Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se është kundër çfarëdo iniciative e cila nuk bazohet mbi barazinë e shteteve, duke aluduar kështu për iniciativën “Ballkani i Hapur”, pjesë e së cilës janë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Osmani foli gjatë një takimi që pati me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta të enjten, 25 nëntor në Prishtinë.
Presidentja Osmani ka theksuar gjatë këtij takimi me presidentin shqiptar, Meta se është kundër çfarëdo ideje, e cila përpiqet ta trajtojë në mënyrë jo të barabartë Kosovën.
“Kosova nuk mund të bëhet pjesë e iniciativave apo mekanizmave rajonalë, nëse përfaqësimi në këto iniciativa që nga zanafilla nuk është gjithëpërfshirës dhe mbi parimin e barazisë”, ka theksuar presidentja Osmani.
Duke iu referuar iniciativës “Ballkani i Hapur”, ajo ka theksuar se nuk mund të mbështetet symbyllur asnjë iniciativë që mund ta rivalizojë apo pengojë procesin e integrimeve në BE dhe orientimin euro-atlantik të rajonit, ku Serbia synon ta ketë rolin kryesor dhe e cila ende nuk e ka njohur Kosovën.
Për “Ballkanin e Hapur” me presidentin e Shqipërisë ka diskutuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë takimit që patën të enjten e 25 nëntorit.
Kryeministri Kurti përsëriti qëndrimin se nuk mund të ketë “Ballkan të Hapur” kur Serbia është e mbyllur ndaj Kosovës, nuk ia njeh diplomat, dokumentet e identifikimit, certifikatat e vulat doganore.
Deklaratat e presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti për “Ballkanin e Hapur” vijnë një ditë pasi i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar deklaroi të mërkurën, më 24 nëntor, gjatë një adresimi në një konferencën për “Ballkanin e Hapur” që u mbajt në Beograd, që nëse në të nuk përfshihen që të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, atëherë iniciativa nuk do të funksionojë.
Escobar shtoi se iniciativat rajonale duhet të jenë barabartë të hapura për të gjitha shtetet.
Nisma për bashkëpunimin rajonal “Ballkani i Hapur”, e cila përfshin Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është marrë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në tetor të vitit 2019.
Nisma fillimisht është quajtur “Mini- Shengen” dhe ajo parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve.
Në korrik të këtij viti, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri, “Ballkani i Hapur”. Lidhur me dialogun me Serbinë, gjatë takimit me presidentin Meta, presidentja Osmani tha se Kosova ka dëshmuar gatishmëri për vazhdimin e negociatave, porse nuk do të jetë pjesë e asnjë aranzhmani, i cili nuk e garanton sovranitetin, integritetin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës.
Osmani: Kosova ka gatishmëri për dialog me Serbinë
Gjatë takimit me presidentin Meta, Osmani foli edhe rreth dialogut që Kosova po zhvillon me Serbinë.
Sipas Osmanit, Kosova ka dëshmuar gatishmëri për vazhdimin dialogut, por nuk do të jetë pjesë e asnjë aranzhmani, i cili nuk e garanton sovranitetin, integritetin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës.
Në këtë kontekst, presidentja Osmani tha se së bashku me Shqipërinë duhet të angazhohen për ta përçuar mesazhin në rajon dhe në botë për rrezikun që i kanoset Ballkanit nga politika agresive dhe hegjemoniste e Serbisë.
Bisedimet për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë filluar qysh në vitin 2011. Që nga ajo kohë janë arritur një serë marrëveshjesh, porse shumica prej tyre nuk janë zbatuar në praktikë.
Dialogu u ndërpre disa herë për arsye të ndryshme. Pauzën më të gjatë, dialogu e pati në fund të vitit 2018, kur asokohe Qeveria e Kosovës vendosi taksë prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Më vonë, pengesë në dialog u bë, marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovës. Ky mekanizëm nuk është formuar pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës, cilësoi shumicën e pikave të marrëveshjes jo në përputhje me Kushtetutën.
Qëllim i dialogut thuhet të jetë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme për të dyja palët.
Komentet