Në Shqipëri të hënën (20 dhjetor) do të mblidhen liderët e nismës për bashkëpunim rajonal “Ballkani i Hapur”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të jetë nikoqir i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Sipas agjendës së publikuar, më 20 dhjetor Rama, Vuçiq dhe Zaev do të marrin pjesë në një darkë zyrtare në Elbasan, ku pritet të jetë i pranishëm përfaqësuesi i Këshillit Atlantik Jim O’Brien si dhe Alex Soros, drejtuesi i fondacionit “Shoqëri e Hapur”.
Ndërkaq, më 21 dhjetor, tri liderët do të zhvillojnë takim në Tiranë dhe në këtë takim, përmes video-lidhjes do të marrë pjesë edhe Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.
Lidhur me ardhjen e Vuçiqit në Shqipëri, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka thënë se do të organizojë protestë mbarëkombëtare, pasi, siç ka thënë më 18 dhjetor, kjo nismë “është kërcënim kombëtar“.
Ditën e hënë, Berisha përmes një postimi në Facebook ka listuar arsyet pse ka thirrur këtë protestë, duke thënë ndër tjerash se Vuçiq është “është ministër i (ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan) Millosheviqit dhe se ai akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga Serbia dhe vazhdon të ndjekë politikën e shefit të tij”.
“Kosova ka akoma plagë të hapura për të cilat Vuçiq është nga përgjegjësit kryesorë. Përveç kësaj, ai edhe mohon krimet, masakrat dhe gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës në luftë, andaj nuk është i denjë që të pritet në Tiranë e aq më pak që të bashkëpunohet me të”, shkroi Berisha në një nga arsyet e tij.
Në anën tjetër, gjatë ditës së hënë, ndërtesa e kryeministrisë është “blinduar” me dyer të hekurta dhe nga Policia e Shtetit bëhet e ditur se do të ketë masa të shtuara të sigurisë nëpër gjithë kryeqytetin e Tiranës.
Iniciativa e Berishës vjen pas një referendumi të mbajtur ditën e shtunë, ku u tha se 43,385 anëtarë të Partisë Demokratike votuan për largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i kësaj partie. Berisha tha se përmes këtyre protestave “do të fillojë opozitarizmi në Shqipëri”.
Ndryshe, në nismën “Ballkani i Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut dhe kjo iniciativë u iniciua nga krerët e këtyre shteteve në tetor të vitit 2019.
Fillimisht kjo nismë u quajt “Mini-Shengen” dhe parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve.
Në korrik të këtij viti, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri, “Ballkani i Hapur”.
Në nismën “Ballkani i Hapur” nuk bëjnë pjesë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.
Udhëheqësit në Kosovë argumentojnë se kjo nismë është e dëmshme, nuk është e ndërtuar mbi parimet themelore të bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe nuk pranon trajtimin e barabartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Shoqeria e hapur ne veprim per planin kalergi.