Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha shprehet i sigurt se Basha i ka kthyer përgjigjet të qartë kërkesës së ambasadores së SHBA, Yuri Kim.

Madje Berisha në konferencë e ka falenderuar publikisht Bashën dhe e ka përgëzuar për përgjigjen.

Sipas tij, Basha i ka kërkur znj.Kim fakte , dokumenta e prova për akuzat e SHBA mbi Sali Berishën për shpalljen ”non-grata”.

PYETJA: A i druhet Berisha një tradhëtie në PD?

BERISHA: Kryetari i PD i është përgjigjur kërkesës së znj.Kim, paraqisni fakte, dokumenta, prova. Kjo është një përgjigje që i ka dhënë znj.Kim. E falenderoj dhe e përgëzoj. Kjo është e vetmja kërkesë që unë kam.

Nuk kam kërkesë për ndryshim vendimi, por për shpifjen që është bazuar vendimi.

A do largohet nga grupi i PD?! Berisha: Respektoj vullnetin e shqiptarëve. Ambasadorja u zemërua se kritikova marrëveshjen e Delina Ficos me Llagamin për dosjet sekrete

Ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse do të largohet nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, për t’u futur në Parlament në shtator si deputet i pavarur.

Në përgjigjen e tij, Berisha la të kuptohej se një gjë e tillë nuk do të ndodhtë, teksa u shpreh se “Në Parlament do të futem ashtu siç më kanë votuar qytetarët shqiptarë. Të jemi të hapur, çdo vendimi, i cili në vend të transparencës zgjedh diktatin, unë do t’i kundërvihem me një aleancë me çdo demokrat e çdo shqiptar, në betejë përfundimtare kundër këtij regjimi. Këtë do ta bëj edhe në kuadrin e PD.

Unë kërkoj nga PD të mos angazhohet në këtë betejë. PD dhe cilido tjetër mendoj unë ka një detyrë, të kërkojë fakte, prova, dokumente. Ka dhe një detyrë tjetër, në mungesë të këtyre, të mos pranojë diktatin. Sepse diktati të çon te bari. Unë po mbroj disa parime që janë jetike të çdo qytetari të lirë. Po mbroj dinjitetin ç’është e vërteta”.

Më tej, Berisha deklaroi se nuk ka frikë nëse KQZ mund t’i heqë mandatin e deputetit, pasi sipas tij, ky institucion është i detyruar të zbatojë Kushtetutën. Mes të tjerash, Berisha u shpreh se “Nuk i druhem aspak faktit. KQZ është e detyruar të zbatojë Kushtetutën. Këtu Kushtetuta shkelet çdo ditë, siç është shkelur në rastin ku duket se e ka zemëruar shumë ambasadoren, ku unë kritikova marrëveshjen e Delina Ficos me Llagamin, një marrëveshje që shkel çdo ligj e Kushtetutën, që jep me koncesion dosjet gjyqësore, që përbëjnë sekret. Ka krijuar Delina një skuadër të tërë militantësh të PS, i paguan, dhe tani ata do të marrin në dorë 30-40 mijë dosje të Gjykatës së Lartë. Njerëz pa asnjë eksperiencë, pa asnjë lloj prove, që mund të heqin e vënë çdo dokument në ato dosje, që mund t’i sheshin e blejnë ato dosje sa herë duan, dhe sepse këtu duhet që Delina Fico, ish-bashkëshortja e Edi Ramës dhe ish-bashkëshortja e ministrit të Brendshëm, të krijojë një çorbë, që nuk ekziston në asnjë vend të planetit”.

Bashkëqeverisje Rama-Basha në shtator? Berisha: Kategorikisht kundër! Do të ishte drama më e madhe për Shqipërinë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar deklaratat e ambasadores amerikane, Yuri Kim, për një bashkëqeverisje të mundshme mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës në shtator, duke thënë se kjo do të ishte drama më e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Berisha u shpreh kategorikisht kundër një bashkëpunimi të tillë, duke thënë se opozita është shpresë për përmbysjen e narkoshtetit dhe nuk mund të shndërrohet në levë të narkoshtetit.

“Kategorikisht kundër. Do të ishte drama më e madhe e Shqipërisë dhe shqiptarëve që opozita, e cila është shpresë për përmbysjen e narkoshtetit, të shndërrohet në levë të narkoshtetit. Jam i bindur se janë shumë të paktë, ose ndoshta askush nga demokratë, që e duan, por bashkëpunimin që iu referua zonja Kim mund të jetë, por edhe jo, për bashkëqeverisje”, tha Berisha.

“Nuk është vonë”, Berisha: PD t’i kërkojë ambasadores së SHBA të kërkojë ndjesë publikisht, mbetemi parti e hapur për bashkëpunim

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha thotë se PD duhet ti kërkojë ambasadores së SHBA të kërkojë ndjesë publikisht për deklaratën.

Berisha thotë se znj.Kim ende nuk ka kërkuar falje për deklaratën të cilën ai e konsideron si më skandalozen e 30 viteve të fundit nga një përfaqësues i huaj në Shqipëri.

Për Berishën, PD mbetet një parti pro-perëndimore dhe pro-amerikane e hapur për bashkëpunim me partnerët.

”PD është dhe mbetet e hapur si një parti pro-perëndimore, pro-amerikane. Qëndrimi, mendoj se deklarata që bëri ambasadorja në oborrin e PD është deklarata më skandaloze e 30 vitevetë fundit e një përfaqësuesit të huaj në Shqipëri. Me barin kuptohet. Kërcënimi që i bëri demokratëve dhe shqiptarëve, dhe unë po atë ditë i kërkova të kërkoj ndjesë.

Mirëpo s’ka ndodhur, nuk është vonë. Mendoj se PD do ti kërkojë znj. Kim të kërkojë ndjesë publikisht dhe pa asnjë diskutim ajo mbetet e hapur për bashkëpunim me gjithë partnerët. Bashkëpunimi do të thotë bashkëpunim.”- tha Berisha.

(BalkanWeb)