Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh se kjo temë vlen edhe për një refleksion, sado të përmbledhur, lidhur me atë që ishte Shqipëria 25 vjet më parë, me atë që ishte Europa 25 vjet më parë dhe me atë që Shqipëria dhe Europa janë sot
TIRANË – Në kuadër të aktiviteteve me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë sot është organizuar në Tiranë konferenca “Shqipëria dhe Europa -25 vjet nga rënia e komunizmit”. Kjo konferencë ka mbledhur së bashku personalitete të larta shtetërore nga vendi, si Presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama, ish-presidentë, politikanë evropianë, studiues, etj,.
E pranishme në këtë konferencë ishte edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ish-Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç.
Në fjalën e mbajtur në këtë konferencë, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka vënë në dukje se deri 25 vjet më parë, Shqipëria kishte qenë vendi komunist më i izoluar në Europë. Ai u shpreh se gjatë këtyre viteve ai ka qenë një dëshmitar i shumë zhvillimeve dhe ndryshimeve në vend.
Një fjalim në këtë konferencë ka mbajtur edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili u shpreh se kjo temë është një temë që vlen edhe për një refleksion, sado të përmbledhur, lidhur me atë që ishte Shqipëria 25 vjet më parë, me atë që ishte Europa 25 vjet më parë dhe me atë që Shqipëria dhe Europa janë sot.
“Nëse kthejmë kokën në histori dhe shohim të shkuarën tonë në raport me sfidën e integrimit, që në fund të fundit është as më shumë dhe as më pak, por sfida e ndërtimit të një shteti modern, me institucione funksionale që jetësojnë një Kushtetutë demokratike dhe nëse krahasojmë panoramën që ne kemi përpara, me panoramën që është përpara syve të atyre që na kanë pararendur në procesin e integrimit dhe që i janë bashkuar më parë Familjes Europiane, është e qartë se kemi një disavantazh të jashtëzakonshëm historik. Pa llogaritur edhe periudhën e barbarisë komuniste, që ishte e pashoqe për nga brutaliteti, besoj unë, në raport me gjithë pushtetet komuniste në vendet e tjera, pikërisht sepse mbështetej mbi këtë boshllëk”- u shpreh Rama në fjalën e tij. .
Ndërkohë me rastin e 25 vjetorit të lëvizjes studentore që solli rrëzimin e komunizmit në Shqipëri, janë organizuar edhe aktivitete të tjera. Njëri prej tyre ka qenë aktiviteti i organizuar nga ish-protagonistët e asaj periudhe, vetë ish-studentë e Lëvizjes “Dhjetor 1990”. Në këtë aktivitete merrte pjesë edhe kreu i Komitetit Shtetëror të Kulteve, Ilir Dizdari, i cili ka qenë protagonist i lëvizjes studentore 25 vite më parë. Në fjalën tij Dizdari u shpreh se duhet të punohet që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja.
Komentet