Një zjarr përfshiu të mërkurën mbrëma spitalin në Tetovë ku ishin të shtrirë të sëmurë nga COVID-19 duke lënë pas vetes viktima të dhe të plagosur.
Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, tha se deri tash janë konfirmuar 10 viktima, por numri mund të rritet.
Në Tetovë ndodhet kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe një pjesë e qeverisë.
“Një tragjedi e madhe ka ndodhur në qendrën për COVID-19 në Tetovë. Një shpërthim shkaktoi një zjarr. Zjarri është shuar, por edhe shumë jetë janë shuar. Unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet dhe të afërmit e të ndjerëve it dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurit”, shkroi në rrjetet sociale, kryeministri Zaev.
“Jemi të gjithë në Tetovë, pranë dhe me tetovarët. Pamë tmerrin e shkaktuar nga zjarri në spitalin modular në këtë fatkeqësi të rëndë. Qeveria po mban mbledhje të shtabit të krizës sonte në Tetovë ndërsa nesër do të mbajmë mbledhje urgjente në Shkup. Policia, prokuroria, mjekësia ligjore, zjarrfikësit, mjekët dhe të gjithë të tjerët janë në detyrë. Bashkëndjej me familjet e viktimave dhe shpreh ngushëllimet më të thella”, shkroi ndërkaq zëvendëskryeministri Artan Grubi.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, kërkon “me këmbëngulje hetim të plotë, të thellë dhe të shpejtë rreth shkaqeve që shkaktuan kaq dhimbje për të gjithë ne”.
Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi e cilësoi ngjarje të rëndë djegien e spitalit.
Ende nuk dihen hollësi rreth shkaqeve të zjarrit dhe ekipet e kërkim shpëtimit ende janë duke punuar brenda hapësirave të djegura të spitalit.
Po ashtu nuk ishte e qartë se sa pacientë ishin në spital kur shpërtheu zjarri.
Maqedonia e Veriut është përballur me rritje të rasteve të viktimave dhe të të infektuarve nga COVID-19.
Në 24 orët e fundit janë konfirmuar 24 raste të vdekjes dhe 701 raste të reja të të infektuarve nga COVID-19.
Shqipëria dhe Kosova solidarizohen me Tetovën
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta shkroi në rrjetet sociale se po e ndjek me shqetësim dhe trishtim të thellë tragjedinë e ndodhur në spitalin e Tetovës.
Një ngjarje tepër e rëndë dhe tronditëse, veçanërisht për numrin e viktimave të raportuara. Shpreh ngushëllimet më të ndjera për jetët e humbura dhe ndaj dhembjen e madhe me familjarët e tyre! Ju uroj shërimin sa më parë të lënduarve! Shpreh solidaritetin e plotë me autoritetet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, që po bëjnë përpjekje maksimale për të shpëtuar sa më shumë jetë dhe vënë nën kontroll situatën”, shkroi presidenti Meta.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ngushëlloi familjet, presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe kryetaren e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ndërsa kryeministri Albin Kurti bisedoi ne telefon me zonjën Arifi duke i shprehur ngushëllime dhe duke ofruar ndihmën e qeverisë së tij.
Komentet