Fjala e plotë e Blushit:
Do doja të mos isha sot në këtë parlament dhe pa dyshim do doja që ky Kuvend të mos kishte nevojën dhe detyrimin që të votonte një ligj kundër vetes. Kjo do ishte e lehtë në fakt nëse këtu nuk do ishin futur njerëz me të shkuar kriminale të cilët na detyruan të vijmë në këtë duke votuar edhe vetë ata të votojnë një ligj kundër vetes. Për fat të keq kjo po ndodh. Për fat të keq jemi parlamenti më i shëmtuar në Europë i cili merr përsipër vetë të pranojë se këtu ka kriminelë dhe nëse nuk do ishte për presionin ndërkombëtar, ndoshta ky ligj nuk do miratohej as sot dhe as mot. Por çështja këtu është pse ka kriminelë në Parlamentin e Shqipërisë.
A fituan ata me votë të pavarur dhe u futën këtu? Jo. A konkurruan me ndonjë platformë ekonomike, a propozuan taksa më të ulëta, çmime më të lira, shëndetësi falas? Jo. Çfarë propozuan ata? Në fakt asgjë. Kush i futi ata në Parlament, dhe kjo është çështja. Kush i futi ata në Parlament dhe për çfarë arsye? Unë besoj se sot është dita që të gjithë ne që e pranuam këtë gjë, që pranuam të bashkëjetojmë me krimin në Parlament na duhet të kërkojmë një ndjesë. Sepse njerëzit me të shkuar kriminale nuk erdhën këtu me votat e tyre, ata iu imponuan me forcë partive tona. Kjo damkë që kemi marrë ne si Parlament nuk do ti ndahet këtij Kuvendi ndoshta për shumë dekada. Megjithatë është vendi për ta thënë dhe nuk më vjen fare keq që përgjegjësia sidoqoftë nuk është kolektive por është vetëm dhe vetëm personale.
Është e atyre që i sollën në Parlament, i zbukuruan, i parfumosën, i korrektuan, i lyen me buzëkuq, i bënë make-up politik, për të na detyruar ta pranojmë këtë shëmti si normë politike. Megjithatë dëmi që i është bërë këtij parlamenti është shumë i vogël në fakt se dëmi që i është bërë shoqërisë shqiptare dhe kjo është çështja. Problemi është se duke u bërë deputet, këshilltar, kryetarë bashkish, njerëz që kanë në dorë fatet e dikujt dhe paguhen me taksa, këta njerëz u kthyen në model për shoqërinë. Të jesh i fortë, të jesh i paprekshëm, të kesh imunitet, kjo është kthyer në modë në Shqipëri. Është kthyer në një modë e cila rrezikon për hir të së vërtetës të na infektojë si shoqëri dhe më shumë sesa të na infektojë ne, të infektojë të rinjtë e Shqipërisë, të cilët në fakt, për fat të keq, janë ata që po ikin nga Shqipëria edhe për shkak të këtij modeli; edhe për shkak se ky model është i pakonkurrueshëm në shumë raste.
Pyetja është çfarë i themi ne sot të rinjve të Shqipërisë. Ne i themi mos përdorni mendjen, por përdorni muskujt. Duke futur njerëz të tillë në Parlament kjo është ajo që i themi të gjithë të rinjve. Ne i themi mos mësoni, mos iu edukoni, mos shkoni në shkollë se është e kotë, ska nevojë për një diplomë, mos shkoni në universitet, por vrisni, vidhni, trafikoni, shisni njerëz, përdorni driogë, shisni drogë sepse kjo është mënyra më e shpejtë, më efikase për të marrë një post publik dhe ndoshta për të ardhur në Parlament. E dini çfarë mendon sot një fëmijë që jeton në një provincë të Shqipërisë? Prindërit e tij nuk kanë mundësi ta çojnë në shkollë. Çfarë i thotë ky model dhe ky Parlament atij fëmije në provincë, në një vend të varfër? Ai nuk ka mundësi të bëjë karrierë normale, jeta ia ka bërë të pamundur, trashëgimia e tij nuk ia lejon.
Parlamenti i Shqipërisë i thotë shit drogë, vrit, shko në Itali bëj trafik njerëzish, sepse kështu mund të vish në Parlament, kështu mund të bëhesh deputet. E pra këtu është çështja, kjo është kosto më e madhe për ne dhe shoqërinë tonë. Kemi krijuar një model të cilën sot do ta ndëshkojmë me votë. Por në fakt ne nuk kemi bërë vetëm kaq, kemi bërë pak më shumë se kaq. Kemi degraduar sistemin tonë arsimor, sepse kemi prishur sistemin e meritës. Nuk ka nevojë të mësosh për të hyrë në administratën publike, nuk ka nevojë të diplomohesh, të jesh i aftë, të jesh talent për të ardhur në Parlament. Mjafton të kesh një mik, mjafton të kesh bërë një krim dhe ai miku ta fsheh, mjafton të paguash në gjykatë të bëhesh deputet, të bëhesh gjithçka. Kemi shkatërruar dhe po shkatërrojmë sistemin e karrierës në Shqipëri.
Duke ndërtuar çfarë? Një klasë të re, klasën e atyre që nuk ndëshkohen. Klasën e atyre që dhunojnë. Është në fakt një klasë e re që nuk ka ekzistuar në Shqipëri. Është ndërtuar në këto 25 vjet. Është normale besoj që një parti, një qeveri, apo një klasë politike, nuk ka mundësi financiare, ekonomia nuk ia lejon të bëjë më shumë shkolla, të bëjë më shumë rrugë, të japë shëndetësi falas, të ulë çmimet, të ulë taksat, kjo është e zakonshme, ndodh kudo. Por të fusë njerëz të inkriminuar në Parlament kjo është pa kosto, është gratis. Kush të detyron të fusësh njerëz të inkriminuar në Parlament? Është falas, është kosto e moralit. Ne e shkelëm këtë moral, i dhamë shoqërisë një moral që nuk e meritonte.
Në fund të fundit, çdo klasë politike, çdo shoqëri, çdo parti përveçse të drejtojë dhe të administrojë duhet të ketë një rol shumë më të madh, një rol edukativ, një rol pedagogjik. Ajo ndërton modele. Kjo është detyra e çdo klase politike, e çdo qeverie dhe e çdo partie politike. E thashë që mund të mos ketë mundësi të bëjë shumë, por ama e edukon shoqërinë e saj. Ju besoni se ne kemi edukuar shoqërinë tonë, i kemi dhënë një model të drejtë? E kemi kthyer në pedagogji politike faktin që duhet të jesh i ndershëm, duhet të mësosh, duhet të shkosh në shkollë, që të bësh karrierë dhe të vish deri këtu ku jemi ne? Është e kundërta, e kemi deformuar këtë model. Problemi është me çfarë kosto dhe për sa vjet do të rezistojë ky model.
Partitë për fat të keq, që përbëjnë këtë Parlament sot nga e majta në të djathtë, nga fundi në fillim, nuk janë fare demokratike dhe ky është problemi sot. Nëse do të kishte një parti më demokratike sot nuk do kishim nevojë të bënim ligjin për dekriminalizimin sepse me votën e njerëzve të thjeshtë, të inkriminuarit nuk mund të vinin këtu. Po si kanë ardhur ata? Kanë ardhur off-side, siç i thonë në futboll. Kanë ardhur pa rregull, janë emëruar. Me votë nuk do kishte arritur këtu. Edhe unë fatkeqësisht, edhe unë që flas këtu, jam pjesë e një partie e cila ka nja 3-4 vjet që as voton, as nuk zgjedh njeri, fut lloj lloj njerëzish me listë, pa listë, të pandershëm, me vendime gjykatash, të pandehur, të dënuar. E dini pse? Sepse në partinë ku jam unë, si në të gjitha partitë tuaja, jo vetëm në timen, nuk ka votim, nuk respektohet asnjë rregull. Kjo nuk është kosto për mua, nuk është kosto për ne, është kosto për të gjithë Shqipërinë.
Çfarë po ndodh sot në partitë tona? Në qoftë se ke para hyn, në qoftë se je i varfër del. Në qoftë se nuk mëson të japin një punë, në qoftë se mëson del nga puna, në qoftë se ke dhunuar dikë fiton, në qoftë se rrëmben të gjitha votat e një fshati të respektojnë, në qoftë se gënjen ata që mendojnë ndryshe nga ty je i paparë. Kjo pra është e vërteta. Këto janë partitë tona politike. Filtri, pra partitë që janë filtri i përfaqësuesve të popullit, është deformuar deri në masën që partitë tona nuk janë më bashkime njerëzish që respektojnë një program dhe një statut në mënyrë vullnetare.
E dini çfarë janë? Janë ndërmarrje fitimprurëse të gjitha partitë tona. Ky Parlament ka më shumë armë sesa libra për fat të keq, nuk ka më shumë ekonomistë, por ka më shumë spekulantë. Nuk ka më shumë juristë por ka më shumë ish të burgosur. Për fat të keq nuk ka inxhinierë këtu, por ka më shumë njerëz që kanë bërë ndërtime pa leje. Kjo do vazhdojë për aq kohë sa partitë tona të mos jenë demokratike. Për fat të keq unë jam skeptik nuk shoh përpara që secila nga partitë tona të jetë demokratike, të jetë europiane.
Partitë tona e kanë marrë peng Shqipërinë. Nëse drejtësia do të funksionojë partitë do ndryshojnë dhe ky parlament nuk do të ketë më të inkriminuar. Në rastin më të mirë që thua që u bëra palë me banditët për të rrëzuar banditët do të thotë të bëhesh si pala që ke rrëzuar dhe ky është problemi sot. Në rastin më të keq do të thotë të mos kesh besim se shqiptarët kanë aftësi, mirësi, guxim dhe sens mase për të rrëzuar një regjim të inkriminuar pa ndihmën e krimit. Asnjë popull në Europë pas luftës së dytë botërore nuk e ka bërë këtë që kemi bërë ne. Asnjë! Përkundrazi demokratë apo socialistë qofshin, të majtë apo të djathtë në Europë, kanë bërë një pakt me njeri tjetrin, e kanë konsideruar krimin dhe drejtësinë pa parti. Kjo është arsyeja që në Europë ka një ekuilibër konstant dhe një rend konstant demokratik që i mbron nga të gjitha rreziqet, financiare apo terroriste siç ndodh sot në Europë.
Ne nuk po e bëjmë këtë, përkundrazi. Dështuam dhe po vazhdojmë të dështojmë me nder e me sukses çdo ditë. Në fund fare tu jap një përgjigje atyre xixëllonjave që rrinë te balli i partisë. E di kush është ndryshimi mes xixëllonjës dhe dritës? Fëmijët e fshtatrave kur duan të gjejnë derën e banjës vënë një xixëllonjë në ballë por kjo nuk është dritë. Xixëllonja ndihmon të gjesh banjën kurse drita i ndihmon popujt të dalin nga errësira, dhe kjo është çështja. Megjithëse jam skeptik, sigurisht do ta votoj ligjin për dekriminalizimin pavarësisht se nuk kam besim se politika jonë do të dekriminalizohet edhe me këtë ligj.
Komentet