(Muzeqe-muzë-a, muzik-is, mëz+qe, muzg-ë-a, Muzakë, apo…?)
Të hulumtosh për të sqaruar emërtimin e një treve, është shumë më tepër se puna e një analize gjuhësore apo vetëm historike. Kjo sepse toponimia në përgjithësi dhe emërtimet e vendeve, zakonisht spjegohen si pjesë e përmbajtjes së jetës shoqërore a shpirtërore të popullatës, të kushteve historike, politike a gjeografike të një vendi. Duke parë raportet e ndërvarura pronë-pronar, gjithënjë është pyetur se cili nga këta ia dha apo ia mori emrin njeri tjetrit. Praktika më e njohur e gjuhës shqipe është ajo kur prona njehëson pronarin, siç ndodh me shumë njerëz të cilët, ende mbajnë për mbiemër emrin e fshatit a të krahinës, të cilat fillimisht buronin nga titujt pronësorë apo edhe nga tendenca për tu identifikuar si i tillë, si B.Curri, H.Prishtina, Lekë Dukagjini, F.Konica, R.Cerova, P.N.Luarasi, M.Ziçishti, Aqif Pashë Elbasani, Ferit bej Vokopola, etj
“Edhe në gjuhën shqipe, nën shembullin e gjermanishtes-shkruan albanologu N.Jokli-emrat e viseve kthehen në emra familjesh.” (1).
Pra, duke gjykuar në këtë këndvështrim, le të qëndrojmë në analizën dhe etimologjinë e emërtimit të trevës së Myzeqesë me synimin e mirë që t’i afrohemi të vërtetës, në përgjigje të pyetjes nëse Myzeqesë dhe myzeqarëve, ua morën apo ua dhanë emrin..?
Historiografia jonë ka pranuar përgjithësisht si të mirëqenë prejardhjen e emrit Myzeqe nga emri Muzakë, ish mbiemër i familjes princërore që i sundoi këto krahina në mesjetë. Kjo është kaq e njohur dhe në pamje të parë e padyshimtë, sa duket sikur nuk le shteg për diskutim. Por gjithësesi, në analizën e hollësishme të këtij fakti, ngrihen disa pyetje
…Kështu përshëmbull, dihet që Myzeqeja e antikitetit njihej me emrin “Fusha e Gylakut”, sipas emrit të prijësit Gylak, i cili erdhi në krye të 200 kolonëve helenë në Apoloninë e vitit 588 pr.K. Më vonë këtë krahinë e gjejmë me emrin “Fusha e Apolonit” apo “Fusha e Ilirisë”, siç na e shkruan Ana Komnena. Ndërsa tek Barleti e gjejmë me emrin “Fusha e Saurës”(Beteja e Savrës-Lushnjë, më 1385) 2.
Dimë gjithashtu se Muzakët dolën në skenën politike shqiptare në fund të shekullit trembëdhjetë,(1274).
Titujt e Andrea Muzakës si “Marshall i mbretërisë së Arbërit”, i Mentul Muzakës si “Kont i Këlcyrës” dhe i Teodor Muzakës si “Protosebast”, tregojnë se në dekadat e para të shekullit katërmbëdhjetë, Muzakajt ishin nga familjet feudale kryesore, në mos kryesorja, në Shqipëri. Fakti që Andrea Muzaka i dytë luftoi me mbret Vukashin që sundonte deri në Adriatik dhe e theu atë dhe se, perandori e shpërbleu me titullin “Despot i Epirit”, flet shumë për pushtetin dhe përmasat e zotërimeve të Muzakajve. Por, gjer ku arrinin zotërimet e Muzakajve? Cilat ishin trevat ku zotëronin ata?
“Zoti Andrea Muzaka zotëron qytetin e Belgradit, (Beratin) i cili është edhe kreu i Myzeqesë, Tomonishten deri në det, Voskopin, qytetin e Korçës, Devollin e vogël dhe qytetin e Kosturit, të cilin, ia mori Mark Kralit me forcën e armëve. Dokumentet shkruajnë se që në fillimet e veprimtarisë politike të kësaj familjeje, Muzakajt kanë themeluar qytetin e Korçës dhe më pas edhe atë të Voskopojës. (3).
Ja pra, gjer ku shkonin kufijt e pronave të Muzakajve.
Vijmë kështu tek njera nga pyetjet; pse pikërisht kjo pjesë e pronave të shumta të Muzakajve (Myzeqeja), na qenka pagëzuar me emrin e princërve Muzakë? Pse asnjë trevë tjetër nga zotërimet e shumta të Muzakajve nuk u quajtën Myzeqe, disa prej të cilave edhe pse ishin vendbanime ose themelime të herëshme të këtyre zotëruesve kaq të shquar për kohën?
Nga ana tjetër, dihet gjithashtu se zotërues të këtyre viseve, të Ilirisë bregdetare dhe të Myzeqesë së sotme, nuk kanë qënë vetëm Muzakajt. Pse nuk mbeti si emërtim i këtyre trojeve, përshëmbull mbiemri Matrënga, pasi dihet se në shekullin e katërmbëdhjetë familja princërore e Vlash Matrëngës, ndërkohë që mbante rezidencën në kështjellën e Bashtovës, ishte edhe zotëruesja e tërë viseve midis Shkumbinit dhe Devollit (Semanit të sotëm)…? (4).
Dihet gjithashtu se pas fitores kundër Balshës më 1385 në Savër të Lushnjës, princi tjetër me qëndër në Durrës, Karl Topia, zotëronte gjithë bregdetin e Myzeqesë, nga Kepi i Rodonit deri në derdhjen e Semanit, siç dihet se në gjysmën e dytë të shekullit katërmbëdhjetë, pronarë të Myzeqesë së sotme ishin Balshët deri në vitin 1417 kur Berati u pushtua nga osmanët.(5)
Pra pronësia e Muzakajve mbi trevën e Myzeqesë as ka qënë e vetme dhe as ka vijuar shumë më tepër se zotëruesit e tjerë.
Atëherë pse mundën pikërisht dhe vetëm këta pronarë t’i impononin gjithë krahinës emrin e vet?
Madje, të ishte fjala për vendlindjen e të parit të Muzakajve në ndonjërën nga venndbanimet e sotme ose të herëshme të Myzeqesë, mund edhe të sillte një shkak për ta pretenduar prejardhjen e sipërthënë. Por gjer më sot askund nuk shënohet ndonjë vend në Myzeqe si vendlindje e Muzakajve të dikurshëm.
Përkundrazi…! Studjuesi italian Gustav Taglia, në vitin 1929, duke iu referuar shkrimeve të Pukvilit, shkruan se:
:”…gabimisht shkruajnë disa se fjala Myzeqe rrjedh nga princërit Muzakë, të cilët mbretëronin aty në mesjetë. Nga familja Muzaka morën emrin fshatrat Muzhaka dhe Muzhencka të komunës së Çepanit të Skraparit nga thuhet se rrjedhin ose zbritën Muzakët dhe pushtuan Myzeqenë.(6).
Kurse Eqrem bej Vlora, në fillim të shekullit njëzetë shkruan se:
“…princërit e Myzeqesë, përkrah emrit, mbanin edhe mbiemrin Peshtani, pikërisht sepse rridhnin që këtej.” (7)
Studjues dhe shkrime të ndryshme historike shënojnë se vendlindja e Muzakajve është fshati Zerec, 70 kilometra larg Korçës dhe në nyjen që lidhte këtë qytet me Beratin, kryeqëndrën e tyre të ardhëshme. Kurse nga sa na ka lënë të shkruar vet Gjon Muzaka, si vendlindje e tyre duhet marrë Lavdari i Korçës, ku:
“… nëna dhe babai, shkruan Gjoni-ndërtuan edhe kishën e shën Triadhës, në Lavdar….” (8)
Akademiku historian, P.Xhufi shkruan se“…Historia e Muzakajve fillon në malësitë e Oparit…”
(Prof. P.Xhufi, libri “Nga Paleologët tek Muzakajt” Tiranë, 2009, fq.284) (9)
Përsa i përket origjinës së mbiemrit të vet, gjithashtu Gjon Muzaka, shkruan: “…Ne jemi thirrur Mollosakë…mbiemër që vjen nga një vend që quhej Mollosi qysh në antikitet. Fjala Mollosia u deformua dhe u bë Muzeqe, që në shqip do të thotë Muzaki…”(8/1),e cit.
Pamë se fusha e Myzeqesë në antikitet thirrej me disa emra; “Fusha e Gylakut…e Apolonit…e Saurës, e Ilirisë,” etj, por askush dhe asnjëherë s’e ka quajtur atë Mollosi.
Atëhere, mollosakët e ardhur nga fisi i njohur i Mollosëve, u bënë Muzakë kur erdhën dhe zotëruan këtë fushë, emërtimi të cilës bëri që: “…emri Mollosak- shkruan Gjon Muzaka më 1510,- u bë Muzakë… Muzakia…”
Emërtimin “Muzeqe” e hasim sëpari në shekullin e 15-të, në një dokument raguzian të vitit 1412, i cili shkruan për Pirgun e Ndërnënasit (Rreth 20 km, në perëndin të Ardenicës,-N.K.), se:
“…ky port grykëlumor gjendet në ..Via de Musachia…”
Prof. P.Xhufi,po këtu, fq.22. (9)
Le të sjellim këtu si mbështetje të këtij mendimi edhe ato të disa autoriteteve të tilla të fushës së letrave si N.Jokli, Hahnit dhe Nolit tonë të cilët, thuajse në një mendje, pohojnë se emri Myzeqe, apo Muzakia, siç e shkruan Hahni, nuk është emër bujari, pra nuk lidhet me fisnikët dhe princat e mesjetës.(10).
Ndonëse në natyrën e vet, por më kategorik, Noli shkruan tek “Historia e Skëndërbeut se:
“… mbiemrat Balsha, Muzaka, Arianiti, etj, janë emra katundesh të cilët gjenden ende në Shqipëri.” (11)
Pra Muzaka, nuk është emër princi, por emër katundi, vendi,. siç është edhe Dukagjini për princin Lekë Dukagjini.
Shndërrimi i zanores-y- në zanoren–u-(Mu-My), është zhvillim i vonët tingëllor i shqipes, pasi shikojmë se deri në mesjetë, emri i krahinës tonë, shkruhej e thirrej jo Myzeqe, por Muzeqe, ashtu sikundër ende sot, në disa zona ngushtësisht konservative si Zagoria, Labëria, etj, të thonë se “ do zbresim në Muzeqe, apo do hamë burekë”.
Ndërsa shndërrimi i zanores i- në a (Muzikis-Muzakis, siç e shkruan edhe vet Gjon Muzaka dhe Hahni, rreth katër shekuj më vonë), në hapësirën e ndryshimeve të shqipes, nuk përbënë pamundësi.
Nuk mund të mos na tërheq vëmëndjen në këtë spjegim edhe mendimi shkencor i gjuhëtarit të shquar të shqipes, Profesor Çabejt i cili, etimologjinë e emrit Myzeqe, asnjëherë nuk e përqas me emrin e ishpronareve të saj, princërit Muzakë.
Profesor Çabej e shpjegon prejardhjen e fjalës Myzeqe nga emri MËZ-I-AT-I,(mashkulli i ri i pelës, kafshë karakteristike të kësaj krahine) (12). Kuptohet, saktësia shkencore e kësaj prejardhjeje, mbetet punë e studjuesve gjuhëtarë. Por, ajo që përbënë interes në këndvështrimin tonë është fakti se gjuhëtari më i njohur i shqipes, profesor Çabej, edhe kur merret me prejardhjen e emërtimit të Myzeqesë, përkundër mendimit gjoja të mirëqenë (Myzeqe nga Muzakët), jep tjetër version (Muzeqe-mëzat), pa e zënë fare në gojë prejardhjen e këtij emri, gjoja nga pronarët-Muzakë, princër të mesjetës.
***
Dijetari dhe njohësi i trevave jugperëndimore shqiptare, Pukvili,( i dërguari i Francës në oborrin e Ali Pashë Tepelenës), në shënimet e tij, pikërisht për banorët e këtyre krahinave, shkruan se:
“…Myzeqarët dhe taulantët e moçëm, kishin shumë besim tek perëndia e diellit, Apoloni të cilin, edhe e adhuronin. Dhe për nder të kësaj perëndie, ky vend u quajt Muzeqe, me njerin nga emrat që pati vet perëndia Apolon si mbrojtëse e muzave, për të cilat edhe u mbiquajt Apolon Muziqitori…” (13)
Dhe, dijetari francez, Pukvili, nuk është i pari dhe as i vetmi që shkruan se emri Myzeqe e ka rrënjën tek emri MUZ-Ë-A.
Ideologu i Rilindjes tonë kombëtare, Zef Jubani, në studimin e tij të njohur “Kundrime mbi gjëndjen morale dhe kulturën intelektuale të popullit shqiptar” shkruante se:
“…Shqiptarët në përgjithësi janë të pajisur me ndjenjën e muzës dhe të melodisë. Filozofët tanë të vjetër e zbuluan qënien e saj dhe prandaj i kushtuan perëndisë së muzës qytetin e Apolonisë në brigjet e Adriatikut. Banorët e atyre vendeve mbajnë ende me vete emrin muzeqarë që don me thanë njerëz të prirun kah muzika….
Edhe sot këta i përgjigjen me fakte këtij atributi tradicional. Kur shpirti i tyne tronditet nga mistiçizmi i muzës, shihen si të dehun tek lëkunden në ekstazë. Dhe ahere shihet çasti në të cilin improvizojnë kangë sipas shijes kombëtare me koncepte të madhënueshme dhe të jashtëzakonëshme, tue ia përshtatë melodinë e ambël prekëse, në mënyrë origjinale.” (14)
Pra, Pukvili dhe Zef Jubani, ndonëse larg në kohë dhe hapsirë, pohojnë dhe mbështesin njeri tjetrin për të njëjtën dukuri historike dhe gjuhësore…! Ja, edhe një dëshmi tjetër, gjithashtu e shkruar.
Arkivat tona historike dhe kishtare, ruajnë kodikun e manastirit të fshatit Kolkondas (Fier), në të cilin janë rregjistruar veç të tjerash, edhe kontratat e martesave të banorëve të 86 fshatrave myzeqarë që bënin pjesë në juridiksionin (enorijen) e këtij manastiri në vitet 1819-1843. Interes të veçantë në këtë kodik, paraqet fshati me emrin MUZIKIS, për të cilin, disa studjues shkruajnë se:
:”…Emri i fshatit Muzikis, është mbeturinë e emrit të krahinës së Muzeqesë”. (15) Ja një kontratë martese e rregjistruar në këtë kodik më 12 shtator të vitit 1826, nga banorët e këtij fshati:
“…Unë Mitro Dhamo, nga fshati Muzikis, martoj çupën time me djalin e Prof Shytes nga fshati Muzikis” (16).
Pra, deri në mezin e shekullit nëntëmbëdhjetë, në Myzeqe dhe, pikërisht në zonën bregdetare të saj, ka gjalluar edhe një fshat me emrin MUZIKIS i cili, sot është zhdukur, siç janë zhdukur edhe 12 fshatra të tjerë, emrat e të cilëve i lexojmë në faqet e këtij kodiku por nuk i gjejmë në terren.
Shtrojmë pyetjen; po fshatin Muzikis, kush e pagëzoi me këtë emër? Banorët e tij autoktonë, Apolon Muziqitori apo princwrit e ardhur nga Korça, Opari e Kosturi? Dhe, vini re, fshati ynë, (në mes të Myzeqesë dhe deri në mezin e shekullit nëntëmbëdhjetë) quhet “Muzikis.”
Pronarët a princërit Mollosakë, siç shkruan vet Gjon Muzaka, nuk kishin arsye ta adoptonin mbiemrin e tyre të lashtë e aq të dëgjuar me emrin e një fshati të vetëm sidomos mes pronave të tyre të stërmëdha. Dhe aq më pak, mund të mendojë njeri se emri i fshatit Muzikis, ka të bëjë me llagapin e mollosakëve-Muzakë, të ardhur këtu si pronarë të kësaj fushe, ashtu siç erdhën e shkuan në Myzeqe një dyzinë pronarësh, princa e pushtues, shumë më jetëgjatë se këta, por askujt s’i mbeti emri në ndonjë kodik në kishat dhe manastiret e shumtë të kësaj krahine.
Më tej, emërtimi i fshatit Muzikis, është emër mjeshtërie, i cili i dallon banorët e tij si “muzikëtarë zanatlinj”,(siç rrëfenin pleqtë deri në mezin e shekullit që shkoi).
Prandaj, mendimi i studjuesve( Prof. Ll.Mitrushi, etj), se:
“…Emri i fshatit Muzikis është mbeturinë e emrit të gjithë krahinës së Myzeqesë” mendojmë se duhet vlerësuar si gur i fundit toponimik i një themeli etnokulturor të zhdukur nga kohërat, pushtuesit, luftrat dhe lëvizjet masive të popullatës.
Emërtimi Muzikis, sigurisht, ka në bazë fjalën MUZË.
U konsultuam për këtë mendim me studimet e etnomuzikologut të shquar shqiptar, profesor Ramadan Sokoli, i cili shkruan se:
”…Kemi pasur edhe punishte, edhe shoqata të këtyre mjeshtërve muzikorë. Ndërsa në qytetin e Beratit, (kryeqëndra Muzakës dhe e Myzeqesë-N.K.), kishte edhe esnafe muzikantësh…(shoqata mjeshtrish-N.K)…Veprimtaria muzikore e këtyre anëve duhet të ishte aq e bollëshme dhe e rëndësishme për jetën shpirtërore të këtyre njerëzve sa që, në metropolin kulturor të kohës-Beratin e vitit 1860, kronisti i njohur osman, Evlia Çelebiu, mes gjithë intelektualëve dhe nëpunësve të lartë që drejtonin metropolin kulturor të Beratit, veçonte:
-Komandantin e fortesës (të kalasë së Beratit-N.K.)
-Kryetari i bandës muzikore dhe i grupeve artistike të Pashallëkut
-Kryearkitekti i qytetit….(17)
Profesor R. Sokoli vazhdon:
“…Lidhur me këtë dukuri, shumë domethënës është fakti që njeri nga qytetet më të lashtë të vendit tonë, Apolonia, kishte si pajtor Hyun e Muzës, dritës, poezisë dhe vallëzimit, domethënë, vet Apollonin…. Për këto arsye shkruhet me të drejtë, se emri i fushës së Myzeqesë rrjedh nga fjala MUZË.” (18).
Edhe hartimi i kodikëve, si ato të Beratit, janë prova bindëse për lëvrimin e hershëm muzikor në vendin tonë. Dëshmitë e traditës së lashtë muzikore dhe muzikologjike,-shkruan Prof. R. Sokoli, janë shumë më të lashta se dëshmitë shkrimore të gjuhës shqipe….
Mjafton të kujtojmë këtu Niket Dardanin e shekujve 4-5-të, Justinianin, në shekullin e 7-të, apo Jan Kukuzelin në shekujt 12-13-të (19)
***
Nuk është e rastit që edhe në ndërtimet e kultit të Myzeqesë, të vetmet institucione të kulturës, informacionit dhe përkushtimit shpirtëror për kohën, midis shenjtorëve dhe apostujve të krishtërimit, gjejmë pikërisht portrete të muzikantëve apo tablo dhe afreska me veprimtari muzikore e argëtuese, siç është ajo e kishës së shen Gjergjit në Libofshë, pikturuar më 1782 nga K. Shpataraku dhe biri Terpo e cila, paraqet tablonë “Dasma në Kana të Galilesë” ku shohim dy vetë tek kërcejnë shqiptarçe, ndërsa i pari heq vallen duke tundur shaminë.
E përforcon këtë bindje kur mes shënjtorëve ndër këto afreska, gjejmë edhe portretin e muzikantit të shquar durrsak, Jan Kukuzelit, si në kishën e Libofshës dhe në manastirin e Ardenicës. (20).
Po kështu, mbishkrimi në portën perëndimore të kishës së Libofshës, bënë fjalë për një “muzikëtar tjetër të shumëditur” të vitit 1776.
Të gjitha këto, flasin për një dimension madhor që mbushte dhe zhvillonte botën shpirtërore të banorëve ndër këto anë, atë të muzës, muzikës, poezisë dhe këngës, ushqyer dhe shtuar brez pas brezi nga “muzikëtarë zanatlinj”, siç thirreshin banorët e fshatit Muzikis,(dhe jo vetëm ata), deri në mezin e shekullit nëntëmbëdhjetë.
Vlen të theksohet se në jetën dhe jetesën, veprimtarinë dhe karakterin dallues të këtyre njerëzve, gjejmë ato mesazhe që mbart dhe kultivon muzika dhe argëtimi tek njeriu si pjesë e potencialit kulturor që ai synon, drejt emancipimit dhe progresit.
Jo më kot mbetet thënia se …..“muzika dhe kënga zbut shpirtërat”
Duke folur pikërisht për këtë vlerë, muzikologu i njohur iranian, M.Fard, shkruan se:
”…Muzika është arti më i afërt, më i bukur dhe më i dashur i lidhjeve njerëzore…Muzika është ndjellëse e ndjenjave të bukura, të mirëkuptimit dhe lidhjeve të mëdha shpirtërore.” (21).
Shëmbuj të panumërt fisnikërie, tolerance dhe mirëkuptimi, mbushin historinë e zhvillimeve shpirtërore e socialpolitike dhe përbëjnë dallesën emancipuese të njeriut myzeqar…
Të kujtojmë gjithashtu se treva që marrim në shqyrtim, si pjesë e gjithë vendit dhe më tej e Gadishullit Ballkanik, për të cilin shkrimtari i shquar Kadare shkruan se:
“… është njëra nga trevat më artistike të rruzulli tokësor,…se zona iliro-shqiptare, është ara folklorike që ka ushqyer letërsinë dhe artin e madh antik grek.” (22).
Studjues të tjerë të huaj dhe vendas, theksojnë gjithashtu se:
”… Pellgu i Mesdheut është djepi kryesor i qytetërimit të lashtë botëror dhe se trojet shqiptare, janë vatrat e qytetërimit europian” (23).
Të kujtojmë vetëm një moment gëzimi dhe hareje të myzeqarëve ne njerin nga panairet e shumta që organizonin në këto anë:
“…Ahengu buçet në të katër anët… Populli këndon e dëfren sepse muzeqarit në përshtatëshmëri me klimën dhe natyrën e vendit ku jeton i pastër dhe i panjollosun në gjak e në shpirt gjatë gjithë shekujve, i pëlqen aq shumë muzika, sa e ndjen në thellësitë e qënies…Jonet e qemanes së Isufit dhe të gërnetës së Vangjelit në anë tjetër, të futuna në një tas me ujë, përhapeshin në atë mënyrë sa zgjoi entusiazmin e Sotirit tonë…U ngrit, hop. Pasi qiti facoletën prej xhepit, me këmbët e tij të shkurtna kënaqipopullin me njëkërcim beratçe…” (24) .
Dhe, pas gjithë këtyre parashtrimeve, na duket me vend të pohojmë bindjen se ato që i kanë dhënë emrin krahinës së Myzeqesë dhe banorëve të saj , kanë në ngjizjen e vet përmbajtjen dhe të veçantat e jetës shpirtërore të banorëve të saj, vlerat e admirueshme të karakterit të tyre, të shprehura sidomos në qëndresën për të mbrojtur dhe ruajtur traditën arbërore duke e përcjellë atë ndër breza.
Duke shkruar pikërisht për virtute të tilla të myzeqarëve,
gazeta “Bota e re”, më 1936, shkruante:
”Ja lartësi e myzeqarit dhe forca e shpirtit të tij…
…Sado nën pushtimin e plotë të Turqisë, ai diti ta ruaj dlirësinë e moralit arbëresh dhe nuk e njollosi poezinë e tij me këngë ashikësh e dylberësh sipas frymës anadollake, e cila, për fat të keq ndohti një pjesë të madhe të muzës shqiptare… Këtu kuptojmë më qartë se kudo se ç’shpirt dhe ç’zemër vlon brënda myzeqarit i cili, nga jashtë duket i humbur, duke qënë i gjallë, shëmbëllen të mekurin dhe është trim i matur…” (25).
……………………………………………………………………………………
-Referencat:
1.E.Çabej,Libri“Në botën e arbëreshëve të Italisë”,Tiranë,1987,fq.19.
2.A.Baçe, E.Riza, Libri “Berati, arkitektura, historia”,Tiranë, 1988, fq.7.
3.Revista “Minerva”,Tiranë, 1933, nr.16, fq.23 (Nga Ilo.M.Qafëzezi).
4.Gazeta “Republika”,Shkodër, 1935,dt.01.03. (Nga Dr.K.Iriçek).
5.Prof.R.Sokoli,Libri “Përtej 16 shekujve”,Tiranë,2002, fq.35.
- Guastav Taglia, “Gazeta shqiptare”,Bari(Itali),nr.304,dt.14.12.1929
7.E.bej Vlora,Libri “Nga Berati në Tomorricë…” Tiranë, 2003, fq.171.
8.Gjon Muzaka, Libri “Memorie Muzaka”, përkth. Dh.Qirjazi,1996,f.24.
8/1, po aty.
9 .Prof. P.Xhufi, libri “Nga paleologët te Muzakët” Tiranë, 2009, fq.22
- Revista “Bota shqiptare”, Tiranë, 1943, fq. 177.
11.F.Noli,Vepra të zgjedhura, vëll. 4, Tiranë, 1989, fq.238.
12.E.Çabej, libri “Në botën e arbëreshëve”, vepër e cit.
13.”Gazeta shqiptare”, Bari, (Itali), dt. 22.12. 1929.
14.Libri “Zef Jubani” (vepra të zgjedhura), Tiranë, 1966, fq. 84.
15.Prof. Ll. Mitrushi, Rev. “Studime historike”, Tiranë, 1966,nr.3, fq.175.
- Po këtu, fq, 176.
17.Prof. R.Sokoli, libri i cituar, fq.40.
- Po këtu, fq. 38
19.Prof.R.Sokoli, Revista “Gjylistani”, Tiranë, 2001, nr.15. fq.14.
- Po këtu, fq.54.
- M.Fard, Revista “Perla”,Tiranë, 1996, nr. 3, fq,11.
22.I.Kadare, libri “Biografia e popullit në vargje”, Tiranë, 1988,f.27.
- Libri “Historia e bujqësisë e agroindustrisë shqiptare”,Tir,1988,fq.27.
- Gazeta “Drita”, Tiranë, datë 02 shtator, 1937, fq. 3.
25.Muzeu historik, Fier,(Arkivi), filmi 14, poza 494/7.
Komentet