Ishte ora 11 e natës në qytetin e New Yorkut dhe kantautori James Taylor ishte në shtëpinë e tij në ndërtesën Langham në perëndim të Central Park. Sapo kishte folur në telefon me Betsy Asher, bashkëshorti i së cilës kishte firmosur pak vjet më parë për etiketën Apple të Beatles-ave.
“Ajo ishte në Los Angeles dhe po ankohej se gjërat nuk po ecnin edhe aq mirë atje”, kujton Taylor. “Po ndodhte diçka që kishte lidhje me familjen e Charles Manson. Më pas, dëgjova ato pesë të shtëna…bam-bam-bam-bam-bam. ‘I thashë: Atje qenka një çmenduri e vërtetë, sapo dëgjova policët të qëllonin dikë me armë në rrugë’. Telefonata u ndërpre. Më pas, ajo më telefonoi përsëri pas 20 minutash dhe më tha, James ato që po qëllonin me armë nuk ishin policë”.
Policët u gjendën brenda pak minutash në vendngjarje dhe lajmi se kishte ndodhur një shkëmbim zjarri në ndërtesën Dakota, vetëm një bllok larg Langhamit, u përhap nëpër televizione dhe radio sa hap e mbyll sytë. Agjencia e lajmeve UPI lançoi raportin e parë: “Policia e New Yorkut thotë se ish-pjestari i grupit Beatles, John Lennon ndodhet në gjendje kritike shëndetësore, pasi është qëlluar tri herë me armë zjarri në shtëpinë e tij në pjesën e lartë perëndimore të Manhattanit. Një zëdhënës i policisë thotë: ‘Kemi kapur një të dyshuar’. Por, nuk jep asnjë detaj të mëtejshëm. Një punonjës i spitalit thotë: ‘Kishte gjak gjithandej’. Ata po punojnë shumë për ta mbajtur atë të gjallë’.
Televizioni ABC, tregoi të gjitha detajet e historisë në ekran në një kohë kur New England Patriots ndesheshin me Miami Dolphins në atë të hënë futbolli. Pesë minuta më vonë, komentatori Frank Gifford ndërpreu kolegun e tij Howard Cosell: “Nuk më intereson se çfarë po ndodh në këtë fushë, Howard, na duhet të themi me zë të lartë tani atë që na mundon”. “Po, ke të drejtë, na duhet ta themi”, tha Cosell duke shtuar: “Mos harroni që kjo është vetëm një lojë futbolli. Ç’rëndësi ka se kush humb e kush fiton”. Më pas, me ritmin mortor të një burri që është mësuar t’i shndërrojë ndeshjet e futbollit në drama, Cosell shpalli se: “Një tragjedi e papërshkrueshme. E konfirmuar nga ABC News e New Yorkut. John Lennon, jashtë ndërtesës së apartamentit të tij në anën perëndimore të qytetit të New Yorkut, ndoshta më i famshmi i Beatles-ave, i qëlluar dy herë në kurriz, u çua me emergjencë në Spitalin Roosvelt”. Ai shqiptoi çdo fjalë ngadalë me kujdes, siç goditet një gozhdë për t’u ngulur në mur. “Ishte… i vdekur… kur mbërriti atje. Është e vështirë t’i rikthehemi lojës pas këtij lajmi të hidhur”.
Richard Starkey, Ringo dhe e dashura e tij, aktorja Barbara Bach, po pinin në një shtëpi me qira në Bahamas kur ai mori një telefonatë nga sekretarja e tij, Joan Woodgate. “Ne morëm disa telefonata që na thonin se John ishte plagosur”, kujton ai. “Më pas dëgjuam se kishte vdekur”. Ai ishte i pari nga Beatles-at e mbijetuar që e mori vesh lajmin e keq. “John ishte miku im më i dashur dhe gruan e tij e kisha shoqe dhe në momentin që dëgjon diçka të tillë…” Horrori depërtoi nëpër mjegullën anestezike të alkoolit që ishte bërë mburoja e tij kundër botës. “Nuk mund të rrosh thjesht ulur dhe të vazhdosh të pish. Çfarë mund të bësh? Ishte thjesht… Duhej që patjetër të bënim një film dhe na duhej të shkonim në New York”. Starkey i telefonoi fillimisht ish-gruas së tij, Maureen Cox në Angli. Mikja e saj, Cynthia Lennon, që ndodhej në shtëpi, u zgjua nga ulërimat. Disa sekonda më pas, Cox vrapoi drejt dhomës së saj dhe i tha: “Cyn, Johnin e kanë plagosur. Ringo është në telefon. Dëshiron të flasë me ty”. Cynthia shkoi menjëherë drejt telefonit dhe dëgjoi zërin e një burri që qante. “Cyn”, mundohej të thonte Starkey duke qarë. “Më vjen shumë keq. John ka vdekur”. Ajo rrëzoi telefonin dhe u tërbua si një kafshë e zënë në grackë.
Motra e madhe e George Harrison, Louise sapo ishte shtrirë në krevat në shtëpinë e saj në Sarasota, Florida, kur mori një telefonatë nga një mikeshë që i tregonte atë çfarë kishte parë në televizor. “Mendimi im i parë ishte se mund t’i kishte ndodhur diçka e keqe George-it”, kujton ajo. “Kur mora vesh lajmin, ndjeva dy gjëra, një valë lehtësimi që George ishte mirë dhe horror për atë çfarë i kishte ndodhur Johnit”. Ajo u mundua menjëherë t’i telefononte të vëllait, i cili ndodhej në Friar Park, mansion i tij gotik në Henley.
“Atëherë ata e mbanin telefonin poshtë shkallëve”, kujton ajo, “sepse George nuk dëshironte që ta shqetësonte zilja e telefonit natën”. Për dy orë rresht ajo i ra telefonit të tij, por nuk dëgjoi gjë tjetër përveç ziles së zgjatur. Në këtë mënyrë, ajo zgjoi vëllain e saj, Harry, i cili jetonte aty pranë. “Ulërita me të madhe që John kishte vdekur”, thotë ajo. “Harry më tha se nuk kishte kuptim ta zgjonin George-in në ato orë të para të mëgjesit pasi nuk kishte se çfarë të bënte më. ‘Do t’ja them në mëngjes kur të shkoj të marr postën’, tha ai”.
Lajmi u përhap gradualisht, si një mortajë që shpërthente në të gjitha anët. Asistenti besnik i grupit, Neil Aspinall, kishte një marrëdhënie shumë speciale me John-in. Kur e zgjuan, impulsi i tij i parë ishte t’i telefononte tezes së Johnit, Mimin. Por, Aspinall ndoqi zymtësisht hierarkinë e Beatles-ave, duke telefonuar në shtëpinë e Harrison, duke folur me Starkey, i cili po nisej drejt aeroportit Nassau, por nuk arriti dot të fliste me McCartney, i cili e mbante telefonin e fikur natën. Në vilën periferike Sussex të McCartneyt, askush nuk e hapte televizorin apo radion dhe Linda McCartney po përcillte si zakonisht fëmijët për në shkollë. Ndërkohë që ajo ishte jashtë, i shoqi hapi telefonin dhe mori vesh se personi që kishte formuar dhe shpeshherë shkundur të gjithë jetën e tij prej të rrituri, kishte vdekur.
Gruaja e tij u kthye në shtëpi. “Po hyja në rrugicën para shtëpisë”, kujton ajo, “dhe ai sapo doli nga dera e jashtme. Thjesht duke parë fytyrën e tij e kuptova që kishte ndodhur diçka e tmerrshme. Nuk e kisha parë kurrë më parë ashtu. Ishte i shkatërruar dhe i dëshpëruar”. Linda e përshkruante fytyrën e tij si të tmerrshme. Më pas ai i tregoi se çfarë kishte ndodhur. “Po të mbyll sytë, edhe tani e shikoj atë moment”, thotë ajo. “Por nuk arrij t’i kujtoj fjalët që përdori për ta përshkruar dhimbjen e tij. Thjesht arrij të shikoj skenën dhe fytyrën e tij”. Të përlotur dhe duke u dridhur, çifti u fut përsëri në shtëpi. “Ishte thjesht një çmenduri tepër e madhe për mua”, tha McCartney. “Gjithçka ndodhi si nëpër mjegull”. Një vit më vonë, McCartney-in e pyetën se si ishte ndjerë. “Nuk arrij ta kujtoj”, tha ai, edhe pse mbante mend gjithçka. Ai arriti të zbulonte emocionet drithëruese të atij momenti: “Nuk arrij dot ta përshkruaj. Nuk arrij dot ta besoj akoma. Ishte një çmenduri. Ishte mllef. Ishte frikë. Ishte çmenduri. Ishte bota që i kishte ardhur fundi”. Duke jetuar në dhimbjen e tij dhe jo në realitet, ai filloi të mendonte se mund të ishte edhe ai shinjestra e një atentati. “Filloi të mendonte nëse mund të ishte radha e tij tani”, thonte Linda McCartney, “ose nëse mund të ishte radha ime apo e fëmijëve dhe nuk dinte çfarë të mendonte, çfarë të bënte”. “Nuk arrin dot ta përtypësh këtë”, zbulon bashkëshorti i saj, “nuk arrij dot ta përtyp akoma”. George Martin, i cili supervizonte karrierën e Beatles-ave, u zgjua nga një mik i tij amerikan. “Nuk ishte një mënyrë e mirë për të filluar ditën”, kujton ai. “Menjëherë i telefonova Polit”. Të dy burrat kishin lënë takim pak më vonë në studion e Martin Londonit, ku McCartney po përgatiste një album. “I thashë: Pol, ti sigurisht që nuk do të vish sot apo jo. Ai tha, ‘Sigurisht, si mund të mos vij. Nuk arrij dot të qëndroj në shtëpi pas asaj që ka ndodhur”.
Në tjetër anëtar i Beatles duhej të regjistronte një këngë atë pasdite. Pasi i kishin thënë që albumi i tij nuk ishte komercialisht i mirë, George Harrison kishte rënë dakord të regjistronte katër këngë të reja. Bashkëpunëtorët e tij ishin Ray Cooper dhe muzikanti american Al Kooper, një njeri që vuante nga pagjumësia dhe që e kishte marrë vesh tragjedinë e Lennon-it nga BBC-ja. “I telefonova Ray-t dhe i thashë: Di gjë për këtë?”, kujton Kooper. “Duhet të shkojmë të marrin Harrison në studio. Ai duhet të punojë që ta heqë mendjen nga dhimbja, nuk mund ta lëmë ashtu si të mjerë. Udhëtuam me makinë drejt shtëpisë së tij, por kur arritëm para derës së jashtme e gjetëm oborrin të mbushur me gazetarë dhe kameramanë”.
McCartney gjeti të njëjtën situatë në studion e Martin London. “Bëra një ditë punë në gjendje shoku”, tha ai më vonë. George Martin mend mend se muzika zinte vend të dytë në terapinë e tij: “Ne shkuam atje, qanim në supet e njeri-tjetrit. I mbushnim gotat me çaj dhe uiski dhe qëndronim ashtu të ulur duke folur, duke qarë dhe duke folur. Vuajtëm për Johnin gjithë ditën dhe kjo na ndihmoi”. Miku i fëmijërisë së Lennon, Pete Shotton, i cili kishte punuar për Beatles-at nga fundi i vitit 1960 thoshte se në ato momente kishte vendosur të qëndronte me dikë që e njihte aq mirë sa ai Johnin. Ai mbërriti në shtëpinë e Harrison në mesditë. “George hapi krahët dhe më përqafoi dhe shkuam në qetësi në kuzhinën e tij për të pirë një gotë çaj. Biseduam për pak kohë, duke thënë shumë pak gjëra dhe George doli më pak nga dhoma pasi i kishte ardhur një telefonatë nga Ringo”. Më pas Starkey i hipi avionit të tij të mëngjesit për në New York. “S’kemi çfarë të bëjmë tjetër”, i thoshte Harrison Pete Shottonit, “thjesht duhet të ecim përpara.” Al Kooper u drejtua për tek kuzhina ku gjeti Harrizon të bardhë si fantazëm dhe të tronditur. “Hëngrëm të gjithë mëngjes. Harrison mori telefonata nga Pol dhe Yoko, të cilët dukej se e ndihmonin shumë të qetësonte shpirtin dhe më pas shkoi në studio për të filluar ditën e punës”.
Në New York ishin mbledhur mijëra njerëz rreth ndërtesës Dakota, të cilët prisnin të përcillnin të vdekurin. Dëri në orën 2 të mëngjesit, policët kishin ngritur barrikada, rojet ishin pozicionuar gati për të qëlluar. Yoko Ono kujton: “U ktheva përsëri këtu në shtëpi dhe shkova në dhomën tonë të gjumit që shikon nga Rruga 72. Atë natë dhe për disa javë rresht më pas, mund të dëgjoja nga jashtë vetëm fansat e tërbuar që qanin, këndonin dhe dëgonin këngët e tij. Ishte diçka torturuese, thjesht drithëruese. Ju luta asistentit të tij t’u kërkonte fansave të pushonin”. Stafi i saj informoi fansat se Ono po përpiqej të flinte dhe ju përgjigjën të gjitha telefonatave për të në një linjë private.
Djali 17-vjeçar i John-it i tha të jëmës së tij, Cynthia se dëshironte të shkonte në New York për t’i ndenjur pranë njerkës së tij dhe vëllait nga babai. “Na çuan direkt tek Yoka”, kujton Cynthia, “ajo na tha se do mund të organizonte një fluturim privat atë pasdite. Unë i thashë se isha e shqetësuar për gjendjen e djalit tim dhe se nuk mund ta lija vetëm, por Yoko ma bëri të qartë që nuk dëshironte që unë të shkoja: ‘Nuk është se ke qenë thjesht një shoqe shkolle e tij, Cynthia’, më tha ajo. Ishte diçka e pahijshme, por megjithatë unë e pranova”.
Kur Ono foli me McCartneyin disa orë më pas, toni i saj ishte më dashamirës. “Ajo ishte duke qarë dhe nga zëri dukej e dërrmuar”, tha McCartney atë pasdite, “nuk kishte asnjë ide përse një vrasës i çmendur duhej ta bënte atë gjë. Ajo donte që unë të dija se John ndihej shumë keq për gjendjen në të cilën ishte marrëdhënia me mua dhe se më donte shumë”. Për më shumë se një dekadë, Lennon dhe McCartney kishin patur marrëdhënie disi të tensionuara. Fjalët e Onos e ndihmuan të ringjallte egon e tij: “Dukej tamam sikur ajo e ndiente që mua më mundonte fakti që miqësia jonë ishte zbehur”.
Vdekja e Lennon-it i vodhi McCartneyt dhe Harrisonit personin me të cilin kishin një raport shumë të vyer. “Ngushëllimi im i vetëm për mua”, reflektoi McCartney në vitin 1992, “ishte që kur John vdiq unë rifitova përsëri miqësinë tonë. Ndihem shumë keq për George që nuk arriti dot kurrë ta bëntë këtë. Ai ishte duke debatuar me të deri ditën e fundit”. Harrison dhe Lennon nuk kishin folur bashkë për disa vjet dhe intervista e fundit e Lennonit zbuloi se ai ishte shumë i mërzitur me mikun e tij të vjetër. Megjithatë, dhimbja e Harrisonit ishte e mbushur me pikëllim dhe trishtim dhe jo me dyshime. Derek Taylor i telefonoi atij atë pasdite dhe e gjeti atë “të shokuar, tmerrësisht shumë të pikëlluar dhe tejmase të inatosur”.
Më pas ai foli me motrën e tij në Amerikë. “George më telefonoi”, tha Luoise Harrison “dhe ishte shumë i mërzitur. Ai më tha vetëm, ‘bëhu e padukshme”. Më pas, Harrison u kthye në studion e tij në shtëpi. Al Kooper raportoi: “Ne e dehëm atë dhe vazhdonim aq sa mundeshim t’ja zinim kohën me punë derisa nuk kishte më me çfarë të merrej”.
Ndërkohë që McCartney dhe Harrison e mbysnin dhimbjen me alkool dhe shoqëri, Richard Starkey dhe Barbara Bach fluturonin drejt New Yorkut. “Duhej patjetër të përshëndesnim dhe të mbështesnim gruan e mikut tonë”, shpjegon ai, “thjesht për t’i thënë ‘Si je’ dhe ‘jemi këtu për ty”. Ata i telefonuan Onos në Dakota. “Yoko në fakt nuk kishte dëshirë të shikonte asnjeri. Ishte me të vërtetë shumë e lëkundur. Kështu që bëmë disa xhiro nëpër qytet derisa ajo na tha të shkonim atje. Shkuam në apartament dhe ajo tha se donte të më shikonte mua, ndoshta ngaqë më njihte prej më shumë kohësh dhe Barbarën e kishte takuar vetëm dy herë”. Ono pranoi t’i takonte ato për një mbledhje të shkurtër traumatike. “Më pas morëm avionin dhe ikëm përsëri”, tha Starkey, “ndoshta ngaqë nuk ndiheshim shumë mirë në New York në ato kohë”.
Në Londër, efekti mpirës i McCartney-t që kishte filluar të bënte muzikë si solist ishte zbehur disi, kështu që ai doli për të shëtitur në rrugën Oxford. Një valangë reporterësh rrethuan befas limuzinën e tij duke bërë pyetje evidente, por që ai e kishte të pamundur t’u kthente përgjigje. McCartney u tregua i sjellshëm, por nuk fliste, rrinte vetëm duke u përtypur me nervozizëm. Ai i ngjeshi të gjitha ato që kishte për të thënë, por që nuk arrinte dot t’i shprehte në tre fjalë, të cilat i hodhi me përbuzje drejt mikrofonave të shumtë: “Tmerr apo jo?”. Më pas, siç nuk e kishte për zakon të bënte, përshëndeti me dorë telekamerat dhe u fsheh menjëherë në makinën e tij ku ndihej i sigurt. “Sapo e kisha përfunduar të gjithë ditën në shok total”, reflektoi më pas. “Thashë tmerr, duke theksuar domethënien më të rëndë të fjalës”. Dhe kjo ishte kuptuar nga të gjithë.
Të gjitha gazetat lokale e shpallën JOHN LENNON një “hero”. Vdekja dhe jeta e tij u krahasua me atë të Kenedit. Revista “Times” deklaroi: “Lennon ishte thjesht një pjestar i grupit, por megjithatë ishte më karizmatiku, më interesanti dhe ndoshta më i rëndësishmi i tyre”. Ndërsa, revista “People” mbante si titull kryesor fjalët: “Ditën që muzika vdiq…”
Komentet