Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, i është drejtuar besimtarëve myslimanë me një video-mesazh pak orë para mbylljes së muajit të Shenjtë të Ramazanit.
Spahiu uron që Zoti t’u ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe të gjitha adhurimet gjatë këtij muaji të bekuar Ramazani të cilin po e përcjellin sot.
Mesazhi i plotë:
Urimi i Kryetarit të KMSH, H. Bujar Spahiu, për Fiter Bajram
Të dashur motra dhe vëllezër!
Maratona jonë shpirtërore dhe fizike e këtij muaji, agjërimi, mbërriti në fund.
Për një muaj kemi ndarë me njëri-tjetrin sofrat në iftar e në syfyr, jemi lutur për vetet tona, por edhe për njëri-tjetrin.
Zoti i gjithësisë na e pastë pranuar agjërimin, lutjet dhe të gjitha adhurimet gjatë këtij muaji të bekuar Ramazani të cilin po e përcjellim sot.
Nesër kemi festë, kemi Fitër Bajram!
Bajrami nuk është festa e heqjes së kufizimit për të ngrënë e për të pirë.
Bajrami është festë e përmbylljes me sukses, me lejen e Zotit, të një rrugëtimi të përsosjes shpirtërore.
Bajrami është lumturia që ne ndiejmë me plotësimin e agjërimit të Ramazanit si dhe falenderimi ndaj Zotit për mirësitë e Tij mbi ne dhe që na përudhi të agjërojmë.
I Lartmadhëruari ka thënë: “Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun, për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (El-Bekare).
Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe duke qenë i bindur në shpërblimin e Zotit, atij i falen të gjitha gabimet e kaluara.”
E lusim Zotin të na ketë falur të gjitha mëkatet, ashtu siç Ai na ka premtuar.
E lusim Zotin t’u ketë pranuar nijetin të gjithë atyre që nuk mundën të agjërojnë këtë muaj për shkaqe shëndëtesore.
E lusim Zotin ta begatojë me paqe dhe stabilitet vendin tonë.
Të furnizojë popullin tonë dhe gjithë botën mbarë në këto kohëra vështirësish të mëdha.
E lusim Zotin për paqe anë e kënd botës, konfliktet e hapura të mbyllen sa më parë dhe popujt të jetojnë në paqe e mos të vuajnë pasojat e luftërave.
Ju uroj përzemërsisht, agjëruesve në veçanti dhe mbarë shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, Gëzuar Fitër Bajramin!
-Bujar Spahiu-Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë
bw
Gezuar Bajramin!
Paqe ne Bote o Zot!!