Kur individë ose biznese padisin shtetin e Kosovës, përkatësisht ministritë, barra për t’u përballur me këto padi në gjykatë, i bie nëntë avokatëve të shtetit.
Këta avokatë parashihet edhe të nisin procedura në gjykatë, në rastet kur ndonjë ministri konsideron se një kompani apo individ i caktuar, i ka shkaktuar dëm të ndonjë lloji.
Zyra e Avokaturës Shtetërore po përballet me mungesë të madhe të kapaciteteve, derisa mijëra lëndë të reja gjyqësore paraqiten nëpër gjykatat e vendit, shpesh edhe me rrezikun që mijëra euro nga buxheti të humben në këto procese.
Në dhjetor të vitit 2020 u bë e ditur se kompania amerikane ContourGlobal, e dërgoi shtetin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Sipas marrëveshjes që Qeveria e Kosovës kishte pasur me këtë kompani për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, nëse zvarritjet e kontratës me ContourGlobal shkaktohen nga Kosova, pra nga mospërmbushja e obligimeve, atëherë Qeveria e Kosovës do të ketë si përgjegjësi financiare ndaj kompanisë ContourGlobal, një vlerë prej 19.7 milionë eurosh.
Në të kundërtën, kjo kompani i detyrohet Kosovës 17.5 milionë euro.
Këtë çështje do ta përfaqësojë në gjykatë Avokatura e Shtetit, së bashku me një kompani ligjore të kontraktuar.
Edhe pse ky gjyq paraqet rrezik të madh për humbjen e miliona eurove, kjo është vetëm njëra nga mijëra lëndë, të cilat, avokatët e paktë të shtetit, duhet t’i mbrojnë e përfaqësojnë.
Sipas të dhënave të publikuar nga Avokatura e Shtetit për vitin 2020, vlera monetare e humbjeve si pasojë e proceseve gjyqësore që ishin në disfavor të shtetit të Kosovës ishte 3 milionë e 500 mijë euro, ndërsa vlera monetare e fituar, ishte mbi 12 milionë e 800 mijë euro.
Shteti po ashtu dha 15 milionë e 600 mijë euro në shpronësime dhe mbi 3 milionë e 500 mijë euro në procedura të përmbarimit.
Sami Istrefi, avokat i Përgjithshëm i Shtetit, thotë për Radion Evropa e Lirë se me gjithë vullnetin e madh të punës së këtyre avokatëve, volumi i madh i lëndëve mund të bëjë që jo të gjitha lëndët të trajtohen me gjithë vëmendjen e duhur.
Sipas Istrefit, janë mbi 20 mijë lëndë të cilat janë trajtuar nga ky institucion.
Ndërkaq sipas raportit të punës së këtij institucioni, vetëm në vitin 2020 janë pranuar 2.170 raste të reja dhe avokatëve gjatë këtij viti, iu është dashur të përfaqësojnë lëndë në gjykatë në 2.076 seanca.
“Nëse tash i marrim dhe e bëjmë një përpjestim të mundshëm për avokat të shtetit, është e pamundur që të gjitha këto mund t’i përfaqësojmë denjësisht, duke pasur parasysh ngarkesën e madhe, pa hyrë në lëndët e tjera, të cilat janë aktive në gjykatat tona të rregullta”, thotë Istrefi.
Në anën tjetër, Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, pohon se në monitorimin e proceseve gjyqësore që bëjnë, kanë mundur të evidentojnë pamundësinë e përfaqësimit të denjë të rasteve nga Avokatura e Shtetit.
Sipas tij, kjo ndodh shpesh edhe për shkak të mungesës së bashkëpunimit mes institucionit, përkatësisht ministrisë së përfshirë në rast dhe Avokaturës së Shtetit.
“Kemi gjetur jo rrallë herë kur nuk ka një bashkëpunim, nuk ka një koordinim në mes të Avokaturës Shtetërore dhe institucioneve apo ministrive përkatëse, për të ofruar mbrojtje sa më profesionale, në mënyrë që lëndët, qoftë të fitohen apo së paku të kenë ekspertizën apo përfaqësimin e duhur në gjykatë”, tha ai.
Si funksionon Avokatura e Shtetit?
Në një zyrë jo shumë të madhe brenda objektit të njohur si ish-ndërtesa e Rilindjes, kryejnë punën e përditshme avokatët shtetërorë.
Përveç drejtorit të kësaj agjencie, Sami Istrefi, ekipin e përbëjnë avokatët: Ilire Aydogan, Arsim Zuka, Naim Krasniqi, Muharrem Kurtaj, Naime Abazi, Fitore Gajtani, Nexhmije Karaqi, Nazmije Aliu dhe Bedri Krasniqi.
Avokatura e Shtetit është një institucion i pavarur që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
Disa nga detyrat e këtij institucioni përfshijnë: përfaqësimin e ministrisë, qeverisë dhe entiteteve të tjera pranë organeve gjyqësore, pranë arbitrazheve si dhe organeve tjera administrative; hartimin e parashtresave ligjore, memorandumeve dhe ndonjë dokumenti tjetër që kërkohet në lidhje me përfaqësimin gjyqësor që përfshin Qeverinë e Kosovës; përgatitja e këshillave ligjore, rekomandimeve, vendimeve, udhëzimeve dhe opinioneve brenda fushëveprimit të ministrisë dhe të tjera.
Duke pasur parasysh numrin e madh të seancave karshi numrit të vogël të avokatëve, Istrefi thotë se në ato raste kur avokati i shtetit nuk mund të marrë pjesë në të gjitha seancat, i lejohet që të deklarohet me parashtresë në të cilat i shpreh të gjitha pretendimet e veta.
“Ne duke u gjendur para kësaj situate ligjore, i kemi parë lëndët që janë me prioritet varësisht nga shuma financiare dhe varësisht nga specifikat dhe në të njëjtën kohë, duke u munduar që të mos humbet një seancë për mospjesëmarrje, mirëpo nuk kanë munguar veprimet procedurale që avokati i shtetit i ka ndërmarrë për t’u deklaruar me parashtresë”, thotë ai.
Por, rritja e numrit të avokatëve të shtetit po shihet si e domosdoshme nga Ehat Miftaraj, pasi sipas tij, vetëm kjo mundëson mbrojtjen e duhur të shtetit dhe të buxhetit.
“Në radhë të parë është interes i Republikës së Kosovës, që Avokatura Shtetërore të ketë resurse të mjaftueshme për t’u dalë ballë numrit të madh të kërkesave që vijnë nga institucionet”, thekson ai, duke shtuar se duhet rritur edhe kapacitetet profesionale krahas asaj numerike.
Kur pritet të shtohet numri i avokatëve shtetërorë?
Numri i avokatëve të shtetit në vitin 2019, ishte rritur në nëntë nga pesë sa ishin më parë.
Ky numër sërish nuk po konsiderohet i mjaftueshëm për përfaqësimin e mijëra lëndëve në gjykatë dhe kështu sipas Istrefit, këtë vit presin t’i rekrutojnë edhe pesë avokatë të tjerë.
“Jemi dakorduar me ministren (e drejtësisë, Albulena) Haxhiu që gjatë këtij viti, t’i nisim procedurat për shpalljen e rekrutimit edhe të pesë avokatëve të tjerë si dhe stafit tjetër mbështetës dhe më pastaj të zgjerohen kapacitetet”, tha ai.
Planet për rritjen e numrit të avokatëve i ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë edhe këshilltari i ministres së Drejtësisë, Genc Nimoni.
“Në kuadër të reformave të brendshme, ne kemi paraparë që Avokaturës Shtetërore t’ia rrisim numrin e avokatëve shtetërorë, duke pasur parasysh volumin e punëve që ka Avokatura Shtetërore dhe gjithashtu, nevojën për rritje qoftë të kapaciteteve njerëzore dhe profesionale”, tha ai.
Kjo rritje sërish nuk pritet të ofrojë zgjidhje të menjëhershme për problemet që i ka ky institucion. Sami Istrefi thotë se këtij ekipi duhet t’i ofrohet edhe pagë e dinjitetshme dhe trajnime.
“Me këtë numër që tani kemi, edhe me staf mbështetës edhe me bashkëpunëtorë profesionalë edhe me avokatë, pa trajnime, pa mbështetje, pa një pagë e cila mund të jetë e dinjitetshme, është e pamundur të kryhet funksioni i avokatit të shtetit”, pohon Istrefi.
Sipas të dhënave, momentalisht nëpër gjykata po trajtohen edhe lëndë të vitit 2006, ndërsa me trendin e trajtimit të rasteve në gjykata, rasteve të reja do iu duhen mesatarisht edhe katër ose pesë vjet për të nisur shqyrtimin.