Një lajm shumë i dhimbshëm tronditi sot botën e letrave shqipe si dhe gjithë lexuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë, për humbjen e parakohshme të lirikut dhe kineastit të shquar tepelenas, Petrit Ruka.
Në homazh të tij po sjell intervsitën dhe komunikimin tonë poetik para intervistës.
Gjatë intervistës pata një komunikim privat të bukur dhe letrar ku çdo fjalë vinte si fllad Vjose dhe tingëllonte si një këngëz bilbilash dhe thëllënxash që shkelnin mbi vesë.
Dhe ja disa fragmente nga biseda jonë që për fat ruhen dhe tek mesazhet e Tij:
“Të përshëndes Kozeta me këtë zemër të kalter e të uroj gjithë të mirat ty dhe familjes tënde!
Ishte një foto liqeni me zemër të kaltër natyrore midis maleve që na postoi.
Unë i shkruajta se fotoja ishte shumë magjepsëse dhe më ngjan shumë me spatharet e anëve tona.
-Petriti: Po, ngjan, ne në Tepelenë i kemi të tera…na ka bekuar Zoti!…Ju përshëndes e ju përqafoj të dyve patriotët e mi të mrekullueshëm…
-Unë: Ne po vazhdojmë të qeshim me lot me Spatharet, e vërteta m’u kujtuan mua në fakt. Rrofsh!
-Petriti: Po, unë kam pirë ujë në to me kashtore, që të mos thithnim fletët dhe llozhurat e pyllit. Na i mësonin barinjtë këtë marifet Kozeta…
-Unë: Barinjtë, kasollet, qentë e stanit, dhe Hëna e verdhë që futej nga kashtoret më kanë dhënë një imazh shumë hyjnor, sigurisht në se je vetëm vizitor, jo të punosh gjithmonë.
-Petriti: Po, janë vetëm për poezi dreqi e mori, për të jetuar nuk bëjnë më. Ne u mësuam me kondicioner tani…na mori lumi, jemi njerëz fallco…modern gjoja…
Lamtumirë Petrit Ruka magjistari i fjalës shqipe, na bëj magji dhe nga qielli ashtu si yjet që shndrisin planetin netëve të gjata…
Ngushëllime bashkëshortes suaj të bukur Zhanit që e vendose në ballin e poezive, sepse sic ke pohuar gjatë intervistës ka këtu e trimijë vjet më parë, këtu e trimijë vjet më vonë gruaja do të kapte ballin e poezisë. Dhe nuk do ta lëshonte kurrë. Kurrë më. Nga Homeri deri tek adoleshenti në klasën e shtatë që sapo ndjen t’i piqet guri mitik i sisëve shkruan vjershën e parë, e shkruan për një vajzë. “Ja dil ti…/Ja të dal unë…” thotë një varg i një poezie popullore shqiptare.
Ngushëllim fëmijëve dhe vëllait tuaj të nderuar Prof.Ethem Ruka dhe gjithë familjes suaj të shtrenjtë!
Lamtumirë poeti i ndritur i Tepelenës dhe i Kombit dhe faleminderit që na bën të jemi krenar si patriotët e tu që i respektove me penë dhe me vepra!
Kozeta dhe Qemal Zylo,
New York
INTERVISTË ME POETIN DHE KINEASTIN PETRIT RUKA
Mbi 30 skenarë filmash, disa vëllime me poezi dhe një monografi për aktorin e madh Kadri Roshi
Bisedoi Keze Kozeta Zylo
Shkrimtari, poeti, skenaristi dhe regjisori Petrit Ruka ka dhënë një kontribut të njohur e të shquar në letërsi dhe në artin kinematografik. Lindi në Tepelenë më 21 gusht 1954. Më 1976 mbaron studimet e larta për Gjuhë – Letërsi dhe deri në 1984 punon si mësues në disa fshatra të vendlindjes dhe në Shkollën e Mesme të Përgjithshme të rrethit. Më 1978 boton librin e tij të parë poetik “Rinia ime” dhe më 1984 merr çmimin e librit më të mirë poetik të vitit me librin “Atdheu fillon tek zemrat.” Në vitet 1985-1986 kryen studime specializimi pasuniversitare për dramaturgji filmike në Akademinë e Arteve të Bukura dhe emërohet si skenarist në Kinostudion “ Shqipëria e Re” në Tiranë. Në 2000-2005 drejton si kryetar Qëndrën Kombëtare Kinematografike shqiptare. Gjatë këtyre viteve shkruan më shumë se 30 skenarë filmash për vepra që ekranizohen në gjini të ndryshme të filmit artistik, dokumentar, të animuar dhe regjinë e dhjetë veprave filmike. Eshtë autor i disa vëllimeve me poezi dhe i një monografie esseistike “Kalorësi mbi det” për artistin e madh Kadri Roshi.
Duke qënë një poet lirik i shquar në poezinë shqipe mendova ta sjell sjell në këtë bisedë më pranë jush përmes bisedës së mëposhtme:
Zoti Ruka, e di, është e vështirë që brenda një interviste të përfshijmë një jetë dhe një krijimtari të tërë, por le të përpiqemi të bëjmë së paku një parakalim në krijimtarinë tuaj. Keni shkruar disa vëllime të suksesshëm dhe jini një poet i njohur dhe i dashur për lexuesin. Dukeni nje magjistar i fjalës së bukur, a ka ndonjë spjegim kjo? Dhe në fund të fundit përse shkruani?
E filluat me një pyetje totale nga ato që të vënë me shpatulla pas murit. Sidoqoftë, së pari të falënderoj për vlerësimin dhe rastin që të jem i pranueshëm për lexuesit e gazettes. Përse shkruan njeriu ?
Ka të paktën nja dymijë vjet që pyetja ende vërtitet duke mos marrë një përgjigje për të qënë. Dhe ndoshta Njeriu kurrë nuk do ta ketë plotësisht të qartë. Ndoshta pikërisht kjo “paqartësi” e bën të flasë. Ndoshta …”Ndoshta” është padyshim një nga fjalët më shpëtimtare të njerëzimit. Të shkruarit duhet të jetë një nevojë e brendëshme p-ër komunikim, për të dhëne edhe për të marrë dashuri. Deri më sot unë vazhdoj të besoj, se kënga (kënga ose vaji ) është një kuturisje për të shpëtuar nga vetmia, – kjo kryesëmundje e pashërueshme e mbarë botës që bëhet gjithmonë e më e rëndë. Këtë gjë njeriu e kupton shpejt, ndoshta që kur është shtatë a tetë vjeç dhe kundër saj zë e lufton duke “bërë” art, pa e ditur, mbase thjesht duke fishkëllyer, Vjen një moment që të shkruarit bëhet një nevojë, nuk mund të bësh pa të. Fryhesh nga brenda dhe të shkruarit bëhet çlirimi yt, shpëtimi yt. Jeta, dihet, ta mbush plot e përplot me dëngje dashurish, përmallimesh dhe brengash zemrën tënde dhe ato do ta plasnin atë, në se nuk gjen një mënyrë për t’i nxjerrë herë pas here jashtë me anë të këngës, vajit, të shkruarit. Eshtë një spjegim i thjeshtëzuar, që nuk të kënaq, po e thashë ka nja dymijë vjet që kjo mbetet pothuajse e paspjegueshme…Dhe nga që nuk thuhet dot kjo, egziston vetë arti, i cili e bën, e realizon këtë process.
Kini shkruar herët, qysh fëmijë. Ka lloj- lloj mendimesh për rolin që luan fëmijëria në krijimtari. Disa e përcaktojnë si thelbësor për fatin e një poeti. Po fëmijëria juaj cila ka qënë dhe çmendoni për të.
Po! Unë jam nga ata që mendoj se fëmijëria është thelbi i poezisë së një poeti. Jam nga ata që besoj se tërë jetën një fëmijë operon me kodet artistike të fëmijërisë, edhe kur thinjet. Besoj se kodet estetike të njeriut mbarojnë pothuajse aty nga mosha 8-9 vjeç. Më vonë vetëm sa mëson “dredhitë” artistike për t’i shprehur, por ti gjithë jetën je rob i atyre shenjave.
Në se do të përpiqesha ta thoshja fëmininë time me dy- tri fjali do të pohoja: që bënte shumë ftohtë, dhe fshati im ishte mbushur i tëri me pleq e plaka. Nuk kishte vajza dhe nuse, sepse ato visheshin me të zeza, sapo vdiste qoftë edhe një plak i afërt në lagjen fqinjë (ne të gjithë ishim kushërinj me njeri-tjetrin) dhe kështu shndrroheshin në plaka. Përreth kishte vetëm bokërrima gri dhe këngët që silleshin rrotull kishin ca dhimbje nga ato që të gërryenin zorrët. Shkolla rakitike ishtë një ngushëllim i madh për mua dhe mësuesit thoshin që unë isha një nxënës i shkëlqyer, gjë që unë as sot nuk e besoj. “Poezitë e para” që kam lexuar pa ditur shkrim e këndim ishin ato të nënës sime, që, herë pas here, qantekëndonte pa lotë, në oborr të shtëpisë të vdekurit e saj. Po kështu muzgjet dhe nata ishin një mister të cilin unë kërkoja ta lexoja duke lëvizur nëpër barkun e saj personazhet e përrallave të pleqve. Vetë babai im, murator, që vinte gjithmonë era gëlqere, ishte një përralltar i madh deri në mahnitje, aq sapo të ish shkolluar do të ish një lloj Kuteli.
Dimrit binte shumë shi dhe unë lexoja libra të këqinj, të dorës së tretë, sepse vetëm ata arrinin deri aty. Pikërisht atëherë duhet të kem shkruajtur këngët e para nga dëshira për të dalë përtej shiut dhe vetmisë. Nuk i mbaj mend, por kam iden se në to gjithsesi ankohesha për diçka.. Domethënë duhet të kenë qënë këngë “pesimiste”, fjalë që unë e mësova më vonë dhe që as sot nuk e kuptoj dot, se pse e quajnë atë të dëmshëm.. Të “ankohesh”, d.m.th. të jesh pesimist, do të thotë se proteston për diçka që nuk është mirë dhe që ti e do ndryshe.
U zgjata pak, pot them se çdo autor duhet të flas për fëmijërinë e tij, duke e bërë shumë më të lehtë poezinë e tij për lexuesin. Nuk e di pse nuk e bëjnë, po vazhdoj të kem nostalgji për librat e rinisë sime, kur librat fillonin me dy fjalë për autorin, q ë ish një rrëfim i atij vetë apo i dikujt tjetër. Them se ishte një gje shumë e mençur dhe e bukur.
Ju keni filluar të shkruani herët. Vëllimin e parë e kini botuar më 1978, pra keni shkruar në kohën e diktaturës, cilat janë pengjet e poetit Ruka që nuk ka mundur t’i shpreh dot?
Po, tre librat e parë i kam botuar asaj kohe. Sigurisht që cdo kohë ka pengjet e saj. Edhe e sotmja. Ne deri tek botimi kemi kaluar nëpër një kalvar të gjatë mundimesh, sepse seleksionimi ish tejet i vështirë. Por unë them se poetët e mirë, kur janë të tillë, arrijnë të dallohen. Ka disa tema për të cilat njeriu është i paprekshëm nga koha në të cilën shkruan. Ajo nuk ka çfarë të të bëjë. Po sjell një shembull. Në vitin 1983 unë kam botuar një poezi për motrën e vdekur që pati një jehonë të gjerë tek lexuesit që ende ma përmendin edhe sot. Ishte një këmgë mallëngjimi, nga ato që nuk kanë të bëjnë me kohën, me idelogjinë apo regjimet. Për babain, nënën, vjeshtën, dashurinë, gjithsesi shkruhet gjithmonë njësoj. E në se këngët e këtyre temave di t’i bësh kjo do të thotë se di t’i bësh dhe ja kaq. Ne sigurisht i kemi paguar një taksë mungesës së lirisë dhe kjo ka qënë e dhimbshme. Por ndërkohë nëpër xhepat tanë kishte gjithmonë edhe poezi trishtimi që ia lexonim njeri –tjetrit. Lirinë tonë e konsumonim ngushtë, por gjithsesi e bënim. E megjithatë pjesa jonë më e mirë në ato libra është e denjë të qëndrojë edhe sot në këmbë në se artistikisht ka vlerë. Ndonjëherë edhe mungesa e lirisë të ndihmon në krijimtari. Të tendos për të gjetur një mënyrë sa më të rafinuar artistike për të shkruar.
Ajo që u dallon është se jini një poet që duket sikur doni të thurni një himn të pafund për gruan, aq sa në nje esse kini shkruar se ndër katër pesë metaforat universale me të cilat mbahet në këmbë prej mijëravjecaresh trupi i gjithe poezisë njerëzore të paktën dy – tri prej tyre i takojnë femrës. Përse është kështu?
Jam i bindur që është kështu. Se ja, sikur të kesh guximin e të bësh pyetjen naïve se çdo të ndodhte sikur artit, (gjithë artit botëror) t’i heqësh gruan? Sigurisht që të merren mend vetëm ta mendosh. Është njësoj si ti heqësh kroin, ta lësh pa krua, ta thash, ta vdesësh për një pikë ujë. Dhe ashtu si uji që për jetën nuk është thjesht i domosdoshëm, sepse është vetë jeta, ashtu edhe për poezinë gruaja (femra, dashuria. ) është vetë shpirti i saj.Nuk ka punë më të kotë dhe më të skëterrshme për ta spjeguar këtë…e megjithatë mundimi për të thënë gruan është një nga përpjekjet më madhështore të artit si i tillë.
Këtu e trimijë vjet më parë, këtu e trimijë vjet më vonë gruaja do të kapte ballin e poezisë. Dhe nuk do ta lëshonte kurrë. Kurrë më. Nga Homeri deri tek adoleshenti në klasën e shtatë që sapo ndjen t’i piqet guri mitik i sisëve dhe shkruan vjershën e parë, e shkruan për një vajzë.
“Ja dil ti,…/ ja të dal unë…” thotë një varg i një poezie popullore shqiptare. Ose dil ti dhe bëjë natën dritë ose po dal vetë unë, vajza, për të bërë të njëjtën gjë me bukurinë time.
Pa kurrfarrë kompleksi, vajza, femra, gruaja, flet si e një barabartë me hënën, një trup qiellor. Me një thjeshtësi të skajshme, a thua se flet me komshien e vet përtej gardhit dhe jo me një planet qiellor. Vetëm një vetëdije kaq e lartë i jep asaj dritën që ajo e ndjen se e ka njësoj si perëndija. Si mund të ish ndryshe në se nuk do të ndihej instiktivisht e barabartë?! Nuk është çështje besimi, thjesht është më shumë se kaq.
Nuk është rastësi që ndër përfytyrimet e para të njerëzimit prej gruas u krijua personazhi madhështor: E Bukura e Dheut. Ndërkohë po të vazhdohet më tej me shembuj të tillë, do apo s’do, është njësoj si të biesh në një gropë pa fund nga ku nuk del dot kurrë.
Folëm për gruan si femër dhe të dashur, sepse këtu është ndoshta edhe pjesa më e shdritshme dhe që këtej fillon më tej vazhdimi i poemës. Po se mos është më i vogël vazhdimi i himnit ndaj saj me sinfonitë e tjera të të qënit si motër dhe si nënë.
E po nuk është e vështirë që një poet të mos e kuptoj qysh herët këtë dhe të përpiqet ta këndoj papushim gruan dhe dashuritë e saj. Jam përpjekur ta bëj dhe, në se ju e nënvizoni këtë në krijimtariinë time, kjo sinqerisht më jep një ndjenjë të gjerë gëzimi.
Në poezitë tuaja ju ka tërhequr shumë figura e Ali Pashë Tepelenës, dhe e gruas së tij, Vasiliqisë, pse ka ndodhur kjo, mos nostalgjia si tepelenas?
Po, kam botuar një libër të tërë poetik për ta, në vitin 2003, që titullohet “Vërtitu, kokë e prerë”, një poemë baladeske që është pritur ngrohtësisht. Nuk besoj se është të qënit tepelenas tërheqja e parë, por pse jo, edhe kjo mund të jetë. Unë jam rritur në “avllinë” e Pashait dhe qysh pesë vjeç e mbaj mend se si babai im, sa herë ia përmendtte emrin, gjëmëmadhit, lëshonte një psherëtimë të bardhë. Madje poema ime kështu fillon me një ëndërr ku pashai më vë gishtin për t’i sjellë kokën në Tepelënë. Kur unë i them se ‘trimëritë” i bëj vetëm nëpër vjersha, më porosit të hidhem dy hapa më tej e të ngre prej varrit Thanas Vajën e Marko Boçarin. Por t’i duhet të ma sjellësh, se ti je poet dhe të vdekurit vetëm poetët mund t’i sjellin natën nëpër balada. Pashai “ynë” është një figurë e madhe, nga ato që letërsinë e zilepsin deri në marrëzi. E po kështu, Vasilika, kjo grua e madhe që është një Penelopë e kohëve moderne, e cila e priste në shtëpinë e saj të lindjes t’i kthehej, duke pirë raki me unazën prej floriri të martesës brenda në ujin e tërbuar. Nuk e besonte dot që kish vdekur. Dhe kështu u shua. “Unazë e martesës, në gotë, në raki,/kokë e Ali Pashës derdhur në flori,/të vjen gjer në buzë sa herë pi me nge,/puthja është e vdekur, puthja vetëm bje.
Një pjesë të madhe të jetës suaj, më shumë se njëzet vjet, ia keni kushtuar kinematografisë si skenarist dhe regjisor. Ç’vend zë filmi në jetën tuaj dhe cili është filmi që do të xhironi së afërmi?
Filmi, në radhë të parë, ka qënë buka e fëmijëve të mi. Në fillim mendova se ishte ashtu thjesht një punë, por pastaj u dashurova me të. Shkruajta skenarë e më vonë pata fatin të xhirojë edhe si regjisor vetë filma artistikë e dokumentarë. Dhe ja, tani, kur bëj CV time, del se, si me shaka, jam autor i nja 30 skenarëve dhe i dhjetë regjive. Është e tepërt të them se ç’është filmi, një magji e tërë, një art që ka pushtuar e magjepsur tashmë gjithë botën. Shqipëria ka një kinematografi modeste, por e ka një trashëgimi dhe kjo, sa më shumë kalon koha, po na bind që është një pasuri e madhe e kulturës kombëtare. Kam patur fatin të xhiroj veç të tjerash një film dokumentar për dy korifenj të ekranit shqiptar, një film për Kadri Roshin dhe vitin e kaluar filmin dokumentar për Viktor Gjikën, që sapo na u nda nga jeta. Jetë të mëdha, gurë të rëndë, fat të jesh ti njeriu që u fikson jetën e madhe. Jam duke u përgatitur për të xhiruar filmin dokumentar “Himni i Flamurit” një histori brilante që po mbush njëqind vjet. Me siguri do të vij të xhiroj edhe aty në Amerikë, ku Spiridon Ilo, ky patriot i madh, i bëri inçizimin e parë, në New York, më 1918. Duhet gjetur aty pllaka origjinale dhe dokumenta të tjera , burimet e së cilave i kemi qëmtuar kaq gjatë. Do të jetë një film që do të nxjerrë në dritë gjëra të reja, që për herë të parë do të japin një pasqyrim aq madhështor të ca burrave që e bën Shqipërinë, nga hiçgjëja, me frymën e tyre.
Por filmi mbetet një bastion i vështirë për mundësitë financiare të Qendrës Kinematografike Kombëtare Shqiptare, të cilën unë e kam drejtuar për pesë vjet dhe që mbetet i vetmi burim modest për ta mbajtur gjallë filmin shqiptar.
Pasi xhiruat të vetmin film dokumentar për Nderin e Kombit, Kadri Roshi më 1997, sikur të mos mjaftonte kjo, ju kini botuar edhe një esse të gjatë monografike për të, “Kalorësi mbi det” vitin e kaluar, më 2009, ç’mund të na thoni?
Për një figurë legjendare si Kadri Roshi, nuk do të ketë kurrë një “mjaft!“ së shkruari. Është një figurë aq e thellë dhe komplekse, sa nuk mund të gjendet kurrë fundi i dëshirës për ta thënë këtë fenomen të jashtëzakonshëm të skenës dhe ekranit. Kam qënë me fat që e kam patur mik të afërt dhe xhirimi i filmit më dha mundësinë të kalonim bashkë qindra e qindra orë kokë më kokë.
Në fund, duke e mbaruar këtë libër për Mjeshtrin e Madh Kadri Roshi kam pyetur veten se përse e shkruajta këtë libër?!Sa do që jam përpjekur gjatë të gjej një motiv, nga një mijë e një gjëra që kam menduar asnjera nuk m’u duk bindëse. Dhe kam shkruar”
“Nuk është një libër mirënjohje për aktorin e madh e të jashtëzakonshëm. Nuk është një libër për t’i mbushur mendjen ndokuj se ai ishte i tillë. Nuk është një libër për t’u mësuar të tjerëve vlerat e këtij njeriu, për të analizuar dhuntitë apo për të rreshtuar arritjet e tij. Nuk është një libër analize për mjeshtërinë e tij të rrallë aktoriale. Nuk është një libër për … Është thjesht një Libër Malli.
Sado e çuditshme që të duket ndonjeherë e ndjen se për ca njerëz, që thjesht ikin për Andej, dalëngadalë fillon e zë një mall i çuditshëm. Je vetëm përballë një perëndimi dhe Ai zë e të kujtohet. Dëgjon pas shpinës tënde në rrugë një zë të dikujt dhe vibrimi i zërit, apo kombinimi i dy tre fjalëve të të panjohurit të kujton fytyrën e të vdekurit tënd të madh. Hap pas hap, mëndje pas mendjeje, dhimbje pas dhimbjeje fillon të kuptosh se të vdekurit janë dashuritë e mëdha dhe më të vërtetetat e kësaj bote.
Duhet të kesh kaluar së paku të dyzetat për këtë.
Duhet së paku të kesh patur miq të mëdhenj, me të cilët ke shkëmbyer dashuri të mëdha, energji të mëdha, të ngjashme me ato për nënën dhe babain.
Më mbetën shumë pyetje të tjera pa jua bërë, si: cfarë po shkruani, ç’mendoni për poezinë e sotme shqipe, për familjen etj. Por koha dhe vendi gjitmonë na rrinë ngushtë në një intervistë. Gjithsesi ju falënderoj për këtë bisedë edhe në emër të lexuesve tanë.
Gjithmonë kështu ndodh. Ne prej kohës bëhemi. Kënaqësia ishte imja dhe unë ju them falemnderit!