RFE/RL
Organizata Reporterët pa Kufij (RSF) thotë se 488 gazetarë dhe punëtorë të mediave aktualisht janë të burgosur në shtete të ndryshme.
Numri paraqet shifrën më të lartë të gazetarëve apo punëtorëve në media, të arrestuar që nga koha kur RSF-ja filloi të publikonte raportin vjetor më shumë se 25 vjet më parë.
Numri i profesionistëve të mediave të arrestuar për shkak të punës së tyre u rrit për 20 për qind, krahasuar me vitin e shkuar për shkak të shtypjes së madhe të mediave në Mianmar, Bjellorusi dhe Hong Kong, thuhet në raportin vjetor për lirinë e mediave të publikuar më 16 dhjetor nga Reporterët pa Kufij.
Në anën tjetër, numri i punëtorëve të vrarë të mediave këtë vit, 46, është më i ulëti që nga koha kur organizata me seli në Paris filloi të publikonte raportet vjetore në vitin 1995. Kjo shifër është rezultat kryesisht i “zbutjes së konflikteve” në Siri, Irak dhe Jemen, shkruan tutje në raport.
Megjithatë, shtetet më të rrezikshme për gazetarët sërish mbesin Meksika dhe Afganistani, ku u shënuan gjashtë, respektivisht shtatë vdekje. Shumica e sulmeve ndaj gazetarëve në Afganistan u kryen nga grupe lokale militante të ndërlidhura me grupin militant Shteti Islamik apo vetë talibanët derisa kryesit e këtyre sulmeve vazhdojnë të jenë “krejtësisht të pandëshkuar”.
Kina mbetet shteti me më së shumti gazetarë dhe punëtorë të mediave të burgosur për të pestin vit radhazi. Aktualisht, 127 persona janë nëpër burgje për shkak të rritjes së kontrollit të Pekinit ndaj Hong Kongut, shkruan në raport.
Mianmari është shteti i dytë me 53 gazetarë të burgosur, i pasuar nga Vietnami me 43.
Në Bjellorusi janë 32 gazetarë të burgosur dhe punëtorë të tjerë të medive sikurse menaxherë, drejtorë, kontabilistë apo edhe avokatë, krahasuar me shtatë sa ishin vitin e shkuar.
Udhëheqësi autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, nisi fushatën e tij brutale të shtypjes së lëvizjeve pro-demokratike dhe ndaj mediave të pavarura në kohën kur në vend u organizuan shumë protesta pas rizgjedhjes së tij të kontestuar në gusht të vitit 2020.
Shumë më shumë gra sesa burra u arrestuan në Bjellorusi. Nga të arrestuarit, 17 janë gra, ndërkaq 15 janë burra, derisa RSF-ja thotë se kjo ndodhi për shkak të “përfundimit të tolerancës patriarkale të autoriteteve bjelloruse, të cilat u zunë në befasi nga roli i grave qysh nga fillimi i nisjes së protestave”.
Sipas organizatës, kurrë më parë nuk u regjistruan kaq shumë gazetare gra të burgosura kudo në botë me numrin total që arrin në 60. Ky numër është për një të tretën më i lartë sesa vetëm një vit më parë.
Po ashtu, sipas Reporterëve pa Kufij, 65 gazetarë dhe kolegë mbahen peng gjithandej. Shumica prej tyre janë në Lindje të Mesme respektivisht Siri, Irak e Jemen përpos një gazetari francez që po mbahet në Mali.
Komentet