Gjykata e Lezhës vendosi të dënojë sot me 5 vjet burg ish-oficerin e policisë Skënder Seferaj, i akuzuar për vrasjen e 15-vjeçarit Armando Skandaj në vitin 2010.
Vdekja e 15-vjeçarit ndodhi më 17 korrik të vitit 2010, në Urën e Cenit, në Lezhë. Armando Skandaj ndodhej në një makinë me targa të Tiranës, në timonin e së cilës ishte i vëllai më i madh, Arditi, si dhe një shoku i tij, Flori Nikolli. Sipas njoftimit të policisë në atë kohë, u deklarua se Ardit Skandaj, bashkë me Nikollin dhe një person të tretë ishin të dyshuar si autorët e grabitjes së tre shtetasve malazezë, ngjarje kjo e ndodhur dy ditë para, pikërisht më 15 korrik.
Në variantin e nxjerrë në atë kohë, policia ka shkëmbyer zjarr me të rinjtë që refuzuan të ndalonin. “Efektivët qëlluan në gomat e makinës, por një plumb ka bërë rikoshet duke vrarë pasagjerin në pjesën e pasme, pikërisht 15- vjeçarin Ardit Skandaj”, ishte varianti i policisë.
Nga hetimet e mëtejshme, të kryera pas këmbënguljes së familjes së viktimës, ekspertiza nxori përfundimin se një plumb ishte qëlluar në xhamin e pasmë, duke i marrë jetën adoleshentit. Hetimet u rihapën për çështjen dy vite më parë, duke u vënë para akuzës efektivi i policisë që ishte në aksion në atë kohë, Skënder Seferi.
Komentet