Katër vjet më parë, Kosova e humbi futbollistin më të madh në histori të saj.
Fadil Vokrri kishte ndërruar jetë pas një sulmi kardiak më 9 qershor 2018, 14 ditë pa i mbushur 58 vjet, duke i lënë të shokuar të gjithë me këtë ikje të papritur dhe të hershme.
Pas një karriere jashtëzakonisht të suksesshme, ai e kishte vazhduar suksesin edhe në pozitën e presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Nën drejtimin e Vokrrit, Kosova ishte pranuar në UEFA dhe në FIFA dhe kishte filluar ndërtimi i Kombëtares së Kosovës, të cilën e gëzojmë sot.
E legjendën Vokrri, sot e ka kujtuar edhe pasuesi i tij, kryetari aktual i FFK-së, Agim Ademi, shkruan “Gazeta Express”.
“Sot bëhen katër vjet që kur na la presidenti, miku dhe Legjenda jonë, Fadil Vokrri. Një figurë emblematike e futbollit të Kosovës, që në rininë e tij të hershme u shqua si njëri nga futbollistët më të spikatur në trojet shqiptare dhe jo vetëm, derisa për shumë vite u dallua edhe si drejtues i denjë i FFK-së.
Sot, Legjenda na mungon të gjithëve fizikisht, por përherë mbetet në kujtimet tona si një personalitet i cili me karrierën e tij të bujshme i dha vlera të mëdha futbollit të Kosovës, teksa udhëhoqi me sukses procesin e anëtarësimit në UEFA e FIFA.
Fanella me numrin 9 e simbolizonte karrierën e tij madhështore. Tani 9 qershori e simbolizon përkujtimin e tij të përjetshëm, teksa në çdo ndeshje të Kombëtares së Kosovës minuta e 9-të simbolizohet me brohoritjet e tifozëve me emrin e tij.
Fadil Vokrri mbetet pjesë e motivimit të gjeneratave të reja, derisa për shumë breza që kishin fatin të luanin, të punonin e të ishin afër tij mbetet kujtim krenarie.
Jam i nderuar që isha në mesin e miqve të tij të shumtë, por edhe krahu i tij i djathtë në rrugëtimin drejt ndërkombëtarizimit.
Së bashku kaluam nëpër shumë peripeci, por punuam në vazhdimësi me këmbëngulësi që futbolli i Kosovës të jetë në nivelin ku është sot.
Tani arritjet tona janë pjesë e përkushtimit në punë dhe u dedikohen të gjithë atyre që punuan e kontribuuan në futbollin kosovar që nga ditët e para të mëvetësimit.
Sot, në këtë datë, rastisi që Kombëtarja jonë të luajë kundër Irlandës së Veriut, ndeshje e cila do të jetë në përkujtim të tij dhe rezultati i saj, i cili shpresojmë se do të jetë pozitiv, do të jetë i dedikuar për Fadil Vokrrin. Pusho i qetë LEGJENDË! Me respekt, Agim Ademi, president i FFK-së”.
Komentet