Harta e re gjyqësore, që parashikon shkrirjen e disa gjykatave në rrethe rrezikon të nxjerrë “jashtë loje” mijëra avokatë në Shqipëri.
Avokatët në qytetet kryesore të vendit e kanë kundërshtuar hartën e re të gjykatave dhe thonë se kjo do të largojë institucionin nga qytetarët dhe do të shtojë kostot e procesit duke e bërë më të vështirë gjetjen e drejtësisë.
Kundër kësaj nisme kanë dalë avokatët e Lushnjes, Shkodrës, Lezhës, Korçës e disa rretheve të tjera që preken nga kjo skemë e re. Një ditë më parë avokatët e Lushnjes paralajmëruan bojkot të punës së tyre, ndërsa më herët avokatë të tjerë kanë paralajmëruar pasoja të rënda për sistemin e drejtësisë.
Sipas tyre, projekti i ri shkel të drejtat e qytetarëve për akses në drejtësi dhe e zhyt sistemin në krizë, ndërsa shtojnë se skema e re nuk i shërben qytetarëve dhe i zhyt sistemin në vështirësi duke sjellë vështirësi financiare për qytetarët.
Ata shtojnë më tej se, kjo hartë e re është jo funksionale dhe largon qytetarin nga drejtësia. Po ashtu sipas tyre, sjell edhe kosto të larta sociale e ekonomike.
Avokatët Neshat Fana dhe Vladimir Meçi shpjegojnë pasojat e hartës së re gjyqësore
I pyetur në lidhje me këtë çështje, avokati i njohur Neshat Fana deklaroi sot për “Gazeta Shqiptare” se ky projekt prek të gjithë avokatët nëpër rrethe të ndryshme të vendit, që nuk do të kenë gjykata.
“Janë gjithsej 15 mijë avokatë në Shqipëri, ku 90 për qind e tyre luftojnë për një rrogë 500 mijë lekëshe. Pjesa dërmuese e tyre pas shkrirjes së gjykatave do të ngelen pa punë. Vetëm Tirana nuk preket. Në kryeqytet ka avokatë profesionistë, dhe do u shtohet puna. Problemi është te mijëra avokatë që ushtrojnë profesionin e tyre nëpër rrethe”, tha Fana.
Ndërkohë, ai mori si shembull Sarandën për të ilustruar problematikën që krijohet në këto raste, kur avokatët e këtij qyteti do duhet, sipas hartës së re, që t’i ndjekin çështjet në Gjirokastër, dhe kjo për ta është kosto.
“Po marr si shembull Sarandën, ku janë 30-40 avokatë. Ata do të mbeten pa punë, pasi nëse do të shkojnë për të ndjekur çështjet në Gjirokastër, askush nuk i paguan për rrugën. Qytetarët në Gjirokastër do u drejtohen për ndihmë ligjore avokatëve në këtë rreth. E njëjta gjë është dhe për avokatët në rrethe të tjera. Avokatët duhet ta abondonojnë këtë projekt që i prek drejtpërdrejt në profesionin e tyre.”, deklaroi Fana.
I kontaktuar në lidhje me këtë çështje, avokati i njohur Vladimir Meçi u shpreh se ky projekt ndan qytetarët në qytetarë të dorës së parë dhe të dorës së dytë dhe krijon shumë probleme për vetë shtetin si edhe për kolegët e tij avokatë nëpër rrethe. Sipas tij, drejtësia do të jetë efikase ku edhe qytetarët e thjeshtë të kenë akses në të.
“Reduktimi i Gjykatave të Rrethit dhe fuksionimi i vetëm një Gjykate Apeli me Hartën e re Gjyqësore, do të sjellë pasoja të rënda për qytetarët. Projekti i propozuar dhunon aksesin e barabartë të qytetarëve nëpër gjykata, pasi qytetarët e qyteteve të vogla që mbeten pa gjykatë, do u drejtohen rretheve. Ngritja e një Gjykate të vetme Apeli në Tiranë do të sjellë pasoja të rënda për qytetarët. Rrit kostot e shpenzimet e tyre, angazhimin e mbrojtësve dhe të policisë së burgjeve në kurriz të taksave të shtetit”, tha Meçi.
Sipas tij nuk është marrë parasysh problematika e madhe që u krijua nga përqëndrimi Gjykatës së Apelit Administrativ në Tiranë.
“Ne kemi patur përvojë të hidhur me këtë gjykatë, ku ende ka dosje të viteve 2015-2016 që nuk janë shqyrtuar. Pastaj reduktimi i gjykatave, rrit numrin e çështjeve të mbartura, zvarritjen e dosjeve. Projekti i propozuar është një lëmsh i vërtetë”, deklaroi avokati Vladimir Meçi.
Konsultimet dhe diskutimet publike për hartën e re gjyqësore:
Në Tiranë, përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë nisën muajin e kaluar një diskutim publik mbi hartën e re gjyqësore të vendit. Harta e re riorganizon institucionet e drejtësisë në 12 rrethe gjyqësore dhe vetëm një Prokurori Apeli.
Autoritetet pranuan se largimi i shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve prej reformës dhe vetingut ka futur në emergjencë gjithë sistemin gjyqësor, i cili është mbingarkuar nga mijëra procese të prapambetura.
Harta e re gjyqësore e Shqipërisë është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë që në shtator të vitit të kaluar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, por diskutimet nisën muaj më vonë.
Gjendja është edhe më e rëndë në Gjykatën e Apelit Administrativ, ku sipas të dhënave zyrtare, mbipesha ka shkuar 3 mijë cështje për cdo gjyqtar, si dhe në Gjykatën e Apelit të Tiranës ku raporti është 2 mijë e 500 çështje për çdo gjyqtar.
Ngarkesa tashmë vazhdon prej vitesh, ndërsa kulmi ka arritur në Gjykatën e Lartë, ku presin të marrin zgjidhje mbi 35 mijë çështje.
Para se të dorëzohej në Ministri, projekti i hartës së re gjyqësore u këshillua në detaje me Këshillin e Europës, USAID, Euralius sipas standarteve europiane dhe sipër kërkesave të ligjit për pushtetin gjyqësor.
Ministri i drejtësisë Ulsi Manja, u shpreh gjatë prezantimit të kësaj harte se, reforma synon drejtësi cilësore dhe të shpejtë, ndërsa harta e re do ta afrojë më shumë gjykatën me qytetarët. Ai theksoi se harta do të zbatohet për 6 muaj dhe qeveria garanton zbatimin e plotë të hartës gjyqësore pas hyrjes së saj në fuqi.
Prej dy vjetësh Këshilli i Lartë Gjyqësor ka rritur edhe kuotat e pranimit në Shkollën e Magjistraturës, e cila furnizion sistemin me gjyqtarë të rinj, por kjo masë pritet të sjellë përmirësim në një periudhë 3-5 vjeçare në Gjykatat e Shkallës së Parë.
Si do të bëhet ndarja me hartën e re gjyqësore:
Sistemi i Drejtësisë do të ketë 12 gjykata të juridiksionit të përgjithshëm dhe 1 gjykatë Apeli në Tiranë, nëse propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor do të marrë miratimin në Këshillin e Ministrave. KLGJ në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë prezantoi riorganizim e hartës gjyqësore, duke propozuar që secili qark të ketë nga një gjykatë.
Kjo do të jetë harta e re, ku 10 Gjykata do të shkrihen. Përkatësisht, Gjykata e Matit, do të bëhet pjesë e Gjykatës së Dibrës. Gjykata e Kavajës dhe Krujës do të bashkohen në Durrës. Gjykata e Lushnjës do të shkojë në Fier. Ajo e Sarandës dhe Përmetit do të bëhen një me Gjirokastrën. Gjykata e Tropojës do të shkojë në Kukës.
Pogradeci do të jetë pjesë e Gjykatës së Korçës, Kurbini do zhvendoset në Lezhë dhe Gjykata e Pukës do të bashkohet me Shkodrën. Godinat ekzistuese do të jenë në funksion për të dhënë shërbime të tjera administrative.
Sipas të njëjtit propozim 5 Gjykata të Apelit do të mblidhen në Tiranë. Ndërkohë Gjykatat Administrative do të jenë dy, njëra në Tiranë dhe tjetra në Lushnjë. gsh
Komentet