Kompozitori i njohur Limos Dizdari ia ka dalë. Prej 1 muaji në spital, Dizdari ka arritur të fitojë betejën duke iu gëzuar jetës. Ka qenë vajza e tij Alda, e cila ka dhënë lajmin e mirë me një postim në rrjetet sociale.
Ajo ka publikuar dhe fotot nga spitali “Shefqet Ndroqi” të babait të saj, i buzëqeshur mes mjekëve.
Alda Dizdari tregon se e kishte prerë biletën dhe ishte përgatitur për një funeral, por se mjekët, që i quan heronj dhe shpirti i pamposhtur i të atit bënë mrekullinë.
Postimi i Alda Dizdarit
Nuk kam fjalë të falënderoj mjekët dhe gjithë stafin në Reanimacionin e Spitalit Shefqet Ndroqi (Sanatoriumi) të cilët si heronj të vërtetë luftuan dhe sollën në jetë babin tone Limos Dizdari.
Ai ishte i intubuar që nga data 2 Maj dhe shumë shpejt u pa se kishte jo vetëm mushkërite pa funksion po edhe një zemër që kishte bërë infarkt akut të përgjithshëm.
U vendos me shumë shpejtësi që zemrës t’i viheshin katër unaza për të bërë të mundur funksionimin e saj dhe në date 13 Maj ne familjarët nënshkruam lejen që ai të futej në operacion i intubuar. Unë bleva biletën dhe u përgatita për një funeral.
Por mjekët bënë mrekulli atë dite, mjekët por edhe shpirti i pamposhtur i tim ati. Ata e përmbushën me sukses operacionin dhe ai jetoi. Një staf i tërë iu dedikua për javë të tëra.
Me shumë dashuri, entuziazëm, bënë çdo gjë, bile edhe e mbushën sallën e reanimacionit me muzikën e tij, që t’i ngrinin humorin.
Një ndër njerëzit më të spikatur, që sa herë hynte në sallë përçonte dritë, forcë dhe shprese ishte doktoreshe Alma Cami, e papërkulur, asnjëherë e ndrydhur nga momentet delikate ku jeta e pacientit ndodhej.
Ajo i dha forcë atij, stafit të saj dhe gjithë neve. Ishin shumë njerëz që takova ato ditë, nga doktoresha e zemrës Nevila Caushi, Doktor Agroni, doktoreshe Marjeta, kryeinfermieria Klementina, Infermieret Ana, Mira, Eneida, Sametin, fizioterapistët Sergio dhe Bruno dhe sanitaret Moza dhe Etleva.
Të gjithë dhanë çdo gjë, punuan natë e ditë dhe pacienti i tyre reagoi, ai filloi të përmirësohet.
Dhe unë, e përgatitur për një funeral, pashe me sytë e mi si babin e ngritën dhe shëruan këta heronj të heshtur, për të cilët nuk para duam të mendojmë, se na kujtojnë momente të vështira. Por për mua ata do të mbeten përherë në mendjen dhe zemrën time!
Ju faleminderit pa fund të gjithëve! Një dite do të vij dhe do të luaj një koncert vetëm për ju dhe të shpreh mirënjohjen time mr të vetmen mënyrë që di, me muzikë!
Komentet