shokëve të armëve të lirisë
që sot heshtin
dhe e qajnë heshtjen
me vajet
e kujet e shpirtit
që ulëret
e u kërkon
të dalin
nga kulla e ngujimit
kryqëzuar
nga dyshimi
për farën
shqiptare
udhëtare
e përhershme
në kërkimin e vetes
larg klishesë
marionetë të
të diktatit
shokëve të armëve të lirisë
që sot nuk e njohin veten
kur merrnim me sy rrezikun
sepse po ndërtonin
qytetin e lirisë
për fëmijët e posalindur
të cilëve
u kishim mësuar
si fjalët
bukë
nënë
baba
emrat
e liderëve
marrëzi e madhe
kjo jona
sepse liria
na kthehej në delir
dhe besonim tek lideri
ashtu si fëmijët
tanë na besonin ne
sot fëmijët na shohin me dyshim
sepse dolëm që i rrejtëm
i rrejtëm fëmijët tanë
si na rrejti lideri
duke ricikluar shëmtimin
e fytyrave të censorëve
që i çrrënjos liria
si kusht sine qua non
shokëve të armëve të lirisë
si bekim i Zotit
që deri më sot
po e mbajnë përbrënda
zemrimin e tyre
sepse ia kanë tutën
zemrimit të tyre
dhe marrin ikën
sepse kanë frikë
nga vetja e tyre
se do t’i tradhëtojë
sepse e vërteta
është konstelacion
që i shkojmë prapa
pa kthim
shokëve të armëve të lirisë
me të cilët
përshkruam
me mijra kilometra vuajtje
me shpresë se arritëm
finishin e kepit të së mirës
ku e mira
nuk përjashton
as edhe një fije bari
dhe
krijon mrekullinë
çudibërese
prej barit
të dashurisë
por xhuxhët
i kanë uzurpuar
hapësirat e lirisë
xhuxhët as për cirk nuk bëjnë
të kallin krupën
prej jargëve
të makutërisë
mesjetare
xhuxhët
presin
vetëm t’i futësh
në parkun e zoopolitikës
e popullit
t’i thuash si fëmijëve
kujdes sa më larg gogolëve
që i ndajnë shqiptarët
në parcela e pako
të zoolandit të tyre
kur ata
në tregun e vjetërsirave
nuk do të kushtonin
asnjë cent
shokëve të lirisë të bekuar
me të cilët kalojmë
si në film
vitet e jetës rebeluar
prej padrejtësisë
që besuam
se e shporrëm nga vendi
që t’i prehnim
në paqe viktimat
e diktaturës
por ata që meritojnë të shahen
me të gjithë laryshinë
e zhargonit
pa patur kujdes
se ke prishur gjuhën
desh na kthyen në viktima
të tranzicionit
sepse na ngopën me lugën bosh
por ne tani jemi më të uritur
se kurrë
për të arritur
në destinacionin
prej nga ku u nisëm
kur fëmijët sapo i kishim lindur
apo prisnin që t’i lindim
kur liria na kishte armatosur
deri në grykë
me jetën e shpresës
ndërsa tani
zoopolitika
i ka kthyer njerëzit
në copa letrash
letra
të kuqe, blu, rozë,
blu të irnosur
blu mavi
në copa letrash
që rrasen
në kuti votimi
legenësh plastikë
që pastaj xhuxhët
i trafikojnë si të jenë
tregëtarë skllevërish
e ne pré e gjahut të tyre
primitiv
dhe vulgar
shokëve të lirisë të çliruar
nga labirintet e frikës
ne që besuam se
do ta bënim botën e bukur
prej dashurisë
me të cilën i sollëm
fëmijët tanë në këtë jetë
që bashkë me qumështin e gjirit
u mësuam alfabetin e lirisë
shokëve të lirisë
me të cilët përmbysëm diktaturën
jo si filxhanin e kafesë
kur projektimin e të ardhmes
e vendosin fallxhoret
dhe konfiguracionet
e absurditetit
të zoopolitikës…
ne jemi vetë projektuesit
e fatit tonë
fati jonë nuk mund të griset
ashtu si grisen ato letrat e kuqe,
blu,
rozë,
blu e irnosur,
blu në mavi
një ditë pasi janë hedhur
nëpër kutitë
e legenëve plastikë…
sepse rruga e lirisë
na mban gjithnjë bashkë
qofshim kudo qofshim
megjithë rrugëtimin
prej eksodusit
nga njëri kontinent tek tjetri
kemi përshkruar me mijëra
kilometra jete
por jemi prapë këtu
kthehemi
tek fillimi jonë
sepse rruga e lirisë
na bën
të marrim frymë
me një mushkëri
pa marrë parasysh
distancat
që tani i ka fshirë
revolucioni
informatik
që i kall frikën
zoopolitikës
pa i marrë parasysh
zigzaget e jetës
por vjen një kohë
kur zoopolitika
ka destinacion të kthehet
në zoopark
ndërsa destinacioni ynë
është atje
kur u nisëm
në kërkim të lirisë
kur fëmijët sapo i kishim lindur
apo prisnin që t’i lindim
të cilëve që në barkun e nënës
që kur i ngjiznim
u premtonim
jetën në liri
si dhuratën më të bukur
të Zotit
dhe ne do t’i çojmë fëmijët tanë
në Tokën e Premtuar
të lirisë
me ne është Zoti
dhe Zoti është i pakorruptushëm !
(Marrë nga libri i autores Anticirkland Onufri, 2014)
Komentet