Rikthehen avionët e kanabist në veri të vendit. Avioni i dyshimtë e pa shenja identifikuese u ul në orën 9 të mëngjesit dhe në tentativë për t’u ringritur pas 30 minutave u përplas me pishat. Piloti dhe një tjetër person i parë nga banorët e zonës kanë braktisur avionin. Zona e Kelmendit ku u rrëzua avioni ka qenë në fokus të policisë si hapësirë ku kultivohet kanabis
Nga Syri TV
Një avion i vogël bëri ulje të detyruar në zonën e Vërmoshit në Shkodër. Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 12:30 në kufirin midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Avioni sportiv, dyshohet se ka pasur dy persona në bord, pilotin dhe pasagjerin. Të dy shtetasit ende nuk janë identifikuar, pasi siç raportuan burime nga banorë të zonës, menjëherë sapo avioni është ulur, një mjet fouristradë është afruar dhe ka marrë dy personat të cilët ndodheshin në avion.
Avioni nuk kishte shenja dalluese, madje gjurmët e tij nuk janë kapur as nga radari. Banorë të zonës raportuan se për herë të parë, avioni ishte parë të fluturonte në zonë rreth orës 9 të mëngjesit të sotëm.
Dyshimet janë se avioni mund të përdorej nga bandat e trafikut të drogës. Por ky version nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga policia. Megjithatë brenda avionit u gjetën bimë, të cilat gjithashtu ende nuk janë identifikuar nëse janë narkotike apo medicinale.
Në një lidhje telefonike për Syri Telelvizion, Kryeplaku i fshatit Kelmend, Prek Vata deklaroi se nuk kishte dijeni nëse bëhej fjalë për trafik droge. Sipas tij, as versioni i transportit të bimëve medicinale nuk ka shumë bazë, pasi në zonë nuk ka kultivues të tyre.
Nga ana tjetër, kryetari i bashkisë së Malsisë së Madhe, Tonin Marinaj u shpreh se piloti dhe pasagjeri u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes. Edhe Marinaj nuk dha detaje nëse rënia e avionit lidhej me trafikun e drogës.
Ulja e këtij avioni në zonën e Kelmendit, rikthen dhe njëherë në kujtesë ngjarjet e disa viteve më parë, ku avioni sportiv u përdorën nga bandat e trafikut të drogës për transportin e kanabisit.
Komentet