Në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka qenë e ftuar prokurorja e shkarkuar, Elisabeta Imeraj, për të folur për procesin e vetingut ndaj saj. Në emision ka ndërhyrë një ish-punonjëse e KPK, e cila nuk u identifikua me emër publikisht, por u identiifkua si ish-punonjëse e këtij institucioni prej tre vitesh. Ajo tha se ka marrë kërcënime me jetë dhe deklaroi se ish-eprorja e saj, Genta Bungo, urrente Elisabeta Imerajn dhe ka bërë komente të natyrës diskriminuese ndaj saj, për origjinën si veriore.
Pjesë nga biseda:
Ylli Rakipi: Mirëmbrëma zonjë, ju nuk doni të identifikoheni?
Ish-punonjësja e KPK: Jo sepse ndihem e kërcënuar. E dinë një pjesë njerëzish kush mund të jem, por mos të jem shumë e ekspozuar. Jeta sot është e shtrenjtë.
Ylli Rakipi: Ju keni punuar pranë organeve të vetingut?
Ish-punonjësja e KPK: Kam punuar për gati 3 vite në KPK. Kam plotësuar përveç kritereve profesionale, ligjore, kam qenë nën çertifikatë sigurie. E kam presupozuar veten një person të monitoruar përgjatë të gjithë kohës. Besoj se kam treguar integritet dhe profesionalizëm.
Ylli Rakipi: Gjatë kohës së shkarkimit të Imerajt ishit në punë?
Ish-punonjësja e KPK: Kam gati një vit që jam larguar nga puna me dëshirën time. Jam kërcënuar me jetë në tetor 2021. Më ka ndodhur dhe në shkurt 2019. Jam kërcënuar unë dhe familja. I jam drejtuar organeve kompetente. Hetimi është mbyllur pa asnjë rezultat dhe asnjë gjetje. Herën e dytë ishte kërcenim verbal nga person fizik i maskuar. Kërcënimi që më shprehu ishte në emër të ish-titullares që kam punuar.
Ylli Rakipi: Kush është titullarja?
Ish-punonjësja e KPK: Zonja Genta Bungo. Duke qenë se jam person që, pavarësisht kërcënimit dhe gjërave që ndodhin, prirem t’i drejtohem organeve ligjore.
Ylli Rakipi: A i jeni drejtuar?
Ish-punonjësja e KPK: Po, policisë. Kur më ka ndodhur kërcënimi.
Ylli Rakipi: Çfarë ka qenë kërcënimi?
Ish-punonjësja e KPK: Në lidhje me disa mesazhe që kisha këmbyer me titullaren, personi më ka bërë kërcënimin.
Ylli Rakipi: Si lidhet me Elisabeta Imeraj?
Ish-punonjësja e KPK: Mesazhet që kam këmbyer me zonjën, i kam shprehur disa gjëra që kanë lidhje edhe me zonjën Imeraj. Nëse do të isha person pa integritet, do të kisha nxjerrë gjëra të tjera.
Ylli Rakipi: Çfarë keni kuptuar?
Ish-punonjësja e KPK: I jam drejtuar zonjës Genta, në lidhje me çfarë kam kuptuar se ka ndodhur me çështjen e zonjës Imeraj.
Ylli Rakipi: Çfarë kishit kuptuar ju?
Ish0punonjësja e KPK: Atë e di i gjithë institucioni për urrejtjen që zonja Genta kishte ndaj zonjës Imeraj dhe veriorëve në përgjithsëi.
Ylli Rakipi: Ua ka shprehur ju këtë gjë? Çfarë ju ka thënë?
Ish-punonjësja e KPK: Kanë qenë disa raste. Unë i kam shprehur në dëshmitë e mia. Mbaj përgjegjësi të plotë. Janë situate reale të vërteta.
Ylli Rakipi: Elisabetës ia keni treguar këtë?
Ish-punonjësja e KPK: Si mund t’i tregoj unë? Unë me zonjën Imeraj nuk kam komunikuar.
Ylli Rakipi: Përse e ndjeni të nevojshmë të na i thoni ne? Duket sikur keni edhe konflikt me Bungon.
Ish-punonjësja e KPK: Është një situatë që nuk dua të flas, sepse është çështje për të cilën po bëhet hetim dhe nuk mund të flas më tepër për të.
Mentor Kikia: Kjo dëshmi në kushtet e anonimatit, jemi të prirur ta konsiderojmë me rezerva, por është një sinjal që përtej këtij komunikimi, a do të konsiderohet të çohet më tej. Do të jetë e nevojshme.
Ylli Rakipi: Ne kemi një eksperiencë si gazetarë, nuk dua të të nxis për të bërë më shumë se kaq, por kemi një rregull, kur shfaqemi direkt, jemi më të mbrojtur.
Ish-punonjësja e KPK: Kam ndjekur shume procese, më tërhoqi vëmendjen procesi i zonjës Imeraj. Jam vetëofruar në KPA dhe ONM, për të vetë-dëshmuar në këtë proces.
Mentor Kikia: Meqë keni ndjekur procesin e zonjës Imeraj dhe morët kurajo të ndërhyni publikisht, çfarë keni konstatuar gjatë këtij procesi, kishte sajesa të provave, çfarë nuk shkonte?
Ish-punonjësja e KPK: Shumë gjëra i kam thënë edhe në dëshminë time në polici. Kam kuptuar shumë gjëra, pavarësisht se ngarkesa në punë ka qenë e tillë, që në kohë reale nuk reflektohej se çfarë po ndodhte. Tani që jam larguar dhe jam më e kthjellët dhe analizoj situatën, arrij të kuptoj se shumë gjera kanë qenë më shumë se të qëllimshme. Jam dëshmitare, punë ime ka qenë e monitoruar 24 orë me kamera. Denoncime të ardhura dorazi, fyerje, korridoreve të KPK.
Ylli Rakipi: Njerëzit që kanë punuar me ju, janë të qartë se kush jeni?
Ish-punonjësja e KPK: Po. Nuk dua të fshihem pas diçkaje, por nuk dua të jem shumë e dukshme, për të mbrojtur jetën dhe fëmijët e mi.
Mentor Kikia: Zonja nuk po flet thjesht për fjalën maloke. Zonja po flet për fabrikim…
Ish-punonjësja e KPK: Intimidim, paragjykim.
Mentor Kikia: Njëra janë kërcënimet personale që ajo ka marrë dhe tjetra aludimet për fabrikimin e dosjes së zonjës Imeraj.
Ish-punonjësja e KPK: Do të kisha dashur të isha dëshmitare në procesin në KPA.
Elisabeta Imeraj: Dokumentacioni që janë, e kam ngritur edhe vetë pretendimin për konfliktin e interesit.
Mentor Kikia: Thënë nga ju nuk është aq e besueshme.
Ylli Rakipi: Përpara organeve të drejtësisë do të flisni?
Ish-punonjësja e KPK: Unë jam person real, nuk po them asgjë të pavërtetë.
Komentet