1945 – 1950
Arrestohen, torturohen, masakrohen, pushkatohen dhe zhduken
Pesë Kolosët e mendimit Atdhetar e Fetar Shqiptar:
1. At Anton HARAPI O.F.M.
(5 Janar 1888 – 20 Shkurt 1946)
Asht lé me 5 Janar 1888 në Shirokë, fshat pranë Shkodres.
Studimet e nalta i ka ndjekë në Salzburg, e mandej Schwaz e Villach të Tirolit tëAustrisë, ndërsa studimet teologjike i ka krye nëRomë.
Në vitin 1910 kthehet në Atdhé e Shugurohet Meshtar tue plotsue kushtet e Urdhrit Françeskan O.F.M., në Shkoder. Besnik i Idealit “Atdhé e Fé”!
At Antoni asht kenë organizator ndër tre bajrakët Hot, Grudë e Triepsh i Memorandumit të përgatitun nga Ai vetë në vitin 1918, që Paria e Maleve i dorzoi komandantit francez në Shkodër. Në bashkëpunim meLuigj Gurakuqindhe At Gjergj Fishtën, harton një peticion të nënshkruem prej 200 përfaqësuesve të tre Bajrakëve, drejtue përkatësishtKonferencës së PaqësnëParis,kryesisht ministrave të jashtëm tëShBA, Anglisë, Francës dheItalisë.
Asht nisiator dhe formoi grupimin “Ora e Maleve”. Kjé bashkëpunëtor dhe nismëtar edhe i botimit tëfletores me të njëjtin emën.
Në vitin 1925, arrestohet pak kohë nga Ahmet Zogu, dhe shkon profesor në Liceun “Illyricum”.
Në vitët 1930-1936 asht drejtor i revistës “Hyllit të Dritës”, si shkruejn dhe gazetat “Posta e Shqypnisë” e “Zani i Shna Ndout”, ku për shtatë vite mbuloi rubrikën me mendime filozofike popullore “Thâna e thâsha”..
Në vitet pasuese asht predikues i palodhun i vlerave, parimeve, kulturës së krishtenë në Shqipni dhe i Atdhetarisë sonë Kombtare.
Edhe mos të angazhohej për Shpëtimin e Atdheut, në vitin 1943 me Rregjencën Shqiptare, At Anton Harapi prap do të pushkatohej nga komunistët para datës 20 Shkurt 1946. Ai ishte orator, mendimtar, dijetar, shkrimtar, organizator, trim parashikues i njohun në mendimet e Tij, në lidhje me t’ ardhmen e njerzimit mbas Luftës II Botnore:
“SHQIPNIJA U FITUE ME GJAK; ME GJAK EDHE PO MBAHET E ROBNUEME. DO TË VIJ DITA E, ME PAQË E DREJTËSI DO TË FITOHET !” (Fjala e Tij në gjyqin komunist, zhvillue në Tiranë, Shkurt 1946.)
II. Imzot Gaspër THAÇI
(23 Janar 1889 – 25 Maji 1946)
Asht lé në Shkoder me 23 Janar 1889.
Studmet e nalta i ka krye në Insbruck të Austrisë dhe asht Shugurue Meshtar në Shkoder, me 21 Shtator 1912.
Me daten 8 Dhjetor 1912 ngriti Flamurin Kombtar në Qelzë, ku Thaçi shërbente si famullitar.
Mbas vdekjes së Imzot Lazër Mjedjës, Imzot Thaçi emnohet Argjipeshkëv Metropolitan në Shkoder, ku mbas vitit 1944, përballet me diktaturen barbare komuniste antikatolike.
Në muejn mars 1945, dy javë mbas pushkatimit Don Ndre Zadejës, nuk pranon me pritë per vizitë n’ Argjipeshkvi diktatorin Mehmet Shehu.
Asht thirrë nga Ever Hoxha bashkë me Imz. Frano Gjinin, atë kohë Regjent i Delegacionit Apostolik në Shqipni, për me pré mardhanjet me Vatikanin, po asnjeni nuk kanë pranue asnjë kusht të diktatorit.
Imzot Thaçi ka jetue në kushte vetizolimi, per arsye smundje dhe me 26 Maji 1946, mbylli sytë nga një smundje shumë e randë.
Sigurimi i shtetit komunist organizon të gjithë agjentat e vetë me pengue me çdo kusht funeralin, pjesmarrjen e qytetarëve e të rinisë shkodrane në vorrim të Argjipeshkvit të paharrueshëm për të gjithë qytetin.
Studentët katolik të gjimnazit të Shtetit kërcejnë nga dritarët për me shkue në Kishën Kathedrale, ku do të thohej Mesha solemne me korin e drejtuem nga kompozitori Prenkë Jakova e muzikanti At Filip Mazrreku. Vetë Regjenti Apostolik Imzot Frano Gjini, që po drejtonte ceremoninë, ishte në Vorrimin që u ba në Kishen Katedrale të Shkodres.
At Konrrad Gjolaj do të shkruejnë në librin e Tij “Çinarët” se: “Punën e bame deri at’ ditë me rininë, ia prishi një arkivol!”
Edhe Neroni që ka djegë Romën ka një vorr në Itali.
Ndërsa, tek né në Shqipni, në vitin 1967 hapën vorret e Atyne që kanë vue thëmelet e qytetnimit Evropjan dhe komunistët, ua tretën Eshtnat e Tyne në lumin Drin. Zhdukja e Eshtnave nuk bani asnjë perjashtim!
Ashtu si u veprue me të gjithë Ata që janë pushkatue, dhe u zhdukën nder hetuesi, ashtu asht veprue edhe me Eshtnat e Imz. Gaspër Thaçit.
Imzot Gasper Thaçi asht kenë deri në fundin e jetës së Tij gjithnjë dhe në të gjitha rasat i pathyeshem perballë diktaturës komuniste ndonse, Ai ka kenë gjthmonë me probleme shndetsore prej ditës që asht kenë Shugure Ipeshkëv në Argjipeshkvinë e Shkodres.
Mbetet nder Figurat e nderueme antikomuniste dhe Atdhetare ndonse si të gjithë të tjerët ”pa vorr”!
III. Don Lazër SHANTOJA
(7 Korrik 1891 – 5 Mars 1945)
Asht pinjoll i një familjes së vjetër atdhetare qytetare shkodrane.
Studimet e nalta i ka krye në Insbruck t’ Austrisë, dhe në vitin 1915 shugurohet Meshtar në Kathedralen e Shkodres.
Asht kenë njohës i mirë i shumë gjuhëve të hueja, dhe shkelqen si orator, publiçist, stilist i rrallë, filozof dhe politikan, që për hirë të çeshtjes kombtare, gjithmonë në prizmin e bashkimit Trojeve tona Shqiptare, sakrifikon edhe jeten në moshen 54 vjeçare, mbas një masakrimi të pashoq nga terroristët tue u ngritë në panteonin e Atdhetarëve Shqiptar si “Martir’ i Parë i Klerit Katolik Shqiptar, me 5 Mars 1945.
Pushkatimi i Tij ishte një “dëshirë” e Nanës së Tij, e cila kur e pau në një birucë të cunguem kambësh me sharrë druevari, dhe të zhytun në pisllek Ajo, ju lut katilave të sigurimit komunistë: “Aman, ju lutem, ma vritni djalin, mos e leni me vuejtë kështu!…” Dhe, Ata ia plotsuen “dëshiren”.
Në 1919 provoi burgun nga italianët. Në 1925 provoi burgun e Ahmet Zogut. Gjithë jeten e kaloi në mërgim, po gjithmonë me mend, zemer dhe veprimtari pranë Atdheut.
Si orator la mbresa të pashlyeshme ndër të gjitha vendet ku i shkeli kamba, jo vetem në Shkoder apo Tiranë, po edhe në Vlonë e të tjera qytete, ku pat rasen me u folë Shqiptarëve në ditë Feste e morti.
Fjala e Don Lazrit në vorrimin e Avni Rustemit, asht një nder perlat letrare të Shantojës, ndonse fanatikët anadollakë mundohen me e harrue atè fjalim bashkë me Autorin e Tij të Pavdekshem.
Në vitin 1924 Don Lazer Shantoja ishte e mbetë padyshim publiçisti ma i persosun dhe i pakompromis në veprimtarinë Atdhetare, me artikujt dhe satiren e Tij në gazetën “Ora e Maleve”.
Don Lazer Shantoja asht ndër letrarët ma modern të letersisë sonë.
Në vitin 1945, kur u arrestue Don Lazri ju tha agjentave të sigurimit: “As ma pak e as ma shumë se ajo që kam dijtë me kohë, se komunistët janë veç tradhëtarë!” (D.L.Shantoja, Sheldijë 26 Janar 1945).
A mundet kush sot, mbas 100 vjetësh me provue të kundertën?
Don Lazer Shantoja asht nder Yjet e Kombit tonë, që nuk shuhen me ujë, dhe as, nuk mund të mbulohen me baltë!
Don Lazer Shantoja ishte dhe njihet si publicist në Shqipninë e Veriut, ashtu si Faik Konica në Shqipninë e Jugut, dhe ajo që e dallon të madhin Don Lazer në krijimtarinë e Tij sot, asht madhështia e Tij filozofike.
E gjithmonë, tue ruejtë me kujesin ma të madh bukurinë artistike dhe letrare nder veprat e Tij, të perjetëshme dhe të papersëritëshme!
IV. Don Ndré ZADÊJA
(3 nandor 1891 – 25 Mars 1945)
Asht lé me 3 Nandor 1891 në qytetin e Shkodres.
Studimet e nalta i kreu shkelqyeshem në Insbruck të Austrisë.
Me 26 Prill 1916 ka thanë Meshen e Parë tek Kisha e Zojës pranë Kalasë.
Don Ndreu ishte shumë i rij kur pena e Tij filloi me shkelqye jo vetem si klerik, po edhe si letrar, dramaturg, prozator dhe poet.
Asht i njohun ndër tre letrarët botnor, me “Letren e hapun” që i ka dergue At F. Cordignano S.J., jezuit italian që guxoi me fye Shqiptarët.
Me 16 Gusht 1944, ditën e Shna Rrokut, në Shirokë Don Ndreu ka paralajmue: “Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju o të rij. Një rê e zezë ngarkue me ideologji të kuqe po dyndet mbi krenat tona.
Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me i bajtë e me sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin”.
Ishte predikatar që fjala e Tij trokiste në zemrat e rinisë Shqiptare!
Ja disa thanje të Don Ndreut: “Sot ka edhe nga ata që thonë se nuk e njohin Flamurin Kombtar, nuk ngrihem në kambë për Hymnin e Shqipnisë. Ka pasë edhe në 1912 të tillë – ka pasë që donin përsëri gjysëmhanën e jo, Shkabën tonë madhështore.”
Po për fat të mirë ka pasë shumë e ma shumë, dhe ka përsëri sot e do të ketë në jetë të jetëve, nga Ata që kanë kenë e janë përsëri gati të flijohen për “Ruben e kuqe”, Flamurin tonë me shkabë.”
Dramat e Tij ishin Atdheu, Feja e Gjergj Kastrioti. Prandej, edhe…
U arrestue… U torturue… I lidhun përdore me Atdhetarin Prek Cali…
U gjet tek Muri i Gjakut nën çinar, pranë Rrëmajit në Zallin e Kirit.
Askush nuk ndigjoi një fjalë prej “gjyqit” Tij. Ishte i dyti Klerik Katolik Shqiptar që po pushkatohej në Shkodren e Martirizueme.
Me daten 25 Shkurt 1945, Don Ndre Zadeja asht i pari Klerik Katolik që u pushkatue nga komunistët në Shkoder.
Para pushkatimit Don Ndreu tha:
“Ah Shqipni, moj mizore, çka të baj ma shumë për ty..?!”
E bajten Trupin e Tij të Nderuem dhe e Vorrosen tek Familja Zadeja, ku asht edhe sot në Rrëmaji!
Populli i Shkodres asnjëherë nuk i harron predikimet e Tija Atdhetare dhe Fetare! Ai kishte një za që Fjalen e ngulte në kujtesen e ndigjuesit!
Kujtimet e Tij në memorjen e rinisë Shkodrane nuk harrohen kurrma!
Një Martir i Perjetshem dhe i vertetë i Shkodres!
V.Don Kolec PRENNUSHI
(1 Janar 1902 – 2 Korrik 1950)
Ishte i pesti klerik katolik i Familjes Prennushi n’Shkoder, në Shek. XX.
Asht lé në Shkoder me 1 Janar 1902. Studimet e nalta i ka perfundue në Linz të Austrisë, dhe asht Shugurue në Shkoder Meshtar, me 25 Qershor 1925, Ditën e Zemres së Krishtit.
Zotnues i nandë gjuhëve të hueja, qyshë i rij perkthyes e letrar modern. Ka shkrue libra me karakter filozofik dhe teologjik: “Zoti Asht”, “Rrimë shtremt e flasim ndrejt”, “Për Krishtin o kunder Krishtit”. Në vitin 1941, zen vend në Letrarët e Antologjisë Shqipe, “Rreze Drite”, me prozen e tij të njohun “Të vershuemit”. Asht vlersue nga Ministri Ernest Koliqi.
Ka shkrue artikuj edhe me pseudonimin “Mujs Polemi” në revistat: “Zemra e Krishtit”, Hylli i Dritës”, “Cirka”, “LEKA” etj.
Ishte i vetmi Klerik Shqiptar, që ftohej nga Jezuitët e Shqipnisë per leksione fetare me rasën e ushtrimeve shpirtnore në kuvendin e tyne.
At Zef Valentini S.J., e ka cilësue: “Il futuro Cardinale d’ Albania”.
Në vitin 1948 arrestohet nga komunistët dhe torturohet per 11 muej në hetuesi të Shkodres me torturat ma mizore.
Në nandor 1949 Don Koleci, lirohet dhe ngarkohet për me “aprovue” “Projekt Statutin e Kishës Katolike Shqiptare 1948”. Merr pjesë në dy mbledhjet e përgjithshme të klerit dhe paraqet haptas mendimet e veta në Argjipeshkvinë e Shkodres në dhjetor 1949. Don Koleci porositi:
“Këta do të na kërcnojnë se do të mbyllin Kishat tona, në kjoftë se na nuk miratojmë këte projekt- statut kështu si asht këtu.
Ky projekt-statut nuk duhët miratue prej nesh se, edhe mbas miratimit të tij këta kanë me i mbyllë Kishat prap se prap. Jam i sigurt se do të na thonë se do t’ju vrasim, por asht ma mirë me ba shka kanë ndër mend sot se ma vonë. Lè të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, sësa me firmue këte dhe nesër prap kanë me na mbytë por, na do të vdesim me faqe të zezë. E, na, nuk duhët me harrue se me këta na jemi hupë se hupë. Komunistët kështu kanë ba ku e kanë marrë pushtetin, në Rusi, në Spajë e kudo. Na nuk jemi të parët që nuk po i njofim se kush janë…Këta janë gjithkund njisoj!” (At K.Gjolaj në librin “Çinarët”, fq.125).
Don Kolec Prennushi ka vdekë në Shkoder, i shkatrruem me zemer nga torturat e sigurimit të shtetit me 2 Korrik 1950.
Shenim nga F.R.:
Sot unë, vetem holla një gur si Shenjë aty ku duhen hapë e vue thëmelet!
Këta Predikatarë caktoheshin përpara festave të mëdha me folë ndër Kisha, ku rinia vershonte me ndigjue temat filozofike që ata trajtonin me një oratori të rrallë e dashni vllaznore. Ishte një knaqësi e madhe per né!
Asht e vërtetë që Ever Hoxha zbatoi me përpikni të gjitha vrasjet që urdhnonin serbo bolshevikët e Titos, dhe zhduku ajken e Klerit Katolik Shqiptar në vitët e vendosjes së diktaturës së tij komuniste në Shqipni, po edhe sikur këta kolosë të mos vriteshin që në ditët e para, në Marsin e 1945 dhe deri në Korrikun e vitit 1950, koha provoi se mbas vitit 1944, Gjenocidi komunist ishte i pashmangshëm. Ai do të zbatohej pa kushte! Etja e Ever Hoxhës për kolltukun e vet në qeverisjen e shtetit Shqiptar, ishte si gjithnjë e kombinueme me formimin e tij antishqiptar anadollak familjar, masonizmin francez dhe njëfarë magallomanije prej injoranti, që kerkonte me zhdukë me rrajë inteligjencën Shqiptare, të përgatitun ndër universitetet ma të njohuna të Europës Perëndimore, ku ai vetë nuk arrijti me krye asnjë vit ndër ato qendra kulturore të dijes universale.
E vetmja shkallë e njohjes së tij, në kohën kur ai ishte rregjistrue në universitetin e Montpellier të Francës, asht ajo që dëshmonte gjithnjë bashkëkohësi i tij atje, i nderuemi dhe i dijtuni Profesor Petro Fundo:
“Kur e pyeta Everin po ti, çfarë mendon të bëhësh, ai tha: “Terrorist”!
E sigurisht, ky terrorizëm do të shpërthente atëherë kur tek Ever Hoxha, gjaku i tij i ndytë u kombinue me doktrinën barbare, të cilën nuk e ka njoh kurr, doktrinën shkatrrimtare antinjerzore markste – leniniste, që përputhej me interesat shoveniste sllavo – bolshevike të Titos dhe të Stalinit: “Shkombtarizim i Popullit Shqiptar dhe shpartallimi i Shtetit Shqiptar, deri n’ shfarosje me kulm e thëmel, që asht konsiderue Muri Mbrojtës i qytetnimit Europjan nga invazioni sllav.” (Lord Beaconsfield (1804-1881), Tek Memorandumi i Kongresit Berlinit 13 qershor 1878).
Ky “Mur Mbrojtës” nuk rrëzohej! Vazhdonte me qendrue ndër shekuj që nga viti 1444, kur Mbrojtësi i Qytetnimit Europjan, Heroi ynë kombtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, kishte ngulë përjetsisht me doren e vet në Krujë, Flamurin Kuq’e Zi, me Shqipen e pamposhtun Dykrenare.
Viti 1913 u kishte lanë një kujtim jo vetem komshijve po, edhe pak ma larg, n’ Veri: “Flamuri i Shqipnisë, e ka per nderë me u gjuejtë me topa!”
(Deklaronte Frati At Gjergj Fishta, me 12 Qershor 1913 në Shkoder).
E ky robnim i yni kishte piksynimin kryesor tek porosia e sllavit Tito: “Shkatrroni kulm e thëmel çerdhën e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Pikrisht ate, kompanjel të Françeskanve t’Shkodres!
Shqipnia kaloi fatkeqësinë ma të madhe nder Popujt e Ballkanit dhe të asaj Europës vjeter, se të gjithë harruene sakrificat e Heroit Kombtar të Shqipnisë, të Atij Gjergj Kastriotit – Skenderbeut dhe Nanës Tereze, që ka shetitë Boten tue i tregue të gjithve se: “Unë jam Shqiptare!”
Por, Ever Hoxha vetem mbante mend mirë nga mejtepet një porosi të mikut babës së tij, sulltan Mehmetit perballë Rozafës sonë Heroike:
“MOS TË MBESË GJALLË ASNJË SHKODRANË !”
E ndoshta, ky ishte shkaku kryesor i asaj urrejtjes së Ever Hoxhës dhe i pasuesve të tij ndaj nesh që, ate e “përjetsoi” tiran i Popullit Shqiptar.
Ai sot asht i renditun në 100 Tiranët e 3600 vitëve të Historisë Botnore moderne! Fatkeqësi që mbetet aktuale e shkatrrimtare e Shqipnisë së re!
Jo! Europa sot duhet ta mbajnë në gjiun e vet Popullin e vujtun Shqiptar!
Ai asht një Popull që i perket Asaj, e vetem Asaj: Europës Perëndimore!
Melbourne, 22 Nandor 2024.
Dritani ben shaka moj Elona.