Ervin Salianji i ka kërkuar në sy Lulzim Bashës të largohet nga drejtimi i PD.
Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, që vijon prej orës 11:00, Bashës i kanë dalë kundër thuajse të gjithë anëtarët e grupit parlamentar, përfshirë edhe më besnikët e tij.
Salianji ka deklaruar gjatë debatit që Basha të japë dorëheqje dhe të rrijë në detyrë edhe dy javë, në mënyrë që të krijohet një bord dhe të zhvillohen negociatat me këdo që kërkon t’i bashkohet PD-së.
“Duhet akt, nuk mund të thuhet që vendos gjithçka në dispozicion të PD. Po ju kërkohet vetëm një gjë, të jepni dorëheqjen sot me akt publik dhe qëndroni në detyrë për një afat jo më shumë se 2 javë.
Ne këtë periudhë të krijojmë bord/nukël, jo me numër të vogël nga ky grup parlamentar me detyrën për të negociuar me çdo personalitet që interes ka PD-në dhe kërkon të bashkohet me PDSh.
Sot shqetësimi im kryesor është mbrojtja e kujtdo që ka mbrojtur interesat e Partisë Demokratike, ne nuk i kemi lëshuar ata, do bëj gjithçka për t’i mbrojtur!” syri.net
Apeli i GJKKO caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj ish kryeministrit Sali Berisha. Kështu kreu i PD do të duhet që të jetë në SPAK dy herë në muaj, ekzaktësisht të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji.
Për muajin janar, Berisha do të duhet të paraqitet në datën 6. Ndërkohë Partia Demokratike është mobilizuar që po në këtë datë në orën 09:30 të protestojë para ambienteve të SPAK.
Në mesazhin drejtuar strukturave thuhet se demokratët duhet të protestojnë për të mbështetur të drejtën, që sipas tyre është në anën e Sali Berishës.
“Te dashur miq. Ditën e Hënë ne ora 9:30 të mobilizojmë të gjithë strukturat e degëve për të protestuar përpara SKAP- it si vegël në duart e Ramës për të përndjekur kundërshtarët politik ..Do jemi aty në mbështetje të së drejtës, të ligjit dhe së vërtetës që është në anën e Kryetarit të PD Prof Dr Sali Berisha… Ne ora 9:30 përpara selisë SKAP-it”, është ky mesazhi që u është dërguar strukturave të PD.
Kujtojme qe Sali Berisha është shprehur se do të zbatojë vendimin e Apelit të GJKKO-së që i caktoi atij masën “detyrim paraqitje”, ndersa theksoi se edhe këtë vendim do ta çojnë në Strasburg.
“Avokatët ia përcjellin Strasburgut edhe këtë vendim. Do të paraqitem, sepse Parlamenti ka dhënë autorizim për arrestimin tim. E kam bërë të qartë, që unë, gjersa është një proces që buron nga parlamenti, do paraqitem. Nuk kam kërkuar gjë tjetër, vetëm parlamentin. Këtu nuk ka nevojë sepse parlamenti ka dhënë një autorizim për arrestimin tim, pastaj se çfarë bëjnë këta me njëri-tjetrin, urdhëro tani”, tha Berisha. Panorama
Drejtuesi Politik i PD për Tiranën dhe ish-deputeti, Belind Këlliçi, është shprehur se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, mund të arratiset në Zvicër.
Komentet Këlliçi i bëri në emisionin ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ku tha se SPAK duhet të kishte vendosur masë sigurie për kryebashkiakun, pasi ka rrezik që ai të prishë provat, ose të arratiset.
Ai gjithashtu hoqi edhe një paralele të Veliajt me masat e SPAK ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke thënë se Prokuroria e Posaçme nuk po ndjek të njëjtin standard.
“Ti çon kryetarin e opozitës, për një vepër të dyshuar para 20 vitesh detyrim paraqitje, e mban edhe 330 ditë në arrest shtëpie se mos prish provat, ndërkohë lë një delinkuent si kryetari i Bashkisë Tiranë, e lë në zyrë për të shkuar e për të prishur provat.
Do të të jap një lajm ekskluziv? Çfarë do të thotë SPAK nëse ditët në vijim do të arratiset në Shqipëria kreu i Bashkisë Tiranë, jo në Amerikë, por në Zvicër. Ja po j’ua them juve. Le të themi se unë po e shtroj këtë pyetje si hipotetike, do e shohim në 2 javët e ardhshme sesi do të rrjedhin ngjarjet”, tha Këlliçi.
Fshati Drenie në Patos, është një nga zonat më të thella të kësaj bashkie. Dhe duket se për shkak të largësisë nga qendra e bashkisë, ky fshat është lënë pa investime në infrastrukturë dhe shërbim shëndetësor.
SYRI TV
Mungesa e infrastrukturës është një nga shkaqet kryesore të shpopullimit të këtij fshati.
Rruga është e amortizuar krejtësisht, ndërsa gjatë dimrit është e pamundur të përshkohet nga automjetet për shkak të baltës.
Në fshat nuk ofrohet as shërbim shëndetësor për banorët.
Për shkak të këtyre situatave, sot fshati Drenie ka vetëm 45 shtëpi, nga rreth 250 të tilla që ka pasur disa vite më parë.
Pjesa më e madhe e të rinjve në Shqipëri nuk janë në një marrëdhënie romantike. Kjo është një nga gjetjet e studimit të fondacionit gjerman Friedrich Ebert, sipas të cilit 75% e të pyeturve nga mosha 14-29 vjeç në vitin 2024 kanë pohuar se nuk janë në një lidhje. Sakaq, një numër shumë i vogël, 11.5% janë të martuar, 5.6% janë të lidhur dhe bashkëjetojnë, ndërsa 6% janë të lidhur, por nuk jetojnë bashkë.
Në krahasim me studimin e vitit 2019, vihet re se ka një rënie të të rinjve që nuk janë në një marrëdhënie dhe një rritje të atyre që bashkëjetojnë. Kjo përforcon idenë se në 4 vitet e fundit ka një tendencë në rritje të të rinjve për të qenë në marrëdhënie, por jo në mënyrë institucionale.
Një fakt interesant është se divorci nuk është i përhapur tek të rinjtë shqiptarë.
Studimi tregon gjithashtu se faktori më i rëndësishëm që të rinjtë marrin në konsideratë për të zgjedhur partnerin e tyre është niveli i edukimit. Faktori i dytë që ndikon në zgjedhjen e partnerit është aprovimi i familjes, pasuar nga statusi financiar apo gjendja ekonomike.
Viti i Ri ishte festa që e prisnin të gjithë. Në Shqipërinë e varfër të diktaturës, dukej sikur atë natë harroheshin të gjitha.
Një kthim pas në kohë na sjell ndërmend mënyrën tradicionale të festimit në çdo shtëpi shqiptare.
Ritualet e vogla, festat nëpër lokale dhe hotelet më të famshme të kohës. Menyja, muzika dhe çmimet. Ku festonin banorët e ish-Bllokut.
PUNË, DEZHURN E FUTBOLL
Shiritat shumëngjyrëshe prej letre, lodrat prej kauçuku, aroma e drurit të djegur që dilte nga tubi i sobave, përzier me atë të gjelit të detit të sapopjekur, janë kujtimet që na çojnë pas në kohë, në festimet e Vitit të Ri gjatë viteve të diktaturës.
Sot, mund të duket një festë rutinë. Mund të festosh kur të duash e çfarë të duash, por asokohe, kjo ishte e vetmja festë që nuk lidhej me partinë dhe arsyet pse ishte e shumëpritur, ishin të shumta.
Ndalimi i fesë në Shqipëri i kufizoi festat e fundvitit thjesht dhe vetëm te nata e ndërrimit të viteve, apo Viti i Ri.
Krishtlindja nuk festohej më, kështu që gjithë vëmendja ishte përqendruar në datën 31 dhjetor. Barra më e rëndë u binte amvisave, të cilave, përveçse u duhej të punonin edhe në datën 31, duhet t’i hynin gatimit për në darkë.
Dhe për to dukej se nuk kishte festë, vetëm një turravrap nëpër kuzhinë. Në ditët e fundit të vitit, një pritje e madhe organizohej në Pallatin e Brigadave nga Enver Hoxha me pionierët e dalluar, ndërsa Dita e Krishtlindjes, nuk festohej më pas ’67-ës, kur feja u ndalua. Familjet e besimeve katolike dhe ortodokse e festonin në fshehtësi, pa zhurmë e bujë, vetëm në rrethe të ngushta midis tyre.
Ndërkohë, ishte punuar një të diel më parë, që kjo të zëvendësonte datën 2 janar, që ishte pushim dhe më 3, të gjithë i riktheheshin punës. Jepeshin shpërblime të vogla financiare për të dalluarit, ndërsa natën e Vitit të Ri, si dhe datat 1 e 2 janar në ndërmarrje, dikastere bëhej dezhurn çdo dy orë nga punonjës, që alternoheshin sipas një grafiku të bërë nga drejtoria. Nuk bënin dezhurn gratë e vajzat.
E veçanta e 31 dhjetorit ishte ndeshja e futbollit që zhvillohej në fushën e Pallatit të Pionierëve të tejmbushur nga njerëzit. U kthye në një traditë tërheqëse, në të cilën luanin edhe futbollistët më të njohur, të tre klubeve të kryeqytetit.
Madje, takimi ndiqej edhe nga jashtë rrethimit përtej Lanës, pasi nuk kishte hapësirë për të qenë brenda territorit të vogël. Gjatë ditës së 31 dhjetorit, qyteti gumëzhinte dhe dyqanet kishin aktivitet deri në çastin e fundit dhe njerëzit që vraponin për të marrë gjërat që i mungonin.
E gjithë kjo deri në orët e para të mbrëmjes, pastaj të gjithë në shtëpi dhe qyteti pushtohej nga një heshtje totale, dhe vetëm ndriçimi ishte ai që i jepte jetë, pasi gjithçka dukej si në gjumë. Për t’u gjallëruar sërish pas orës 12 të natës, kur mbushej me të rinj që mblidheshin në qendër të tij.
TVSH DHE “KONCERTI I MADH” PËR TË GJITHË
Televizorët e markave “Butrinti”, “Iliria” apo “Dajti” kanë qenë të vetmet mjete komunikuese që i ka shoqëruar shqiptarët natën e Vitit të Ri, si dhe ato në vazhdim. Të ulur në tavolina, dhe në pritje të orës 12 të natës, të gjithë ndiqnin “Koncertin e madh të Vitit të Ri” një program me këngë, valle e humor nga e gjithë Shqipëria që kishte përgatitur Televizioni Shqiptar, i cili fillonte pas Revistës Televizive të orës 20:00 dhe emisionit “Koha sot e nesër” nga i paharruari Petrit Leka e vazhdonte deri në orën 2 pas mesnate, për të vijuar me natën finale të Festivalit të Këngës në RTVSH – ritransmetim (ata që kishin kanoçet e famshme ndiqnin programet e kanaleve të huaja).
Nuk kishte fjalim përshëndetës nga udhëheqësi i shtetit në mesnatë. Të nesërmen, hapej kanali italian “Rai 1” vetëm për të ndjekur në orën 12 paradite Koncertin e Vjenës dhe në mbrëmje, sërish me TVSH-në në programin thuajse identik, si ai i një nate më parë, gjithçka brenda kornizës së lejuar. Jo në pak raste rrezikonte edhe ikja e dritave nga ngarkesa e madhe elektrike. Nata e fundvitit festohej në reparte ushtarake, konvikte etj. Natyrisht me televizor, radio, apo ndonjë magnetofon. Edhe në spitale, shtëpitë e fëmijëve jetimë, natyrisht me thjeshtësinë dhe modestinë e kohës që kishin këto institucione.
MENYJA E NJËJTË PËR TË GJITHË
Nata e Vitit të Ri ka qenë thuajse e njëjtë për të gjithë. Një pulë, ose gjel deti të marrë një muaj më parë e të ushqyer me ullinj në banjën e pallatit, apo oborrin e shtëpisë, majonezë dhe bakllava ose kadaif. Raki, nëse gjeje të Skraparit apo Përmeti, ishte kënaqësi, dhe verë të markës “Riesling”, “Tokai”, apo “Shesh i zi” ose “i bardhë”, “Merlot”, “Kallmet” të cilësisë së dytë që kushtonte 42 lekë, pasi kjo ishte më e lehtë për t’u gjetur. Cilësia e parë, si ajo “Pino Nero”, kishte tjetër destinacion.
Birra ishte me shishe e Kombinatit Ushqimor “Ali Kelmendi” Tiranë. Shumë të ngarkuar me punë ishin furrat. Çoje tavën dhe merrje një letër me numrin, që korrespondonte me një llamarinë metalike që furrtari e ngulte mbi pulë. Njerëzit merrnin bukë rezervë, pasi dyqani mbyllej për dy ditë. Përgatitja për natën e Vitit të Ri ishte tejet lodhëse për gratë, që gatuanin pa pushim gjatë gjithë ditës në kushtet e hapësirat e ngushta dhe aspak komode të apartamenteve të ngritura gjatë socializmit. Të privilegjuara ishin familjet që kishin siguruar limonë apo portokalle nga bregdeti, si diçka të rrallë për kohën. Në shumë raste kishte grupe të rinj, miq e shokë, që mblidheshin atë natë në shtëpinë e dikujt, për të dalë në shesh pas orës 12-të pas mesnate.
NJË FESTË NDRYSHE NË TIRANË
Tirana u ka dhënë gjithmonë tjetër ritëm pragfestave, sidomos momenteve para ndryshimit të viteve. Nata mes dy vitesh, për ata që e kujtojnë, sidomos mesvitet ’60-’70, ka qenë e veçantë. Pak çaste para se dy akrepat e sahatit të madh të bashkoheshin, qindra të rinj e të reja i gjeje në sheshin para Pallatit të Madh të Kulturës (ndërtuar në vitin 1964), duke festuar, imituar dhe kënduar këngë të njohura, kryesisht të huaja. Gjithçka spontane jo e organizuar, por e sajuar nga disa pasionantë, që banonin kryesisht në qendër të Tiranës, pasi zonat e tjera ishin pak larg dhe vështirë të vije kur mjetet e transportit në ato orë nuk kishte. Dikush vinte me pajton i veshur me kostum të zi, borsalina apo cilindra në kokë, duke imituar aktorët Zhan Mare apo Alen Delon, duke hipur te kolonat e duke uruar në frëngjisht Vitin e Ri, dikush tjetër këndonte këngë të famshme të kohës, ato të Xhoni Hollideit etj.
MODA E LOKALEVE
Në shtëpi apo në lokal, kjo ka qenë dilema e shqiptarëve për natën e ndërrimit të moteve. Preferenca për ta kaluar natën e Vitit të Ri në një vend publik me shoqëri, orkestër, muzikë e vallëzim, ka filluar para viteve ’50, për të vijuar në ato ’60, e më tej, sidomos në vitet ’80. Në shumë qytete të Shqipërisë, por veçanërisht në Tiranë, ka qenë ndryshe. Kryesisht festohej në Kursalin e famshëm në qendër, sallat gjigante të “Hotel Dajtit” apo në “Vollga” (Drini sot), të cilat, natën e Vitit të Ri mbusheshin me pushtetarë, zyrtarë të lartë, artistë e sportistë të njohur me familjet e tyre, por edhe me shumë të huaj, marinarë, studentë dhe kryesisht punonjësit e ambasadave, të cilët kanë kënduar e vallëzuar çdo lloj muzike deri në agim.
Po kështu, festohej edhe në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, në selinë ngjitur me Teatrin Popullor, në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë në Rrugën e Kavajës, ku argëtoheshin oficerët madhorë me familjet e tyre, pastaj në atë që është sot. Por edhe tek “Internacional”, apo “Donika”. Shumë i veçantë ka qenë “Vollga” apo “Adriatiku” në Durrës, ku vërshonin jo vetëm durrsakët, por edhe të huajt, kapitenë e marinarët e anijeve që i kishte zënë Viti i Ri në portin e Durrësit. Në Shkodër janë shfrytëzuar lokalet e njohura si “Kafja e Madhe”, “Turizmi i vjetër”, “Kafe Moska” apo “Adriatik”. Po kështu, edhe në qytete të tjera janë përdorur lokalet që kishin orkestër, që mund të gatuhej e me salla të mëdha.
15-KATËSHI DHE RIKTHIMI NË LOKAL ME MUZIKË E VALLËZIM TË KUFIZUAR
Ndonëse pati një frenim ky lloj argëtimi publik, sidomos në mesvitet ’70-’80, si pasojë e situatave të tensionuara politiko-ekonomike dhe jetës sociale të kufizuar, rikthimi te nata dëfryese e fundvitit në restorant erdhi natyrshëm nga dëshira për diçka më ndryshe nga ai i qëndrimit, gatimit në shtëpi ditën dhe natën e 31 dhjetorit. Ky ishte motivi që i shtyu shqiptarët të fillojnë të organizohen sërish në lokale në natën e fundit të vitit. Jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete te tjera……
Por që të kaloje këtë natë në një lokal, konsiderohej një privilegj i madh, pasi jo të gjithë i kishin mundësitë.. Për të siguruar një tavolinë për natën e Vitit të Ri, duhej të bëjë një prenotim familjar që në ditët e para të muajit dhjetor pranë administratës së hotelit. Frekuentohej kryesisht 15-katëshi, i sapondërtuar dhe i përuruar në vitin 1979. Të gjithë vraponin fillimisht aty. Nëse nuk arrije të prenotoje, duhej nxituar te lokalet e tjera si “Vollga” (Drini), “Arbana”, “Arbëria”, apo “Rinia”, ku nata e Vitit të Ri shoqërohej me muzikë të lehtë, vallëzim dhe argëtim brenda limiteve të kohës. Orkestra (kryesisht ishte ajo e tavernës së 15- katëshit, apo të tjera të përbëra me instrumente të njohura të kryeqytetit), e dinte mirë repertorin dhe nuk kalonte asnjë cak, gjithmonë në sintoni me çfarë lejohej në programin e kontrolluar më parë, por asnjëherë muzikë e këngë kushtuar Partisë. Tre kërcime, një pauzë, sërish tre kërcime… e kështu vijohej.
ÇMIMET
Mbrëmja festive fillonte në orën 21:00. Çmimi varionte nga 600 lekë personi dhe 1200 lekë çifti te 15-katëshi, për të zbritur në 450 lekë te të tjerat me një meny me të zakonshmet, antipasta, pastaj pulë ose pilaf me gjel, bërxollë me patate, një shishe verë, birrë ose raki dhe ëmbëlsira në fund. Cigarja pihej në pafundësi, nuk kishte këngëtarë, por mund të këndonin këngëtarë që ishin në lokal me familjet e tyre. Në orën 00:00 fikeshin dritat, përplaseshin gotat dhe një puthje në faqe, pastaj dalja jashtë për të parë fishekzjarrët. Më pas, organizoheshin edhe lojëra-lotari me prezantues aktorë të njohur si Vilson Gjoncaj, me të cilat fituesit merrnin një dhuratë nga organizatorët. Qëndrimi në restorant vazhdonte thuajse deri në orët e para të mëngjesit, pasi nuk kishte kufi apo limit kohe. Edhe në Shkodër te “Hotel Rozafa”, apo në plazh si tek “Adriatiku”, ashtu edhe te “Kruja”, “Butrinti”, ndodhte e njëjta gjë.
PRENOTIMI I PUSHIMEVE NË POSTË ORËN 12:00
Viti i Ri fillonte me vrapin në mesnatë për në Postën Qendrore, jo për të bërë një urim, por për të nisur telegramin urgjent për në hotelet e preferuara të plazhit, siç ishin “Kruja”, “Butrinti”, apo ato në Sarandë, Pogradec. Ky veprim ndër vite ishte kthyer në ankth për tiranasit dhe sapo akrepat kalonin 12 e një minutë, një pjesëtar i familjes, përfshirë edhe ata që ishin në lokal, duhet të sakrifikonte dhe me shpejtësi nisej për në postë, ku ndërkohë ishte drejtuar një fluks i madh njerëzish. Të gjithë për të bërë telegramin e famshëm dhe marrjen e mandatit që i siguronte një prenotim prej dhjetë ditësh në një nga dhoma e këtyre turizmeve.
VIZITAT DHE FATI QË SILLTE VIZITORI I PARË
Kush i ka jetuar ato kohë, pa dyshim që i kujton vizitat sfilitëse familjare që fillonin në mesditën e datës 1, për të vazhduar për disa ditë. Shumë rëndësi kishte njeriu u parë që futej në shtëpi. Ishte ai që do të “përcaktonte” fatin e atij viti. Shkohej te të afërm, komshi, miq… më këmbë ose me autobusët e rrallë të linjës së tejmbushur, pasi taksitë që kanë funksionuar deri në vitet ’70, nuk ishin më. Ka qenë një traditë që praktikoje në vite në gjithë Shqipërinë dhe që u shuan me ndërrimin e sistemeve.
“HOTEL DAJTI”, BALLO E MUZIKË PERËNDIMORE
Për shumë dekada “Hotel Dajti” ka shërbyer si i vetmi hotel qeveritar e diplomatik në Shqipëri. Por, edhe për të sistemuar personalitet e shquar botërorë të ardhur në Tiranë, skuadra të njohura perëndimore si RF Gjermane, Ajax, artistë të njohur etj., etj. Menjëherë pas lufte, ai është shfrytëzuar si rezidencë pune, banimi, madje aty janë martuar edhe Enver Hoxha e disa qeveritarë të lartë të kohës. Ai, bashkë me Pallatin e Brigadave janë përdorur për të festuar gjithçka, por veçanërisht mbrëmjen e madhe të fundvitit.
Duke qenë në qendër, “Dajti” ishte tejet i preferuar, pasi struktura e brendshme e tij me sallat gjigante luksoze, me hapësirë e lartësi e funksion të shkëlqyer (taverna poshtë, shumë e preferuar, nuk shërbente vetëm për natën e Vitit të Ri për shkak të përmasave të vogla), krijonte një mundësi të madhe dëfrimi për specialistët e huaj, fillimisht ata jugosllavë, ato të vendeve lindore të pranishëm në Shqipëri për ndërtimin veprave të 5-vjeçarëve, diplomatë, por edhe për shqiptarë.
Deri para prishjes me Lindjen, rreth viteve 61′ aty shkonin njerëz me para që e njihnin jetën nga prindërit e tyre, të cilët ishin shkolluar në perëndim, familje mjekësh, intelektualësh, sportistë të njohur, fëmijët e udhëheqësve të lartë, artistë etj. Mblidheshin në sallën e madhe e në hollin-sallon modern, që garantonte mbi 250 persona gjatë natës së Vitit të Ri. Aty gatuhej shumë mirë dhe ushqimi ishte cilësor.
ZONJA KARMON, GRUAJA MODERNE E BALLOVE
Ka qenë shumë elegante, e njohur jo vetëm si gruaja e Paskal Karmon, sekretarit të Parë të Ambasadës Franceze, por për veshjen moderne prej lëkure që përdorte. Po kështu, edhe vajzat e ambasadorit polak, që mbrëmjen e Vitit të Ri, shfaqeshin me minifunde klasike, duke qenë në qendër të vëmendjes. Protagoniste ishin gjithashtu edhe gratë, vajzat e zyrtarëve të ambasadave perëndimore, që u jepnin jetë ballove argëtuese që vazhdonte pas mesnate. Ky frekuentim i “Dajtit” vazhdoi për inerci pas viteve ’60, edhe për disa vite të tjera, thuajse deri në fillim të viteve ’70. Hyrja, frekuentimi në përgjithësi dhe në veçanti i natës së Vitit të Ri, ishte vetëm për të huaj dhe një elitë të kufizuar personash e familje të zgjedhuara. Ndryshimi ishte i dukshëm, jo muzikë moderne, por shqiptare dhe të huaj, kryesisht me këngët të kohës. Tashmë ka filluar survejimi i të huajve dhe shqiptarëve që preferonin “Hotel Dajtin”.
VITI I RI NË BLLOK
Viti i Ri në Bllok ka qenë i veçantë, kjo e lidhur edhe me kohën. Fillimisht, në periudhën pas lufte, e në vijim të viteve ’50 e ’60, festa e Vitit të Ri organizohej familjarisht nga të gjithë anëtarët e byrosë që mblidheshin në Odën e Pallatin e Brigadave, kështu quhej mjedisi në të cilin kalonin natën e ndryshimit.
Me kalimin e viteve, familjet filluan të preferojnë Shtëpinë Qendrore, ndërsa fëmijët të veçuar e festonin te “Vila 2” (sot pranë RTVSH-së), por edhe në shtëpinë e Enver Hoxhës, kur ai nuk ishte aty.
Pas viteve ’70, saktësisht pas 1973, kur filluan goditjet e grupeve në art, ushtri, ekonomi, u prishën miqësitë, lidhjet dhe preferencat, secila familje mblidhej në shtëpi, brenda Bllokut të kufizuar e ruajtur me ushtarë, pa shumë zhurmë kalonte Vitin e Ri.
Edhe për faktin se fëmijët e tyre të rritur ishin martuar e kishin fëmijë të vegjël, çka e kushtëzonte daljen, apo lëvizjen në mjedise publike.
Të nesërmen vijonin vizitat tradicionale. Një ndryshim në mentalitet u pa në fund të ’70, kur fëmijët e pak zyrtarëve të lartë filluan të shkojnë te “Hotel Dajti”, të ndaluar për shqiptarët, apo të dalin edhe jashtë shtetit për festat e fundvitit, diçka që nuk ishte bërë asnjëherë më parë.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një takim online me efektivët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë (FARSH) që shërbejnë në misione dhe operacione jashtë vendit. Gjatë këtij komunikimi të veçantë, ai përcolli urimet për Vitin e Ri 2025 dhe vlerësoi kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë globale.
Në mesazhin e tij, Presidenti Begaj shprehu mirënjohje të thellë për përkushtimin dhe profesionalizmin që efektivët shqiptarë tregojnë në misionet ndërkombëtare. “Ju jeni ambasadorët më të mirë të Shqipërisë dhe falë shërbimit tuaj, flamuri kombëtar valëvitet kudo me krenari përkrah flamujve të tjerë të NATO-s,” deklaroi Presidenti.
Efektivët shqiptarë janë aktualisht të angazhuar në disa rajone të botës, nga Kosova dhe Bosnja, deri në Sudanin e Jugut dhe Irak, duke dëshmuar angazhimin e vendit tonë ndaj paqes dhe sigurisë globale.
Presidenti theksoi rëndësinë e përmirësimit të kushteve për Forcat e Armatosura, duke nënvizuar se buxheti i mbrojtjes është rritur për vitin 2024. Ai shprehu bindjen se mbështetja për ushtarakët dhe familjet e tyre është një detyrim kombëtar.
Duke u ndalur tek agresioni rus ndaj Ukrainës, Presidenti Begaj vuri në dukje se ky konflikt ka ndryshuar tërësisht mjedisin e sigurisë. Ai theksoi nevojën për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe forcimin e kontributeve të Shqipërisë në NATO.
Në përfundim të takimit, Presidenti Begaj uroi të gjithë ushtarakët dhe familjet e tyre për Vitin e Ri 2025. “Gëzuar dhe shëndet e të mira për secilin nga ju, për familjet tuaja, për kombin shqiptar!” tha ai, duke shprehur falënderimet e tij për shërbimin e tyre të palodhur.
Kjo nismë vjen si një dëshmi e vlerësimit të lartë të kontributit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare dhe të përkushtimit të institucioneve për përmirësimin e vazhdueshëm të mbështetjes për efektivët që shërbejnë larg vendit. bw
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka pritur ditën e sotme në selinë blu, Znj. Erica Mazzetti, Deputete e Forza Italia dhe Drejtuese e Departamentit të Punëve Publike, shoqëruar nga kordinatori i PD në Itali, Z. Bardhok Doda.
Në postimin e tij në Facebook, Berisha thekson se mes diskutimeve me deputeten e Forca Italia, ishte edhe rëndësia e projektit TAP në garantimin e sovranitetit energjetik të Italisë dhe të rolit që qeveria e djathtë e viteve 2005-2013 në Shqipëri, ka patur në mbylljen me sukses të kësaj nisme strategjike për të dy vendet.
Një tjetër pikë e diskutimeve ka qënë edhe rëndësia që ka integrimi europian për Shqipërinë dhe rolin tejet mbështetës që Italia dhe Forza Italia kanë luajtur ndër vite, në veçanti nën drejtimin e Kryeministrit Berluskoni.
Gjithashtu Berisha u shpreh se i ka rikonfirmuar Znj. Mazzetti se Partia Demokratike do të jetësojë një program qeverisës tejet ambicioz, si kurrë më parë, ku kryefjala do të jetë ekonomia, rritja e atraktivitetit për bizneset e huaja e ato italiane, mbështetja e tregtisë me jashtë dhe të një dialogu real me çdo biznes që krijon vënde pune e rrit mirëqënien.
Postimi i plotë:
Takim me deputeten italiane Zj. Erica Mazzetti
Sot pata kënaqësi të mirëprisja në takim Znj. Erica Mazzetti, Deputete e Forza Italia dhe Drejtuese e Departamentit të Punëve Publike, shoqëruar nga kordinatori i PD në Itali, Z. Bardhok Doda.
Me Znj. Mazzetti shkëmbyem mendime mbi rëndësinë e bashkëpunimit te gjithëanshëm mes dy vëndeve tona mike. Në drejtim të kësaj të fundit, me Znj. Mazzetti kujtuam rëndësinë e projektit TAP në garantimin e sovranitetit energjetik të Italisë dhe të rolit që qeveria e djathtë e viteve 2005-2013 ka patur në mbylljen me sukses të kësaj nisme strategjike për të dy vendet.
Kriza energjetike që po kalon mbarë kontinenti në vijim të konfliktit në Ukraine tregon qartazi që zgjedhja jonë për të mbështetur gazin e konsorciumit Shah Deniz, në vend të atij rus, ishte vendimi më i duhur.
Gjatë takimit shkëmbyem gjithashtu mendimin mbi rëndësinë që ka integrimi europian për Shqipërinë dhe rolin tejet mbështetës që Italia dhe Forza Italia kanë luajtur ndër vite, në veçanti nën drejtimin e Kryeministrit Berluskoni. Në këtë plan, lufta kundra krimit të organizuar shqiptar, rrezik real për Shqipërinë por edhe Italinë dhe rajonin mbeten prioritete të përbashkëta.
I rikonfirmova Znj. Mazzetti se Partia Demokratike do të jetësojë një program qeverisës tejet ambicioz, si kurrë më parë, ku kryefjala do të jetë ekonomia, rritja e atraktivitetit për bizneset e huaja e ato italiane, mbështetja e tregtisë me jashtë dhe të një dialogu real me çdo biznes që krijon vënde pune e rrit mirëqënien.
Bashkëpunimi mes dy forcave tona politike aleate mbetet një përparësi madhore për PD-në.
PD mbetet gjithmonë tejet vlerësuese ndaj lidhjes unike dhe historike që bashkon dy forcat tona politike dhe dy kombet tona, duke kujtuar se interesat kombëtare të bashkëpunimit Itali-Shqipëri shkojnë përtej axhendave politike të çastit dhe se do të bëjë gjithçka për ta nxjerrë vendin nga rrëshqitja në të vetmen narko-diktaturë në kontinentin Europian. sb
Gjykata Kushtetuese i konsideron të ligjshme, provat e marra nga transkriptet e bisedave në aplikacionin e koduar “Sky Ecc”.
‘Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, bazuar në nenet 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, vendosi, njëzëri, rrëzimin e kërkesës’, thuhet në vendim.
Me vendimarrjen e kësaj të hëne, Kushtetuesja rrëzoi kërkesën e binzesmenit strategjik Pëllumb Gjoka, për pavlefshmëri të akteve.
NJOFTIM VENDIMMARRJEJE
Sot, më 30.12.2024, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim çështjen me kërkues Pëllumb Gjoka dhe me objekt: “ Shfuqizimi i vendimeve nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 38, datë 31.08.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krim in e Organizuar; nr. 00-2023-2238 (364), datë 22.12.2023, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për pjesën që kanë disponuar për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” ndaj kërkuesit. Shfuqizimi I shkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 dhe i pikës 4 të nenit 6, si dhe i pikës 2 të nenit 42 të ligjit nr. 95/2016, datë 06.10.2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës Shqipërisë, për shkak se cenojnë pavarësinë dhe paanësinë e gjykatësve të posaçëm.”.
Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, bazuar në nenet 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, vendosi, njëzëri, rrëzimin e kërkesës.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
Kryetari i PD, Sali Berisha reagoi pas deklaratës së Edi Ramës se në vitin 2027 Shqipëria do të presë Samitin e NATO-s në Tiranë. Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu se mes liderve të pranishëm do të jetë edhe presidenti i SHBA, Donald Trump.
Por Berisha shprehet se do të jetë vetë ish-kryeministri ai që do të organizojë Samitin e Aleancës së Atlantikut të Veriut pas 2 vitesh.
“Projeksionet janë jo vetëm të miat, por të mbarë aleancës, që në vitin 2027, samitin e organizon ai që anëtarësoi Shqipërinë në NATO dhe jo ai që bëri protesta kundër NATO-s. Shumë evidente kjo”, ishte përgjigjja e Berishës.
Kryeministri Edi Rama njoftoi nga konferenca e fundvitit me gazetarët se presidenti i ri i SHBA, Donald Trump do të vizitojë Shqipërinë në vitin 2027. Rama tha se vizita e Trump do të bëhet në kuadër të Samitit të NATO-s që do të zhvillojë punimet në Shqipëri.
“Akoma më e pamendueshme disa vite më parë është mikpritja në Tiranë e Samitit të NATO-s, në vitin 2027 ku i pranishëm do të jetë edhe presidenti i SHBA. Kemi nisur punën bashkë me NATO-n. Një ekip vlerësimi për infrastrukturën ka ardhur në Tiranë dhe ka bërë vlerësim për Tiranën që do të ishin të pamundura nëse nuk do të kishim ndërtuar gjithçka që është ndërtuar këtë dekadë. Sot trajtohemi si të barabartë jo thjeshtë formalisht port me një respekt që nuk e kemi pasur kurrë më parë”.
Jimmy Carter, presidenti i 39 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një nga presidentët amerikanë, i angazhuar për sigurinë e shqiptarëve dhe Kosovës gjatë kohës së detyrës, por edhe pas saj.
Carter, është gjithashtu një nga presidentët e pakët amerikanë që ka vizituar Shqipërinë, edhe pse kjo pas dorëzimit të presidencës.
Shumë pak është e njohur për opinionin shqiptar, por Jimmy Carter ka vizituar Shqipërinë në shtator të vitit 1993, me ftesë të presidentit të kohës, Sali Berisha.
Lajmi u publikua gjerësisht në mediat ndërkombëtare për rëndësinë që kjo vizitë kishte për Kosovën dhe sigurinë e Ballkanit.
Gjatë vizitës, Carter dhe presidenti Sali Berisha zhvilluan edhe një konferencë për shtyp, ku kërkesa e bërë nga Berisha ishte mundësimi i prezencës së OKB-së dhe forcave të NATO-s në Kosovë.
“Ishte shumë e rëndësishme për komunitetin botëror të demonstronte forcë dhe të përdorte çdo mjet të mundshëm për të kufizuar dhunën në Bosnje”, citohet të ketë thënë Carter në fund të vizitës në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin shqiptar Sali Berisha në hotel ‘Tirana’.
Berisha tha gjatë konferencës së shtypit se i kishte dërguar letra Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Boutros Boutros-Ghali, Komunitetit Evropian dhe të tjerëve, duke propozuar që Kosova të vihej nën mbrojtjen e OKB-së ose NATO-s, në mënyrë që të ndalonte përhapjen e konfliktit boshnjak në Kosovë.
Carter deklaroi se fondacioni ‘Carter’, një organizatë me bazë në SHBA që monitoronte përmbushjen e të drejtave të njeriut në të gjithë botën, do të vëzhgonte situatën në Kosovë.
Carter u tha gazetarve amerikan se fondacioni i tij, së bashku me ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, kishin analizuar problemin e Kosovës në janar, pra tetë muaj më parë se të shkonte për vizitë në Shqipëri. sn
Ish drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit Shemsi Prençi ka qenë i ftuar në emisionin e mëngjesit KAFE SHQETO në Syri tv. Ai ka komentuar gjendjen e rëndë të kriminalitetit në vend dhe arsyet e faktorët që ndikojnë në rritjen e tij, pa harruar edhe rritjen galopante të korrupsionit në të gjithë nivelet e qeverisjes.
Shmesi Prençi: Encrochat nuk ka filluar ende të japë efektet. Deri tani i ka dhënë SKY. Të gjithë çështjet që janë zbardhur deri në këto momente burojnë nga aplikacioni SKY dhe Encro dhe Matrix do të lulëzojnë në 2025 fuqishëm.
Mediat e pavarura dhe të pakapura janë ata që hedhin dritë më së shumti edhe përkundrejt heshtjes së institucioneve shtetërore. Viti 2024 për hir të së vërtetës duhet pranuar që institucionet shtetërore ligjzbatuese më së shumti i kanë ndihmuar aplikacionet Sky dhe Encro…. Në të kundërt institucionet shqiptare duhet të kishin dalë në pension, sepse ne nuk kemi parë një çështje që të fillojë kryesisht prokuroria, apo ta zbardhë policia pa patur këto burime që ne sapo përmendëm. Pra e thënë ndryshe, aplikacioni SKY encro…, dekriptimet e përdoruesve të tyre janë një thesar i madh për institucionet ligjzbatuese dhe kjo duhet pranuar. Po të futemi në rrugën e kriminalitetit, pastaj është për të ardhur keq që ne Shqipëri kanë lulëzuar krimi i organizuar në të gjithë format dhe krimi ndaj jetës së personave në formën e atentateve, ku mund të përmendim atentatet në Vlorë, në Shkodër e në disa qytete të tjera. Pra, çka do të thotë që forma e organizmit të krimit, qoftë e krimit të organizuar në pikëpamje të trafiqeve të lëndëve narkotike, qoftë edhe larja e hesapeve mes grupeve kriminale…. sn
Shefi organizimit në PD, Klevis Balliu u ndal te zhvillimet e fundit në lidhje me hetimet nga kryebashkiakut të Tiranës, duke theksuar se akuzat qëndrojnë mbi Veliajn dhe janë të faktuara ndaj tij.
I ftuar në një interviste në Ora Neës, Balliu shtoi se prokuroria i kërkon masat e arrestit në bazë të fuqisë që ka dikush për të ndërhyrë në hetimi dhe theksi se dihet edhe fuqia e Veliajt në sistemin e drejtësinë.
Balliu: Akuzat qëndrojnë mbi Veliajn dhe janë të faktuara ndaj tij. Por drejtësia është gjunjëzuar ndaj Veliaj, teksa ky njeri lejohet të lëvizë i lirë pa masë arresti duke dalë edhe jashtë vendit, ndryshe nga ajo që u veprua me Berishën apo me Metën. Kjo fakton se kjo drejtësia e re është kthyer në një pastrim kimik që do t’i heqë njollat apo do të shpëtojë Veliajn.
Prokuroria i kërkon masat e arrestit në bazë të fuqisë që ka dikush për të ndërhyrë në hetimi. Dihet edhe fuqia e tij në sistemin e drejtësinë, se ka punonjës të drejtësisë që janë edhe punonjës në shoqatat e gruas së tij. Kapitulli i SPAK-ut është edhe kapitullin i Veliajt. Rama është pronari i SPAK-ut në këtë rast. Kemi bërë shumë denoncime lidhur me Veliajn dhe i kemi bërë me emër dhe mbiemër. Na del nga hiçi Nesti Angoni dhe qartazi është Rama.
Komentet