Familja Bytyqi i bëri thirrje administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, që të angazhohet seriozisht për ndriçimin e vrasjes së tre anëtarëve të kësaj familjeje, në korrik të vitit 1999 në Serbi.
Ylli, Agron dhe Mehmet, shtetas amerikanë ishin arrestuar në muajin korrik të vitit 1999 në rrethana të panjohura nga forcat serbe, në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Merdarë.
Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.
Trupat tyre u gjetën në një varrezë masive në Petrovo Selo në Serbinë lindore, në një bazë të kontrolluar nga njësitë që komandoheshin nga ish gjenerali i policisë serbe, Goran Radosavleviç, i njohur si Guri. Ata ishin me duar të lidhura dhe ishin qëlluar në kokë.
Në një komunikatë të familjes Bytyqi thuhet se edhe pas njëzet e dy vjetësh, “ne jemi po aq të etur dhe me shpresë sa edhe në ditën e parë” për vendosjen e drejtësisë.
” Ne gjithashtu shpresojmë që angazhimi gjatë fushatës i presidentit Biden për të kërkuar “përgjegjësi të shpejtë… “ për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, së shpejti do të përmbushet. Deri më tani, ne jemi thellësisht të zhgënjyer që administrata nuk ka ndërmarrë hapa më seriozë kur mund të bëhej kaq shumë”, thuhet në komunikatë, në të cilën theksohet se presidenti Aleksandër Vuçiç dhe qeveria e Serbisë, vazhdimisht kanë treguar se janë aktorë jo të besueshëm në këtë çështje “por, zyrtarët e Departamentit të Shtetit refuzojnë të pranojnë këtë fakt”.
Muajin e kaluar xhandarmëria serbe ndau medalje për Goran Radosavleviç – Gurin, që është pjesë e partisë së presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Goran Radosavleviçit i është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara.
“I bëjmë thirrje administratës Biden që të fillojë një angazhim serioz për rastin para se të jetë tepër vonë. Presidenti Biden u dha një premtim vëllezërve tanë, familjes sonë dhe komunitetit tonë. Shpresojmë që administrata e tij shpejt ta përmbushë atë premtim. Paqja për familjen tonë dhe familjet e shumë viktimave të tjera varet nga kjo”, thuhet në komunikatën e familjes Bytyqi.
Të enjten ambasada amerikane në Beograd, tha se drejtësia për tre vëllezërit Bytyçi, është përparësi në marrëdhëniet dypalëshe me Serbinë dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të harrojnë vrasjen e tyre.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara përsëri u bën thirrje autoriteteve serbe, të cilët kanë premtuar të ndihmojnë në këtë rast ndër vite, për një hetim të plotë”, thuhej në një komunikatë të ambasadës amerikane në Beograd.