Deri në orën 19, përkatësisht deri në mbylljen e vendvotimeve, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë kanë votuar rreth 38 për qind të votuesve.
Sot më 14 nëntor qytetarët e Kosovës votuan për të zgjedhur kryetarët e 21 komunave.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 19:00 kanë votuar rreth 38 për qind e votuesve.
Komuna me më së shumti votues deri më tani është Mamusha me një dalje prej rreth 60 për qind.
Ndërsa komunat tjera me dalje më të madhe janë Juniku dhe Kllokoti me nga 53 për qind.
Komunat me dalje më të ulët të votuesve janë Dragashi dhe Klina me 29 për qind.
Sipas KQZ-së, të drejtë vote në këtë rund zgjedhjesh kanë 1,260,571 qytetarë dhe ata do të mund të votojnë në 575 qendra votimi me 1,638 vendvotime.
Vendvotimet për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale do të mbyllen në ora 19:00.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar përmes postës 1,571 pako të supozuara me fletëvotime nga votuesit që jetojnë jashtë Kosovës.
Sipas kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, deri në këtë kohë nuk ka pasur incidente të rënda gjatë procesit zgjedhor.
“Nuk kemi pasur ndonjë parregullsi që do ta cenonte seriozisht procesin e votimit”, tha ai.
Komunat në të cilat po zhvillohet rundi i dytë i zgjedhjeve lokale janë: Gjakova, Gllogovi, Gjilani, Dragashi, Istogu, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Kamenica, Obiliqi, Rahoveci, Podujeva, Prishtina, Prizreni, Shtimja, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.
Rundi i parë i zgjedhjeve të rregullta lokale u mbajt më 17 tetor dhe qytetarët votuan për asambletë komunale dhe kryetarët e komunave. Në këtë rund, nga 38 komuna sa janë në Kosovë, 17 zgjodhën krerët e rinj.
Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje përballet në 12 komuna në rundin e balotazhit.
Lidhja Demokratike e Kosovës në rundin e dytë garon në nëntë komuna.
Partia Demokratike e Kosovës në tetë komuna.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës garon në pesë komuna.
Nisma Socialdemokrate dhe Partia Socialdemokrate zhvillojnë gara në nga një komunë, ndërkaq, në komunën e banuar me shumicë serbe, Kllokot, në garë do të jenë Lista Serbe dhe GI SNS.
Komentet