Mësonjëtorja e Parë Shqipe në Korçë si një shenjë kulturore në epokën e sotme
Hapja e Mësonjëtores së Parë Shqipe me 7 mars 1887 në Korçë, përbënte ngjarjen më të madhe në gjithë historinë e deriatëhershme të arsimit shqip. Ajo vuri themelet e shkollës së parë kombëtare shqiptare laike e drejtuar nga mësuesi Pandeli Sotiri dhe ndihmuar nga atdhetarë tjerë të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për të ardhmen e kombit.
Mësonjëtorja e parë shqipe ishte jo vetëm një ngjarje për rrugën e dijës por përbënte një ngjarje me rëndësi të madhe politike, shoqërore dhe kombëtare për Shqipërinë, e cila përgatitej të linte pas pushtimin pesëshekullor osman dhe të dilte si një komb i pavarur me kulturën e gjuhën shqipe të trashëguar brez pas brezi e jo të huazuar prej dikujt tjetër.
Me hapjen e shkollave shqipe rruga drejt lirisë dhe pavarësisë së ëndërruar e popullit shqiptar nga udhëheqësit e Rilindjes së ndritur kombëtare po bëhej realitet.
Nuk duhet harruar se jeta e mësuesve në atë kohë ishte në çdo aspekt në rrezik prej sundimtarëve turq të cilët kishin ndaluar gjuhën shqipe dhe dënoni çdo përpjekje për mësimin e saj. Siç e dimë mësuesit e parë të gjuhës shqipe vdiqën në mënyrë të llahtarshme e të mistershme.
Ai brezi i shqiptarëve që u sakrifikuan në atë kohë ishin me të vërtetë brezi më shembullor i kombit shqiptar. Ata e donin kombin më shumë se jetën.
Vetvetiu të vjen pyetja e sot, ku të gjendën shqiptarë të tillë me ideal mahnitës shqiptar. Është e dhimbshme çdo ditë mbyllen shkollat e gjuhës shqipe sepse prindërit shqiptarë nuk i dërgojnë fëmijët e tyre për të mësuar gjuhën e nënës, gjuhën shqipe, gjuhën e kombit të vet.
Mirënjohja, respekti dhe mirësia janë ndjesitë që na pushtojnë të gjithëve në një ditë të vetme në festën e 7 Marsit – Dita e mësuesit. Në një ditë që kushdo që kthen kokën pas e ndien nevojën për të përkujtuar, uruar dhe falënderuar bijtë e mëdhenj të kombit, që vunë gur themelin në krijimin e shumë brezave. Ndjesi të tilla janë kthyer në motivin kryesor në festën e mësuesit për të gjithë ne.
Fytyra të buzëqeshura, urime të përzemërta, buqeta me lule që tashmë e kanë kthyer 7 Marsin në një ditë feste kombëtare.
Në këtë ditë të veçantë ndanë me ne emocionet mësuesja e gjuhës shqipe në Zvicër Ida Abdiu Jashari në intervistën me të po e përcjellim në vijim:
Mësuesja Ida Abdiu Jashari, e njohur për pasion e saj pranë shkollës shqipe në Ostermundigen kantoni i Bernit.
Pyetje: A na tregoni përshtypjet e përvojës tuaj në fushën e arsimit?
Ida Abdiu Jashari: Puna me fëmijët për mua është diçka shumë e veçantë, e cila përveç përgatitjes profesionale, kërkon shumë përkushtim, durim dhe mbi të gjitha dashuri për ta. Jam përpjekur t’i reflektoj këto në punën me nxënësit e mi, gjatë 13 viteve në atdhe dhe 14 viteve këtu në Zvicër, prej të cilëve gjithashtu kam marrë shumë dashuri.
Pyetje: -Si ndihesh në profesionin që ushtron?
Ida Abdiu Jashari: Gjithmonë e kam dashur profesionin e mësueses, ishte një nga ëndrrat e mia. Dy herë në javë me shumë kënaqësi ndodhem në mjediset e shkollës shqipe ku kam dy klasë me fëmijë të bashkatdhetarëve tanë. Është një nga ngjarjet më të bukura të javës në shkollën shqipe të Ostermundigenit. Nxënësit i kam në zemër punoj për ta me dëshirën e madhe, që fëmijët të mos harrojnë gjuhën e të parëve, të njohin historinë dhe gjeografinë e atdheut pavarësisht në cilin vend jetojnë.
Pyetje: Çfarë është të jesh mësuese larg atdheut?
Ida Abdiu Jashari: Ndjenjë shumë e mirë dhe njëkohësisht një përgjegjësi shumë e madhe. Duke nderuar prindërit, të cilët i sjellin fëmijët edhe nga larg, më obligon dhe njëkohësisht edhe më motivon që të përgatitem edhe më shumë në aspektin profesional.
Pyetje: Cila është më e bukura e profesionit të mrekullueshëm të mësuesit?
Ida Abdiu Jashari: Klasa e mbushur me zogj shqiponje dhe cicërima në gjuhën shqipe është bukuria vet. Gjithashtu, kënaqësi dhe falënderim që na jepet mundësia nga autoritetet Zvicerane, që fëmijëve nga të gjitha trojet shqiptare të ju mësojmë gjuhën e nënës edhe pse të lindur e të rritur larg atdheut.
Pyetje: Si e përjeton festën e 7 Marsit? Cila është e veçanta e kësaj dite?
Ida Abdiu Jashari: 7 marsi, festa e mësuesit shqiptar, më kujton mësuesin tim të parë dhe të tjerët radhazi, që kontribuuan në arsimimin e popullatës e në veçanti femrës shqiptare, 30 vitet e sakrificës për mbajtjen gjallë të gjuhës e shkollës shqipe këtu në Zvicër, me qëllim integrimin por jo asimilimin e shqiptarëve. Në fakt, kjo është ditë festë në shenjë përkujtimi të themelimit të Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, e cila u themelua me 7 mars 1887. Në rrafshin kombëtar, Dita e mësuesit shërben për të kujtuar e nderuar figurën mësuesit, por edhe gjithë punonjëseve të arsimit si edukatorë të brezave të rinj për zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë shqiptare.
Komentet