VOAL

VOAL

Shqipërisë i konfiskohen milionat e parë për llogari të Becchettit, si gënjeu Rama në fushatë

August 26, 2021

Komentet

VOA: Krimi i organizuar ka implikuar nivelet drejtuese të Policisë shqiptare

VOA Klodiana Lala

Arrestimi i një grupi oficerësh të lartë të Policisë së Shtetit gjatë dy viteve të fundit si pjesë e hetimeve të SKY ECC reflekton sipas ekspertëve nivelin e depërtimit të krimit të organizuar në radhët e policisë, po aq sa problemet sistemike të korrupsionit dhe ndikimit politik. Ky material është përgatitur nga gazetarja Klodiana Lala dhe është një bashkëpunim mes Rrjetit BIRN dhe Zërit të Amerikës.

Policia e Shtetit në Shqipëri përmbylli një cikël të ri ndryshimesh në dhjetor, duke filluar nga drejtori i Përgjithshëm dhe deri tek shefat e komisariateve të vendit. Ndryshimi i të gjithë zinxhirit drejtues u motivua publikisht me nevojën për të përmirësuar imazhin e policisë, po aq sa për të rritur parametrat e sigurisë dhe rezultatet në luftën kundër krimit.

Kjo është një betejë e vjetër për Policinë shqiptare, imazhi i së cilës u dëmtua edhe më shumë gjatë dy viteve të fundit nga arrestimi i një duzine oficerësh të lartë, të cilët akuzohen se u vendosën në shërbim të rrjeteve të krimit të organizuar.

Niveli i depërtimit të krimit të organizuar në strukturat e Policisë së Shtetit doli në sipërfaqe përmes komunikimeve të aplikacionit Sky ECC, të cilat iniciuan disa operacione dhe hetime të Prokurorisë së Posaçme.

Sipas Adriatik Agos, ish-drejtues i strukturave të policisë dhe ekspert për sigurinë, këto komunikime ekspozuan implikimin në nivele të larta të Policisë së Shtetit.

“Panoramat e reja, të dhënat inkriminuese që sollën këto platforma të komunikimeve elektronike vërtet janë të dhimbshme, kur dëgjon për nivele të larta, për funksione menaxheriale që janë të implikuar. Nga rastet e hetimeve të SPAK-ut, është mëse e qartë që nivele të larta apo funksione të veçanta si në nivelet vendore, ashtu edhe në nivele qëndrore janë të implikuar,” tha Ago.

Mes zyrtarëve të arrestuar, ish-shefi i Forcës Operacionale, Oltion Bistri akuzohet për rrjedhje të informacioneve sekrete për llogari të rrjeteve të krimit të organizuar, ndërsa ish-drejtori i Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri akuzohet për lejimin e kultivimit të kanabisit në shkallë të gjerë.

Drejtues të tjerë policie akuzohen se u përfshinë drejtpërdrejt në planet për të eliminuar rivalët apo në kultivimin e kanabisit gjatë viteve 2019-2021.

Drejtuesit e institucioneve që kontrollojnë integritetin e efektivëve të policisë në Shqipëri i quajnë rastet të izoluara, ndërsa pohojnë se kanë ngritur një sërë filtrash për vetëpastrimin e radhëve të uniformave blu.

“Nuk bëhet fjalë për një numër shumë të madh për hir të së vërtetës, janë raste sporadike dhe të izoluara po sigurisht që meritojnë vëmendjen jo vetëm të Prokurorisë së Posaçme, por sigurisht edhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore,” thotë drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani.

“Për vitin 2024 ne kemi një sërë rezultatesh në këtë drejtim, me qëllimin e vetëm pastrimin e strukturave të Policisë së Shtetit nga elementë të inkriminuar dhe që turpërojnë uniformën e Policisë së Shtetit,” shtoi ai.

Vetëm gjatë vitit të fundit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore raporton se ka bërë 272 referime penale për 425 punonjës policie të dyshuar për shkelje të rënda disiplinore që lidhen kryesisht me vepra të shpërdorimin e detyrës, korrupsionin apo ushtrimin e ndikimit të paligjshëm.

Edhe kreu i Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, Dhimitraq Ziu thotë se janë marrë të gjitha masat që sistemi të vetëpastrohet përmes testeve të integritetit dhe procedimeve disiplinore.

“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka marrë një sërë masash dhe po aplikon një sërë detyrash për vetëpastrimin e Policisë së Shtetit. Ato orientohen drejt dhe qartë mbi detyrimet që rrjedhin mbi planin e integritetit të Ministrit të Brendshëm… ku ka për qëllim parandalimin e korrupsionit në strukturat e policisë, promovimin e transparencës, rritjen e profesionalizmit, rritjen e besimit dhe forcimi i mekanizmit të kontrollit të Brendshëm të Policisë së Shtetit,” thotë Ziu.

Megjithatë, ekspertët e sigurisë i shohin me dyshim masat antikorrupsion në radhët e Policisë Shqiptare.

“Nuk ka besim Policia te masat antikorrupsion që janë duke u marrë, për assye sepse punonjësit e Policisë nuk shohin ndonjë shembull pozitiv tek drejtuesit e tyre në nivel vendor apo kombëtar dhe pak a shumë edhe me shifra, në një masë shumë të konsiderueshme, strukturat më të korruptuara janë nivelet drejtuese dhe zyrtarët e lartë të policisë në nivel vendor apo kombëtar,” shpjegon Sotiraq Hroni, drejtor i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim me qendër në Tiranë.

Hroni thekson se faktori kryesor që ndikon në inkriminimin e policisë së Shtetit lidhet me korrupsionin e gjithëpërhapur në shoqërinë shqiptare. Një rol qëndror negativ duket se luan edhe ndikimi i politikës.

“Në masën 74% punonjësit e policisë mendojnë se një nga faktorët kryesorë, ndër më të rëndësishmit në fakt, për nivelin e inkriminimit është edhe ndikimi i politikës,” theksoi ai.

Faktorë të tjerë lidhen sipas tij me procesin e rekrutimit, kulturën e punës apo mungesën e meritokracisë në radhët e Policisë së Shtetit.

I jep energji gjithë Shqipërisë, por Fierza kalon pjesën më të madhe të dimrit në errësirë

Edhe pse i jep energji të gjithë Shqipërisë, fshati Fierze kalon pjesën më të madhe të dimrit në errësirë, pasi linjat elektrike i përkasin viteve të elektrifikimit. Banorët e zonës disa herë e kanë ngritur shqetësimin, por asnjëherë nuk është marrë ndihmë për këtë çështje. Të mësuar me situatën, ata tani kanë vendosur të ndërhyjnë vetë për rikthimin e energjisë, duke rrezikuar jetën me rilidhjen e linjave, siç ndodhi edhe sot.

Prej 23 dhjetorit të vitit të kaluar, një pjesë e Fierzës ka mbetur në errësirë si pasojë e djegies së një bombine në kabinën nr. 2 të fshatit, duke shkaktuar edhe djegien e disa elektroshtepiakeve të familjeve që kanë mbetur në zonë.

Edhe pse banorët e zonës janë pjesë e bashkisë së Fushe-Arrezit, ata tregojnë se rrjeti energjitik mbahet nga OSHEE e Bajram Currit, nga e cila presin një ndërhyrje të menjëhershme, duke e konsideruar errësirën gjatë këtyre festave si një neglizhencë të papranueshme.

Si për ironi të fatit, Fierza, që i jep energji të gjithë Shqipërisë, vazhdon të mbetet fshati i errësirës. bw

Osmani: Zemaj do të jetë gjithmonë simbol i sakrificës dhe i luftës për liri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar në 22-vjetorin e vdekjes së heroit të Kosovës, Tahir Zemaj.

Osmani ka thënë se vepra e kolonelit Tahir Zemajt është një udhëheqës i paepur dhe guximtar.

“Emri i kolonelit do të jetë gjithmonë simbol i sakrificës dhe i luftës për liri dhe pavarësi, ndaj zbulimi i autorëve të vrasjes dhe vënia para drejtësisë janë të domosdoshme”, shkroi Osmani në Facebook. sn

UNESCO: Shqipëria ka përkeqësim në arsim! Nevojë urgjente për rritjen e financimit

Shqipëria është para një nevoje urgjente për të përmirësuar financimin për sektorin e arsimit dhe për një shpërndarje më të mirë të burimeve vuri në dukje UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë) në një analizë të posaçme të Arsimit në Shqipëri që u publikua kohët e fundit.

Analiza gjeti dobësi në menaxhimin e sektorit dhe sidomos në lënien pas dore të financimeve të cilat kanë pësuar ulje në raport me PBB-në dhe shpenzimet totale buxhetore gjatë dekadës.

Sipas UNESCO shpenzimet për arsimin në vitin 2010 zinin 12% të buxhetit të Shqipërisë dhe 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa në 2021 shpenzimet publike për arsimin zinin vetëm 9.8% të buxhetit total dhe 3.1 % të PBB. Në tre vitet në vijim sipas të dhënave të brendshme këto raporte janë përkeqësuar me tej.

“Përmirësimi i burimeve për arsimin është kritik për të siguruar që Shqipëria të adresojë sfidat përpara dhe të sigurojë që të gjithë fëmijët të marrin arsim cilësor për të plotësuar kërkesën aktuale dhe të ardhshme të ekonomisë” thuhet në raport.

Të ardhurat e qeverisë përbënin 28% të PBB në buxhetin e 2022 dhe kanë qenë në një trend në rritje gjatë dekadës së fundit. Shpenzimet buxhetore ishin 32% e PBB-së në 2022. Shpenzimet buxhetore kryesisht përqendrohen për mbrojtjen sociale dhe shpenzimet kapitale, këto të fundit zënë 22 % të totalit të buxhetit.

UNESCO analizon se shpenzimet e qeverisë për arsimin arritën në 59.1 miliardë lekë në vitin 2021 dhe ishin sa 3.1% të PBB-së, një nivel më i ulët se vendet e tjera të Ballkanit. Raporti vë në dukje se krahasuar me profesionet e tjera, pagat e mësuesve janë të ngjashme me ato të personelit mbështetës të teknikëve dhe janë dukshëm më të ulëta se pagat e profesionistëve dhe më të ulëta se në vendet fqinjë.

Si rrjedhojë e uljes së numrit të nxënësve është rritur kosto për nxënës dhe nuk ka një shpërndarje të mirë të burimeve. Kostoja e drejtimit të një klase nis nga 1.3 milionë lekë në vit për klasat në parashkollor deri në 3.1 milionë lekë për arsimin e mesëm. Në nivelet e arsimit bazë, rënia në numrit e nxënësve nuk është kompensuar nga ulja ekuivalente në burimeve vë në dukje UNESCO.

Raporti verën se me procesin e decentralizimit të iniciuar në vitin 2015, menaxhimi i rrjetit të shkollave është i ndarë ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MASH), e cila është kryesisht përgjegjëse për mësuesit dhe mbikëqyrjen e shkollës dhe qeverive vendore, të cilat mbikëqyrin infrastrukturës dhe anën operacionale të përditshme të shkollave. Mirëpo ndarja e përgjegjësive nuk ka funksionuar duke e ndikuar më tej negativisht sektorin arsimor në vend./ Monitor

UGSHPD: VELIAJ “E MBAJTI” FJALËN! RAMË BEU U KTHYE NË LIDER VIRTUAL

 
 

Një vit i ri nisi jo me të papriturën e asaj që SPAK kishte rezervuar për Berishën. Me të filluar viti i ri 2025, gati 5 muaj para zgjedhjeve të 11 Majit një titull në ATSH se: Apeli i GJKKO-së: Berisha, “detyrim paraqitje” dy herë në muaj, nuk shpreh gjë tjetër veç se një kufji tregues për zgjedhjet 2025. Ai nënkupton dhe përcakton dëshirat e pushtetit për të kontrolluar lëvizjet dhe organizimin e opozitës që nisi me arrestimet gjatë vitit të kaluar, por mban të vshehur krisjen e madhe që ka ndodhur dhe luftën brenda Rilindjes Socialiste e cila është në shumë vështirësi si në përfaqësim ashtu edhe në kohën e shkurtër për të gjetur aleanca në partitë e vogla politike për shkak të thellimit të korrupsionit dhe krimit.

Krisja që shprehet me të njëtin term “LINÇIM”, u përdor në dy raste nga Veliaj në mbledhjen e këshillin bashkiak pas daljes nga SPAK me 26 Dhjetor dhe nga Rama në konferencën me gazetarët më 30 Dhjetor.
Ja si e parashtruan ata termin linçim.
Veliaj:-Nesti Angoni nuk ekziston, të gjithë e dimë kë përfaqëson ky emër, çfarë mentaliteti përfaqëson dhe çfarë kulture linçuese përfaqëson ky stil”.
Rama:-“linçimi publik i Kryetarit të Bashkë është i neveritshëm dhe kërkimi i gijotinës për të është skandaloz”.
Megjithëse SPAK e kishte në inicialet NA (N/A)*, që në një formular ngjan me i/e pa aplikueshme, katër çështjet në nga Byrosë Kombëtare të Hetimit ishin për Velinë:
1-“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”. 
2-“Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”. 
3-“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
4-“Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.
Menjëherë pas kësaj një biletë dhe udhëtim (shpenzime të pa motivuara deri tani), nga ana e kryetarit të bashkisë për në SHBA kërkuan të mbyllnin surprizat e fundvitit duke lënë mes analistëve të medias dhe interesit publik shumë hamendje.
Kjo sepse Veliaj për 48 orë humbi nga fokusi i mediave dhe u kthye minutën e fundit, në Sheshin Skënderbej mes mijëra Festuesve, pikërisht në numërimin e sekondave të fundit të 2024 dhe u largua pas pak duke lënë mesazhin:-“Progresin e Tiranës sonë nuk e ndalon askush…ndonjëherë suksesi ka xhelozi dhe ndonjëherë suksesi ka stërkëmbësha, por progresin e Tiranës nuk e ndalon askush”.
Kjo situatë ndodhi vetëm pak orë live pasi kryeministri Rama hipi dhe zbriti i vetmuar shkallët e sukseseve në selinë ekzekutive për ta dhënë ndryshe, por edhe ashtu siç është në të vërtetë egon e një mandati të katërt dhe spastrimin e rrugës nga kundërshtarët duke i mbuluar gjithnjë veprimet me datën 2030- Shqipëria në BE.
Pra pa hyrë 2025, Rama ju kujton shqiptarëve se do ta kenë mbi qafë edhe të paktën 5 vite të tjera!
E nëse Rama dhe Veliaj në luftën e tyre do të mbeten tërheqja e vemendjes për opozitën deri në zgjedhjet e Majit, protestat e opozitës duhen kordinuar me kalendarin e SPAK-ut, të paktën dy herë në muaj. Ose sa herë që pjekuria e opozitës merr terren, drejtësia do të lëshojë Veliajn dhe të ngjashmit me të për të treguar se vazhdon dhe vepron majtas.
Ndërgjegjësimi i shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit për vlerën e votës së tyre mbetet përparësia e gjithshkaje në qoftë se ata duan ta sjellin ndryshimin dhe ndarjen përfundimtare nga korrupsioni dhe krimi.
2024 u mbyll me surprizat e Rilindjes Socialiste, ku Erion Veliaj u tregua “burrë”, “e mbajti fjalën” dhe u kthye të numëronte sekondat e fundit të ndërrimit të viteve gjeti kohë nënshkroi 750 mijë € fonde këste të mbetura për muajin Tetor 2024 për shoqërinë koncesionare të landfillit të Sharrës, “Integrated Energy bv”.
E nëse këtë e konfirmon Thesari i Shtetit, Rama si kryeministër zbulon jetën e tij virtuale se si do të ishte në 1912 ose anasjelltas se si do ta sillte në jetë Ismail Qemalin në BE përmes oborrit të Rilindjes Socialiste. 
Në këtë kuptim Rama dhe Veliaj janë bashkë me eksperimentin e progresistëve global në një vend të vogël si Shqipëria duke shtrydhur çdo qindarkë prej korrupsionit.
Popullsisë dhe opozitës i ka mbetur ose t’i binden regjimit, ose në këta pesë muaj të gjejnë edhe duke sakrifikuar rrugëzgjidhjen për ndryshim, bashkimin për fitore ndaj korrupsionit, krimit, censurës dhe propagandës për të mbrojtur demokracinë e nisur në 1990.
 
3 Janar, 2025 
 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Ukraina bën bilancin: 2024-a vit i errët për Putinin, 430 mijë ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur

Shifrat e Ukrainës flasin për mbi 430 mijë ushtarë rusë të vrarë ose të plagosur, mbi 3 mijë e 600 tanke të shkatërruar ose dëmtuar, dhe gati 9 mijë automjete të blinduara luftarake të shkatërruara.

Këto janë disa nga rezultatet kryesore të arritura nga ushtria ukrainase në vitin 2024 në luftën kundër Rusisë, e cila do të shënojë vitin e tretë muajin e ardhshëm.

Moska, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës, vitin e kaluar pësoi humbjet më të larta për sa i përket njerëzve dhe pajisjeve që nga fillimi i pushtimit të saj më 24 shkurt 2022.

Humbjet ruse në vitin 2024, në fakt, raporton Ukrinform, tejkalojnë ato të 2022 dhe 2023, të kombinuara.

Përveç humbjeve të personelit, Rusia ka pësuar një shkatërrim të paprecedentë të pajisjeve ushtarake në vitin 2024.

Forcat ukrainase shkatërruan ose dëmtuan 3689 tanke armike, ekuivalente me 119 batalione tankesh.

Humbjet më të larta mujore të tankeve ruse u regjistruan majin e kaluar, me 428 automjete të shkatërruara.

Numri i mjeteve të blinduara luftarake të shkatërruara ose të dëmtuara ishte po aq i rëndë, me një total prej 8 mijë e 956 automjetesh.

Tetori i kaluar shënoi kulmin e këtyre humbjeve, me 923 automjete të shkatërruara apo dëmtuara në një muaj të vetëm.

Në vitin 2024, forcat ukrainase shkatërruan gjithashtu 13 mijë e 50 sisteme artilerie ruse, të mjaftueshme për të pajisur 725 divizione artilerie, përfshirë 1 mijë e 520 vetëm në korrik; si dhe 313 sisteme raketash të shumta lëshuese; 407 sisteme të mbrojtjes ajrore. bw

Osmani: Është koha për t’i dhënë Kosovës statusin e kandidatit dhe për të hequr masat e padrejta të BE-së

Më 1 janar, Polonia ka marrë drejtimin e Këshillit të Presidencës së Bashkimit Evropian. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar këtë hap të rëndësishëm, duke theksuar se pret me padurim të bashkëpunojë me presidentin polak Andrzej Duda dhe kryeministrin Donald Tusk për të avancuar perspektivën evropiane të Kosovës.

“Është koha për t’i dhënë Kosovës statusin e kandidatit dhe për të hequr masat e padrejta të BE-së ndaj qytetarëve tanë,” ka shkruar ajo. Në mesazhin e saj, Presidentja ka falënderuar gjithashtu Hungarinë për përkushtimin e treguar gjatë mandatit të saj në krye të presidencës së Këshillit të BE-së.

Në fund të Presidencës së saj, Hungaria arriti të ndërmjetësojë në Këshillin Evropian një pajtueshmëri për hapjen e disa kapitujve në negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, dhe mbylljen e disa kapitujve në negociatat e Malit të Zi për anëtarësim në BE. Ndërkaq, Polonia mori kryesimin e radhës nga Hungaria, ndërsa pas gjashtë muajsh do t’ia dorëzojë këtë Danimarkës, e cila do të kryesojë bllokun evropian në gjysmën e dytë të vitit.bw

Urime nga botuesit e VOAL: Gëzuar Vitin e Ri 2025, me fat Viti i Ri 2025, vëllezër shqiptarë, motra shqiptare!- Nga Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj

Vëllezër shqiptarë, motra shqiptare!

Shenjat që ka dërguar viti 2024 paralajmërojnë, faleminderit Zotit, që Viti i Ri 2025 do të jetë i ri në 12 muajt e tij dhe në 365 ditët e tij. Do të jetë, pra, vit i fillimeve të reja, vit i shpresave të reja, vit i vendimeve të reja për të gjithë ata që besojnë në mundësitë e reja, në shpresat e reja, në zhvillimet e reja të rëndësishme.

I tillë do të jetë Viti i Ri 2025 në shkallë planetare, i tillë do të jetë edhe në hemisferën politike së cilës i përkasim vendosmërisht ne shqiptarët, i tillë do të jetë Viti i Ri 2025 edhe për Kombin tonë, për mbarë Shqiptarinë, i tillë do të jetë për të gjithë ne shqiptarët që besojmë në mendjet tona, në talentet tona, në energjitë tona, në frymëzimet tona, në vizionet tona, që besojmë se është i mundur lartësimi i mëtejshëm vendimtar i jetës sonë, shoqërisë sonë, kombit tonë, që besojmë në rritjen e rolit tonë jo vetëm për një fat më të mirë që ne e meritojmë, por edhe në rrafshe më të gjera përtej nesh, në zhvillimet evropiane, perëndimore dhe më tej.

Viti 2024, që sapo e lamë pas, ishte një tjetër vit 2023, vit me luftë, si viti paraardhës. Shpresat tona nuk u realizuan, urimet dhe lutjet tona nuk u dëgjuan, lufta është në kontinentin tonë dhe përtej kontinentit tonë, kërcënimet e luftës janë gjithnjë më pranë rajonit tonë, i njohur botërisht si fuçi baroti.

Premtimi i shenjave është se Viti i Ri 2025 nuk do të jetë përsëritje e ngjashme e vitit 2024, i cili, si viti 2023 nuk u bë dot sinonim i paqes, të cilën qytetarët e botës e duan, perëndimorët, evropianët e duan, shqiptarët, më shumë se të gjithë e duan.

Prandaj, ndërsa i urojmë njëri-tjetrit gëzuar Vitin e Ri 2025, ne shqiptarët, ndoshta edhe të tjerët, anembanë botës, ndahemi më lehtë shpirtërisht edhe nga viti 2024, ndonëse do ta kemi ndoshta të vështirë të besojmë e të shpresojmë se ky vit do të jetë ai që duam, do të jetë një vit që ne evropianëve dhe mbarë njerëzimit t’ia largojë fantazmën e një përplasjeje të re botërore, një lufte të re të përmasave botërore;

ndonëse e kemi të vështirë të besojmë e të shpresojmë, kur demokracia në Shqipëri është më e asgjësuar se kurrë, kur në kufijtë veriorë të kombit, u kërcëlluan me ashpërsi putinët e vegjël, shovinistët serbomëdhenj millosheviçianë të Beogradit.

Përballë sfidave të tilla qeniet individuale dhe ato kolektive kombëtare, pra qenia jonë njerëzore dhe kombëtare, e forcojnë më shumë se kurrë imunitetin, instiktin e qëndresës, të përballimit dhe të kundërveprimit ndaj të gjitha të këqijave, të ligave që i vërtiten dhe i kanosen kombit tonë. Në këtë rrafsh, edhe viti 2024 ishte vit i akumulimit të përvojave të mëdha, nga ato që maten me përmasa kohore epokale.

Ndërsa i urojmë njëri-tjetrit gëzuar Vitin e Ri 2025, më shumë se kurrë kemi ndërmend që 2025 të jetë vit i vendosjes së paqes në Evropë, vit i triumfit ndaj kërcënimit të egër putinian në Ukrainë dhe i triumfit ndaj frymëzimit putinian serbomadh në zemër të Ballkanit.

Më shumë se kurrë kemi ndërmend që 2025 të jetë, sa më parë, vit i vendosjes së paqes në Izrael, në Rripin e Gazës, në gjithë Lindjen e Mesme, drejt një zgjidhjeje sa më afatgjatë për paqen dhe stabilitetin!

Viti 2025 premton të jetë cilësisht i ndryshëm, do Zoti, rrënjësisht i ndryshëm edhe falë përfshirjes së një fatori tejet vendimtar në jetën e shoqërisë në Shqipëri. Ky faktor ndryshues quhet Vota e Diasporës.

Le të jetë Viti i Ri 2025 vit i shpresës për një rifillim të demokracisë në Shqipëri, çka do të ishte edhe një trimërim për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, për të gjithë shqiptarët në Ballkanin Perëndimor, që të përparojnë në rrafshin kombëtar dhe në rrafshet individuale e grupore, në të gjitha fushat e jetës!

Urojmë nga zemra që Kosova, e cila do të votojë më 9 shkurt, ta dëshmojë veten se është gjithnjë e më e përkushtuar të përshpejtojë integrimet perëndimore dhe forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare, çka është vendimtare për paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë!

Ne shqiptarët e meritojmë këtë më shumë se kushdo tjetër në gadishull dhe kontinent, ndoshta në botë, si për shkak të historisë sonë flijuese e vetëflijuese, edhe për shkak të rolit historik që na ngarkohet në kuadër të fateve tona dhe të fateve evropiane e më gjerë.

Botuesit e VOAL, me një ndjenjë më të lartë, më të frymëzuar dhe të përgjegjshme se kurrë, urojnë nga zemra që Viti i Ri 2025 të jetë një vit vendimtar në përmbushjen tonë kombëtare, në përcaktimin sa më fatlum të ardhmërive tona!

Zoti qoftë me shqiptarët!

Le të mendojmë mirë, të shpresojmë mirë, të besojmë mirë, të veprojmë mirë, që të bëhet më mirë e më mirë!

Gëzuar e me shumë fat, shqiptarë të dashur, vëllezër e motra, Vitin e Ri 2025! Qoftë i ri, o Zot, në 12 muajt e tij, në 365 ditët e tij!

 

Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj

Botuesit

e Voal.ch

Bota pret Vitin e Ri 2025

VOA Marrë nga Associated Press

Auklandi është qyteti i parë i madh që mirëpret vitin 2025, me mijëra njerëz që numëruan sekondat deri sa mbërriti mesnata dhe shijuan fishekzjarret shumëngjyrëshe që u lëshuan nga ndërtesa më e lartë e Zelandës së Re, ‘Sky Tower’ dhe një shfaqje spektakolare dritash në qendër të qytetit. Festimet pasojnë një vit që është shënuar nga protestat për të drejtat e fisit indigjen ‘Maori’ në vendin me 5 milionë banorë.

Dy orë pas Zelandës së Re, më shumë se 1 milion njerëz ndoqën shfaqjen tradicionale të fishekzjarreve në Sidnei të Australisë. Ylli britanik i muzikës pop, Robbie Williams udhëhoqi programin dhe ceremonitë që këtë vit iu kushtohen fiseve indigjene australiane.

Ndërkohë, edhe qytetet e tjera anembanë botës po përgatiten të mirëpresin Vitin e Ri, me festime që nxjerrin në pah kulturat dhe traditat e ndryshme lokale, pas një viti të trazuar me konflikte të vazhdueshme dhe paqëndrueshmëri politike.

Azia përgatitet për ‘Vitin e Gjarprit’

Pjesa më e madhe e Japonisë është mbyllur në prag të festimeve më të mëdha në vend, me tempujt dhe shtëpitë që iu nënshtruan një pastrimi të plotë. Ky ‘Vit i Ri i Gjarprit’, siç njihet në kulturën aziatike, është thënë se është viti i rilindjes – duke iu referuar ndërrimit të lëkurës së gjarpërinjve.

Për shkak të kësaj feste, dyqanet në Japoni po shesin objekte zbukuruese të ndryshme që lidhen me gjarpërinjtë. Vendet e tjera në Azi do të nisin kremtimet e ‘Vitit të Gjarprit’ më vonë, me Vitin e Ri Hënor.

Në Korenë e Jugut festimet u ndërprenë ose u anuluan, për shkak të zisë kombëtare pas rrëzimit të dielën të një avioni të kompanisë ‘Jeju Air’ në Muan, ku si pasojë humbën jetën 179 persona.

Rivalët e perëndimit demonstrojnë marrëdhëniet mes tyre

Mediat shtetërore kineze njoftuan një shkëmbim urimesh për Vitin e Ri mes Presidentit të Kinës, Xi Jinping dhe atij rus Vladimir Putin, një tregues i marrëdhënieve gjithnjë e më të afërta të dy udhëheqësve që kanë raporte të tensionuara me Perëndimin.

Presidenti Xi i tha homolgut të tij rus Putin se vendet e tyre “gjithmonë do të përparojnë krah për krah”, njoftoi të martën agjencia e lajmeve ‘Xinhua’.

Kina ka ruajtur lidhje të forta dhe ka zhvilluar tregti me Rusinë që nga sulmi rus kundër Ukrianës në vitin 2022, duke e ndihmuar Moskën në kompensimin e dëmeve për shkak të sanksioneve dhe përpjekjeve të Perëndimit për ta izoluar Putinin.

Meshë mesnate, dolli me shampanjë

Në qytetin e Romës, festimeve tradicionale të Vitit të Ri i shtohet edhe fillimi i Vitit të Shenjtë të Papa Françeskut. Festa që shënohet në çdo çerek shekulli, pritet të sjellë rreth 32 milionë pelegrinë në kryeqytetin italian, që njihet edhe si ‘qyteti i përjetshëm’.

Të martën nisin kremtimet me ceremoni lutjesh në bazilikën e Shën Pjetrit, pasuar me meshën e së mërkurës, ku pritet që Papa Françesku të përsëris thirrjet për fundin e luftërave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, Katedralja e Shën Palit në Minesota organizon një meshë që fillon një orë para mesnatës dhe një dolli për shënimin e Vitit të Ri.

1 janari është një ditë detyrimi për katolikët, që shënon ‘Solemnitetin e Marisë’, ndërsa shumë kisha që do të zhvillojnë mesha pasditën e së martës dhe në mbrëmje.

Festa me fishekzjarre në Paris dhe Londër

Parisi shënon Vitit e Ri me numërimin tradicional të sekondave deri në mesnatë dhe fishekzjarret në bulevardin e njohur ‘Champs-Elysees’.

Organizimi i Lojërave Olimpike Verore dhe Lojërave Paraolimpike nga korriku deri në shtator ka transformuar kryeqytetin francez në një vend gëzimi, vëllazërie dhe arritjeve sportive, një tjetër moment historik që shënon rimëkëmbjen e qytetit nga sulmet vdekjeprurëse ekstremiste islamike më 2015.

Kryeqyteti anglez do ta presë Vitin e Ri me një shfaqje fishekzjarresh përgjatë lumit Thames dhe një paradë me 10 mijë interpretues në qendër të qytetit të mërkurën.

Për shkak të motit të ligë në pjesë të tjera të Mbretërisë së Bashkuar, ceremonitë e planifikuara në Edinburg të Skocisë u anuluan.

Në Rio do të festojnë 2 milionë njerëz

Në plazhin Copacabana të Rio de Zhaneiros do të zhvillohet ceremoinia kryesore e pritjes së Vitit të Ri, me 10 tragete në det që do të ofrojnë një shfaqje 12 minutëshe fishekzjarresh. Mijëra turistë në gjashtë anije do të shohin nga afër këtë shfaqje.

Më shumë se 2 milionë njerëz pritet të mblidhen në Copacabana, të cilët do të shijojnë koncertin e artistëve të njohur brazilianë si këngëtarja e muzikës pop, Anitta dhe fituesi i çmimit Grammy, Caetano Veloso.

Traditat e reja dhe të vjetra amerikane

Në qytetin e Nju Jorkut, kompania që menaxhon sheshin e njohur ‘Times Square’ testoi rënien e topit të famshëm, simbolin e vitit 2025, numrat, dritat dhe mijëra kristale,t që janë pjesë e traditës së njohur të pritjes së Vitit të Ri që ka nisur nga viti 1907. Festimi i këtij viti do të përfshijë një shfaqje muzikore ku do të performojnë artistë të njohur si Rita Ora, TLC, Jonas Brothers dhe Sophie Ellir-Bextor.

Fstimet në ‘Times Square’ pritet të mbledhin turma të mëdha njerëzish, pavarësisht parashikimeve për reshje shiu dhe motit të ftohtë.

Ndërkohë, në Las Vegas të Nevadës do të ketë tradita të vjetra dhe të reja të pritjes së vitit të ri. Shfaqja vjetore tetë-minutëshe e fishekzarrjeve nga çatitë e nëntë kazinove pritet të mbledhë rreth 340 mijë njerëz.

Aty pranë, objekti masiv i njohur me emrin ‘Sphere’ do të shfaqë për herë të parë numërimin mbrapsht deri në mesnatë në zona të ndryshme kohore.

Muzikë, futboll, vrap në mesnatë

Qyteti Pasadena në Kaliforni është përgatitur për ‘Paradën e Trëndafilave’, një traditë e përvitshme amerikane që filloi 134 vjet më parë. Parada i paraprin një ndeshje futbolli amerikan mes klubeve ‘Ohio State Buckeyes’ dhe ‘Oregon Ducks’ më 1 janar.

Mijëra njerëz pritet të marrin pjesë në një garë vrapi.

Rreth 200 mijë njerëz do të festojnë në Nashvill të Tenesisë, në një koncert pesë-orësh të disa prej yjeve më të mëdha të muzikës ‘country’.

Samoa Amerikane është ndër të fundit që mirëpret vitin e ri, plot 24 orë pas Zelandës së Re.

UGSHPD: RAMA DREJTON PUSHTETIN NËN INFLUENCËN E FRIKËS

 
 
Pas timonit dhe dajres në fushatat e mëparshme zgjedhore të cilat i siguruan kryeministrit Rama “suksesshëm” qeverisjen me nepotizëm dhe korrupsion (kapjen e të gjitha pushteteve) për 12 vite, nga sot deri në zgjedhjet e ardhshme të 11 Majit, ai vihet re se dukshëm do ta drejtojë shtetin paduar ose nën influencën e frikës. 
Kjo do të thotë spastrime dhe pushtet absolut dhe gjithkush brenda Rilindjes Socialiste një ushtar i bindur.
Në qoftë se publiku këtë e ndjen si një mungesë frymëmarrje për të qenë sovran, këtë më së miri e tregoi shfryrja dhe turfullimi në konferencën përmbyllëse me gazetarët ku kryeministri s’kishte më ç’të fliste i përhumbur në gjetjen e pusullave dhe shënimeve.
Pikërisht prej kësaj gjendjeje nuk do të ndalemi tek konferenca vjetore e cila quhet zakonisht nga propaganda e tij si “shteruese” pasi zgjati mbi 3 orë. Fakt është që ai e humbi fillin jo nga padija, por nga tronditja/shok politike që ka marrë nga zhvillimet e fundit të SPAK-ut me Kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj i cili ashtu si Shqipëria janë në ajër ose në rënie të lirë prej korrupsionit.
Për gazetarët u ndoq një strategji “fol sa më gjatë dhe mos jep përgjigje”. 
Dhe kështu ndodhi.
Në tri orë takim vetëm nga një pyetje ku shantazhi dhe intimidimi ishin pjesë e aktrimit para dhënies së përgjigjeve.
Në një nga pyetjet që veçojmë dhe ka interes për diasporën ishte ajo e listave zgjedhore që harton Rilindja Socialiste dhe se në cilën Rama do të bëjë pjesë.
A është Vlora e Ismail Qemalit?
Sepse Rama është i pari që po ndërton një shtet të së drejtës që pas 1912-ës.
A është Durrësi i Jurgis Çyrbes?
Deputeti i Partisë Socialiste nën akuzën  “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Apo është Shkodra?
Me këtë arrogancë dhe intimidim të dyfishtë si për median dhe për kundërshtarët politikë, Rama nuk i habiti gazetarët e pranishëm dhe publikun “live” se kur analistët në ekrane e kritikojnë atë, rreth 600 mbledhje organizatash mbahen nga strukturat e Rilindjes Socialiste.
Një zmadhim dhe mendjelehtësi shprehjesh që nuk mund t’ua vërtetosh ndodhinë. Por megjithatë konsekuenca inatçore vjen deri aty ku Rama beson (ose i ka të numëruar) 800 mijë mbështetës brenda vendit dhe ndoshta po kaq në diasporë po ta besojmë se administrata dhe patronazhistët janë investuar dhe po punojnë fort deri me 11 Maj, 2025 pavarësisht korrupsionit që ka pushtuar çdo aspekt të jetës shqiptare.
Diaspora?!
Kjo është çështja më e pasigurt dhe që fatkeqësisht nuk zuri vendin e duhur në takimin 3 orësh me gazetarët.
Fatkeqësisht diaspora ishte dhe tema për të cilën nuk u bë një pyetje.
Ndoshta gazetarët në fundvit janë “të lodhur” edhe nga maratona e turrjeve të kryeministrit me ministra dhe administratë, me patronazhistë dhe me tallava folklorike, pikërisht për ta dekurajuar votën e diasporës. 
Greqi 14 Maj,  Athinë dhe 3 Nëntor, Selanik 
Itali 26 Maj, Milano 
Mbretëria e Bashkuar- 24 Nëntor Londër 
SHBA  25 Shtator dhe 26 Tetor Nju Jork
Dhe mos bërja e pyetjeve nuk është çudi nën një stres të tillë dhe kur ke përpara një kryeministër që qeveris nën influencën e frikës.
Duke i besuar gjetjeve që zhurmuan në raste krizash dhe që “i zgjasin jetën” në pushtet Ramës tema si “Kampet e Refugjatëve në Shëngjin dhe Gjadër”, “Shteti Bektashi”, “1 vit pa tik-tok”, “Pusulla e homologut Kurti në takimin e dy Kuvendeve” etj. deri tek trauma/shoku Erion Veliaj, nuk ka çudi se kur të kujtohet se në mbylljen e konferencës së fundvitit për gazetarët, Edvin Rama do të zgjohet një ditë dhe do të thotë jam në listën e të zgjedhurve nga diaspora, pasi brenda vendit atë dhe elitën e Rilindjes Socialiste të etur për një mandat të katërt të gjithë e njohin.
E njohin mirë dhe janë më pak në numër se sa ata që janë larguar prej Shqipërisë.
 
30 Dhjetor

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Në prag të festave të fundvitit, Vjosa Osmani viziton veriun e vendit

Në prag të festave të fundvitit, presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani është duke qëndruar në veri të Mitrovicës.

Osmani gjatë kësaj kohe ka vizituar Drejtorinë e Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut.

Kjo është vizita e parë e Osmanit në veri, pas sulmit të 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, komunë kjo me shumicë serbe në veri të vendit./KP

Shqiptarët nuk i besojnë njëri-tjetrit, më shumë se çdo vend në Rajon, as shtetit

Shqiptarët gjithnjë me shumë po bëhen dyshues në marrëdhëniet me të tjerët. 89 për qind e tyre nuk i besojnë njëri -tjetrit dhe tregohen shumë të rezervuar në marrëdhënie me njerëzit.

Sipas anketës se Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) që mati perceptimin e sigurisë në Rajon, qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës shfaqen nivele më të larta të mosbesimit në marrëdhënie me njerëzit (shiko grafikun e mëposhtëm).

Në të kundërt qytetarët e Serbisë dhe Malit të Zi ishin më pak mosbesues së pjesa tjetër në Rajon. Psh 27% e serbëve pohojnë se njerëzit e tjerë mund të besohen kundrejt vetëm 11 për qind të shqiptarëve.

Shqiptarët ndryshe nga Rajoni shfaqen nivele të larta të besimit te familja. 95% e të anketuarve pohuan se i besojnë familjes, në përqindje më të lartë se në Rajon, ku përgjithësisht vetëm 77% besojnë të familja.

Gjithashtu shqiptarët spikatën për besim e ulët që kanë tek komuniteti që i rrethon. Vetëm 7 për qind besojnë plotësisht tek lagjia ku jetojnë, teksa mesatarja rajonale është 17%.

Gjithashtu 65 % e të anketuarve nuk besojnë tek administrata publike, niveli më i lartë ne Rajon. Vetëm 1 % e të anketuarve kanë besim tek administrata publike në raport me 4% që ishte mesatarja rajonale.

93 për qind e shqiptarëve nuk u besojnë njerëzve që takojnë për herë të parë.

Besimi institucional është dukshëm i ulët në të gjithë rajonin, ku partitë politike, mediat sociale, parlamentet, shtypi dhe televizioni janë institucionet më pak të besuara.

Ka pak përjashtime ku shumica e të anketuarve kanë besim: organizatat fetare (60% shumë dhe mjaft besim); forcat e armatosura (55%); policia (54%); universitetet (53%); Bashkimi Europian (55%) dhe NATO (54%). Në rajon, ka më pak besim te partitë politike (80% nuk kanë fare ose jo shumë), mediat sociale (75%), parlamenti (72%), shtypi (71%) dhe televizioni (65%), megjithëse ka më shumë se 50% mosbesim në të gjitha institucionet e tjera.

Të dhënat e SecuriMeter 2024 theksojnë se korrupsioni mbetet një çështje e përhapur në Ballkanin Perëndimor, me 83% të qytetarëve që e perceptojnë atë si të përhapur, megjithëse më pak besojnë se është “shumë i përhapur” në krahasim me vitin e kaluar.

Ndërsa ka një rënie të lehtë në raportet e ryshfetit, veçanërisht në kujdesin shëndetësor dhe ndërveprimet e policisë, korrupsioni i nivelit të lartë mbetet një shqetësim i rëndësishëm./B.Hoxha


Send this to a friend