Ligjvënësit amerikanë kanë kohë që kërkojnë të kufizojnë pushtetin e presidentit për të hyrë në luftë. Pas sulmeve të 11 shtatatorit, autorizimet e vitit 2001 dhe 2002 për Përdorimin e Forcës Ushtarake në luftën kundër terrorit kanë qenë një temë debati e nxehtë në Kongres pothuajse që kur u miratuan.
Forcat amerikane u sulmuan ndërsa evakuonin amerikanët dhe aleatët afganë nga Kabuli në përmbylljen e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në Afganistan, gati dy dekada pasi Kongresi Amerikan i dha Shtëpisë së Bardhë autorizimin për të zhvilluar luftë atje. Autorizimet mbuluan gjithashtu konfliktin në Irak dhe më pas u shtrinë për të përfshirë angazhimet ushtarake duke filluar nga Siria në Jemen e deri në sulmin kundër gjeneralit iranian Qassem Soleimani.
“Gjatë 20 viteve, administratat e njëpasnjëshme e kanë interpretuar dhe riinterpretuar tekstin e asaj rezolute për ta përdorur atë në vende të reja kundër një liste që zgjerohet me grupe të lidhura në një farë mënyre. Ky proces e ka përjashtuar Kongresin nga përgjegjësia e tij themelore për të vendosur mbi çështjet e luftës dhe paqes”, thotë ligjvënësi Gregory Meeks, kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve.
Sipas Kushtetutës Amerikane, Kongresi ka fuqinë për të shpallur luftë, por Autorizimet e vitit 2001 dhe 2002 për Përdorimin e Forcës Ushtarake u dhanë presidentëve amerikanë kompetenca të gjera për t’u angazhuar në luftë jashtë vendit.
“Presidentët gjithnjë e më shumë po veprojnë vetë, duke i dhënë Kongresit minimumin e informacionit të mundshëm për veprimet ushtarake. Presidentët dhe këshilltarët e tyre ligjorë e shfrytëzojnë autorizimin 20 vjeçar të përdorimit të forcës për të justifikuar veprimet e tyre. Në se nuk bëjmë asgjë, nuk duhet të habitemi për rezultatet”, thotë ligjvënësi demokrat Jim McGovern.
Në fillim të këtij viti – para evakuimit të Kabulit – Shtëpia e Bardhë sinjalizoi se ishte e gatshme të punonte me Kongresin për të shfuqizuar këto autorizime, duke kufizuar hapësirat e tyre ligjore.
“Ato duhet të përfshijnë masa konkrete si shkurtimin e financimit me një kohëzgjatje të caktuar, duke e mbajtur presidentin dhe zyrtarët e degës ekzekutive përgjegjës qysh në fillim, se nëse nuk kanë mbështetjen e kongresit për veprimet e tyre, financimi ka një datë skadence”, thotë Rebecca Ingber, profesore e drejtësisë në universitetin Cardozo.
Përpjekjet e mëparshme për të shfuqizuar autorizimet kanë hasur në kundërshtimin e presidentëve nga të dyja partitë politike, si dhe kritika nga republikanët se një gjë e tillë mund të pengojë përgjigjen e Shteteve të Bashkuara ndaj kërcënimeve terroriste.
“Ne kemi të njëjtin qëllim, por mund të kemi mënyra pak të ndryshme për ta arritur atë. Ne duhet gjithashtu të shmangim bisedat përçmuese për “luftërat e përjetshme” sepse kjo nënkupton se angazhimet tona të vazhdueshme kundër terrorizmit janë të paligjshme dhe të panevojshme”, thotë ligjvënësi republikan Michael McCaul.
Si senator, zoti Biden punoi për një mbikëqyrje më të madhe të Kongresit mbi pushtetin e presidentit për luftë. Tani që ai është në Shtëpinë e Bardhë ekziston besimi se Kongresi mund të rivendosë kontrollin mbi një nga përgjegjësitë e tij më të rëndësishme.
“E shoh këtë si një çështje të rëndësishme për të qënë të sinqertë me publikun amerikan dhe për të kërkuar llogari nga presidenti për arsyetimin që ai ose ajo propozon të japë”, thotë Bob Bauer ish këshilltar i Shtëpisë së Bardhë.
Një komision i rëndësishëm i Senatit miratoi shfuqizimin e autorizimeve në fillim të kësaj vere, duke i hapur rrugën një votimi të plotë, kur Senati të kthehet në punë në Uashington në shtator.
Komentet