Në një përpjekje për të rritur trysninë financiare ndaj Presidentit rus Vladimir Putin për shkak të ndërhyrjes së tij në Ukrainë, vendet në mbarë botën po konfiskojnë pasuritë e oligarkëve që besohet se janë të lidhur ngushtë më të.
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës po shkakton skena të tmerrshme lufte me varreza masive, trupa të viktimave nëpër rrugë, dhe miliona njerëz që përpiqen të largohen nga vendi në atë që Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se është kriza e refugjatëve me rritjen më të shpejtë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Duke shpresuar se pasojat financiare do ta detyrojnë presidentin Putin të ndryshojë mendjen për luftën e tij, shumë vende po konfiskojnë pasuritë e miliarderëve që kanë lidhje të ngushta me të.
Ndaj njëzet oligarkëve rusë janë vendosur sanksione që nga fillimi i sulmit kundër Ukrainës. Të enjten vendet perëndimore vendosën sanksione edhe ndaj miliarderit Roman Abramovich dhe gjashtë oligarkëve të tjerë rusë. Vendimi për të vendosur sanksione ndaj Roman Abramovich-it u mor pavarësisht se ai nxorri në shitje ekipin e tij anglez të futbollit, duke thënë se të ardhurat do t’i jepeshin viktimave të luftës në Ukrainë.
“Mesazhi im për oligarkët rusë dhe udhëheqësit e korruptuar që kanë marrë miliarda dollarë nga ky regjim i dhunshëm është mjaft më. Ne po bashkohemi me aleatët evropianë për të gjetur dhe sekuestruar jahtet, apartamentet luksoze dhe avionët e tyre privatë. Ne do të godasim fitimet tuaja të korruptuara”, tha presidenti Biden.
Në të gjithë globin po sekuestrohen pasuri si ky jaht 85 metra i gjatë në pronësi të presidentit të kompanisë shtetërore ruse të naftës Rosneft, që është bllokuar në jug të Francës.
Alisher Usmanov është një aleat i ngushtë i Putinit, pasuria e të cilit vlerësohet të jetë rreth 14 miliardë dollarë. Jahti i tij ndodhet në Gjermani dhe thuhet se nuk mund të largohet nga vendi pa marrë një leje të posaçme eksporti. Ai është një nga jahtet më të mëdha në botë, me vlerë rreth 600 milionë dollarë.
“Këta janë si një grup mafioz, ku të gjithë puthin unazën e shefit dhe nga kjo ai fiton shumë para. Përmes sanksioneve ndaj tyre, ne po ushtrojmë presion mbi të gjithë kleptokracinë në pushtet të Putinit”, thotë ish-ndihmës sekretari i shtetit, Daniel Fried.
Forbes vlerëson se me pasuritë e tyre të ngrira, miliarderët rusë kanë humbur më shumë se 126 miliardë dollarë që nga fillimi i luftës.
Ndërkohë, përdorues të talentuar të internetit si 19-vjeçari Jack Sweeney po përpiqen t’i gjurmojnë oligarkët rusë. Jack Sweeney u bë i famshëm për gjurmimin e avionit të sipërmarrësit Elon Musk.
Ai tani po gjurmon avionët e oligarkëve rusë.
“Fillimisht, isha i interesuar të gjurmoja avionët sepse njerëzit e tjerë më kërkonin ta bëja këtë, por tani e shoh se mund t’i ndihmoj disi njerëzit në Ukrainë duke gjurmuar këta oligarkë rusë”, thotë ai.
Ndërkohë, më shumë se 50 oligarkëve dhe të afërmeve të tyre u është ndaluar udhëtimi në Shtetet e Bashkuara. Por ekspertët nuk janë të sigurt se çfarë ndikimi kanë aleatët oligarkë të Putinit mbi të, ndërkohë që rrethi i këshilltarëve më të besuar të presidentit rus thuhet se vazhdon të zvogëlohet.
Komentet