Kompania turke Ahas Energy ka investuar në hapjen e Balkans Expo-Free Zone, Qendrën Ekonomike për sektorin e Bujqësisë, më të madhen në Ballkan. Ky është një nga investimet më serioze të Turqisë në sektorin e Bujqësisë
PRISHTINË – Kompania investuese turke Ahas Energy, këtë muaj në Prishtinë, ka bërë hapjen e Balkans Expo-Free Zone e cila është Qendër Ekonomike për sektorin e Bujqësisë, më e madhja në Balkan.
Bëhet fjalë për një nga projektet dhe investimet më serioze të Turqisë në sektorin e Bujqësisë, si një nga fushat me perspektivën më të madhe në ekonominë kosovare. Balkans Expo-Free Zone ndodhet në periferi të Prishtinës dhe në perimetër prej 1,5 kilometra rreth tij, punojnë pesë qendrat tregtare më të mëdha në Kosovë. Objekti ka sipërfaqe të mbyllur prej 6 mijë metra katrorë, plus 5 mijë metra katrorë ka hapësirë në ambiente të hapura.
Agim Myftiu, koordinatori i projektit Balkans Expo-Free Zone dhe njëherësh, kryetar i Bordit Udhëheqës të Fondacionit të Prodhuesve dhe Bizneseve të Kosovës, BIKOS, gjatë bisedës me Anadolu Agency ka theksuar se përpilimin e këtij projekti e kanë bërë bashkërisht BIKOS dhe Ahas Energy nga Turqia, në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës (OEK).
Myftiu shpjegon se në këtë objekt biznesi do të vendosen rreth 100 kompani nga Turqia dhe vendet e Ballkanit, të cilat do t’i plasojnë prodhimet e tyre në tregun kosovar dhe atë ballkanik.
“Nga fara e deri tek makinat bujqësore, prodhuesit kosovar do t’i kenë të gjitha në dispozicion. Planifikojmë që së shpejti ta kemi këtu edhe laboratorin për analizat e tokës dhe kualitetit të prodhimeve bujqësore. Kjo sipërmarrje të cilën e kemi filluar ne, është bërë me insistimin e Ministrisë së Ekonomisë së Turqisë dhe me ndihmën e prodhuesve më të mëdhenj turk, si dhe firmës investuese Ahas Energy”, tha Myftiu.
Ai përmend se ky projekt përkrahet nga Oda Ekonomike e Kosovës, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, ndërsa thekson që funksionalizimi i Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë të Mallrave ndërmjet Turqisë dhe Kosovës do të kontribuoj në masë të madhe në funksionimin e suksesshëm të kësaj qendre.
Kjo marrëveshje është arritur para dy viteve dhe tashmë është ratifikuar në parlamentin turk, por jo edhe në Kuvendin e Kosovës, për shkak të situatës aktuale politike.
Koordinatori i projektit shton se, Qendra Ekonomike për sektorin e Bujqësisë nuk është paraparë vetëm si qendër për tregti të thjeshtë por edhe si vend për bashkëpunimin e ndërmarrjeve kosovare dhe atyre nga tërë rajoni i Ballkanit.
“Ky është një gur themeli për nxitjen dhe për vazhdimin e prodhimit të produkteve turke në territorin e Kosovës. Kjo do të thotë, lënda gjysmë e përpunuar apo produkti gjysmë i përfunduar do të vijë nga Turqia dhe këtu do të përfundoj prodhimi dhe pastaj nga Kosova do të eksportohet në tregun evropian si prodhim “made in Kosovo”, sepse dihet që Kosova me hapa të sigurt dhe të ngadalshëm po shkon kah Bashkimi Evropian”, thekson Myftiu.
Sipas tij, qëllimi është që edhe prodhuesit e produkteve bujqësore nga Kosova të lidhen dhe të bashkëpunojnë me prodhuesit tjerë nga vendet e Ballkanit, në mënyrën që të kenë investime të përbashkëta për dalje në tregjet e treta. Kosova është shtet i ri me dy milion banorë, mirëpo është zgjedhur për hapjen e kësaj Qendre ekonomike, në radhë të parë, për shkak të pozitës së përshtatshme gjeografike.
“Kosova do të jetë si dërrasë shtytëse për tregun ballkanik dhe evropian, sepse qyteti më i largët nga kryeqyteti, Prishtina, gjendet 400 kilometra larg. Shkupin e kemi larg 80 kilometra, Tiranën 160, Beogradin rreth 300 kilometra… kjo është ajo pozita gjeografike e Kosovës”, thotë ai.
Agim Myftiu rrëfen se Ahas Energy nga Turqia është kompani e njohur botërore për hulumtimin e ujërave termale dhe minerale, gjë të cilën do ta bëjë edhe në Kosovë, në bashkëpunim me ekspertët e Fakultetit të Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës.
“Në Bujqësi, përveç farës, shumë me rëndësi është edhe energjia, energjia e diellit dhe uji i ngrohtë. Ne do t’iu mundësojmë bujqve që, në mes të dimrit të prodhojnë pemë e perime. Nuk mendoj në fruta nga drunjtë por, dredhëza, mjedra dhe prodhime të ngjashme, ndërsa domatet, specat dhe gjelbërimet do t’i kemi gjatë tërë vitit nëpër sera të plastikës dhe xhamit, nëse sigurojmë energji të mjaftueshme”, thotë Myftiu.
Qendra Ekonomike për sektorin e Bujqësisë pritet që të filloj të funksionoj me gjysmën e kapaciteteve të veta, gjatë tremujorit të parë të 2016-tës, ndërsa me kapacitete të plota nga qershori i vitit të ardhshëm.
Në kuadër të kësaj qendre është planifikuar që të organizohen edhe seminare të ndryshme për bujqësi, ndërsa me Odën Ekonomike të Kosovës tashmë është arritur marrëveshja për organizimin e dy panaireve ndërkombëtare të bujqësisë në kuadër të Qendrës së panaireve në periferi të Prishtinës.
Nga Oda Ekonomike e Kosovës konsiderojnë se projekti Balkans Expo-Free Zone ka një strategji dhe vizion të fuqishëm, me çka do t’i mundësohet Prishtinës që të bëhet kryeqytet ekonomik i rajonit të Ballkanit, duke lidhur Bosnje dhe Hercegovinën, Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Njëkohësisht, theksojnë se Kosova do të bëhet hallkë e rëndësishme e cila do të lidh Ankaranë dhe Evropën.
Përndryshe, bilanci tregtarë ndërmjet Turqisë dhe Kosovës në vitin 2014 ka qenë 248 milion euro, me çka, Turqia radhitet si partneri i tretë më i madh tregtarë i Kosovës. Aktualisht, në Kosovë funksionojnë 508 kompani turke, në fusha të ndryshme dhe punësojnë mbi 7 mijë kosovarë.
Komentet