Krahas pandemisë, në Shqipëri dhe Kosovë u mbajtën zgjedhje parlamentare, si dhe ato lokale në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë
Vaksinimi kundër koronavirusit të ri (COVID-19), variantet e reja të koronavirusit në mbarë botën, përfshirë edhe në rajon, shënuan këtë vit që lamë pas, raporton Anadolu Agency (AA).
Krahas pandemisë, në Shqipëri dhe Kosovë u mbajtën zgjedhje parlamentare, si dhe ato lokale në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Në rajon nuk munguan edhe tragjeditë, zjarri në spitali modular në Tetovë që la 14 të vdekur dhe autobusi i pasagjerëve me targa të Maqedonisë së Veriut që mori flakë në perëndim të kryeqytetit Sofje të Bullgarisë, ku humbën jetën 45 persona, përfshirë 12 fëmijë.
Maqedoni e Veriut
– Më 2 janar një diplomate e Maqedonisë së Veriut në Kombet e Bashkuara (OKB) u gjet e vdekur në banesën e saj në Manhattan në New York.
– Më 21 janar Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi propozim-ligjin për regjistrimin e popullsisë, ekonomive dhe banesave, ligj me të cilin u mundësua që vendi të zbatojë regjistrimin pas 19 vitesh.
– Më 17 shkurt në hapësirat modulare të Klinikës Infektive në Shkup filloi vaksinimi kundër koronavirusit të ri (COVID-19), fillimisht me punonjësit shëndetësor të angazhuar në klinikat për trajtimin e pacientëve të prekur nga virusi
– Më 26 shkurt në një vendim të Gjykatës Themelore Penale të Shkupit në rastin “Target-Fortesa”, ish-kreu i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK) të Maqedonisë së Veriut, Sasho Mijallkov, u dënua me 12 vjet burg, kurse ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulovska, me katër vjet.
– Më 26 shkurt në protestat e mbajtura në Shkup kundër vendimit gjyqësor “Monstra”, që shpalli tre dënime të përjetshme për veprën penale “terrorizëm”, u shënuan tensione dhe përleshje midis protestuesve dhe forcave policore të cilët nuk lejuan protestuesit të vazhdojnë marshin drejt godinës së qeverisë.
– Më 5 prill në Maqedoninë e Veriut filloi imunizimi masiv i popullsisë kundër koronavirusit të ri (COVID-19), pasi fillimisht më herët filloi imunizimi vetëm i punonjësve shëndetësor.
– Më 29 korrik në Forumin Ekonomik Rajonal, të mbajtur në Shkup, pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve midis kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, atij të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nisma e quajtur “mini-Shengen” për bashkëpunim midis vendeve të Ballkanit Perëndimor u emërua zyrtarisht “Open Balkan” (Ballkani i hapur).
– Më 2 gusht zjarri pyjor kaploi malin mbi qytetin e Koçanit, i cili përfshiu disa shtëpi në vijën e parë poshtë malit, pas çka ditën e nesërme autoritetet njoftuan se zjarri është vendosur nën kontroll.
– Më 5 shtator filloi regjistrimi i popullsisë, amvisërisë dhe banesave në Maqedonisë e Veriut, i cili zgjati deri më 30 shtator dhe ku u regjistruan 1.832.696 persona, 568.175 amvisëri dhe 837.255 banesa, duke përjashtuar 204.805 shtetas të vetë-regjistruar në diasporë.
– Më 31 gusht përmes Tbilisit, Gjeorgji, në Aeroportin Ndërkombëtar Shkup mbërritën 149 qytetarët e parë të Afganistanit që u strehohuan në vend.
– Më 9 shtator u kaplua nga zjarri spitali modular në Tetovë, ku po trajtoheshin pacientë të prekur nga koronavirusi i ri (COVID-19), tragjedi në të cilën humbën jetën 14 persona dhe mbetën të plagosur dhjetëra të tjerë.
– Më 17 tetor në Maqedoninë e Veriut u mbajt raundi i parë i zgjedhjeve lokale në 80 komuna të vendit dhe Qytetin e Shkupit, ndërsa raundi i dytë u mbajt më 31 tetor.
– Më 11 nëntor opozita në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut duhej të votohej iniciativa e opozitës për mosbesim ndaj qeverisë, por e njëjta dështoi për shkak se nuk kishte kuorum të mjaftueshëm, respektivisht nuk ishin 61 nga gjithsej 120 deputetë.
– Më 12 nëntor Lëvizja BESA, e cila ishte pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut, njoftoi dorëheqjen e ministrave, zv/ministrave dhe drejtorëve të institucioneve qeverisëse të vendit, për shkak të pretendimit të tyre për “cenim të demokracisë” në zgjedhjet e fundit lokale në vend.
– Më 23 nëntor një autobus pasagjerësh me targa të Maqedonisë së Veriut, i cili po kthehej nga Stambolli drejt Shkupit, mori flakë në perëndim të kryeqytetit Sofje të Bullgarisë, ku humbën jetën 45 persona, përfshirë 12 fëmijë, ndërsa shtatë të tjerë mbetën të plagosur.
– Më 23 dhjetor Kuvendi i Maqedonisë së Veriut konstatoi dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev dhe të qeverisë së tij, i cili dha dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe posti i kreut të partisë në pushtet, Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), pas rezultateve të pafavorshme në zgjedhjet lokale.
Shqipëri
– Më 11 janar Shqipëria filloi zyrtarisht fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit të ri (COVID-19), fillimisht me personelin shëndetësor, pastaj mësuesit, efektivët e policisë në terren dhe moshat mbi 75-vjeç, për të vazhduar më pas me vaksinim masiv me kategori të tjera sipas grupmoshave.
– Më 21 prill u inaugurua Spitali Rajonal Memorial në Fier, i ndërtuar me mbështetjen financiare të Turqisë. Pjesë e spitalit është një staf i përbashkët shqiptaro-turk që ofron shërbime për qytetarët shqiptarë në disa fusha. Spitali për 3 vite do të administrohet bashkërisht nga Shqipëria dhe Turqia.
– Më 25 prill u mbajtën zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, ku Partia Socialiste (PS) e drejtuar nga kryeministri Edi Rama fitoi mandatin e tretë qeverisës. Partia në pushtet fitoi 74 mandate nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë, partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) fitoi 59 mandate, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) fitoi 4 mandate dhe 3 mandate i fitoi Partia Socialdemokrate (PSD).
– Më 26 prill filloi stërvitja ushtarake “Defender Europe 21”, që u zhvillua për disa javë në territorin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit me pjesëmarrjen e trupave nga shtete të Ballkanit dhe më gjerë.
– Më 19 maj Ambasada e SHBA-së në Shqipëri njoftoi vendimin e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për shpalljen e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, si person i papërshtatshëm për të hyrë në SHBA për “veprimet korruptive dhe minim të demokracinë në Shqipëri”. Pas shpalljes së Berishës “non grata” nga SHBA-ja, kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, vendosi të përjashtojë nga grupi parlamentar i kësaj partie ish-kryeministrin Berisha, vendim që shkaktoi përplasje brenda PD-së.
– Më 9 qershor Kuvendi i Shqipërisë votoi pro shkarkimit të presidentit të vendit, Ilir Meta, pas kërkesës nga Partia Socialiste e Shqipërisë, e cili inicioi në fund të prillit një kërkesë drejtuar Kuvendit për shkarkimin e presidentit Meta me argumentin se përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ai “ka kryer veprime në kundërshtim me Kushtetutën”.
– Më 10 qershor në Tiranë u mbajt samiti i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që kishte në fokus ekonominë dhe bashkëpunimin rajonal. Në këtë samit morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija dhe komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
– Më 14 qershor Lulzim Basha u rizgjodh kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë për një mandat katërvjeçar, gjatë procesit ku votuan anëtarët e partisë më të madhe opozitare në vend. Në garë për këtë post ishin kryetari aktual Basha, deputeti i zgjedhur i kësaj partie Agron Shehaj, ish-zv/ministrja e Jashtme, Edit Harxhi dhe ish-deputeti i PD-së, Fatbardh Kadilli.
– Më 27 gusht në Shqipëri mbërriti avioni i parë me shtetas afganë, ku më pas përgjatë disa javëve mbërritën edhe qindra shtetas të tjerë afganë, mes tyre edhe fëmijë. Afganët u pranuan të strehohen përkohësisht nga Shqipëria, sipas autoriteteve shqiptare derisa të përpunohen aplikimet e tyre për të emigruar për në SHBA apo vende të tjera.
– Më 10 shtator Lindita Nikolla, deputete e Partisë Socialiste të Shqipërisë, u zgjodh kryetare e re e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, pas votimit të deputetëve në seancën e konstituimit të legjislaturës së re.
– Më 14 shtator kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, realizoi një vizitë në Shqipëri, duke u pritur me ceremoni shtetërore nga kryeministri Edi Rama. Merkel gjatë vizitues në Shqipëri takoi edhe liderë të vendeve të Ballkanit.
– Më 18 shtator betohet qeveria e re e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, duke filluar zyrtarisht detyrën. Partia Socialiste e drejtuar nga Rama fitoi mandatin e tretë qeverisës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
– Më 22 shtator ish-kryeprokurori i Shqipërisë, Adriatik Llalla, u dënua me dy vite burg për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Sipas autoriteteve shqiptare, pas ndalimit të tij në Romë, kanë filluar procedurat për ekstradimin e Llallës nga Italia në Shqipëri, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
– Më 15 tetor në ambientet e një hoteli në një fshat të Kavajës, u gjetën të vdekur katër shtetas rusë, të cilët sipas policisë dyshohet se kanë ndërruar jetë nga asfiksia.
– Më 4 nëntor Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë për shpalljen antikushtetuese të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, zgjedhje që u bojkotuan nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike, dhe disa parti të tjera. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë kishte kërkuar shpalljen si antikushtetuese të zgjedhjeve vendore të vitit 2019 dhe përsëritjen e tyre, me arsyetimin se janë zhvilluar në kundërshtim me Kushtetutën.
– Më 10 dhjetor një përfaqësi e trupit gjykues nga Gjykata e Qarkut të Stokholmit mbërriti në Shqipëri për të marrë dëshmi të disa anëtarëve të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK) për procesin ndaj ish-zyrtarit iranian Hamid Noury, për ngjarjet e vitit 1988 në Iran. Seancat për marrjen e dëshmive u zhvilluan për disa ditë, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, e cila u vendos në dispozicion nga autoritetet shqiptare për të marrë dëshmitë.
– Më 26 nëntor në Elbasan u mbajt mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës, e cila ishte mbledhja e shtatë e përbashkët qeveritare mes dy vendeve, ndërkohë u nënshkruan edhe disa marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi në fusha të ndryshme.
– Më 20 dhjetor në Tiranë u mbajt protestë kundër vizitës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe kundër nismës “Ballkani i Hapur”, protestë e thirrur nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe mbështetur nga simpatizantë të partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë. Gjatë protestës u shënuan edhe incidente, pasi u grisën dhe dogjën flamujt e Serbisë.
– Më 21 dhjetor në Tiranë u mbajt takimi i radhës për nismën “Ballkani i Hapur”, me pjesëmarrjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Gjatë takimeve, mes vendeve pjesëmarrëse në këtë nismë u nënshkruan disa marrëveshja për kushtet për qasje të lirë në tregun e punës, për ndërlidhjen e skemave për identifikimin elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja të tjera.
– Më 28 dhjetor në qytetin e Laçit u dorëzuan banesat e ndërtuara me financimin e Turqisë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, në një ceremoni me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të vendit dhe përfaqësuesve të institucioneve turke në Shqipëri. Projekti i financuar nga Turqia i cili përfshin 522 apartamente, por edhe njësi tregtare dhe qindra vende parkimi u zhvillua nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Turqisë (TOKI) me udhëzim të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Kosovë
– Më 1 shkurt Kosova dhe Izraeli nënshkruan marrëveshje për “marrëdhënie të plota diplomatike” dhe njëherësh Izraeli e njohu zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. Palët u pajtuan që të zhvillojnë takime për të konkretizuar hapjen e Ambasadës së Kosovës në Kuds, ndërsa kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se marrëveshja midis dy shteteve vjen nga Marrëveshja e 4 shtatorit (2020) në Shtëpinë e Bardhë në Washington.
– Më 11 shkurt Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli fajtor dhe dënoi me 12 vjet burgim ish-pjesëtarin e grupeve kriminale serbe, Zoran Gjokiq, i akuzuar për krime lufte të kryera gjatë marsit të vitit 1999 në lagjen Kristal të Pejës.
– Më 14 shkurt në gjithë territorin e Kosovës u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Nga 100 për qind të votave të rregullta të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje ka numrin më të madh të votuesve, apo 47.85 për qind.
– Më 29 mars pas mbërritjes së 24 mijë dozave të vaksinës AstraZeneca në kuadër të programit COVAX në Kosovë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bë qytetari i parë që pranoi vaksinën kundër koronavirusit të ri (COVID-19).
– Më 4 prill Vjosa Osmani u zgjodh nga deputetët e Kuvendit të Kosovës presidente e Kosovës.
– Më 16 prill ekipi kosovar ka fituar dy medalje në Kampionatin Evropian në xhudo, në Lisbonë të Portugalisë. Xhudistja kosovare Distria Krasniqi e fitoi medaljen e artë duke u bërë kampione evropiane në kategorinë deri 48 kilogramë, pasi e mposhti në finale ukrainasen Daria Bilodid, ndërsa Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kilogramë duke e mposhtur gjeorgjianen Eteri Liparteliani.
– Më 21 maj kabineti qeveritar i Kosovës miratoi nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinën, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve ndërmjet këtyre vendeve. Marrëveshja parasheh mundësinë që qytetarët e Kosovës dhe ata të Bosnjë e Hercegovinës të hyjnë në territoret e njëra-tjetrës për herë të parë me letërnjoftime biometrike për një periudhë të caktuar.
– Më 11 qershor dhjetëra studentë të Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” protestuan lidhur me liturgjinë e mbajtur nga klerikë të Kishës Ortodokse Serbe në objektin e papërfunduar të kishës, e cila ndodhet në oborrin e kampusit universitar në Prishtinë. Rituali i tyre u mbajt pa njoftimin e institucioneve të Kosovës në kishën e cila është paditur nga Universiteti i Prishtinës, i cili pretendon se këtë pronë e ka pasur në shfrytëzim të lirë dhe të papenguar nga dhjetori i vitit 1975 dhe se e njëjta ka qenë pjesë e kampusit të universitetit.
– Më 24 qershor kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në Pallatin Elysée në Paris nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Në takim u diskutua bashkëpunimi bilateral, përfshirë potenciali ekonomik dhe hapësira për kompanitë franceze për investime në Kosovë, me theks përfshirjen e mërgatës kosovare, por gjithashtu edhe dialogu Kosovë-Serbi dhe përparësitë e një qasje konstruktive nga të dyja palët.
– Më 1 korrik kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim në Prishtinë sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin diskutuan për rolin e aleancës në Kosovë dhe bashkëpunimin për sigurinë në vend. Kurti ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe qeverisë për kontributin e çmuar të NATO-s në Kosovë dhe rëndësinë e KFOR-it për siguri dhe stabilitet në rajon. Stoltenberg u takua gjatë vizitës së tij edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe vizitoi bazën e KFOR-it në Prishtinë.
– Më 7 korrik deputetët e Kuvendit të Kosovës me iniciativë të deputetëve të komunitetit boshnjak kanë miratuar rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi i Srebrenicës në Bosnjë e Hercegovinë i vitit 1995. Rezoluta u miratua me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa të gjithë shefat e grupeve parlamentare, përpos nga partia Lista Serbe, i dhanë mbështetje rezolutës.
– Më 13 korrik Komuna e Deçanit ka marrë vendim që të shpallë gjendje emergjente në gjithë territorin e komunës së saj, pasi rreth 1.500 qytetarë atje kërkuan ndihmë mjekësore pasi dyshohej se u helmuan nga uji.
– Më 18 korrik në pikën Restelicë-Strazimir u hap vendkalimi i ri kufitar në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
– Më 24 korrik xhudistja nga Kosova, Distria Krasniqi, fitoi medaljen e artë në xhudo duke mundur në finale japonezen Funa Tonaki. Distria Krasniqi u shpall fituese në kategorinë deri në 48 kilogramë.
– Më 25 korrik dhjetë qytetarë të Kosovës humbën jetën dhe mbi 30 të tjerë u plagosën si pasojë e një aksidenti që ndodhi në Sllavonski Brod të Kroacisë, pasi autobusi ishte nisur nga Gjermania drejt Kosovës. Të nesërmen presidentja Vjosa Osmani shpalli ditë zie në Kosovë.
– Më 20 shtator Kosova filloi reciprocitetin për targat e automjeteve me Serbinë, respektivisht autoritetet njoftuan se nga 15 shtatori targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës janë ato me denominimin ‘RKS’. Kjo gjë zgjoi reagime tek serbët të cilët jetojnë në komunat veriore të vendit duke protestuar me bllokim të rrugëve që çonin në dy pika kufitare me Serbinë me automjete të rënda.
– Më 27 shtator kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë. Duke folur rreth tensioneve të krijuara në veri të vendit pas vendosjes së reciprocitetit me targa, kryeministri Rama tha se drejtësia qëndron në anën e Kosovës.
– Më 30 shtator nga Kizhevaku i Serbisë u kthyen në Kosovë eshtrat e shtatë personave të zhdukur në luftë dhe pjesë të dy personave të tjerë të zhdukur që nga Masakra e Rezallës në Komunën e Skenderajt gjatë luftës së vitit 1999.
– Më 5 tetor Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli fajtor Goran Stanishiqin duke e dënuar me 20 vjet burgim për vrasjen e 13 civilëve gjatë luftës në Kosovë.
– Më 17 tetor u mbajtën zgjedhjet e rregullta lokale ku kryetarët e 17 komunave fituan garën, ndërsa 21 komuna të tjera ri-garuan më 14 nëntor në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
– Më 27 tetor qeveria e Kosovës miratoi propozim vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për zbatimin e sanksioneve konform rezolutës 1373 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndaj shtatë individëve dhe kompanisë “AIDar Properties” të lidhur me organizatën terroriste “Hezbollah”.
– Më 26 nëntor një shofer autobusi dhe dy nxënës të shkollës së mesme humbën jetën dhe një tjetër u plagos në fshatin Gllogjan të Komunës së Deçanit si pasojë e të shtënave në drejtim të tyre derisa ndodheshin në autobus.
– Më 6 dhjetor kampionia e artë olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendi, mbylli zyrtarisht karrierën e saj si sportiste aktive për të vazhduar me si trajnere në krah të trajnerit të saj, Driton Kuka.
– Më 17 dhjetor Kuvendi i Kosovës miratoi buxhetin e vitit 2022 prej 2 miliardë e 748 milionë eurove.
– Më 20 dhjetor Kosova nënshkroi marrëveshje për t’ia dhënë “me qira” Danimarkës Qendrën e Paraburgimit në Gjilan e cila ka kapacitet për 300 të burgosur, marrëveshje e cila pritet të zbatohet nga viti 2023 dhe do të zgjasë për 10 vite, ndërsa Kosova pritet të fitojë 210 milionë euro.
Komentet