Sot më 4 korrik mbushen dy vjet që u nda nga jeta Xhemshit Duriqi, personalitet i shquar në Kosovë.
Me këtë rast sot del nëpër libraritë e Prishtinës dhe të Tiranës libri i tij me fjalë të urta “Nëse je i drejtë, nuk të del hija e shtrembët”.
Në vitet e fundit të jetës Xhemshit Duriqi eksperiencat, dijet, mësimet e nxjerra nga mësuesja jetë i ktheu në urtësi jetësore që i shërbejnë kujdo, nëse do të nxëjë nga jeta e një njeriu shumë të suksesshëm dhe të ndershëm. Prandaj botuesit e parashohin suksesin e këtij libri.
Libri me 695 fjalë të urta është përgatitur nga Skënder Buçpapaj, i cili ka shkruar edhe parathënien ndërsa redaktore e tij është Elida Buçpapaj.
Libri është botuar në Shtëpinë Botuese Onufri, Tiranë.
XHEMSHIT DURIQI, SHQIPTARI I DIJEVE, URTËSIVE DHE SUKSESEVE TË PASHEMBULLTA
Parathënie nga SKËNDER BUÇPAPAJ
Shqiptarëve të brezave të rinj, ndoshta, emri i autorit të këtij libri me fjalë të urta, nuk iu tingëllon i njohur. Emri dhe jeta e Xhemshit Duriqit ndritën për shumë dekada të shekullit të shkuar në Kosovë, në Jugosllavi dhe në rrafshin ndërkombëtar. Ndoshta pak bashkëkombës sot e dinë se ai është shqiptari më i suksesshëm në lëmin e financave dhe një ndër më të suksesshmit që ka nxjerrë në historinë e saj ish federata. Sukseset e tij nuk janë shoqëruar nga buja mediatike dhe ai edhe pse e ka dashur sa rrallëkush suksesin, nuk e ka pranuar as nuk e ka dashur asnjëherë bujën.
Xhemshit Duriqi ka njohur vetëm ngjitje në karrierën e financierit. Ishte drejtuesi më i lartë i ekonomisë dhe financave në Kosovë, ishte ndër drejtuesit dhe ekspertët më të lartë financiarë në ish Jugosllavi, ishte ndër ekspertët më të shquar në organizmat e specializuara ndërkombëtare. Të gjithë sektorët që i drejtoi shkëlqyen dhe puna e tij u vlerësua në rrafsh federate dhe në rrafsh ndërkombëtar me mirënjohje, medalje dhe dekorata.
Gjatë gjithë karrierës së tij të suksesshme, Xhemshit Duriqi iu kushtua përparimit të Kosovës dhe të çështjes shqiptare në ish Jugosllavi. Sidomos kur drejonte Komisionin Parlamentar të Financave në parlamentin e Jugosllavisë, ai u tregua një mbrojtës i flaktë i interesave të Kosovës. Emri i tij është sinonim i suksesit të Ndërmarrjes Grafike Botuese e Gazetareske “Rilindja”, është sinonim i suksesit të kombinatit “Ferronikeli”, është sinonim i suksesit gjithandej ku ai ka, me zotësi e urtësi të rrallë, ka drejtuar dhe ka dhënë ndihmesën e tij eksperte.
Dija, zelli, urtësia, përkushtimi, talenti i Xhemshit Duriqit janë në themelet e Kosovës që nga koha kur ajo bëhej njësi e federatës, si ministri i saj i parë i financave. Fati u tregua i drejtë me Xhemshitin duke ia dhënë mundësinë që këto cilësi të tij të rralla të jenë gjithashtu në themelet e Kosovës së pasluftës.
Trashëgimia diturore e Xhemshit Duriqit, qindra punime shkencore, është e botuar në shumë revista të specializuara të fushës së ekonomisë dhe financave, disa prej të cilave ai vetë i drejtoi.
Por ai ka lënë pas vetes edhe një trashëgimi shpirtërore të veçantë, të përbërë nga 695 fjalë të urta, të cilat tashmë do të jenë në duart e lexuesve. Ato janë filozofia shqiptare që e ka prirë Xhemshit Duriqin në jetën e tij aq të suksesshme, si njeri, si familjar, si dijetar, si zyrtar i lartë, si pjesëtar apo si kryesues i ekipeve ku ai ka qenë i përfshirë gjatë karrierës, mbi të gjitha si shqiptar atdhetar që nuk e ka nxjerrë asnjëherë nga mendimet e tij Kosovën, çështjen shqiptare. Disa nga këto fjalë të urta apo thënie të zgjuara filozofike vijnë drejtpërdrejt nga thesari i përvojës së urtësisë të brezave të tërë të qenies shoqërore e kombëtare të shqiptarëve, disa prej tyre janë versione të pasuruara nga rrethanat panumërta të jetës nëpër të cilat ka kaluar Xhemshit Duriqi, disa të tjera janë krejtësisht thënie të mirëfillta të vetë Xhemshit Duriqit, janë fryt i meditimeve nga përvoja e tij jetësore, përvojë të cilën nuk e ka pasur asnjë shqiptar tjetër. Këto thënie janë edhe diagrama më e pagabueshme që tregon se njeriu Xhemshit Duriqi, shqiptari Xhemshit Duriqi, atdhetari Xhemshit Duriqi qëndrojnë gjithnjë e më lart, gjithnjë e shumë më lart se talenti i dijetarit, drejtuesit, ekspertit të sukseve shembullore.
Gjithë jetën e tij Xhemshit Duriqi ka përsiatur rreth njeriut, njerëzve, shoqërisë njerëzore, jetës, atdheut, kombit, dashurisë, urrejtjes, lumturisë, vuajtjes, fatit, ëndërrave, idealeve njerëzore, fitoreve, humbjeve, dështimeve. Ai na e kujton se “Jeta e njeriut matet me punën e tij, jo me kohën e kaluar”, “Jeta e njeriut i përngjan flakës së qiriut në erë”, “Jeta e zhveshur nga edukata, respekti, karakteri, burrëria e besa, është e pa vlere!”, “Jeta është dhuratë që të jepet vetem një herë”; “Jeta është një flakë qiriu në erë”; “Jeta është një test për të gjithë, por mos kopjo, se askush nuk i ka pyetjet e njëjta, mund të digjesh; “Jeta është shumë e shkurtër por ne e bëjmë edhe më të shkurtër kur humbim kohën”; “Jeta jote mbetet e zbrazët nëse nuk konsumohet për qëllime që i japin kuptim asaj.” Janë të gjitha porosi të atij që e ka jetuar jetën në tërësinë dhe plotësinë e saj për ata që e kanë përpara gjithë jetën e tyre dhe që, nëse e marrin seriozisht, nëse nuk e marrin kalimthi, mund të kenë frytet e dëshiruara prej saj.
Jeta e njeriut përbëhet prej kohës dhe Xhemshit Duriqi ua kujton lexuesve se “Koha s’duhet shpenzuar kot, sepse jeta nuk përsëritet”; “Koha është e pamëshirshme, ajo dikur të bën që edhe pasqyrën ta urrejsh!”; “Koha është si shpata; po s’e preve, të pret ajo!”; “Kohën nuk mund ta zotërosh, por mund ta përdorësh; nëse e humb kot, nuk mund ta kthesh dot!”. Përmasë tjetër e njeriut, jetës së njeriut dhe të shoqërisë është fati: “Fatet e njerëzve nuk janë të njëjta, disa zgjohen nga puthjet e disa nga alarmet e zileve!”; “Fati dhe çudirat e sundojnë botën!”; “Fatkeqësitë vijnë duke fluturuar e shkojnë duke çaluar”; “Fati i përzien letrat, ne vetëm luajmë me to”; “Fatit duhet t’i ndërtosh një rrugë apo urë që të vijë drejt teje!”. Filozofia e Xhemshit Duriqit është se jeta na ka ne në dorë, por edhe ne e kemi atë në dorë, ajo na jep formën që do, por edhe ne ia japim asaj formën që duam; koha mund të bëjë si të dojë me ne, por ne nuk mund ta lëmë atë në rrjedhën e saj të lirë, përndryshe jeta jonë mbetet e zbrazët, boshe; fati na ke ne në dorë, por edhe ne e kemi në duart tona fatin, ai i jep formën jetës soneë, por edhe ne ia japim atij formën, nuk mund ta lëmë veten tonë në mëshirën e çdo fati.
Jashtë fokusit të shqetësimeve të Xhemshit Duriqit nuk mund të mos jetë shqiptari i kohës sonë. Ai kërkon pareshtur bashkimin e shqiptarëve, sepse, pa këtë bashkim, nuk mund të ketë bashkim të kombit, nuk mund të ketë bashkim të atdheut: “Bashkohuni, o shqiptarë, për të na e mbajtë gjallë shpresën se do të na i bashkoni tokat!”; “Bota shqiptare e tëra është ndarë e copëtuar, pikë e pesë është bërë, kanë mbetë bashkë vetëm hajnat, kriminelët dhe nëntoka politike!”; “Disa “patriotë” që u nisën në luftë për të çliruar Kosovën, tani bashkë me disa të huaj po e mjelin Kosovën.”; “Disa luftëtarë të lirisë, po humbin luftën me sfidat e lakmisë!”; “Do të vijë një ditë, kufijtë do të treten, të gjithë shqiptarët në një shtet do të mbeten!”; “Shqiptarë, bashkoni kokat, për të na e mbajtur gjallë shpresën se do t’i bashkojmë tokat”; “Po ta kishin bërë shqiptarët tërë atë luftë për veti sa e bënë për të tjerët, tani Shqipëria do të kishte 200.000 km2.”
Pareshtur ai ua kujton shqiptarëve krimet që janë kryer kundër tyre dhe porosit se harresa e këtyre krimeve është krimi më i madh që mund të ndodhë. “Serbët ma mësuan një realitet: prej të gjitha gjallesave, njeriu është krijesa më mizore!” – pohon me hidhërim e dëshpërim të madh Xhemshit Duriqi. Ai habitet sesi politikanët shqiptarë e kërkojnë me aq ngulm pajtimin me Serbinë. “Mëkati më i madh përballë krimit është heshtja!” – na e kujton Xhemshit Duriqi.
Këto 695 fjalë të urta, thënie filozofike të përmbledhura dhe të renditura sipas radhë së alfabetit në këtë libër, janë një porosi e ndritur që Xhemshit Duriqi ua lë trashëgim nga jeta e tij e zgjuar, e sukesshme, shqiptarëve të sotëm dhe shqiptarëve të ardhshëm për ta shfletuar e për të mos e harruar asnjëherë.