashkëpunimi kulturore dhe turistik si dhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.
Udhëheqësit e tri shteteve kanë planifikuar që gradualisht të krijojnë edhe një treg të përbashkët për 12 milionë banorë – aq sa kanë të tria vendet bashkë.
Nga 1 janari i vitit 2023, ndërkaq, është rënë dakord që edhe kontrollet kufitare midis Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të hiqen.
Komentet