Ky shkrim i botuar për herë të parë nga autorja e mirënjohur Nadire Buzo më 2008, ribotohet si rekujem me rastin e largimit nga kjo jetë të bijës të Mësueses Çezarina Laca, aktores të shquar Edi Luarasi.
———–
Kalojnë vite e vite dhe koha seleksionon gjithçka. Në kujtesë mbetet një shëmbëllim. Ti sigurisht që i ngjan gjenit të trashëguar, por fillon e kërkon shëmbëlltyrën, pasqyrën shpirtërore ku ke parë virtytet.
E ndërsa del përpara gjyshja, ati, nëna e të tjera gjini fisnore dhe ti sheh reflekset gjenetike me të cilat mburresh, mendja ka fiksuar dhe të tjerë njerëz, të cilët jeta i ka sjellë te ty apo ti ke vrapuar drejt tyre. Pak rëndësi ka kjo. Në pasqyrën ku je parë dhe të ka pëlqyer vetja të ka shëmbëllyer dikush.
Një grua me trup të pakët, elegante, me flokë ngjyrë gruri, me sy bojë qielli të bukur, pa tualet, e veshur thjesht e me gusto dhe shumë e rregullt. Pastërtia e shpirtit do të reflektonte në të gjthë qënien e saj.
Ndërsa ti nuk ke trashëguar asgjë, as sytë, as flokët, as pamjen e thjeshtë, ti përsëri i shëmbëllen… Ti vazhdon të kujtosh e të tregosh, si dhe të përpiqesh t’i ngjasosh, të shihesh në pasqyrën tënde shpirtërore.
Ajo qe shndërruar në një idhull në jetën time. E quanin Çezarina Laca.
Çezarina Laca ishte mësuesja ime e klasës së parë.
Në jetë do të kisha shumë mësues e pedagogë, por në kujtesën time do të hynin ata më të mirët dhe, në të kundërtën, ata më të këqinjtë, mesatarët, i kam harruar fare, ndërsa të ligjtë përpiqem të mos i kujtoj.
Por ndër të mirët e të mirëve, ajo e paharruara, pasqyra ime shpirtërore, ku shoh veten kur jam e lodhur dhe dukem bukur, është ajo e paharruara Çezarina Laca.
Tirana e viteve 60-të nuk do të qe e lehtë për nxënësit e fillores në shkollën “29 Nëntori”, e cila ndodhej në periferi të saj, në një lagje të varfër afër Kinostudios. Por do të qe e vështirë edhe për mësuesen që vinte nga periferia tjetër, që quhej “Tirana e Re”. Jo vetëm për faktin se ishin larg, por se ajo ishte gjithmonë e ngarkuar, e sidomos në dimër, pasi në njërën nga çantat ajo kish futur dru zjarri për sobën e ndryshkur në formë qyngu. Çezarina e dinte se disa nga fëmijët jetimë e te varfër do vinin në klasë me këmbë e këpucë të lagura nga shiu. E si mund ta kishin mendjen në mësim ata, ashtu të lagur dhe baltosur. Drutë e shkollës mbaronin shpejt.
Në ditët e ftohta të dimrit një kovë ujë qëndronte mbi sobë. Para se të fillonte mësimin ajo do t’u lante këmbët dhe këpucët me baltë, do t`ua thante ato pranë zjarrit, pastaj do t`u vishte rrobat që kish marrë në çantën tjetër. Për të ndihmuar fëmijët e varfër ajo do të sensibilizonte shoqet e saj, nxënësit e tjerë, e tërë fisin e mëhallën dhe këtë punë e bënte shpesh. Kjo që do t’ju tregoj është e vërtetë si drita e diellit.
Një prindi nëpunës i duhej t’i merrte leje mësueses për fëmijën e tij për pak ditë. Trokiti në derën e klasës, e hapi, pa rrotull dhe u largua për në drejtori. – Shoqja drejtoreshë, më duhen disa ditë leje për vajzën time në klasën e I-rë B.
Drejtoresha ngrihet dhe shkon në klasë, hap derën dhe sheh atë çfarë kish parë edhe prindi. Çezarina, që po lante këmbët e baltosura nga këpucët e grisura të një jetimi, ngrihet në këmbë dhe pasi u sqarua për problemin, nëpunësi i kërkoi falje, pasi kish kujtuar se ajo ishte pastruesja.
Drejtoresha, që e njihte mirë Çezarinën, i thotë: – Të lutem Çezarinë, mjaft më, ti po shkel rregulloren, orët e mësimit janë për të mësuar nxënësit. – Drejtoreshë, mësuesi para se me qenë mësues duhet të jetë një prind i mirë. – Mirë, mirë, do ta shohim këtë punë, – tha drejtoresha, gjithsesi e prekur nga sjellja humane e mësueses.
Por e shtrenjta mësuesja ime e fillores nuk ishte vetëm humane, ajo ishte një grua e fisme, me shumë kulturë dhe autoritet, me etikë dhe pedagogji që nuk do mundja ta shihja tjetërkund. E si mund të ndodhte ndryshe, mësuesi i saj i gjuhës dhe letersisë kish qenë Padër Gjergj Fishta, ndërsa pedagogu i psikologjisë ishte Padër Anton Arapi. Të dy këta të harruar e masakruar nga diktatura. Por ajo me krenari do të mburrej për ta dhe për pak do ta paguante shtrenjtë.
Dikur, një drejtues i thotë si me shaka, se ju mësuesit e vjetër nuk kuptoni ç`është psikologjia.
Çezarina do të rebelohej e do të përgjigjej ashpër. – Mua ma ka mësuar psikologjinë babai i psikologjisë, Padër Anton Arapi, prandaj e njoh më mirë se ju.
Kulturën e kishte marrë në shkollën e murgeshave në Shkodër, ku qe shpallur nga mësuesit e saj të famshëm si nxënësja më e mirë e kolegjit, të cilëve ajo do t’u referohej fshehurazi, por dhe hapur, gjithë jetën.
Kartolinat e urimit të Çezarinës me shprehjet e bukura do t’i ruanin si relike kolegët, nxënësit dhe mësuesit e saj.
Ishin vitet ’60-të. E shtrenjta mësuesja ime atëherë ishte afër të 50–ve, por rrezatonte një vitalitet të paparë. Organizimi i i orëve të mësimit prej saj do t’ja kalonte të gjitha përmasave të asaj dhe kësaj kohe. Ajo kishte aftësinë për t’i kontrolluar dijet e nxënësve që nga fytyrat dhe shkëlqimi i syve të secilit, si dhe nga kontrolli i detyrave të shtëpisë. Puna e diferencuar për të kishte tjetër kuptim: në mbarim të çdo ore mësimi ajo do të evidentonte më të mirët dhe më të dobëtit me shumë kujdes, do t’i ndalonte pas orës së mësimit duke i vënë në punë dhe mësuar për të shmangur dobësitë e secilit në lëndën ku ata kishin boshllëqe. Pedagogjia e saj qe një psikologji e zbatuar me përsosmëri. Kur një nxënës reflektonte dobësi dhe shpërqendrim të dukshëm, Çezarina do të drejtohej tek prindërit. – Kam ardhur të shikoj çfarë kushtesh dhe arsyesh ka fëmija juaj që ka rënë në mësime dhe me çdo kusht zgjidhte problemet.
Në klasën e saj nuk kishte asnjë nxënës të dobët. Nxënësit e saj do të ishim më të mirët në gjithë shkollën.
E veçanta e punës së saj ishte ora e leximit letrar, e leximeve jashtë klase. Përveç pedagogjisë dhe imponimit të saj në orët e rëndësishme të shkollës, ajo do të lexonte tregime dhe libra të bukur, që do të na linin me gojë hapur dhe nuk do donim të largoheshim nga shkolla. Nuk do të harroj kurrë librin “Zemra” të Edmond De Amiciz, me tregimet e tij të bukura dhe edukative si “Nga Apeninet në Ande”, do të kalonim ditë e netë të tëra duke përjetuar vuajtjet e djaloshit që kërkonte nënën e tij. Apo librin etalon për çdo fëmijë “Djemtë e Rrugës Pal”; këta dy libra janë reliket më të bukura të jetës sime, të lexuara së pari me shumë dashuri nga mësuesja ime e fillores Çezarina.
Porosia e saj – të dish të lexosh nuk është asgjë, e gjithë puna është të dish çfarë të lexosh – do na vlente gjithë jetën. Na këshillonte të blinim librat më të bukur dhe me vlerë për jetën. – Mos harroni ta shpërndani këtë dije, që shoku apo kolegu yt të jetë i ditur si ti, dhe kjo është lumturi.
Me shumë kujdes ajo edukonte te ne ndjenjën e solidaritetit. – Pasi t’i keni lexuar do t’ua jepni shokëve, pastaj do ua tregoni të tjerëve që s’dinë të lexojnë.
Dashuria dhe autoriteti i saj sundonin së bashku në të gjitha detyrat që na jepte.
Gjatë pushimeve të semestrit apo të verës, detyrat e vështira, do duhej t’i përsërisnim, por edhe libra duhet të lexonim gjatë kësaj kohe. Ajo na lexonte fragmente të ndryshme për të nxitur dëshirën dhe kuriozitetin tonë. E kështu me dashurinë e një nëne dhe me përkushtimin e mësuesit kaluan vitet e bukura të fëmijërisë me mësuesen time të paharruar.
Më pas unë do të largohesha në një qytet të largët, për shkak të detyrës që kish im atë. Të tjera mësuese do të kisha pranë meje, por mësuesen time të parë nuk mund ta krahasoja me askënd, ndaj vazhdoja brenda vetes të ecja në rrugën që më kishte mësuar ajo. E paharruar do qe edhe për prindërit e mi mësuesja ime.
Duke u rritur do të ndërroja disa qytete nga jugu në veri. Kur do të kthehesha në Tirane do ta kërkoja me dashuri mesuesen time, por ajo kish dalë në pension dhe nuk e dinin se ku banonte në ato kohë.
Për vite të tëra pas martesës, do të jetoja në qytetin e Pogradecit e do të tregoja vazhdimisht për mësuesen time.
Në këtë qytet, një grua thirrej me emrin Zonjushe, emri i saj qe Viktori, por këtë emër e kishin harruar të gjithë, edhe ajo vetë.
Zonjusha kish vite që kishte dalë në pension dhe të gjithë e thërrisnin zonjushe, kaq shumë dashuri dhe mbresa kish lënë ajo te brezat e nxënësve. Ndaj një 7 Mars unë i bëra një vizitë Zonjushes me mallin e “Zonjushes “ sime.
Zonjusha u gëzua shumë, pa masë, kur i tregova për mësuesen time të parë e të paharruar, si ajo Zonjusha Viktori… Zonjushja ime, Çezarina, ishte larg, dhe unë nuk mund ta uroja; edhe ajo ishte pensioniste, prandaj 7 Marsin do e festoja me Zonjushen e Pogradecit.
Kjo vizitë u kthye në një rit, për çdo 7 Mars dhe Zonjushja do t’u tregonte të gjithëve për vizitën e rrallë.
Një ditë u ktheva përgjthmonë në Tiranë. Zonjushe e dashur, tashmë unë e kam gjetur ku t’i çoj lulet…
Por e shtrenjta mësuesja ime nuk pranonte asgjë përveçse një tufë me manushaqe që mblidhnim me duart e vogla lëndinave të shumta që kish atëhere pranë shkollës fillore “ 29 Nëntori” .
Po tani e dashur, ku t’i gjej unë manushaqet? Më trego!
Oh, sa bukur lexonte dhe tregonte mësuesja ime, sa na mahniste. Edhe sot e dëgjoj zërin e saj të mrekullueshëm, të ëmbël dhe aktoresk.
Për t’jua vërtetuar këtë unë po ju them se ajo është nëna e një aktoreje të madhe që quhet Edith Luarasi apo shkurt, Edi Luarasi. Dhe nëna e Filda Jarecit, e cila këndoi duet me Edin në rininë e saj, por pastaj vendosi të bëhej mësuese, si mëma e saj. E s`kish si ndodhte ndryshe, një nënë me shpirt të madh artisti, mund të nxirrte një grua dhe artiste të madhe si Edith Luarasi dhe një mësuese si Filda Jareci, e cila u përpoq gjithmonë t’i ngjante nënës së saj.
Jeta vërtetë është një destinacion, por rastësia thonë është mbreti i gjithçkaje.
E kisha kërkuar mësuesen time, por do ta gjeja rastësisht kur ajo të mos jetonte më.
Në një festë të bukur që do të organizonim me rastin e 7-8 Marsit, në një shoqëri artistësh, ku secila dominonte me kujtimet e saj, bisedën do ta zotëroja unë në një moment kur do të tregoja, si gjithmonë, për mësuesen time të shtrenjtë.
– Po si quhej mësuesja jote? – do me pyesnin. – Ajo e kish emrin Çezarina Laca. – Uaaaa, po ajo është mama ime, – do të thoshte Edi, pak e tronditur.
Përqafimi ynë ishte i përmallshëm, ishte përmallimi i thellë për mësuesen time të dashur. – Po ti je temperament tjeter, Edi, ti thyeje dërrasat e skenes kur luaje teatër. Mesuesja ime ecte si Nënë Tereza, më ngjan me të. Ndoshta ajo ka qenë pasqyra e saj shpirtërore, ishin moshatare, do të jenë njohur diku…
Dhe Edi vijon duke treguar: – Mama ka pasur karakter të fortë, me të cilin ka ndikur gjithë jetën tone, në ditë të mira dhe në vështirësi. Mbaj mend se shtëpia jonë, në kohën e luftës, ishte bazë ilegale, vëllai i mamës, Lec Laca, ishte partizan dhe vinte me shokë i veshur civil dhe në koshat me ushqime, që ngarkonin me kuaj, mama fuste midis ushqimeve abetare, të mbuluara me barishte të ndryshme, e këto i çonin në mal. Mirëpo, kur doli në pension, në radhën për të marrë pensionin, u takua me një shoqe. Ajo pa se komshija e saj merrte një pension suplementar si bazë lufte, Çezarina jo. – Po ti pse s`merr, – i tha, – edhe ju bazë lufte keni qenë dhe ti e ke ndihmuar luftën për çlirimin e atdheut. – Po unë nuk dua para për atë punë që e kam ba me dëshirë për atdheun, përgjigjet Çezarina. E ç’kuptim ka kjo, po u pagova është punë për interes. …Dhe Edi vazhdon e vazhdon të tregojë, – një nga nxënëset e saj ka qenë edhe Nexhmije Hoxha…
– Dhe ajo lejoi që mësuesja e saj e mirë të vuante persekutimin e kotë të familjes dhe bijës së saj, njerëz me vlera për artin dhe kulturën e vendit, si ju? – pyes unë, si e dalë nga ëndrra. -Eh….. t’i lemë ma mirë këto… Edi është fisnike, si nëna e saj dhe nuk do të flasë për të kaluarën e hidhur, e cila ka lënë gjurmë të thella tek ajo.
Për të ndërruar rrjedhën e bisedës i them se nëna e saj është pasqyra ime shpirtërore.
– Isha një vajzë e vogël, më e vogla në klasë…dhe prej kujdesit…tani … që….unë…… – Oh, vazhdoi ajo, si puna e Nikolinit, e di ti? Nikolin Gurakuqi ishte shumë i vogël në klasë të parë dhe prindërit për arsyet e tyre e kishin çuar të vogël si dëgjues në klasë…Mama tregonte se atë e zinte gjumi mbi bankë dhe ajo i thosh, me qetësi: – Nikolin, dil njëherë e sillu nëpër oborr dhe pastaj hajde prapë në klasë. Dhe djali i vogël ashtu bënte, por më vonë ai u bë një nxënës i shkëlqyer dhe një artist i madh dhe ajo nuk pushonte së pyeturi: – A ma keni pa Nikolinin, bëjini të fala………- Po atë shprehjen e famshme të Gjergj Fishtës a jua thoshte: “ Çiripupe, ç`far vjell deti, nuk asht e jona”. Çiripupe, u thoshte me përkëdheli vajzave të vogla. Kjo shprehje e Fishtës, vazhdon Edi, do na fuste shpesh në diskutime të thella me Mihallaqin mbi kuptimin e saj……Dhe tregimet për mamën dhe mësuesen e madhe vazhduan gjatë …
Nxënësit e saj të dashur do ta vizitonin dhe respektonin gjithmonë, ata tashmë janë mjekë, inxhinierë, artistë, punëtorë të mirë dhe me siguri e kujtojnë me dashuri mësuesen e tyre të paharruar Çezarina Laca.
Tani kam ku t’i çoj lulet. Herët në mëngjes, ditën e 7 Marsit, në derën e apartamentit të Edit, aty ku jetoi Çezarina derisa u nda nga jeta më 1986… Troket një vajzë e re, si unë atëherë…. Me një buqetë të bukur me lule në dorë e ia dhuron bijës së asaj që unë e desha shumë dhe s’e harrova kurrë. Pasqyrës sime shpirtërore, tek e cila shihem shpesh.
Përpiqem vazhdimisht t’i ngjaj sa më shumë. Ndërkohë Edi përlotet… Eh, sikur ta dinte mama do çohej nga varri…Jo, jo, ajo është në parajsë dhe nuk vjen dot….
Nuk shkoj vetë t’i shpie lulet, pasi është e vështirë të përballoj emocionet dhe lotët e Edit, lotët e gëzimit dhe dëshpërimit për vitet e vështira që kaloi nëna e saj e mrekullueshme duke ndenjur pranë Edit dhe nipërve të mirë që i jepnin aq shumë dashuri dhe dhimbje shpirtërore asaj dhe artistes së madhe, që vuajti nga diktatura talentin e artit të vet.
Ndoshta qe thënë që nxëneset e Fishtës dhe të Patër Anton Arapit të kishin pjesën e vet të helmit.
E dashura Çezarina Laca, ti ike heshtur mes dhimbjes dhe lumturisë që të dha misioni yt fisnik. Ti ike thjesht pa bujë, tituj e dekorata. Por le pas një brez, një plejadë dhe mbete për ne një pasqyrë shpirtërore ku shihemi çdo ditë.
Po ku t’i gjej unë manushaqet ? Ndoshta manushaqe ka diku larg… Po Çezarina Laca a ka vallë, diku…?/Botuar për herë të parë më 7 mars 2008
Komentet