Pianistja Hermira Gjoni rikthehet në Tiranë. Ajo rrëfen krijimtarinë e saj artistike, jetën bashkëshortore me kompozitorin Simon Gjoni, por ndalet edhe te lufta e klasave, ku për 15 vjet interpretoi në TKOB, pas perdes
Nga Valeria DedajDashuria e saj për Shqipërinë dhe malli për miqtë dhe kolegët nuk luhatet asnjëherë. Rikthimi i saj në Tiranë për të interpretuar sërisht, tek Universiteti i Arteve, me sopranon Tatjana Korra, e demonstroi dje edhe më tepër dëshirën e saj për të qenë pranë publikut shqiptar. Bëhet fjalë për pianisten, Hermira Gjoni, e cila prej 25 vjetësh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë për “Shekulli”-n, pianistja shqiptare ndalet në momentet më të veçanta të karrierës së saj, por edhe në vështirësitë që ajo ka kaluar për shkak të luftës së klasave gjatë sistemit komunist.
Vetëm faktin se ajo ishte mbesa e Rauf Ficos, e vuajti gjatë 15 viteve më të bukura të jetës së saj gjatë punës në TKOB, duke e renditur emrin e saj në një nga listat e zeza, të 30 artistëve të cilët do të arrestoheshin dhe pushkatoheshin në rast revoltash kundër pushtetit komunist. Ndonëse, xhaxhai i saj, e kishte lënë vetëm katër vjeçe, përndjekja e sistemit komunist nuk ndali asnjëherë, deri aty sa nuk lejonte as bashkëshortin e saj, kompozitorin dhe dirigjentin Simon Gjoni, të kishte vlerësimin e duhur.
Zonja Gjoni, rikthehemi pak te fëmijëria juaj. Si ju lindi dëshira për t’u marrë me muzikë?
Në fakt, që të ndiqja rrugën e muzikën më këshilluan prindërit e mi. Më ka ndihmuar shumë edhe puna më profesor Tonin Guraziun, me të cilin bëra mësim edhe në lice. Menjëherë pas kësaj periudhe u emërova në Teatrin e Operës. Më pas u hap Konservatori Shtetëror i Tiranës, ndërpreva punën dhe nisa studimet. Pas diplomimit në vitin 1966 nisa menjëherë punë si koncert-maestre në TKOB. Kanë qenë vite të mrekullueshme. Është një punë që është bërë me shumë pasion, sepse kishte artistë të mrekullueshëm. Kam punuar me vepra qoftë të shqiptarëve si të Zoraqit, Zadejës etj., por kam punuar edhe me operat klasike si: “Berberi i Seviljes”, Butterflay” etj., gjatë asaj kohe kam bërë shumë koncerte.
Në opera njohët edhe kompozitorin Simon Gjoni, i cili më vonë do të bëhej shoku juaj i jetës…
Atëherë jam njohur edhe më Simonin. Kemi punuar bashkë për “Don Pasquale”- n, “Batterfly”-in, “Berberin e Seviljes” etj., aty nisi bashkëpunimi ynë. Muzika është një gjë që të lidhë shumë, komunikimi nëpërmjet saj është i mrekullueshëm. Ai ishte kompozitor dhe unë kam ekzekutuar veprat e tij, sikurse edhe shumë kompozitorëve të tjerë.
A e kishit menduar që një ditë ai do të bëhej bashkëshorti juaj?
Jo! Pothuajse pas një viti, kjo lindi spontanisht. Çdo gjë erdhi natyrshëm.
Gjatë asaj periudhe keni përfaqësuar shpeshherë Shqipërinë jashtë vendit?
Arti nuk ka fund. Kur bën një koncert do të punosh që të arrish edhe më tepër. Kam përfaqësuar Shqipërinë në shumë koncerte jashtë vendit me Gaqo Çakon, kam qenë me Mentor Xhemalin kur mori medaljen e artë në koncert me të, por kemi qenë jashtë edhe me Zoica Haxhon, Agron Alinë etj. Por më pas gjërat ndryshuan.
Vetëm se ishit mbesa e Rauf Ficos, ritmet e kësaj krijimtarie do të ndryshonin, në vitin 1975…
Këto janë gjëra që kanë ndodhur në art. Nuk është se më ndodhi vetëm mua. Gjetën si pretekst faktin se unë isha mbesa e Rauf Ficos, edhe pse ai kishte vdekur kur unë isha katër vjeçe.
A ta thanë vendimin që kishin marrë?
Jo asnjëherë, atëherë merreshin vendime pa të thënë asgjë.
Ju pse mendoni se kjo mund të ketë qenë arsyeja e vetme?
Natyrisht që kjo ishte, nuk ka asgjë tjetër. U bë një luftë klasore që të mos dilja nëpër koncerte, por ishte edhe profesionale. Njerëz pa shumë talent dhe me ambicie profesionale nisën të luftojnë në forma të tilla.
Pra ju kaluat 15 vjet, duke interpretuar pas perdes në TKOB?
Po. Megjithatë, për mua këshilltarët më të mirë kanë qenë kompozitorët e mëdhenj. Të jetoje me veprat e tyre, të jetoje me art ishte një gjë shumë e mirë. Kishe mundësi që të bisedoje me gjenitë e muzikës botërore. Ishte shumë më bukur kështu sesa ta kaloje jetën me thashetheme. Prandaj edhe pse u ndërpre krijimtaria e dikurshme, unë vazhdoja që të heshtja, të studioja edhe të kisha durim. Mbaja repertorin pianistik edhe kisha pozicionin tim në lojën artistike.
Edhe emri juaj renditej tek 30 emrat më të rrezikuar për pushkatim?
Po, por unë këtë nuk e kuptoja. E mora vesh shumë vonë, gjatë kohës që isha në Amerikë.
Çfarë menduat kur e mësuat këtë?
Thashë: “Ç’ne unë, që nuk jam përzierë asnjëherë me këto gjëra, që nuk kam kërkuar asnjë gjë, as nishane e as tituj?”. Por kur punon me artin je edhe i pasionuar pas artit. Për shembull, këtu ka Artistë të Popullit që nuk u ka kënduar populli asnjë këngë, ndërsa Simoni që nuk ishte Artist i Popullit, ia këndonin të gjitha këngët, prandaj këto nuk kishin rëndësi për një artist të vërtetë. Të them të drejtën mua m’u ndërpre aktiviteti i shumtë, por kur je i ri këto i kalon me buzëqeshje. Ndërsa kur vizioni yt i brendshëm bëhet më akut e kupton që po të ikin vitet më të mira dhe ti nuk po bën atë që ishe në gjendje të bëje, atë që ëndërroje. Atëherë ishte një dhimbje e madhe, sepse të hiqnin të drejtën tënde.
Diskutimi për hapjen e dosjeve ende vazhdon…, asokohe nuk ishte e mundur kjo, por edhe tani të vërtetat thuhen pjesërisht. A do donit që ta kishit mësuar të vërtetën e asaj periudhe?
Atëherë jo, se po t’i dija ato të vërteta do të trembesha, ecja mbi mina.
Kjo situatë a ka ndikuar në vlerësimin e profesor Gjonit?
Natyrisht, ai ngeli i pavlerësuar. Ai nuk bëri vetëm një këngë, por ka bërë më shumë se treqind e ca këngë. Unë kam mbledhur një pjesë të mirë të tyre, duke e ndarë në gjini të ndryshme, por ka shkruar shumë poema simfonike, album për piano, album me romanca, album të këngëve qytetare etj. Por megjithë këtë veprimtari të madhe që ka pasur çdo gjë kaloi në heshtje.
Në vitin 1991 profesor Gjoni ndahet nga jeta, por a pati ndonjë peng?
Ai ishte njeri me zemër të madhe dhe familjar, njerëzit i donte shumë. Kohën e kalonte ose në shtëpi duke kompozuar, ose me fëmijët, por pasi bëri dy orë mësim pati një infarkt masiv, sikurse e shpjeguan doktorët. Vdekja e tij ishte e papritur, sepse ai në jetën e tij ka qenë shumë i shëndetshëm, nuk kishte pirë asnjë aspirinë, asnjëherë nuk ka thënë: “Më dhemb koka”. Ne na ra si bombë, mirëpo dhjetë ditë pas Simonit vdiq Nikolla Zoraqi, mbas disa muajve Tonin Arapi, Pjetër Gaci, Çesk Zadeja edhe i fundit fare ka qenë Tish Daija.
Më pas ju u larguat nga Shqipëria…
Unë jam larguar në vitin 1993. Ka qenë një lotari, që nuk e dija se ekzistonte, por ma ka hedhur një mikeshë në Boston. Pasi mësova si e kisha fituar, mendova që të shkoja një herë edhe të rikthehesha përsëri. Mirëpo gjatë kësaj kohe çova CV-in në 9 konservatorë. Mora përgjigje nga disa prej tyre, njëri ishte konservator shumë i mirë, aty shkova. Sa më dëgjuan në piano nuk më kërkuan asnjë gjë tjetër.
Ka qenë një rifillim i dytë për ju?
Sigurisht, por atje shkon në një sistem tjetër. Stresi i përshtatjes është shumë i madh, por nuk thashë jo për të bërë koncerte, dhe kështu njëri koncert solli tjetrin. Madje mbaj mend se kur shkova në Nju Jork më vlerësonin aq sa ndonjëherë ndihesha jo e vlerësuar, por e mbivlerësuar. Thosha: “Ç’kam bërë unë këtu?” Kur atje punoja 11 orë në ditë edhe nuk dëgjoja asnjë fjalë të mirë. Por nuk mund që të ktheja më kokën mbrapa, sepse do të përplasesha me një mur. Duhet që të shihja para, vetëm ashtu mund të jepja më të mirën. Amerika të mëson që të punosh se do të vlerësohesh për atë që bën, por edhe të heqësh dorë nga opinionet e të tjerëve. Njeriu mund të ketë në jetë rrëzime, dështime, por ai duhet të arrijë qëllimin që i ka vënë vetes. Nëse unë do u ktheja përgjigje të gjithë atyre që ishin muzikantë të dështuar, do të humbisja kohë
Çfarë të mban lidhur me Shqipërinë?
Është nostalgjia e viteve të kaluara, nuk bëhet fjalë vetëm për të afërm, por janë miqtë edhe shoqet. Unë marr forcë kur vij këtu, edhe kur largohem filloj punën më lehtësisht.
Biografia
Hermira Gjoni mësimet e para të pianos në moshën 7-vjeçare nga profesor Tonin Guraziu. Pas mbarimit të studimeve në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, filloi punë në Teatrin e Operës dhe Baletit, si koncert-maestër për 25 vjet. Në vitin 1959 njohu edhe bashkëshortin, Simon Gjoni gjatë punës në TKOB. Pati rastin të punojë me katër breza këngëtarësh ku së bashku me ta ka interpretuar shumë arie si: “Malatestën” nga opera “Don Paskuale” e Donixeti-t me Mihal Cenkon apo arien e Xhulietës nga opera “Montegët dhe Kapuletet”. Aktiviteti i saj artistik në vitet 1975 për arsye të luftës së klasave pati tkurrje. Në vitin ‘90 emigroi jashtë vendit, ku edhe aktivizohet në koncerte. Aktualisht jeton në Amerikë.
Komentet