In memoriam – me rastin e ndarjes nga jeta të ish Kryetarit të Vatrës Dr.Gjon Buçaj, dje më 14 maj 2022. Po sjellim Raportin embajtur orej tij si Kryetar në Kuvendin e Vatrës – 27 prill 2013
Mysafirë të nderuem, delegatë, zonja dhe zotnij,
Asht nder i veçantë dhe kënaqsi për mue t’ju paraqes nji raport të permbledhtë për punën e Vatrës gjatë nji kohe ma tepër se dy dekadash. Shumica e këtij grupi vatranësh që e kanë sjellë Vatrën në Kuvendin e sotëm, kanë qenë aktivë për 30-40 vjet pa ndërpremje, disa edhe ma gjatë; atyne u dedikohet, kryesisht, mbijetesa e kësaj organizate kombtare në periudhën kritike, përpara dhe pas ramjes së komunizmit. Kur në Boston nuk kishte ma kush interesohej për mbajtjen e saj, kryetari i atëhershëm, z. Peter Lukas, i sygjeroi degës së New York-ut, e cila ishte shtylla kryesore, t’a sjellnin Vatrën në New York, dhe ashtu u ba. Qendra e saj sot asht në Bronx, në nji shtëpi që u ble me fonde të mbledhuna nga vatranët gjatë shumë vitesh, ku janë të vendosuna arkivi dhe biblioteka dhe ku përgatitet gazeta “Dielli” për shtyp.
Ndryshimet e mëdha n’arenën botnore që erdhën me ramjen e komunizmit, ndikuen edhe në Shqipni, ngadalë por në mënyrë të paevitueshme. Mërgata shqiptare bante thirrje për ndryshime të pavonueme dhe paqsore, ndërsa elita komuniste me në krye Ramiz Alinë, ishin të gatshëm edhe me derdhë gjak të pafajshëm, për të mos i lëshue frenat e pushtetit, siç e dëshmuen me 2 prillit 1991, me vrasjen e katër studentavet në Shkodër.
Në këtë atmosferë u mbajt Kuvendi i 20 prillit 1991. Nji grup i sapo këthyem nga Shqipnia pasë vizitash me Ramiz Aline dhe me Nexhmije Hoxhën, tentoi të merrte në dorë Vatrën dhe “Diellin”, sollën papritmas 40-50 antarë të rij, nga të cilët disa u caktuen delegatë, edhe pse kanunorja parashifte që delegati duhej të ishte se paku 2 vjet antar i rregullt. Këtë konflikt me kanunoren e kaluen delegatët e rregulltë në fillim të kuvendit, me aprovimin e delegatëve të rij. Megjithë përpjekjet jashtë rregullit dhe me ndonji mbështetje të randësishme si rrjedhim i mashtrimit se Ramiz Alia do të bante reforma demokratike, grupi në fjalë nuk pati sukses; me shumicë votash të meshefta, u zgjodh kryetar profesor Arshi Pipa, pasi pranoi kandidaturën e propozueme nga ana e jonë, për të marrë kryesinë e Vatrës dhe gazetën “Dielli” për nji vjetë.
Në kuvendin e qershorit 1992 u zgjodh z. Agim Karagjozi, i cili ishte në thelbin e të gjitha aktiviteteve të Vatrës prej shumë vitesh. Në aktivitetet që Vatra zhvilloi nën drejtimin e tij, mbështetja e përpjekjeve të Kosovës për liri mbetej prioritet, krahas me përkrahjen e proceseve të demokratizimit në Shqipni.
Në prill të vitit 1995, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Vatra përcolli eshnat e Konicës në Tiranë me nji delegacion të kryesuem nga Agim Karagjozi, bashkë me përfaqesues tjerë të diaspores shqiptare të Amerikës, ku dalloheshin krah për krah i ndjemi Imam Isa Hoxha dhe Dom Pjeter Popaj. Para përcjelljes u organizue nji seminar shkencor në Fordham University në New York, ku morën pjesë ligjërues nga treva të ndryshme shqiptare dhe nga diaspora.
Të gjitha këto aktivitete u pasqyruen në faqet e “Diellit” që tashma redaktohej nga letrari i talentuem Anton Çefa, i cili e mbajti gazetën për disa vjet, në nji nivel kualiteti të denjë për traditën dhe emnin e saj.
Në vitet 90-a Vatra zhvillonte aktivitete të denduna por radhët e saj nuk po shtoheshin, kështu antarëvet u binte barrë e randë, të cilën ata e mbajshin me përkushtim e bujari. Kushtet nuk ishin të favorshme për mbajtjen e kuvendeve të rregullta, por megjithatë vatranët u mblodhën në kuvend me 2 nandor 1996; për arsye të rrethanave, delegatët vendosën të mos e ndryshonin udhëheqsinë, keshtuqë aktivitetet vazhduen me intensitet të pandërpremë.
Vatra ka organizue seminarë të suksesshem, për 90 vjetorin pastaj edhe për 100 vjetorin e gazetës “Dielli”, për 90 vjetorin e pavarësisë, si dhe nji seminar për Skenderbeun, ku gjithmonë asht kujdesë të ketë ligjërues nga Kosova, megjithë vështirësitë financiare; të shumtën e rasteve shpenzimet për udhtimet e ligjëruesve nga Kosova ose nga Shqipnia i kanë përballue individët pa publikim emnash, por vetëm në emën të Vatrës.
Përveç seminareve, Vatra ka sponsorizue ose promovue botime me vlerë kulturore e historike kombëtare, si historinë e Vatrës (1912-1920) dhe ate të marrëdhanjevet shqiptaro-greke të prof. Beqir Metës, Mendimi Shqiptar i viteve 30 të Ndrçim Kullës (në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë), përmbledhjen e dokumantacionit të veprimtarisë së Rinisë Kosovare në Botën e Lirë, me autor Sejdi Bitiçin, dhe tash së voni, librin e dokumetuem me forografi mbi masakrat serbe nga prof. Nusret Pllana, si dhe librin tre vellimesh mbi historinë e Kosovës të historianit Jusuf Buxhovi. Sot nji javë, në këtë hotel, do të bahet paraqitja e botimit tre vëllimesh të studiuesit dhe publicistit të njoftun Mal Berisha, mbi humanistin amerikan Charles T. Erickson, mik dhe përkrahës i jashtëzakonshëm i shqiptarëvet.
Aktivitetet kulturore që Vatra ka zhvillue ose përkrahë, janë në vi me traditën e saj për vlerën e tyne kulturore kombëtare. Aktivitetet tjera dhe qendrimet, në dukje me ngjyrë politike, gjithashtu, janë në vi me traditën e saj, për frymën e parimeve demokratike dhe të motivueme nga interesat jetike të kombit.
Përsa i përket Shqipnisë, Vatra ka ba thirrje për kalimin nga diktatura në demokraci pa dhunë dhe ka përkrahë ato forca që janë vu në opozitë me Partinë e Punës, që kishte ndërrue emnin në Parti Socialiste por kishte “ndërrue qimen, jo vesin”. Në takimet që kemi pasë, që prej fillimit, si dhe me deklarata për shtyp, kemi përkrahë zhvillimin e proceseve demokratike dhe kemi shprehë qëndrime dhe mendime mbi ecuninë e atyne proceseve dhe të integrimeve euroatlantike. Ka qenë gjithmonë mendimi dhe dëshira e jonë që shtresa e ish të përsekutuemëvet të integrohej efektivisht në sistemin politik, për të ndimue shkëputjen nga e kaluemja e diktaturës dhe për të ecë përpara drejt konsolidimit të demokracisë, si dhe për çmimin e randë që ajo shtresë ka pague për qëndresën kundër dominimit komunist. E kemi konsiderue si detyrë morale dhe nevojë kombëtare dënimin e krimeve të komunizmit dhe të kriminelëve, hapjen dosjeve dhe zbatimin e ligjit të lustracionit, këthimin e pronave të grabituna me forcë nga regjimi komunist, ose shpërblimin në mënyrë të arsyeshme kur këthimi ishte i pamundun. Me shtresën e ish të burgosunvet e të perndjekunve, jemi ndie solidarë dhe kemi dëshirue e porositë ruejtjen e kohezionit të saj si forcë e madhe morale, për të luejtë nji rol të randësishëm pozitiv në jetën e vendit. Mjerisht, ajo shtresë u përça dhe u dobësue, kryesisht për mungesa të vetat, por edhe për “merita” të dy krahëve të politikës.
Tragjedija e vitit 1997 na shqetsoi thellësisht dhe Vatra mori qëndrim të ashpër kundër forcavet politike që ndoqën rrugën e rrenimit të vendit për të ardhë në pushtet. Në nji vizitë në Shqipni, për të përkrahë koalicionin demokratik kundër qeverisë së ardhun në pushtet me dhunë, kryetari Karagjozi deklaroi se ajo qeveri nuk e kishte “të drejtën ligjore dhe as morale të ketë në duar frenat e shtetit shqiptar dhe qeverisjen. Ajo e mori pushtetin me dhunë e dame të mëdha materiale, kulturore dhe në njerëz të pafajshëm.” “Qëndrimi i vëndosur i Vatrës kundër diktaturës dhe ideologjisë komuniste nuk është qëndrim politik, por thjeshtë kombëtar.”
Si shqiptarët e çdo kohe larg atdheut, kemi nda gëzimin dhe idhnimin me popullin në vendlindje. Vrasja e Arben Brocit me shokë asht plagë e hapun, me ministrin e mbrendshëm që dha urdhnin e masakrës, ende në sfera të larta të politikës, pa dhanë kurrëfarë përgjegjësije ai as dora vrastare. Vrasjet e shumëta në vitin e mbrapshtë 1997, djegëja e objekteve kulturore dhe shkatrrimi i institucionit ushtarak, tragjeditë e shpërthimeve në Gërdec, të vërshimeve në Shkodër e në zona tjera, na kanë zgjue ndjenjën e dhimës, jemi përpjekë të gjindemi pranë dhe të tregojmë solidaritetin tonë, sado modest. Kemi çue zanin kundër ngritjes së memorialeve për ushtarët grekë të ramë në tokën shqiptare si okupatorë, si dhe kundër mbajtjes peng të parlamentit dhe të funksionimit të shtetit ligjor, tue mos u njoftë rezultatet zgjedhore të vitit 2009, për interesa të ngushta partijake e përsonale, për të mos humbë pozitën.
Kemi nda edhe gëzimet e arritjeve të cilat jemi përpjekë t’i shijojmë për së afërmi. Kanë qenë momente gëzimi e krenarije inaugurimi i “Rrugës së Kombit” dhe nënshkrimi i pranimit të Shqipnisë në NATO nga Presidenti George W. Bush në Shpinë e Bardhë, raste këto ku Vatra ka qenë prezent.
Për çashtjen e Kosovës, angazhimi i Vatrës ka qenë gjithmonë i vazhdueshëm, por prej demonstratave studentore të vitit 1981, intensiteti i aktivitetevet në komunitet asht rritë vazhdimisht, tue nisë me demonstrata të mëdha në New York, fillimisht me inisjativën e pjesës nacionaliste. Ma vonë ndërhynë edhe elementa të porositun nga Sigurim dhe nga UDB-a në të njajtën kohë, tue përdorë flamurin me yllin e kuq, me qëllim që botës perëndimore dhe sidomos Amerikës, t’i krijohej bindja se Kosovarët po përpiqeshin të ndryshonin kufijt për t’u bashkue me Shqipninë, tue krijue kështu, nji shtet marksist-leninist të fortë në Ballkan. Kjo taktikë e ka vështirësue, por nuk ka mujtë me e ndalë informimin korrekt të opinionit vendimmarrës.
Dalja në skenë e elitës kosovare me në krye dr. Ibrahim Rugovën dhe themelimi i Ligës Qytetare Shqiptare Amerikane nga Kongresmeni i palodhshëm Joseph DioGuardi me origjinë arbëreshe, luejtën nji rrol të jashtëzakonshëm për internacionalizimin e çashtjes së Kosovës.
Përjetuem ankthin e luftës dhe dhimën e thellë për viktimat e terrorit serb, ndimuem në çdo mënyrë të mundshme, bashkuem zanin me atë të të gjithë diasporës në thirrje Amerikës për intervenim.
Në vitin 1998 udhëtuem në Bajram Curr për të vizitue të plagosunit e UÇK-së në spital ku sollëm dhe nji sasi ilaçesh, dorëzuem nji çek Ministrit të atëhershëm të Financave në Zyrën e Përfaqësisë së Kosovës në Tiranë. Kaluem edhe në Maqedoni, jo pa probleme në kufi, vizituem fgamiljen e te burgosunit Rufi Osmani, Universitetin e Tetovës; takuem udhëheqës dhe aktivista shqiptarë, për të dëshmue solidaritetin tonë me përpjekjet e tyne.
Mbas çlirimit Vatra shkoi në Kosovë në vitin 1999, për të nda gëzimin e lirsë dhe mirënjohjen për ata që lirisë ia falën jetën.
Jemi përpjekë gjithnji të gjindemi aktivisht me popullin dhe elitën kosovare gjatë përpjekjeve për pavarësi, kemi dënue vrasjet politike që ende presin zbardhje e drejtësi, atentatin kundër Presidentit Rugova, dhunën ndaj individëve dhe objektevet fetarë, si dhe akte të tjera me synim për të destabilizue dhe pengue Kosovën në rrugën drejt pavarësisë.
Bashkë me popullin e Kosovës nderuem me dhimbje Prijsin larpamës, arkitektin e Pavarësisë, dr. Ibrahim Rugovën, në përcjelljen e fundit me 21 janar 2006.
Në aktivitetet e kësaj periudhe që nuk mund të rreshtohen të gjitha në këtë raport, Këshillin Drejtues e ka udhëheqë zoti Agim Karagjozi, me përkushtim të rrallë dhe me matuninë karakteristike që e cilësoi gjatë eksperiencës së tij shumë vjeçare në shërbim të Vatrës.
Viti 2009 ishte me randësi të veçantë për Vatrën, pse shenonte 100 vjetorin e gazetës “Dielli” që, kryesisht për mungesë fondesh, ishte ndërpre prej afër dy vjetësh. Përkujtimi i këtij jubileu të gazetës me nji konferencë shkencore të suksesshme, ku ligjëruen shkencëtarë e studjues nga diaspora, nga Shqipnia dhe nga Kosova, shënoi nji këthesë për “Diellin” dhe ndihmoi për gjallnimin e Vatrës. Gjatë zhvillimit të konferencës filloi spontanisht nji fushatë fondesh për botimin e gazetës. Pak ma vonë, papritmas, u gjet i lirë gazetari i njoftun Dalip Greca, i cili pranoi me entuzjazëm ofertën e Vatrës të merrte përsipër redaktimin e organit të saj. Prej atëherë gazeta u ba e përmuejshme dhe z. Greca e përgatitë me profesionalizëm të lartë, e nxjerr gjithmonë në kohë, kujdeset për shtypjen dhe postimin, tue tregue përkushtim të admirueshëm, si për gazetën ashtu edhe për Vatrën. Selia e Vatrës asht ba banesa e tij e dytë. Ai e mban gazetën edhe në internet, gazetadielli.com, me edicion të përditshëm. Andrra e tij dhe e vatranëvet asht që “Dielli” të bahet gazetë javore.
Në marsin e vitit 2010 z. Karagjozi iu drejtue Këshillit të Vatrës tue konstatue me kënaqsi se aktiviteti i Vatrës po rritej, me përspektivë edhe për hapjen e degëve, nji proces që pat fillue me degën në Washington, DC. Ai shtoi se aktivitetet që e presin Vatrën kërkonin ma shumë energji, për të cilën nuk e ndiente veten në gjendje t’a përballonte fizikisht. Prandej dha dorëheqje dhe, nga dy nënkryetarët, propozoi atë ma të vjetrin që të drejtonte Vatrën deri në kuvendin e ardhshëm. Këshilli Drejtues e pranoi propozimin me vota unanime. Ky ishte nji ndryshim i nevojshën administrativ në kryesi, por jo ndryshim drejtimi. Vatra nuk mund ta ndryshojë drejtimin e saj parimor!
Shumica e vatranëve vendosi që kuvendi të mbahej mbas kremtimit të 100 vjetorit të themelimit të Vatrës, për suksesin e të cilit duhej mobilizim serioz dhe bashkëpunim i gjanë, përtej rradhëve të Vatrës. Në mbledhjet e Këshillit u hodh ideja se 100 vjetori i këti institucioni historik nuk u përket vetëm shqiptarëve të Amerikës, por të gjithë kombit. Për këtë qellim Këshilli ngarkoi kryetarin që, bashkë me antarin e Këshillit Drejtues, z. Bashkim Musabelliu dhe me editorin e “Diellit”, z. Dalip Greca, të shkonte në Shqipni, në Kosovë dhe në Maqedoni.
Me këtë mision, në muejin qershor 2011, vizituem institucionet shtetnore, qeveritare, kulturore dhe fetare. Sollëm mesazhin e vatranëvet dhe deshirën që 100 vjetori i themelimit të Federatës Panshqiptare VATRA të shënohej edhe në trojet shqiptare dhe të përfshihej në kremtimet gjthëkombëtare të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipnisë. Delegacioni u prit nga titullarët e instituconeve, u çmue mesazhi i Vatrës dhe u pëlqye nga të gjithë. Me atë rast i ftuem ata në kremtimet që ishin caktue të zhvilloheshin në New York, në prillin e vitit 2012. Gjatë këti udhtimi morëm pjesë në manifestimin madhështor në pikën kufitare Qafë Botë, me kërkesat për zgjidhjen e çashtjes Çame, të cilën Vatra e ka përkrahë gjithmonë dhe do t’a përkrahi në të ardhmen.
Për aktivitetet akademike në 100 vjetorin e Vatrës që janë zhvillue në Tiranë dhe në Prishtinë asht shkrue në “Dielli”, ku janë botue edhe kumtesat përkatëse.
Për kremtimet në New York nuk do t’ju marr kohë pse shumica keni qenë prezent, por po kufizohem në disa pika kryesore.
Kremtimi u përgatit dhe u realizue me sukses nga vatranët, me bashkëpunimin dhe përkrahjen bujare të komunitetit, ku në mënyrë të veçantë duhet të përmenden entet fetare dhe klerikët tanë. Të gjithëvet u shkon meritë e çmueshme dhe mirënjohja jonë e thellë.
Në Konferencën Shkencore të 28 prillit, ligjëruen shkencëtarë historianë, publicistë e studiues të njoftun nga të gjitha viset shqiptare dhe nga diaspora, me tema të randësishme dhe me disa nga përmbajtjet të sjelluna para publikut për herë të parë. Asht për t’u shënue pjesëmarrja si ligjërues e Ambasadorit të Amerikës në Tiranë, z. Alexander Arvizu, që nderonte 100 vjetorin e kësaj organizate historike shqiptaro-amerikane.
Këtë seminar jubilar e nderonin me prezencën dhe përshëndetjet e tyne përsonalitete të shqueme të botës shqiptare, si Kryeministri i Shqipnise, dr. Sali Berisha; z/v Kryeministerja e Maqedonisë, dr. Teuta Arifi, përsonaliteti ma i lartë shqiptar në qeverinë e ati shteti; Ministri i Diasporës i qeverisë së Kosovës, z. Ibrahim Makolli; Rektori i Universitetit Shtetnor të Tetovës, prof. dr. Agron Reka dhe Princi Leka Zogu.
Më lejoni të shtoj në këtë rast se, edhe këtë kuvend sot, e nderojnë me prezencën dhe fjalët e tyne shumë dashamirëse, Ministri Makolli i shoqnuem nga z. Naim Dedushaj, si dhe Konsujt e Përgjithshëm shqiptarë në këtë vend, z. Dritan Mishto dhe z. Bekim Sejdiu, gjithmonë dashamirë afër Vatrës.
Konferenca Shkencore u hap me nji lutje fetare së cilës i prini Peshkopi Ortodoks i shqiptarëve të Amerikës, Hirësia e tij Nikon Liolin, me pjesëmarrjen e krenëve të besimevet tjera, Imam Gazmend Aga i Komunitetit Mysliman të Shqipnisë, Imzot Dod Gjergji Ipeshkvi katolik i Kosovës, Baba Edmond Brahimaj Kryegjyshi Botnor i Bektashijve dhe arbëreshi Papas Antonio Bellusci.
Edhe darka solemne filloi me lutje të përbashket, në traditën e trashigueme prej Rilindasve dhe për të dishmue randësinë që harmonia nderfetare ka për kombin shqiptar. Në këtë kuptim asht ribotue, në faqen e parë të gazetës “Dielli” që keni përpara sot, fotografia me klerikët gjatë lutjes, të cilën e prini, me pëlqimin e të gjithë bashkëvllazënvet tjerë klerikë, prifti arbëresh At Antonio Bellusci.
Besojmë se në trojet shqiptare duhet kushtue ma shumë kujdes këtij subjekti dhe duhen përkrahë klerikët që shërbimin shpirtnor e ushtrojnë me përkushtim edhe në frymën kombëtare.
Përkitas me temën e besimevet, duhet theksue se Vatrën e shqetson zbehja graduale e Autolqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, e cila u realizue me nismën e Fan Nolit dhe me shumë përpjekje, si arritje me vlerë të randësishme kombëtare. Prandej vatranët kanë përkrahë moralisht dhe, simbas mundësisë materialisht, Kishën e Shën Mërisë në Elbasan, për qendrimin e kjartë në vi me Autoqefalinë. Jemi mirënjohës Presidentit të Republikës së Shqipnisë që vlerësoi kërkesën e Vatrës dhe dekoroi, bashkë me klerikë të tjerë, edhe dy priftërinj që u këthyen në Shqipni dhe punuen për suksesin e Kongresit të Beratit të vitit 1922, ku u morën vendimet për Autoqefalinë. Ata ishin Peshkopi Agatangel Çamçe dhe At Vasil Marko, të cilët kishin shërbye ma përpara nën jurisdiksionin e Nolit në Shtetet e Bashkueme të Amerikës.
Në pragun e 100 vjetorit të pavarësisë, ishte bisedue në Këshillin Drejtues të Vatrës, për nevojën e përkujtimit dhe mirënjohjes të figurave dhe ngjarjeve historike, si detyrë morale kombëtare. Ishte përmendë, ndër të tjera, ura në Podgoricë ku ishte vra Isa Boletini, si nji nga vendet që duheshin përkujtue dhe mundësisht vizitue, në kuadrin e vitit jubilar të pavarësisë. Në këtë frymë, në fillim të tetorit 2012, u realizuen vizita në disa nga vendet me randësi historike: Kulla-Muze e Isa Boletinit, Ura e Ribnicës ku heroi u vra në pritë dhe katundi Isniq ku sapo ishte zbulue monumenti i tij; Kulla-Muze e Dedë Gjo’Lulit dhe Bratila ku ai ngriti Flamurin me 1911; ceremonia e inaugurimit të monumentit të Ali Ibrës në Gjakovë. Doemos u ndalëm te memoriali i Presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova në Prishtinë dhe te ai i Jasharajvet legjendarë në Prekaz, vende pelegrinazhi kombtarë, ku u vendosën kunora lulesh: Vatra, me nderim e mirënjohje të përjetshme.
Me afrimin e 100 vjetorit të themelimit u ngjall interesimi për Vatrën dhe po shtoheshin degët me antarë të rij. Në këtë kuvend arrijtëm me shtatë degë, disa me antarë të regjistruem para pak ditësh. Me qellim afrimi, kemi vendosë që të gjithë delegatët të vijnë në kuvend me të drejta të barabarta, edhe pse kushtetuta parashef që delegatët të jenë antarë të rregullt prej dy vjetësh e lart. Këta do të bahen legjitimë me votën e delagatëve të rregullt, para se të fillojë sesioni i punës ku do të merren vendime dhe do të bahen votime, në të njajtën mënyrë si në kuvendin e vitit 1991, por kësaj here për të tërheqë sa ma shumë antarë, të cilët vijnë me qellim të mirë për të ndimue Vatrën. Shumë prej nesh kemi refuzue vullnetarisht emnimin delegatë, për të lanë vend për sa ma shumë delegatë nga antarët e rij.
Asht nevoja që në këtë kuvend të merren vendime, për të vu në rrugë përshtatjen me kushtet e kohëse, të neneve të kanunores që rregullojnë strukturën administrative të Vatrës. Përshtatja mund të bahet me ndryshime të neneve ose me shtesa (amendamente), gjatë kohës deri në kuvendin e ardhshëm, ku do të votohet për aprovimin final. Nenet që përcaktojnë parimet e Vatrës nuk mund të ndryshohen!
Administrata që do të dali nga ky kuvend, duhet të përkushtohet për të mbajtë të gjallë e në rritje entuzjazmin vatran të mujve të fundit, për të shtue numrin e antarëve dhe organizimin e degëve të reja, në mënyrë që Vatra të shtrihet në të gjitha qendrat ku ka shqiptarë, në Shtetet e Bashkueme dhe në Kanada; të vijë në gjendje me nxjerrë gazetën ma shpesh, mundësisht nji herë në javë, dhe të angazhojë nji editor për pjesën anglisht. Me kontributin e kronikave nga degët, “Dielli” duhet të bahet pasqyra e komunitetit shqiptar të Amerikës, pa lanë pas dore hapsinën gjithëkombëtare.
Komunitetit shqiptar në këtë vend duhet t’i kushtohet shumë ma tepër kujdes se deri tash. Vatra duhet të rritet, të hapet dhe të fuqizohet, në proporcion me emnin e madh që ka, për të luejtë efektivisht rrolin prijs që i përket. Të gjithë ata që e njofin nevojën dhe dobinë e nji Vatre të fortë, duhet të afrohen dhe të bahen pjesë e saj, Vatra asht dhe duhet të vazhdojë të jetë e të gjithëvet.
Angazhimi i Vatrës për çashtjet shqiptare duhet të jetë aktiv dhe konseguent, si në arenën kombëtare edhe në atë ndërkombëtare, por zani i saj duhet të jetë gjithmonë zani i ndërgjegjes së kombit, objektiv dhe i pamëvarun, mbi interesat e korrenteve politike.
Faleminderit!
Komentet