(…siç i pati ndodhur Lancelotit të përrallës mund t’i ndodhë cilitdo kalorës politik të së tashmes : )
Zonja e Shalot, ishte një princeshë e ngujuar diku në një kullë, në një kështjellë afër Kamelotit, dhe pati vdekur me zemrën shkrumb, pa iu kthyer kurrë dashuria nga Lanceloti (kalorës ky, fisnik i “Tryezës së Rrumbullakët”, të mbretit Artur).
Nëse lexuesi për pak çaste t’merrej me imagjinatën, nëse ta parafytyronte pakëz skandalin imagjinar që ndonjëri nga ministrat e Ramës të dashurohej në gruan e tij, në gruan e Kryeministrit (po, po përnjëmend, dmth. të dashurohej me gjithë mend, ta humbte mendjen)! Apo ndonjëri nga ata të kabinetit holandez ta humbte mendjen pas mbretëreshën Maxima të Holandës! Me ndihmën e kësaj imagjinate do ta kuptonim fare lehtë Lancelotin, e edhe do ta “falnim” madje, sepse do ta kuptonim që i pafajshëm.
E lehtë të imagjinosh, në realitet duket e “pamundur”, pasi zemrat i kanë dhe “frenat”, e frenojnë veten, s’janë të gjitha zemrat të krisura, apo jo. Kështu thotë logjika dhe arsyeja, mirëpo e dimë që s’është e pamundur – e sidomos s’është e pamundur në përrallat e dikurshme, në letërsi, në filmografi etj. E qartë, skandal mos pyet, ta humbësh mendjen pas gruas së Ramës… apo pas gruas së Aleksandrit, pas mbretëreshës Maxima, uaaa, sikur dhe imagjinata tani përshfaqet mjaft e “çuditshme”. Sado skandaloze nëse t’na duket ideja, pikërisht kështu i pati ndodhur Lancelotit, si tradhti ndaj mbretit të vet, ndaj mbretit Artur.
Sa i përket imagjinatës, mos t’ju duket “skenar” i pamundur, bie fjala Margaret Thaçer, ajo Zonja e Hekurt e Britanisë, sa herë shfaqej diç serioze për të diskutuar me ministrat, e sidomos në prag dhe gjatë Falkland-Luftës, e bënte darkën (edhe burri i ndihmonte, psh. ndonjëherë i qëronte patatet) dhe i thërriste të gjithë ministrat e kabinetit të hanin darkë në shtëpinë e saj, dhe dmth. t’i diskutonin problemet e qeverisë në komfortin shtëpiak. Po pra, pikërisht në shtëpinë e saj, ashtu i pëlqente dhe ashtu bëhej, ishte seancë praktike (si mbledhje qeveritare) por dhe ndjehej më komode.
Sipas të njëjtës imagjinatë, afër mendsh që dhe Rama mund t’i ftojë ministrat dhe ministreshat për darkë në shtëpinë e tij. Mund t’i ftojë përnatë, apo saherë t’i teket e kur t’i teket. Ndonjëherë një gotë jashtë masës dhe njeriu e humb mendjen. Madje as shampanja s’është e pafajshme kur është fjala për “mendjen”. Dhe kështu dmth. nuk është e “pamundur”, siç i pati ndodhur Lancelotit të përrallës mund t’i ndodhë cilitdo kalorës politik të së tashmes.
***
Mirëpo, le t’ia fillojmë me lulet, me trëndafilat fillimisht, pastaj i përmendim dhe pikturat. Ka madje dhe lule, trëndafil që mban emrin “Zonja e Shalot”. Ky trëndafil mban emrin e zonjës së bukur si zambak por që, sa i përket dashurisë, pati qenë e pafat, njihej si Elena, princesha e Astolat.
Unë e zgjodha pikërisht këtë foto-lule, nga miliarda… thashë miliarda duke u nisur se Interneti mund t’i ketë me miliarda foto-trëndafilash, kjo që e zgjodha m’u duk më kualitative, dmth pritet ta respektoni vendimin tim, sepse vendim i madh, e zgjodha ndër miliarda foto-lulesh si “prezantim” të gjithë trëndafilave “Shalot” : ) Bukur, fotoja ngjitur e paraqet trëndafilin “Zonja e Shalot” (foto-trëndafil i v. 2010, Austin, Britani e Madhe).
Në një vend tjetër pata shkruar se Elena e përrallave arturiane vuante tepër shumë për Lancelotin, e ngrata pati dashuruar siç vetëm princeshat e kështjellave dinë të dashurojnë. Do vdiste madje nga “dashuria”, aq fatkeqe, përrallë aq e dhimbshme, s’ka njeri që s’i këputet zemra, vdiq e shkoi pa iu “kthyer” kurrë dashuria. Gjithçka që kishte në zemër ia pati falur Lancelotit, derisa zemra i qe bërë shkrumb, djegur e përvëluar. Sepse zemrat e klasicizmit përrallor s’dinin ndryshe, o dashuronin përjetësisht o fare. Zemrat dikur s’kishin as “hile” as falsitet, ishin zemrash 100% të sinqerta.
Ç’është e vërteta as Lanceloti s’e pati shpërfillur, por dhe ai vetë pati ngelur pa “zemrën” e vet. E pati humbur zemrën duke rendur pas Ginevrës, dmth. s’është se na kishte “faj” për pafatësinë e Elenës. T’i thoshte “po” duke qenë e vërteta krejt ndryshe, ashtu do ishte mëkat akoma më i madh – Lanceloti e dinte fort mirë se qe dashuruar gjer në veshët me ëndrren e vet, në Ginevrën (gruan e mbretit Artur, për të cilin Lanceloti shërbente si “dorë e djathtë”, si kalorës i famshëm dhe trim i madh).
Të flesh me “zemrën” e mbretit, me gruan e tij, me mbretëreshën… s’është ndonjë “kundravajtje” e asgjëshme, përkundrazi, është një problem serioz. Lanceloti pati qenë tepër i “hutuar” pas Ginevrës, ishte supozuar që ai t’na ishte kalorës i hutuar rreth trimërisë, rreth problemeve të mbretërisë, rreth politikave të mbretit Artur, rreth “Tryezës së Rrumbullakët” (duhej t’ishte shembull i fisnikërisë për kalorësit e tjerë) e jo të hutohej pas bukurosheve të huaja : ) Ose thjesht merre me mend atë që veç e thamë; ndonjëri nga ministrat e Ramës e humb mendjen pas gruas së tij.
Sikur që dhe Ginevra që do bëhej tradhtare, vetë zemra e saj (ashtu në pafajësinë e vet) do e fuste “turbullirës”, e tradhtonte mbretin dhe mbretërinë e vet, e tradhtonte veten, tekefundit ishte mbretëresha. I bie se edhe Lanceloti i tradhtonte që të dy, apo që të tre, sepse madje dhe vetveten – i bie se jobesnik ndaj mbretit, ndaj mbretëreshës e edhe ndaj vetes (meqë do i shkilte principet e fisnikërisë dhe të kalorsisë).
Sidoqoftë, ka panumër piktura dhe ose vepra artistike rreth subjektit “Elenat e Shalot”, s’di nëse ndokush t’i ketë numëruar të gjitha “Elenat…” (ndoshta as muzeumet e botës, as institucionet e artit s’e dinë aq “saktë” : ) por ka me dhjetra e qindra, vizatime, gravura, piktura… pothuaj panumër sosh. Secila më e bukur se tjetra, me subjekt fisniken e dashuruar deri në vdekje, “Elena” e bukur, së cilës nuk i qe kthyer dashuria.
Psh. versioni i piktorit Waterhouse, “Zonja (e Kështjellës) Shalot”, 1888 (John William Waterhouse, 1849-1917) është njëra nga pikturat më të famshme të tij. Si skenë vizuale piktura na e paraqet mbarimin ose fundin e poemës së poetit Alfred Tennyson, me të njëjtin titull. Waterhouse ishte një piktor anglez, i njohur për stilin piktural të Akademizmit, dhe i cili më pas e pati përqafuar stilin dhe filozofinë e Pre-Rafaelitëve. Pikturat e tij kryesisht kishin si subjekt femrat nga mitologjia e lashtë greke dhe nga legjendat arturiane.
Ose portret-piktura tjetër (ngjitur këtu 2 versione), “Zonja e Shalot (Duke shikuar Lancelotin)”, 1894 – majtas: versioni final, dhe djathtas: studim – pata lexuar në një vend që kritikët më shumë i parapëlqejnë “brushat e lira” në studimin (djathtas), sesa versionin e përfunduar (majtas). Hm, padyshim këta do kenë patur më shumë shije e preferenca për “impresionizmin”… pata buzëqeshur : )
Si karakteristikë e impresionizmit është psh. si vijon: për shkak të “shkitjes” së lëmuar të brushave, dhe të ngjyrave hedhur “trash” në kanavacë, pikturat në stilin “impresiv” lënë përshtypjen se janë punuar shpejt e shpejt (njësoj si dhe studimet a paraskicat që i bëjnë piktorët para se t’ia fillojnë asaj tabllosë “përnjëmend” – pra sipas meje, ky studim i Waterhouse lirisht mund të klasifikohet si “pikturë e kryer impresioniste” – po ashtu temat e impresionizmit nuk “rrahin” ndonjë problematikë, as nuk mëtojnë të “lodhen” me ndonjë mesazh…
Të gjitha pikturat padyshim qenë frymëzuar nga poema e Tennyson “Zonja e Shalot” (1832), një baladë lirike e shquar për romantizmin mesjetar. Simbolika enigmatike e poemës i pati frymëzur sa e sa piktorë, veçanërisht Pre-Rafaelitët. Por pra dihet se poema e Alfred Lord Tennyson bazohet në legjendën arturiane (aty si figurë njihet Elaine of Astolat, “Elena e Astolat”). E cila figurë (e legjendës arturiane) padyshim ishte diç si influencë a frymëzim nga një tregim pararendës, që rrëfehet në një vepër italiane të shek. XIII me titull Donna di Scalotta – Zonja e Skalotit).
Rishtas, sidoqoftë, poema “Zonja e Shalot” e Tennyson pra rrëfen historinë e romancës së Elena Astolat, një e re fisnike e burgosur në kështjellën e një ishulli afër Kamelot (Kameloti ishte diç si “kryeqytet-kështjellë” madhështore, kryeqendër e mbretërisë arturiane, selia e Mbretit Artur). Elena do vdiste nga dashuria për Lancelotin. Në legjendën arturiane, siç e cekëm më lart, Lanceloti ishte njëri nga kalorësit e Tryezës së Rrumbullakët, trim dhe kalorës fort i zoti, në legjendën përshkruhet si krahu i djathtë i mbretit Artur.
Rrnofte Shqipnia e Justina Aliaj!
Ju falemnderes.