Melbourne 2011
Ia kushton Autori.
Melbourne Janar 2011.
HYMJE
Pesha e randë e gurit shpesh ban që, mbasi mbulohet me pluhun, me kohë e dalngadalë, shiu, era, furtuna e përmbytjet e zhysin në baltë…
Për shumë kohë këta gurë mbahen mend si shenja drejtimi rruge, pushimi shtegtarësh ose ngjarjesh të mëdha…Ndonjëherë këta ishin edhe skuta prite…Me kohë këta gurë edhe lëvizin e zhduken…
Ndër malet tona nuk ka gurë të tjerë të daltuem veç ndër vorre e aty këtu në prakun apo shkallat e ndonjë Kishe apo kulle të vjetër…
Shumë prej tyne janë shembë e prrojet e “pabesa” i kanë marrë me vete e i kanë tretë e derdhë ndër zgavrrat e errta të historisë…
Shumë prej atyne gurëve të daltuem me aq kujdes dikur, sot janë ende të mbuluem me dhé e trungje pemësh të kalbuna, shpesh nën kambët tona, që, pa dashje, shkojmë tue i zhytë edhe ma thellë…në tokë dhe, me kohë, tue i vorrosë ndoshta përgjithmonë.
Kujtoj një udhtim në kambë nga Vrithi në drejtim të një fshati të quejtun Vuçë… Mbasi u larguem në drejtim të jugut pak minuta, mbeta i habitun nga disa vendosje gurësh njeni mbi tjetrin, që në atë çast nuk dijta me e gjetë me mend se si ishin vendosë ashtu! Mbi një gur rreth 2 ml të naltë ishte një tjetër pak ma rrasik, që qëndronte sipër, me një madhësi 4 ose 5 ml. i madh dhe i mbështetun mbi një sipërfaqe shumë të vogel mbi gurin e parë, sa të jepte përshtypjen e një skulpture “moderne” ku, në pamje nga larg, të krijohej idea e një grueje me xhubletë që mbi krye kishte një tepsi. Kam shkrue për këte udhtim edhe tek libri “Një Monument nën dhé”, kur kam tregue për “një kullë pa rrugë” që pata pa andej…në kalim, pa u kujtue se nuk do t’i shihshe ma.
Mos t’ ishte malësori me më tregue se ata gurë kishin ra poshtë nga majet e maleve aty përrreth me ortekun që ishte rrokullisë, e mbasi ishte shkri bora kishin mbetë aty, “vepër arti”, si e shihshim na, as nuk do ta gjejshe me mend vendosjen e tyne. Pra ata gurë të mbetun mbi atë sipërfaqe të rrafshtë, të harruem e të pa shkruem asnjë rresht për ta, në secilin prej tyne kishte të groposun nën bazamentin e tij një ngjarje tragjike të humbun thellë, aqsa vet historia e atyne fshatrave, të lanuna në “harresë” si njerëzit e pafarë që kanë humbë nën ata gurë!
Shpesh ka ngja që dijetarët kanë gërmue dhe mbasi kanë gjetë një shenjë jete, janë përqendrue aty e, mbas sa kohe, kanë nxjerrë në dritë një vepër me të cilën janë ba të pavdekshëm. I tillë ishte për ne edhe At Shtjefën Gjeçovi…që, me lotoret e Tija shekullore, përjetësoi në parathanje tek “Kanuni i Lekë Dukagjinit” edhe Faik Konicën e madh.
Shumë vite ma vonë, kur pata lexue për ngjarjet e ndodhuna ndër ata vise aq të bukra e aq krenare në kohën e ramjes së tyne nën atë dhunë të shfrenueme e të pashpirtë të komunistëve, pata mendue me vete: Si asht e mujtun me kenë aq e pamëshirëshme historia, që mbrenda pak viteve, mbas 1944, arrijti me shpërba edhe karakterin e pathyeshëm të atyne “gurëve” shekullorë, që nuk i pat thye as sllavi as turku?!
Njeriu që më ka shtye me gërmue edhe mue ndër ata prroska apo zallishta prrojesh, mbas të cilave, tue ecë ndër gjurmët e ujqëve, njeriu ndodhet përballë një shpelle, e aty ende sot gurtë vazhdojnë me lotue gjak Martirësh…asht pikërisht Heroi i Madh i Atyne Maleve, Biri i dejë i Hotit, kapiten Gjelosh Luli…i vramë për mos me u dorëzue dhe mbas plagëve të pushkës, i dhunuem për së vdekuni, sepse sllavokomunistët donin Koken e Tij, ashtu si shekuj ma parë Herodiada pat lypë për me kërcye “vallën” e saj, kokën e Shën Gjonit. Historia e Popullit Shqiptar vazhdon rrugën e ndjekun nga paganët e shekullit XX…
Kur malësorët zbluen gurtë e hjedhun mbi kufomen e Gjeloshit në afërsi të Vrithit, për me e ruejtë Ate, zonja e Tij e Nderueme, Lena, tha: “Po, Ky asht trupi i Gjeloshit, se nuk ka kafken…”. Mungonte kafka… se Kokën e Tij komunistët e kishin vue tek Dega e Mbrendëshme e Koplikut, për me e pa malësorët dhe me u bindë se Gjeloshi ishte vra, po edhe me i frigue dhe terrorizue ata, se kur vriten Shqipet e Atyne Alpeve, orlat e skifterët me “yllin e kuq në ballë” kërcejnë vallen e tyne labe. Zagarët e Gjirokastres, Mallakastres dhe Koçi Xoxët me shokët vlleh vazhdonin me shkye mish dhe me u nxjerrë gabzherrët me thonjë Atyne Burrave që, pa pikë frike përballë vdekjes, i kishin vue gjoksin e vet mbrojtjes së Trojeve Arbnore, tue mos u frigue kurrë edhe pse me kohë Ata e njihnin anmikun shekullor, sllavin e pabesë, që gjithnjë ka punue me i skllavnue, shnderue dhe me i robnue Ata vise krenare.
Ishte Ai, Dedë Gjo’ Luli, që realizoi andërren e Frashërllinjve të Lidhjes së Prizrenit e, ishte Gjaku i trashigimtarëve të Tij që po derdhej rrëkajë nga parzmi i shporuem i Gjeloshit, po prej një sherbëtori gjakatar e tradhëtar gjirokastrit, mik i sllvokomunistit Josif Tito, sepse përballë tyne ishte Ky Gjelosh Lul, që kishte krijue me të tjerë Burra trima si vetën “Beslidhjen e Veriut” në vitin 1943, kundër përpjekjeve e pretëndimeve sllavokomuniste ndaj Trojeve tona në Veri të Shqipnisë.
Ishin po Malet e fushat e gjithë Shqipnisë Martire kapë flakë… Shqiptarët që ikën e morën malet. të ndjekun nga bishat e terbueme të quejtun nga vetë ata “bijtë e Stalinit jemi ne!”.
Ishin Ata Atdhetarë që nuk duronin një pushtim tjetër të ri!
Ishin po pyjet e saj të zemrueme, që lëkundeshin e rrëzonin landë lisi e pishe ditë e natë, tue thye Fidanat e selvijave t’ Asaj Shqipnie të Re e tue i rroposë përdhe shka merr me Kelmend, Dukagjin, Pukë e deri thellë në Mirditën e Mark Gjon Markagjonit…që edhe Ai pranoi plumbin e “shokut të vet” maparë se t’ plangprishësve komunistë!
Ndoshta, e me siguri janë dafinat e Atdheut që bijnë atë ditë mbi gropat e humnerat ku kalben Ata Burra, e Ata banë vdekjen si me le!
Këtu mendja nuk mundet me depertue ma thellë…se ndër rrajtë e larit që ndër shekuj thuri kunora lavdije për Shqiptarët e vet besnikë.
E nën gjethët e atij lari, që s’njohu mort, asht prap një tjeter Vigan që vazhdon me kenë i humbun e i tretun ende nën gurë!
Asht prap një tjetër histori e pashkrueme ndër letra të prarueme!
Asht prap një tjetër Burrë që nuk ka vdekë…
Asht prap një tjetër Shqiptar që daltoi shkronja mbi këta gurë!
Asht prap një tjetër “gurë” që rritej e rritej sa një shkamb!
Asht prap një dorë që u tregoi malësorëve “Hyllin e Dritës”…
Asht prap një gisht drejtue nga “ylli i kuq” robnues i Moskovit!
Asht prap një gjuhë shpatë që i grishi në beteja nderi…e Lirije!
Asht prap një kambë e zbathun zadrimori që mori malet!
Asht prap një “gjuhë shqipjet” që u këndoi Atyne Bjeshkëve…
Asht prap një Ushtar i Krishtit që ruen në gjoksin e Tij Flamurin e Gjergj Kastriotit, “Mbrojtësit të Krishtenimit”, të lamë me Gjakun e vet të Shejtë në Elterin e Atdheut, mbi të cilin asht Betue atë ditë kur Ai asht Shugurue Meshtar Shqiptar…
Asht po, aty,.. Don Nikollë Gazulli!
E, edhe guri topitet e fillon me u thermue kur ndigjon përsëri këte mbiemen të salvuem ndër shekuj për fatin e Lirinë e Atdheut!
E, edhe orët e zanat e At Fishtës, mbas ramjes së diellit, aty kah e vona, tue zhgulë flokët, do të pyesnin me zanin e tyne të marrun në vajë:
E çka do Ky Burrë me veladon ndër ata male të përgjakuna?
Vepra e Tij difton kush asht Ky mbasardhës i Gazullorëve…
Që pa i shkrepë qerpiku, një ditë guxoi me shkelë ndër gjurmët e sandaleve të At Shtjefën Gjeçovit…
GERMONI THËMELIN..!
Gurë të shkapërndamë andej e këndej i mblodhën në një fushë…
Disa shekuj ma parë ishin vue disa themele në këte tokë!
Shqiptari i shkretë, në dheun e vet gjithë jetën, tue u mundue me vue një cak e me jetue me djersen e ballit qyshë se ka lé. Atë ditë porsa fillon me shqiptue fjalën “Nanë” të duket se kushedi sa shkollë ka ba…
I prirun gjithmonë prej natyre nga ditunia. Çobani ma i tretuni në kullotat, pa rrugë e shtigje të bjeshkve, dinte me këndue “Lahuten” e, i binte asaj me aq dëshirë e pasion, sa të dukeshin se janë krijue njëherit.
Ndër ato ograja të bukra të Zadrimës pat zanafillen edhe fisi i njohtun i Gazullorëve tonë të vjetër. Të vjetër sa “Formula e Pagëzimit”, që njihet njëheri me një nga të parët dijetarë shqiptar, Don Gjon Gazullin.
Edhe Ai një Meshtar i dijtun…si Imzot Pali i Ejllorëve tonë.
Në të parët Gazullorë që kam njohtë në vitët 1957 – 58 kur kam punue në Kabinetin Pedagogjik të Shkodrës si disenjator, asht kenë një nga pinjollët e kësaj familje të vjetër, mësuesi Simon Gazulli, i cili aso kohe shërbente ndër fshatra të Shkodrës. Jam njohë me te nga mësuesi dhe miku im i shtrejtë Sandër Troshani, që kur na prezentoi, më tha: “Ky asht një mësues që nuk i len gja mangut biografisë tande, e besoj se keni me kenë miq, se të dy keni pasë në rrethin tuej klerikë ‘reaksionarë!”… në atë moment na u qeshëm, por me të vertetë u bame miq të përjetshem me Simonin…nga i cili ruej në kujtesën teme buzqeshjen e Tij të pastër dhe joshëse me të cilen mujshe me kuptue Shpirtin e tij të formuem dhe të edukuem në ambjentin e akademistëve të përkryem të Gazullorëve…
Shumë pak kemi bisedue atëherë për paraardhësit e nderuem të Atij Fisi, që gjithnjë rrinë tue gërvishtë e tue lanë njolla gjaku të forta e të pashlyeshme ndër fletët e lavdishme të Historisë së Shqipnisë, e cila edhe pse ka disa fletë të shkrueme me gjakun e Atyne Martirëve të njohtun të Gazullorëve, prap edhe sot vazhdon me mbajtë fletët e ngjituna e të palexueshme prej ma shumë se 75 vjetësh…nga gjaku i Tyne i ngrimë e shpesh të xanun njak nga dora e dhunuesit të pabesë…
E pse? – “Ata gabuen..!” E deshtën me Shpirt Shqipninë!
Ky mund të jenë edhe motivi që më ka shty mue me shkrue këto shumë pak rreshta për Vëllaznit Gazulli, mbasi u ngacmova nga shkrimi i një tjetër pinjolli të vonë të Gazullorëve, të Danielit, nipit të Mikut tem Simonit…, i cili me shumë kujdes vazhdon e nxjerr gurë nga thëmeli.
Nuk asht punë e lehtë me gërmue në themele ku bishat e një shekulli ma parë, të vetquejtun “komunista”, por në të vertetë aspak të tillë në asnjë pikëpamje, se po t’ishin të tillë do t’u bashkonin në një pikë me klerikët që edhe Ata punonin për “barazinë e njerëzve”, po si ka thanë At Mark Harapi: “Edhe na jemi komunistë, por pa armë”, ishin pra armët, ai mjet i dhunës dhe i terrorit që këto kafshë të shekullit të XX do t’i veçonte nga të gjitha ato lloje diktaturash që ka provue njerzimi në të 20 shekujt e fundit… Ishin pikërisht ato armë që rrenuen e zhbinë me rrajë themelet e qytetnimit jo vetëm në Moskë e Petrograd rus, por morën mbarë vendet Baltike e u shtrinë ndër të gjitha shtetet e zhvillueme të Europës Lindore, tue i shkallmue si mos ma keq, deri tek Shqipnia e Gjergj Kastriotit, që u ba plaçkë e sllavëve kolonizatorë marksistë-leninistë, barbarë e grabitçarë tokash të cilët nuk patën të ngimë tue i vra e pre deri në ditët ma të vona.
Shqiptarët e porsadalun nga robnia e osmanllijve, në dukje ishin një nga vendet ma të pazhvillueme të Europës, po realiteti nuk asht ai që komshijtë tonë janë mundue me na paraqitë para të tjerëve, ma fort për qellimet e veta grabitçare, sesa ishim të atillë. Kjo mund të vërtetohet me një fakt që sot asht i njohun botnisht. Si mundet me ndodhë që Ajo Shqipni e mbrapambetun dhe e “pazonja” me u qeverisë vetë, në vitin 1924 formoi Qeverinë Demokratike Shqiptare dhe Kryeminister i Saj ishte një Peshkop Orthodoks Shqiptar, kur shumica e të gjithë popullsisë ishte Muslimane dhe kishte dalë vetem 12 vjet ma parë nga robnia shekullore turke? Kjo ngjau kur krejt Europa ishte mbërthye ndër diktaturat komuniste, fashiste e pak ma vonë naziste. E Shqipnia njeh edhe parimet e asaj të së “panjohunes” Demokraci nga këta shtete të zhvillueme e dritdhanse! Duhet ndalue në këte pikë dhe me kërkue kush ishin Ata që në ato rrethana e kushte të Asaj Shqipnie të mbrapambetun i dolën për zot zhvillimit politik modern dhe me guxim të panjohun deri atëherë, kanë arrijtë në një kohë rekord me punue për liritë dhe të drejtat e njeriut, tue mos i lanë asgja mangut vendeve të zhvillueme të Europës? Një brez i tanë intelektualësh, të përgatitun ndër universitetet ma të zhvillueme e të përparueme europiane, ishte ai që vuni themelet e shtetit tonë. Asht e vërtetë se Shkodra para vitit 1900 pat vetem dy shkolla europiane të plota, ate të jezuitëve dhe të françeskanëve, por përgatitja e kuadrit intelektual laik e fatar nuk i la asgja mangut asnjenit prej shteteve të zhvillueme.
Ndërsa po të analizojmë klerin katolik, Ai asht i papërsëritshëm.
Kësaj fidanishte i përkasin në disa brezni edhe Gazullorët…
Tue Ju referue studjuesit të Atij trolli, Danielit, vërejmë se nga shek. XV njihet Gjon Gàzulli i madh, astronomi, dhe mbas tij Pal Gàzulli, ambasador i Kastriotit pranë Republikës së Raguzës në vitet 1452-1459, që asht edhe Rektor i Shkollave të asaj Republikë. Mbas tij vjen Doktori i Filozofisë Imzot Ndue Gàzulli, Arqipeshkëv i Shkupit (1702-1783). Në shek. XVII asht njohtë Abati i Mirditës Don Ndre Gazulli. Ndërsa Andrea Gàzulli ishte komandant i Forcave të Veriut pranë Ali Pashë Tepelenës deri me sulmin të tij barbar mbi Kardhiq. Pra, në pak rreshta, këta ishin gurtë e parë të themelit të Tyne.
Asht për t’u theksue se deri në vitin 1944, me ardhjen në pushtet të komunistëve, Gazullorët kanë pasë gjithmonë një pinjoll të familjes së tyne të talentuem, që do të shkonte për studime jashtë Shqipnisë.
Po të kësaj plejadë të fundit të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX ishin tre vëllaznit Gazulli njëherësh, Gjoni (1893 – 1927), Nikolla (1895 – 1946) dhe Stefani (1896 – 1964), të cilët, jo vetëm që kanë studjue ndër universitete të hueja europiane, po edhe u dalluen qysh atje si gjenialitete në fusha të ndryshme të dijes.
Ndoshta pa u kujtue asnjëherë, ndodhë që një “ngjyrë” ngacmon aq shumë trunin e njeriut, sa për vite të tana ajo mbetë si njollë aty…
Ishte një vorr fare i thjeshtë çimentoje, i ngjyrosun me gelqere, pranë një selvije në krahun e djathtë, në të hyme në Fushen e Rrëmajit…
Aty ishte gjithmonë një qiri i djegun dhe i shkuem rrëkajë ose i porsa ndezun, që nuk fikej as nga era as nga shiu, derisa u mbaronte…
Ditën e të Shuemëve, ai vorr i thjeshtë ishte qendër pelegrinazhi i sa e sa vizitorëve, që vinin ndër ato vorreza nga të katër anët.
Nana më pat tregue se ai asht vorri i një Prifti, që ka pasë varë disa vite ma parë Ahmet Zogu. Më dukej një çudi e madhe sesi një njeri i quejtun “shqiptar” me mbërrijtë deri aty, sa me varë në litar “një Prift”!
Shqipnia asht e mbushun me “mozaikë” të të gjitha kohëve…ku, fatkeqsisht, ndër këto vepra të lyme me bojë të bardhë, ku përveç një Shpirti që kishin të tillë këta njerëz, gjithkah dominonte ngjyra e zezë e aq e zezë, sa vetë jeta e të gjithë Atyne Atdhetarëve Shqiptarë…E shpesh, po të njajtin fat kanë pasë mbrenda një fisi disa vetë njeni mbas tjetrit!
Pa u largue nga ky Fis i nderuem, do të ndalohem pak çaste!…
DY DIJETARËT E “PARAFUNDIT”…
Këta janë Don Gjoni dhe Don Nikolli të Dajçit të Zadrimës plakë… ose siç asht njohtë deri vonë të Dajçit të Sapës.
Don Gjon Gazulli
asht lé në fshatin Dajç me 26 Mars 1893 ashtu si vëllaznit e Tij Nikolla dhe Stefani. Don Ndre Mjedja, kur e pat hapë atë shkollë, nuk besoj se i ka pasë shkue mendja se ndër ato banka do të edukoheshin dhe do të formoheshin edhe dijetarë, që do të linin vepra aq të mëdha në lamën e dijës e të kulturës shqiptare, sa aq madhshtorë e të pavdekshem do të jenë monumentet e Tyne në Elterin e Atdheut.
Mbas mësimeve të mesme në Shkodër, i prirun nga thirrja e vet për meshtar, vazhdoi studimet e nalta teologjike në Insbruk t’Austrisë.
U shugurue meshtar me 4 Gusht 1919 dhe menjëherë filloi me sherbye në Dioçezin e vet, të Sapës, në fshatin Gjader të Lezhës për pak kohë e ma vonë në Qelëz të Pukës dhe në Koman.
Kur ishte student në Romë Gjoni, pra qyshë shumë i ri, bie në sy përkushtimi i Tij në çashtjet Atdhetare, sa që në vitin 1915 arbëreshi i njohun Agostino Ribecco e thërret “Atdhetari i madh Gjon Gazulli”, një thirrje ndoshta krejt spontane, po që në vetvedi ruen një profeci të madhe, që do të shfaqet porsa Don Gjoni do të vinte në Atdhe.
Asht vetem 7 vjet mbas shpalljes së Pavarësisë kur veshet me petkun e Klerikut Katolik Shqiptar, detyrë e cila asht një dhe vetem një me përkushtimin shpirtnuer që kleriku do të kenë edhe ndaj Atdheut.
Zhvillimet e menjëhershme të Shqipnisë së dalun nga zgjedha e pushtuesëve shekullorë osmanllijë, nuk mund të ishin kurrë të atilla dhe aq të shpejta sikur qendrimi i klerikëve të mos ishte poaq aktiv dhe aq me përkushtim sa i Atdhetarëve të tjerë, që me guxim dhe burrni të madhe i dolën për zot detyrave aq të mëdha, sa nuk kursyen as jetën e vet kur e lypi nevoja e Atdheut. Asnjë klerik katolik nuk di me i ba lak detyrave të mëdha që dalin nga çasti në çast nga paaftësia e nëpunësve të shtetit, që mbrenda vetvetes, kjo e quejtun paaftësi, ruente mbeturinat e mentalitetit oriental, gërshetue me fanatizmin e trashiguem nga edukata anadollake, prej së ciles shkëputja e menjëhershme ishte shumë e vështirë, kur ende kudo, në të gjitha zyret shtetnore, vazhdonte mënyra e qeverisjes së vjeter, një cilësi aq e “preferueme” e qeveritarëve tonë, sa edhe sot vazhdon me u trashëgue në sferat ma të nalta të shtetit shqiptar.
Përballë një qeverisjes që premton me ecë përpara, por që me forcë të madhe pengohet çdo veprim i saj drejt ndryshimeve që lypë koha dhe shoqnia shqiptare, që tashma asht e vetdijshme se i përket një kontinenti tjetër, krejt ndryshej nga ai i pesë shekujve të fundit, detyra poaq të mëdha, që lypin përkushtim e guxim të pashoq me thye ato barrigada që pengojnë ecjen e shqiptarëve drejt zhvillimit europijan.
Sikur këto t’ ishin vetëm çashtje të vetë shqiptarëve, do t’ishte gjysa e së keqes, por dardha e kishte bishtin shumë të gjatë mbrapa…aq të gjatë sa as vetë shqiptarët nuk dijnë me e kuptue se çka domethanë “qeverisje e vendit tand” për interesat e shteteve fqinjë… me një mënyrë qeverisje që shqiptarëve u ka ra për hise tash mase 85 vjet…e, kjo jo për fajin e Popullit Shqiptar, po për lakminë e ruejtjes së kolltukut të atyne që kanë kërkue sundimin dhe robnimin e Popullit, vetem për interesat meskine të vetat, me e plaçkitë, me e vjedhë, me e dhunue dhe në fund me ia lanë trashëgimtarëve të vet, bashkë me të gjitha “aktet” e flliqta të tradhëtisë së nënshkrueme në pallatet e Bristolit apo të Beogradit.
Mbi këtë llum e baltë u ngrit “selia” e sunduesëve të Shtetit tonë në fundin e vitit 1924 nga Ahmet Zogu, dhe prap mbas 20 vjetësh, në fundin e vitit 1944, nga tradhëtari tjetër komunist Enver Hoxha. Pirateria e këtyne bishave në bregun e Adriatikut të shumë lakmuem prej të huejve, solli pasoja të pariparueshme për Shtetin Shqiptar.
As Toka nuk muejti me zanë vend…Ajo ishte e mbrujtun me gjak Martirësh në shumë shekuj ma parë e gjaku i Tyne vlonte kudo në të gjitha trojet ku kishte kjoftë edhe një Shqiptar. Edhe Don Gjoni asht në ballin e luftës së Lirisë dhe demokracisë, i rreshtuem me të gjithë Ata Burra, që për Atdhe vdesin si me lé. Të tillë ishin Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Avni Rrustemi, Hasan Prishtina e Isa Boletini e sa e sa të tjerë, nga Ata Shkodranë që u rreshtuen me Opozitën. Një vend në këte Opozitë në vitin 1923 zuni edhe Don Gjon Gazulli, si deputet i saj.
Këtu zen fillë qendrimi i Tij kundër Ahmet Zogut e partisë së tij Popullore, tue u konsiderue armik i papajtueshëm me politiken e Zogut, që tashma ishte e njohun për angazhimet e tij proshoveniste sllave. Ahmet Zogu jo vetem erdhi nga jugosllavët në krye të Shtetit, në fund të vitit 1924, po dokumentat e nënshkruem prej tij me Pashiqin janë ata fakte që tregojnë portretin e vërtetë të kryetarit të Shtetit tonë në sherbim të Jugosllavisë. Një fatkeqsi e pasueme nga të tjerët e po atij kolltuku…
Asht pika “ma e largëta” kjo me të cilen asnjëherë Kleri Katolik Shqiptar jo vetem nuk asht pajtue, por asht kenë edhe anmik i saj. Kjo vijë politike asht quejtë nga të gjithë klerikët tradhëti ndaj Atdheut.
Kleri ynë Katolik asht aq revolucionar, sa asht përparimtar!
Kudo dhe kurdo gjithnjë ka hapë shkolla dhe ka punue për një zhvillim kulturor në përputhje me të gjitha normat e përparimit dhe të zhvillimit shoqnor, që aso kohe kishte pak shtete edhe n’ Europë, që ecnin me atë rritëm të shpejtë zhvillimi e emancipimi Përendimor sa na.
Klerikët tonë vinin nga shtetet ma të zhvillueme dhe shkonin e jetonin me fshatarët ma të mbrapambetun të Europës, tue vue kryet në grazhdin ku ushqeheshin kafshët, dhe tue pranue vorfninë me andje të madhe vetëm për me arritë me realizue andërren shekullore të Rilindjes sonë, e cila arrihej vetëm nëpërmjet shkollës, dijes e sakrificës. E, kur në gjithë vendet e Europës shkollat ishin në një stad të naltë zhvillimi, asht Don Gjon Gazulli që realizon në Shqipninë e “mbrapambetun” shkollën e parë mikse në fshatin Qelëz të Pukës, tue e hapë ate në qelen e vet.
Kjo ishte Shkolla e parë mikse në Botë.
Ende në asnjë shtet t’ Europës së përparueme nuk kishte shkolla ku studjonin djelm e vajza bashkë. Në Qelëz po; pra në Francë ato u hapën mbas Luftës së Dytë botnore, në vitin 1948, dhe në Itali në vitin 1952. Dhe, nuk mjaftohet me kaq, por Shkolla e tij mikse kishte nxanës të besimit Katolik e Musliman të gjithë bashkë, sëpse siç thonte vetë Don Gjoni: “Jemi të gjithë vllazen Shqiptarë!”. Veprime të tilla nuk janë shikue kurrë me synin e kjartë të Atdhetarit nga fanatikët e kohës.
Në atë kohë, një ndër votuesit e Don Gjonit, ndër ma kryesorët, ka kenë Myftiu i Hasit. Kur Musa Jyka iu drejtue Myftiut: “Po ti, si nuk pate turp që votove për priftin?!”, Myftiu, pa prishë gjakun fare, me qetsi të madhe, iu përgjigj: “Nuk votova për priftin, po për atë që po na mëson përditë çka do me thanë Shqipni, çka do me thanë Atdhe”.
Po “faj i vogel” iu duket ju, o lexues kjo thanje?
E megjithate, Don Gjon Gazulli në vitin 1925 nuk u largue nga Shqipnia ashtu si shumë klerikë të tjerë antizogistë, kur Ahmet Zogu erdhi me bandat bjellogardiste të Wrangelit me u ulë edhe njëherë në fronin e shtetit shqiptar, por këte herë edhe si tradhëtar i atij froni…
Ndokush edhe mund të më pyes: “Po a pak tokë i dha Zogu mikut të vet Pashiq për me e sjellë edhe njëherë në krye të shtetit?”…Jo jo, asht fakt që mjaft mirë ua ka pague ardhjen shndosh deri në Tiranë, e madje, edhe ua mbajti fjalen e dhanë për “porosinë” e tyne në lidhje me klerin katolik, e të gjithë Ata Atdhetarë që punuen për Shqipnine Etnike…
Ai filloi me Avni Rrustemin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin e Hasan Prishtinën, po nuk e zuni vendi asnjëherë pa i la hesapet me klerin katolik, i cili nuk e pat lanë rahat mbasi erdhi nga Jugosllavia.
Don Gjon Gazulli, edhe pse ishte ndër ma të rijtë kundërshtarë të Ahmet Zogut, nuk u largue nga Shqipnia kur një pjesë e mirë u largue dhe vazhdoi mërgimin deri me pushtimin italian. Kur ata patën kthye, Fan S. Noli u pat thanë: “Axhiruat sa axhiruat, po në fund e prishët me nga një hale axhirimin tuaj!” Kur shpërthei kryengritja e Malësorëve të Veriut kundër Zogut, asaj kryengritje për shumë kohë i janë vue shumë epitete dhe pikëpyetje, deri aty sa disa e kanë pasë akuzue se “Malësorët e Veriut kanë pasë lidhje me Serbinë”…Një akuzë e tillë asht e pavend, sepse në këte kryengritje merrte pjesë pothuej krejtë kleri katolik, që nuk u pajtonte me politiken zogiste projugosllave, prandej për cilën nga arsyet bindse ky kler “bashkpunoi” me serbët, anmikun e vet shekullor? Një fakt asht i njohnun, se Don Lora Caka, At Çiprian Nika, At Mati Prennushi dhe mjaft të tjerë kanë marrë pjesë në këte kryengritje me armë në dorë, gja që dëshmohet në dosjet dhe proceset e tyne në vitin 1947 gjatë hetuesisë me komunista, madje edhe At Pal Dodaj asht Ai që ka ndërhy tek Ahmet Zogu për me ia shpetue kokën mikut të vet At Mati Prennushit, i cili ishte në listën e zhdukjes…Nuk ka asnjë dyshim se me këte kryengritje ishin pjestarë edhe dy vllaznit priftën, Don Gjoni dhe Nikollë Gazulli, mbasi edhe Don Nikolli bani katër vjet në burgun e Gjirokastres, si kryengritës, po a mund të pranohet dënimi i dhanun nga Ahmet Zogu për një klerik katolik me u varë në litar? Një pyetje e mbetun pa “përgjigje”…
Koha ka sjellë edhe dokumenta të tjera, që nuk mund të pranohet për asnjë arsye varja në litar e një kundërshtari politik, pse nuk pajtohet me veprimet tueja dhe nuk ka la duert me gjak e, për ma tepër, kur vetë Ahmet Zogu kishte ardhë në krye të Shtetit Shqiptar me rrugën e tradhëtisë ndaj Atdheut, tue i lanë Serbisë shoveniste të gjitha trojet tona që zaptoheshin nga ajo që në vitin 1913 dhe, tue i shtue atyne trojeve edhe Shën Naumin, që ato ditë, në gazeten “Ora e Maleve” 20 Shtator 1924, shenohet: “Nga Gjykata e Hagës vendosi që vendimi i Konferencës së Ambasadorve i dhanun me 6 Dhetor 1922, me të cilin Shën Naumi i epet Shqipnisë, asht definitiv e nuk mund të rishikohet.”
Atëherë, kush duhej varë në litar..?
Ishte mbarë Populli Shqiptar që nuk pajtohej me këto vepra, dhe nga këto veprime nuk kishte sesi të qendronte indiferent Kleri Katolik. Për këte arsye Ai si gjithmonë u bashkue dhe luftoi me Popullin e vet.
Don Gjon Gazulli u arrestue me daten 26 Nandor 1926 dhe mbas pak muejsh gjoja shqyrtim ngjarjesh, u zhvillue një gjyq që nga shumë vetë asht konsiderue një farsë, mbasi cili mund t’ ishte rreziku ma i madh që mund t’i sillte qeverisë një Prift i fshatit Koman? Edhe vet dokumenti i gjyqit ka mungesa firmash nga ata që drejtonin gjyqin!!
Vet Ahmet Zogu, katër orë mbas varjes së Don Gjonit, dërgon një telegram në Shkoder, me të cilin gjoja i fali jetën Don Gjonit… një veprim shumë i djallzuem, që vetem përforcon mendimin e ekspertëve që kanë përcaktue karakterin e Ahmet Zogut, si një “diktator tiran që i kanë mungue mjetet…”. Po a nuk kishte kohë Ahmet Zogu me marrë një vendim të tillë para dates 5 Mars 1927, pa arrijtë në orët e para të atij mengjezi, kur Don Gjonin, pa dalë drita, e vari në Fushen e Druve, mu në qender të qytetit të Shkodrës, me një paramendim të caktuem, që Zogu me këte veper donte me i tregue Klerit Katolik dhe mbarë Popullit të Veriut dhe Shkodres, se “ky asht fillimi i asaj që do të ju baj ma vonë nëse çoni krye prap kundër meje!!” Një vepër e tillë ishte vetem akt turpi dhe terrori, që i paraprinte edhe shumë veprave të tilla deri tek ngjarjet e Vllazenve Et’ hem e Ismet Toto….
Vetë fjala e fundit e Don Gjonit, para heqjes së stolit tregon ma së miri se kush kje Ky Prift, që burrnisht vdiq pa iu tutë syni, edhe pse nuk ishte ma shumë se 34 vjeç: ““I vetmi faj që i njoh vetes, asht se e kam dashtë Atdheun deri në flijim për të”.
Në lidhje me këte ngjarje historike të nacionalistëve shqiptarë të vitit 1926 kolonel Faik Quku, oficer i asaj periudhë, në librin e Tij “Qendresa Shqiptare gjatë Luftës së dytë Botnore” Vol I, fq. 37, ka shkrue: “Sikur Ndok Gjeloshi të mos ishte plagosë te Çuka e Urës së Mesit, revolucionarët do të kishin hy në Shkoder dhe fati i Shqipnisë mund të kishte ndryshue krejt.”
Iu bana këtë shpjegim të kolonel Qukut, mbasi kur asht folë e shkrue për këte ngjarje kaq të randësishme, gjithnjë asht zanë në gojë si drejtues dhe organizator i saj Don Loro Caka. Sigurisht, për 50 vjet nuk kishte sesi të flitej për Heroin e Popullit Shqiptar, Atdhetarin e madh Ndok Gjeloshi, mbasi ishte Ai Burrë që komunistët vranë në Tiranë, me atentat, sepse dihej se edhe komunistët do të kishin probleme prej Tij.
Prania e emnit të Ndok Gjeloshit në këte kryengritje asht me shumë vlerë për me nxjerrë në shesh të vertetën e mohueme historike, mbasi emni i Ndok Gjeloshit, pak muej para kësaj ngjarje, asht në krye të atyne zhvillimeve të tjera të mëdha të 1924, që sollën në krye të Shtetit Shqiptar Qeverinë Demokratike me kryeminister Fan S. Nolin.
Ndok Gjeloshi ishte edhe atentator i Zogut në Vjenë, kështu do të bahej e kjartë për të gjithë ata që duen me njohtë historinë e vendit tonë, se ngjarjet e vitit 1926 ishin një tjetër përpjekje e Atdhetarëve tonë demokratë kundër vendosjes së diktaturës zogiste, e pasueme me disa vrasje dhe varje në litar të “kryengritësve” intelektualë të Veriut kundër grupit të feudalëve injorantë e anadollakë të pacipë që rrethonin Zogun.
Fakte të tilla historike jo vetëm nuk shkruhen ende, po ma e keqja asht shtremnimi i tyne dhe falsifikimi i së vërtetës historike.
Në shtatorin e vitit 1926 asht me randsi të madhe marrveshja e kryeministrit britanik Austin Chamberlain me Mussolinin, i cili i dha të gjitha mundësitë Italisë me veprue ndaj Shqipnisë, gjoja tue u ruejtë nga italianët pavarsia e Shqipnisë…vetëm për interesat e tyne të mëshefta në lidhje me Mosulin, ku Turqia detyrohet me u shmangë tue hjekë dorë.
Aleanca që lidhet në mes të Italisë dhe Shqipnisë me siguri nuk u prit mirë nga Atdhetarët Shqiptarë. Ndonse u krijue një siguri ndaj dy anmiqve komshijë lindorë, atyne jugosllavë e grekë, duhet thanë realiteti se na me kambët tona ishim tue shkue drejtë vorrosjes së Shtetit Shqiptar në gjiun e Romës fashiste të Mussolinit. Ky asht një fakt historik.
A ka mundsi që eksperienca historike e Atdhetarëve të vërtetë të sillte pasojë Kryengritjen e Veriut për rrëzimin e Ahmet Zogut dhe në të njajten kohë të prishte marrveshjen vdekjepruese me Italinë?
Kjo asht edhe një arësye tjetër që duhet shtjellue nga historianët nëse duen me shpjegue të vertetën e Lëvizjes së madhe antizogiste të vitit 1926, nga Shqiptarët e Veriut me pjesmarrjen e Klerit Katolik.
E kur të zehet në gojë Kleri Katolik, duhet nënkuptue qendrimi i Zogut ndaj Atij Kleri, por edhe duhet tregue një e vertetë që asht kenë mshëhë nga pseudohistorianët tonë, se “Kleri Katolik Shqiptar nuk e ka dashtë kurrë praninë e Italisë në Shqipni”, prandej edhe konti Ciano e shpjegon kjartë “paknaqsinë” e Klerit Katolik nga pushtimi italian: “Kleri ushqente ndjenja nacionaliste të teprueme, që nuk pajtoheshin me pushtimin tonë në Shqipni”. Italia punoi për çarmatimin e Atdhetarëve!
A nuk asht edhe ky një shkak i arsyeshëm dhe i mjaftueshëm me luftue kundër çdo marrëveshje, e cilitdo që punon me u lidhë me traktate e tjera vepra antiatdhetare, edhe sot me Itali e kedo tjetër?
Që Italia e dinte qendrimin e Klerit, kjo asht e kuptueshme, po që Ahmet Zogu do të arrijë të varin Don Gjon Gazullin dhe italianët, tue pasë mardhanje të mira me Zogun, mos me ndërhy fare për mos me e lejue ate me krye një vepër të tillë ndaj një Kleriku, që në analizen e fundit “varja në litar” ma shumë ka turpnue Ahmet Zogun si drejtues anadollak, sesa Atdhetarin Don Gjon Gazulli si Shqiptar i vërtetë!
Kjo do t’ ishte një analizë me vlerë për të gjitha kohët, ndonse nuk asht ba asnjëherë, tue i lanë shtegun çilë të gjithë mbasardhësve që kanë drejtue Shtetin Shqiptar, mbas Ahmet Zogut, me u sjellë me aq mizori të papame kundër Klerit dhe inteligjencës katolike, sa sot nuk ka asnjë historian që mundet me thanë ose me shkrue se kundër tyne në Shqipni, nga komunistët dhe sherbtorët e tyne të sigurimit nuk asht ba “Genocid”.
Në librin e Bernd J.Fischer, amerikan që ka shkrue “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipni” (Santa Barbara, Kaliforni,1996) shpjegon edhe një “variant” tjetër, që e shtyni të revoltohet popullsia e Veriut kundër Ahmet Zogut, sepse “katolikët e Veriut, të cilët, veç pakënaqësive të ndryshme, nuk e kishin harruar ende përpjekjen e Zogut për çarmatosjen e tyre dhe ndalimin e kusarisë. (fq.124).
Ky asht një shtremnim fakti, që përputhet me të gjitha shpifjet dhe intrigat e shteteve fqinjë, të cilat ndër shekuj, që në kohën e Turqisë, janë mundue me paraqitë Malësorët e Veriut si gjakajtorë e kusarë, tue mos thanë asnjëherë të vërtetën historike të Atyne Maleve dhe Atyne Burrave Shqiptarë, që me pushkë përfaqe, jo vetem kanë mbrojtë trojet e veta për mos me u shkelë nga robnuesit turq e sllav, por edhe kanë krye edhe një detyrë tjeter të madhe për të cilen Fan Noli thotë: “Vetëm Malësorët e Veriut mbetën Katholike me armë në dorë…”
Pra, ishte arma që i duhej Atyne Burrave me ruejtë Atme e Fe!
Ishte arma që naltonte idealin e Tyne “Atdhe e Fe” deri në Elter të vetflijimit për çashtjen e madhe të Lirisë së Tyne. E, Ai që i edukoi dhe i formoi këta Vigaj të Popullit Shqiptar dhe të Shpellave të Alpeve tona me këta virtyte, ishte gjithë Kleri Katolik Shqiptar. Ishte gjaku i Atyne Martirëve tonë, që dikur ndër hunjë, tue ua këputë kokën me sopatë e prap ndër konopë e litar të mbasardhësve të Anadollit, do të ngrinte nalt edhe një Hero në Elterin e Atdheut, Don Gjon Gazullin.
EDHE AHMET ZOGU IKU..!
Kur fillon djegëja e një shtëpije apo edhe e një kësolle, shenja e parë që kuptohet nga komshija asht “era e rubit”… E kur asaj shtëpi i del tymi, ka marrë fund gjithshka…Në vitin 1939 mbreti i Shqipnisë Ahmet Zogu nuk duhet të ikte, ai e provoi me ikë në vitin 1924, pra ai nuk duhet të kthente fare për me ikë prap në vitin 1939…dhe, ka ba mirë që nuk ka ardhë (ose nuk e kanë lanë me ardhë) në 1944, se prap do t’i duhej me ikë, mbas prishjes me Jugosllavi në vitin 1948…kur Stalini e shtrini zyrtarisht sundimin e vet deri në brigjet e Korfuzit, tue vendosë bazat ushtarake në Gjiun e Vlonës…me disa anije të kohës së carit aq të “vlefshme”, sa kur janë prishë mardhanjet shtetnore me Bashkimin Sovjetik…Hrushovi as ato rrangalle që kishte sjellë në bazen ushtarake të Vlonës, nuk i tërhoqi!
Italia e paralajmëroi Zogun se do të zbarkonte pak kohë ma parë dhe i dha mundësinë që ky në 15 vjet të sundimit të tij, me i pasë të gjitha plaçkat gati për datën 7 prill 1939, kur këte herë ia mësyni krahut tjetër nga Jugu…“mikeshës” Greqi. Nuk e di pse nuk mori rrugën e Veriut, mbasi Malësorët tashma ishin të “çarmatosun” dhe mund të kalonte pa telashe me të gjitha plaçkat e kapitalet e grumbullueme në ato 15 vjet mbretnije e sundimi, madje edhe tue plaçkitë edhe arken e Kryqit të Kuq.
Kur Zogu u kthye nga Jugosllavia, ata kanë deklarue se kanë pasë shpenzue rreth 105 miljon dinarë për këte aksion…shkruen në një liber Vladimir Dedjer, në vitin1949. (po aty F. Quku fq. 27)
Zogu këte borxh ia pat pague Jugosllavisë… Atëherë ai edhe pat realizue dëshiren e tyne për vazhdueshmeninë e Shqipnisë në rrugën e para vitit 1924, tue eleminue kundërshtarët e sllavëve që ishin intelektualët dhe demokratët Atdhetarë. Kur ai u lidh me Itali, porsa erdhi në 1925, italianët i njihnin mirë tiparet e karrieristave dhe pasionet e tyne për “kunorë” mbretnore dhe pasuni… Prandej edhe i krijuen kushte, nipit të Esat Pashë Toptanit, me realizue idenë e vjetër të mbetun përgjysë nga patllakja e Avni Rrustemit, dhe këte e gjejmë prap të shkrueme tek B. J. Fisher, ku shkruhet kjartë se: “Zogu u largua prej Shqipërisë me një qyp të madh me rubinë dhe smeraldë si dhe me një pjesë të rezervës së arit të Bankës së Shtetit, që kapte shumën prej 10 milion dollarësh…Shqiptarët kundërshtarët e Zogut që ndodheshin në Londer…deklaronin se Zogu zotëronte një deri në katër milion sterlina….
Kjo sasi të hollash tërhoqi vëmendjen e Thesarit Britanik në shtator të vitit 1940, kur një prej njerëzve të Zogut, Sotir Martini, kërkoi të dinte nëse Foreign Office-i mund të krijonte mundësinë për transportimin në Kanada të shtatë arkava me para…” (fq. 309)
Mbas shumë peripecishë e telashesh, Zogu pëfundoi në Angli.
Përpjekjet e tij me u rikthye nën “mbrrelen” angleze në Shqipni janë kenë aq të mëdha, sa shpesh njeriu fillon mos me i besue, por për fat ato përpjekje janë shkrue nga të huejtë, gja që i ban të besueshme se lidhen me shumë episode të ndigjueme prej nesh prej njerëzve të dijtun që kishte Shqipnia dhe që në faktet historike, unë prej tyne kam mësue vetëm një gja që asht baza e pavdekshme e Historisë: “E vërteta”.
Zogu kërkoi nga anglezët siguri lidhjeje me Washingtonin, por dështoi se ishte pikërisht ShBA, që nëpërmjet Anglisë, kishte ra dakord me Italinë për me hy në Shqipni në vitin 1939, veprim i njohun prej tyne legalisht në të dy qeveritë. Kjo lidhej me një fakt që kerkohej prej tyne si kusht se Zogu nuk kishte drejtue kurrë qeveri me rregjim “demokratik”.
Në vitin 1942, në muejn korrik, Zogu u ndihmue nga shoqnia “Vatra” e Bostonit, e cila lëshoi një rezolutë për krijimin e një fronti të përbashkët. Çekrezi, një përson i dënuem nga Zogu, nuk kje i gatshëm me bashkpunue njëherë për njëherë, ndërsa Faik Konica dhe Fan Noli po, e pranuen bashkpunimin me Zogun. Ma vonë pranoi edhe Çekrezi. Rolin kryesor në këte marrveshje e luejti Sir Edward Boyle. Fan Noli mbas vendosjes në Amerikë ka pasë ndryshimet e veta të vazhdueshme në qendrimin që ka mbajtë, aqsa, për ata që e njohën si letrar të madh, aq u ba i neveritshem në qendrimet politike prokomuniste, sa në 1946 kur në Tiranë Enver Hoxha po mbushte burgjet me Atdhetarë, Noli i ban urimet e “fitores” së Qeverisë “demokratike” në zgjedhjet e 2 Dhetorit.
Kur Hitleri kërkoi me sjellë në Shqipni çifutët bashkë me pare dhe bankat e veta të pasuna, Zogu i kundërshtoi, kishte frikë nga “çifutizimi” i Shqipnisë, i shtymë nga rrethi oriental që e impononte ate në qeveri … Kur Zogu u kërkoi çifutëve me e ndihmue me u kthye në Shqipni në vitin 1944, tue iu sigurue se “do t’i siguronte vendosje masive të çifutëve në Shqipëri, në rasë se këto do ta ndihmonin të kthehej përsëri në fron”, çifutët i paguen borxhin e vjeter…dhe nuk e ndihmuen.
Ai u përpoq me u rikthye me grekë, me maqedonas, deri tek turqit e egjipcianët e me ke nuk bani përpjekje, por nuk mbërrijti me kuptue se, kur i pat akordue bursën Enver Hoxhës me shkue në Francë, shkollat masone ishin shumë ma të rrafinueme se “dredhitë” e lumit Mat!
Ai që i mbylli rrugën Ahmet Zogut mos me u kthye ma në vendin e vet shumë të dishruem për me vazhdue “avazin” e vjeter të qypave … nuk ishte anglezi i njohun, kolonel – leitnant Maclean, që erdhi me u interesue për këte çashtje në Shqipni, po ishte vetë Ahmet Zogu, që ua hapi rrugën komunistave…tue i tregue “padashje” botës së qytetnueme se po rikthehej në boten e vet orientale, në Egjipt, mbas shumë përpjekjesh që bani me u identifikue me Europën Përendimore, të cilen nuk arrijti me e mashtrue se jam “monark” Përendimor, se atij rranjët e deri në bel trupi i kishin mbetë në Lindje…prej së cilës nuk arrijti me e shkapë asnjëherë.
Pothuej të gjithë drejtuesit e shtetit kanë ndjekë një rrugë nga e cila mujti me u shmangë vetëm një Atdhetarë e, ky kje Mustafa Kruja.
Mbas zgjedhjeve të 2 dhetorit 1945, Shqipnia hyni zyrtarisht në vathen e vendeve komuniste të Europës Lindore, e garantueme prap si dikur..nga qeveria jugosllave po, tashti e një sllavokumunisti J.B.Titos, të një modeli që konsiderohej ndër sherbtorët besnikë të Stalinit. Njohja e qeverisë komuniste të Tiranës zyrtarisht nga qeveria angleze në muejn dhjetor 1945, bani që Zogut të mos i shkonte mendja “kurrma” se mundej ndonjëherë me u kthye në Shqipni.
Aleatët zbuluen indirekt karten e “mësheftë” të Jaltes së 1945!
Rruga me sundue dhe me u pasunue nga froni drejtues asht kenë dhe vazhdon me kenë pa asnjë ndryshim edhe ndër ditët tona, rruga e pelqyeshme dhe shumë e kerkueme nga të gjithë ata që harrojnë se atë rrugë ata e kanë arrijtë vetem me anë të dredhisë dhe tradhëtisë.
FATI I ZI I DIJETARËVE SHQIPTARË…
I vetmi grup politik me randësi që ka pasë Shqipnia gjatë Luftës së Dytë Botënore dhe nuk përmendet në asnjë dokument nga ata që kam pasë rasë me pa dhe me lexue apo me ndigjue për atë kohë, që nuk ka ba ndonjë marrëveshje me Ahmet Zogun, kjoftë edhe të “mësheftë”, që nuk e zen në gojë kush as nga të jashtëm, apo të mbrendshëm, asht grupi i njohtun i intelektualëve e politikanëve të Rregjencës Shqiptare.
Lef Nosi, At Anton Harapi, Maliq Bushati dhe Cafo Beg Ulqini, tue i pasë të gjitha mundësitë me shkue ku t’u shkonte mendja, pranojnë vendimin e treguem publikisht nga At Anton Harapi dhe Lef Nosi, nga goja e Cafo Beg Ulqinit se: “Nuk pranojmë me vdekë jashta kufijve të tokës Shqiptare…”. E Këta Burra nuk ishin të vetmit edhe pse Emnat e Tyne vazhdojnë me kenë në listat e zeza të “tradhëtarëve t’ Atdheut” edhe sot që kanë kalue 65 vjet nga tradhëtia që Atyne, iu ba nga Aleatët apo “çlirimtarët” komunistë. Fillova me dijetarin Lef Nosi, sepse asht një ndër tre Atdhetarët që ka pasë pronë të veten njenen ndër tri bibliotekat ma të pasuna të Shtetit Shqiptar para vitit 1944, e që me siguri ajo bibliotekë u muer në “ruejtje” mbas pushkatimit të Tij, nga analfabetët partizanë, që pak ma vonë u banë “themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve”, “dijetarë” dhe partizanë kriminelë të orëve të para si Dhimiter Shuteriqi etj., që u krijue në vitin 1945, siç më ka shpjegue një nga pjesmarrësit në atë mbledhje të parë i nderuemi Prof. Kolë Ashta.
Në tetor të vitit 1945 një grup shkrimtarësh, nën shembullin e Bashkimit Sovjetik dhe të Jugosllavisë Titos, patën formue në Tiranë, “Lidhjen e Parë të Shkrimtarëve Shqiptarë”.
Në materialet e botueme tek “Bota e Re”, organ i kësaj Lidhje, në nr. 3, shtator 1945, do të gjejmë emnat e Imzot Vinçenc Prennushit, Argjipeshkëv i Durrësit dhe i Tiranës, Prof. Sejfulla Malëshovës, z. Aleksandër Xhuvanit, z.Dhimiter Shuteriqi, z. Ali Asllani, Prof. Skënder Luarasit, Dr. Dhimitër Pasko, z. Selim Shpuza, z. Sterio Spasse dhe z. Shefqet Musarajt. Komunistë ishin Sejfullahu, Shefqeti dhe Dhimitri. Për çudi emni i Prof. Arshi Pipës mungon…si duket nuk “njihej” ende!
Me 12 shtator, në “Bota e Re”, nr. 3, asht lista e komisionit nismëtar. Vetëm në numrin 2 të asaj reviste marrim vesh se cila asht redaksia: Shefqet Musaraj, Zihni Sako, Aleks Buda, Mitrush Kuteli, Andrea Xega, Selahydin Toto, Andrea Varfi, Nexhat Hakiu, Jusuf Alibali. Jo me u çuditë që emni i fundit Jusuf Alibali në Janar të 1945 ishte hetues i Don Lazer Shantojës, që u pushkatue me 5 Mars 1945. Këta emna nuk janë të gjithë në listën e komisionit nismëtar me 7 tetor 1945 në Kinema Kosova, ma vonë Teatri Kombëtar, ku ka marrë pjesë edhe Prof. Kolë Ashta, dhe ku njoftohet se u mbajt konferenca e parë e shkrimtarëve. Professor Kola kujtonte nga konferenca se mbledhjen e hapi z. Aleksandër Xhuvani (i cili nuk kishte ende titullin Profesor).
Aty u zgjodh një presidium në të cilin ishin: Imzot Vinçens Prennushi, prof. Sejfulla Malëshova, Dom Ndoc Nikaj, Dr. Ymer Dishnica, prof. Lasgush Poradeci, prof Skënder Luarasi dhe z. Selim Shpuza. Profesor Kola më pat tregue se ditën e dytë u zgjodh Këshilli i Përgjithshëm, me kryetar Sejfullah Malëshova, Imzot Prennushi, A. Xhuvani, K. Cipo, At Benedikt Dema, Ymer Dishnica, Skënder Luarasi, Sh. Musaraj, Ali Asllani, L. Poradeci, S. Spasse, Behar Shtylla (letrar “pa portofol” shenimi em, F.R.), Nonda Bulka, Dhimitër Pasko, A. Varfi, Dh. Shuteriqi, Et-hem Haxhiademi, V. Kokona. Një forum tjetër ishte që asnjëherë nuk u kuptue roli i tij me Kryetar nderi Fan Noli, kryetar Sejfullah Maleshova, nënkryetar A. Xhuvani, sekretar Dhimitër Shuteriqi, kurse anëtarë: At B. Dema, Et-hem Haxhiademi, Dh. Pasko, Sh. Musaraj. Jo larg nga kjo kohë fillojnë arrestimet e disa drejtuesve, tue e fillue rreshtin e pafund Sejfullahu, Don Ndoc Nikaj, romancieri i parë, e mbas tij të tjerët që vdiqën ose u zhduken ndër birucat e hetuesive, tue mbyllë listat me një nga të parët shkrimtarë, hetuesin Jusuf Alibali…e me rradhë të tjerët. Kështu, me Dhimiter Shuteriqin e Foto Stamon etj. fillon epoka e realizmit socialist dogmatik envero – stalinian, e pafund.
Këta ishin hapat e parë në drejtim të kulturës shqiptare në rrugë zyrtare, ndërsa mbrapaskenat jugosllave ishin mbas siparit të kuq të skenës, ku ishte tue përgjue zhvillimin e atij takimi si gjithmonë mbas shpatullash…Enver Hoxha, Nako Spiru me ndonjë tjetër që me siguri ma vonë i ka hangër edhe kokën.
Hipokrizia e komunistëve kalon çdo fantazi. Në të gjitha këto vepra ishte skema jugosllave që duhej zbatue, sigurisht me vullnetin e plotë të drejtuesëve spijunë të tyne, që ishin në krye të shtetit shqiptar. Ata vetëm hapnin gojën dhe fillonte zbatimi, ku bie në sy zelli i madh i këtyne fanatikëve anadollakë, sa shpesh instruktorët jugosllavë mbetshin me gojë të “hapun” para zbatuesëve të vet të paisun me të gjitha cilsitë kriminale.
Shumë nga Ata Atdhetarë që kishin punue me gjithë shpirt e me një vullnet të hekurt për mëkambjen e Shqipnisë nga ana kulturore as nuk i shkonte mendja se me ardhjen në pushtet të “shqiptarëve”, mjaft prej tyne edhe nxanës të vetë atyne dijetarëve që kishin vue bazat e kulturës sonë kombëtare, do t’ ishin të parët që do të kërkoheshin me u ba kurban nga ato bisha për hir të miqsisë së tyne me jugosllavët. Ndër të parët që u kërkue nga grupi partizan i Bregut të Bunës ishte Don Alfons Tracki, misionar gjerman i ardhun që në Luftën e Parë Botnore, që në vitin 1944 kishte deklarue se: “Nuk kam pse iku me gjerman, se Atdheu i dytë i emi asht Shqipnia!”. Kjo nuk ishte një thanje siç thotë populli “me la gojën”, por ishte një e vertetë që Ai e kishte dëshmue me vepra e, për me u bindë për këte, do të paraqes vetëm dy fakte të fundit të Tij, në vitet 1943 – 44, kur Shqipnia ishte e pushtueme nga fashizmi e ma vonë nga nazizmi… “vegël e spijun” i të cilëve u akuzue në gjyqin e Tij, po nga ata “partizan çlirimtarë” të cilëve u kishte shpetue jeten, tue i nxjerrë nga kampet e interrnimit të Prishtinës apo burgjet fashiste dhe naziste, e në fund mori plumbin ballit nga ata kriminelë që edhe e torturuen. Këta ishin partizanët!
Këta ishin “vëllezrit” tonë, që ua shpeton jetën e të marrin shpirtin.
Në ditët e fundit të nandorit 1944, vritet një ushtar gjerman në Velipojë…Forcat gjermane kërkojnë me qitë fare Velipojen, mbasi ishin informue se aty asht një grup partizanësh që e kishte ba këte vrasje…
Don Alfonsi merr vesh nga miqtë e vet se rrezikohej Velipoja me u shfarosë nga gjermanët dhe niset e shkon mbrenda pak orësh aty, ku informohet se vrasja asht ba nga jugosllavët e andej Bunës, për me ua lanë sherrin në derë Velipojakëve…që do ta paguenin me raprazalje atë vrasje të kryeme me qellim të keq, kur gjermanët po terhiqeshin. Ai menjëherë takohet me oficerin gjerman, që po fillonte operacionin dhe e bindë se fshatarët e Velipojës janë viktimë e një vrasësi që ka ardhë nga tokat e Jugosllavisë me ua lanë sherrin shqiptarëve, kështu Ai shpëton qindra fshatarë, që do të vriteshin nga ushtria gjermane aty.
Pak ditë mbas kësaj vepre, partizanët Rrustem Sykja..etj., kërkojnë priftin “agjent e spijun” të gjermanëve Don Alfons Trackin, me i vue hekrat si “bashkpunëtorë me nazista kundër brigadave partizane!”.
A ka histori që mundet me e pranue këte vepër si “çlirimtare”?
Don Alfonsi merr malet dhe shkon tek prifti Don Nikollë Gazulli, famullitar në Malësi të Shkrelit, ku mendon me kalue pak ditë…
Don Nikollë Gazulli asht vëllaj i dytë i Don Gjonit. Dy vjet ma i ri, pra asht le në vitin 1895. Vazhdoi njëherësh me vllanë Gjonin shkollën fillore në fashtin e vet, në Dajçin e Zadrimës, e porsa hapun në vitin 1902. Shkollën e mesme e vazhduen në Shkodër dhe mandej të naltën në Austri. Don Nikolli ishte në Grac dhe Insbruk ku studjoi për teologji, por tue kenë i pasionuem për gjuhësi, kreu aty edhe për gjuhësi e mbet mik i dalluem ndër studentat e albanologut të njohun dhe të shquem, Norbert Jokel, me të cilin vazhdoi me kenë edhe bashkpunëtor e studjues i Shqipes.
Fenë me Atdhe e lidhë Gjuha. Gjuhësia asht vepra me të cilen Don Nikolli do të daltojnë shpirtin e trazuem të Maleve, dhe asht ajo penë që nuk do të qendrojnë asnjë minut e thame mbi tavolinën e Tij.
Erdhi në Atdhe dhe mori rrugët e Malësisë së Rrjollit dhe të Shkrelit, ku njëheresh me detyrën fetare, filloi me germue thesarin e madh të gjuhës, me fjalët e rralla të atyne krahinave, me toponomastikë e onomastikë, tue mos i veçue kurrë nga etnografia i mbështetun në gjurmët historike dhe gjeografike të malësive tona. Porsa fillon me u pa në revistat e kohës puna fillestare e tij në lamën e gjuhësisë, u kuptue se nuk asht një hop rinor i Don Nikollit pasioni i tij, por asht një gurrë e vertetë që nuk shuhet kurrë e një gjenialiteti që po shpërthente si vullkan dijet e shkencet nga ata burime të pashterrshme të prrojeve që me doren e vet i bashkoi në një lum të fuqishem burimi të pavdekshem të shkencës së Gjuhës Shqipe. Asht ajo gjuhë që nuk e len Don Nikollin me u ba plaçkë e anmikut ma të madh të shqiptarëve, plaçkë e shovenistëve sllavë, që po lëshonin rrajë me veglat e veta mu në krye të shtetit shqiptarë, të ardhun nga Beogradi dhe me shpatën e çveshun të padijes, filloi me ba edhe flijimet e para me vllajn e madh të Don Nikollit, Don Gjonin e Gazullorëve, tue e varë në litar.
Në kryengritjen e Veriut në 1926, arrestohet edhe ky me të tjerë klerikë dhe dënohet 101 vjet burg të përjetshëm. E çojnë në burgun e Kalasë së Gjirokastrës…“historia” e të cilit do të vahdojnë edhe me kohën e vonë ku, mbas ndërhymjes së përsonalitetëve ma të njohuna të kohës, Joklit, Viktor Eftimiut dhe Asdrenit etj., mbas katër vjetësh e lirojnë.
Dijetari Don Nikoll Gazulli asht njohës i latinishtes, greqishtes, gjermanishtës, frengjishtes, italishtes dhe sllavishtes, gjuhë me të cilat i la shkences sonë të gjuhësisë veprat e pavdekshme të vetat, shumë prej të cilave na fillojmë me i pa në “Hylli i Dritës”, prodhimet e një truni të rrallë, që në pak vite të jetës la vepra madhështore. Duhet theksue se “Gojëdhanat” që Ai ka mbledhë janë labirintet e panjohuna të burimeve historike, që na sot sikur të gjurmojmë vetem ato, kemi aq shumë fakte historike sa pak popuj mund të maten me ne në fushen e historisë së vjetër shqiptare. Me një durim dhe mjeshtri lidhë mitologjinë me etnografinë tue i vue me dorën e vet në hartat e vjetra dhe tue i lanë shkencës edhe një burim tjeter të vyeshem të atyne fakteve historike që bota përreth nesh asht kenë mundue atëherë e sot me i shue, me i fshi, tue përdorë mjetet ma të dhunëshme dhe të panjohunat e kohës primitive mbi trupat dhe mendjet e dijtuna të një populli, që u punue në shekuj për zhdukjen e Tij dhe të kulturës disa mijavjeçare të vorrosun ndër trojet e qytetet tona historike.
Kombi Shqiptar asht burim visaresh…dhe, janë pikrisht ata që u grumbulluen në vëllimet e vlefëshme të shkencës, “Visaret e Kombit”, mbi të cilat dijetarët tonë kanë lanë pasunin e tyne mendore, por edhe shpirtnore e Atdhetare. Aty edhe Don Nikoll Gazulli la Vëllimin XI të “Visareve të Kombit” dhe “Fjalorin e Ri”, si dhe “Fjalori toponimostik”, botue pjesë pjesë ma vonë në vitet 1939 – 1943 në revisten “Hylli i Dritës”, revista ma me vlerë shkencore e letrare e themelueme nga At Fishta. Janë ato vepra ku autori Don Nikoll Gazulli ka vue themelet e tij në fushen e leksikografisë krahinore dhe onomastikës. Ashtu si të gjithë dijetarët klerikë, edhe Don Nikolli në këto dy vepra të kulturës sonë kombëtare tregon, siç e thekson edhe pasardhësi i Tyne Danieli: “…nivelin e naltë shkencor, ku duket dora e një dijatari të mirfilltë, metodologjia e hartimit, objektiviteti i landës gjuhësore, ekuilibri në përzgjedhje, dhe sidomos shpjegimi analitik i landës.” “Fjalorthi ngërthen mbi 5.000 fjalë të rralla të shtrime në 524 faqe. Çdo za asht shoqnue me shpjegim kuptimor, sinonimor – kur ka qenë rasti – etimologjik, e krahasue jo rrallë edhe me përkatëset në gjuhë të tjera, sidomos në gjermanisht e italisht.”
E të mendojsh: këto fjalë të rralla të mbledhuna nga Gazulli ndër Malet tona, fjalë të mirëfillta shqipe, nuk u përfshinë në Fjalorin e Gjuhës Shqipe të vitit 1982! Sigurisht, sëpse “dijetarët” e sotëm as nuk i kuptojnë.
Veçanarisht me vlerë janë shpjegimet kuptimore të fjalëve me ndryshimet që ato kanë pësue në rrjedhë të shekujve.
Vepra e parë e këtij lloji në gjuhën tonë, e Don Nikoll Gazullit, asht vepër që e ban Ate themelues të leksikografisë onomastike. Po a e di kush këte edhe nëse ka përfundue Universitetin e Tiranës?
Atdhetarët e vertetë nuk studjohen në shkollat tona “socialiste” apo si thirren tashti “demokratike”… Ndër katedrat e tyne nuk ka mbetë asnjë vend për dijetarët që jetën e tyne ia kushtuen lirisë së Atdheut e dijes!
Kleri Katolik Shqiptar, aq sa ishte antikomunist, ishte edhe antifashist e antinazist, sepse doktrina e Krishtenë, me të cilen ishin paisë dhe mishnue Ata nuk pajtohet me diktaturat, të cilitdo lloji e vendi kjofshin ato. E nga ky kler “reaksionar” ishte edhe Don Nikolli.
Ditën e Pashkëve, me 9 Prill 1939, në Kishë të Rrjollit, gjatë predikimit, Ai iu drejtue besimtarëve:“Mos i lëshoni armët! Këta, skotë e mbrapshtë si janë, duen me na shkombëtarizue! Prandej, si dikur bijtë e Kastriotit, t’i bajmë ballë pushtimit fashist!”
Dom Nikollë Gàzulli, ato fjalë ua përsëriti edhe Malësorëve të Shkrelit në vitin 1945, kur Shqipnia po kthehej në një republikë të shtatë jugosllave: “Lirinë e fitueme me gjak, këta duen me e lëshue pa gjak në dorë të shkjaut në emën të idelogjisë së tyne çnjerëzore komuniste!
Pra, o burra, armët për syni!”
Don Nikoll Gazullin e vranë me 2 shkurt 1946.
Nga dorshkrimi “Kujtime” për At Konrrad Gjolaj OFM.1996, unë kam shkëputë një fragment kur ishe tue daktilografue librin “Çinarët”, dhe At Konrradi po më shpjegonte sesi jugosllavët kishin sjellë nga Jugosllavia një diversant aso kohe me vra Kapiten Gjergj Vaten (me pseudonim Cukali) i dalun në mal…Ai më tha se: “Po kështu kanë veprue jugosllavët edhe me Don Nikollë Gazullin. Don Nikolli asht kenë një nga klerikët ma të prëgatitun për nga kultura dhe bashkpuntor i “Hyllit të Dritës”. Ai ka vue theksin mbi shumë krahina shqiptare, që nga dhuna sllave kanë pasë fillue me u kthye në ortodoksë dhe me ndrrue edhe gjuhën…Shkruente me fakte e dokumenta për kenjen e tyne nga ana autoktone Fise Shqiptare. Aso kohe pra, në 1944 – 46, në ato zona të Malësisë, ishin edhe Don Aleksander Sirdani, Don Pjeter Çuni (shumëi ri, por shpresdhanës), që njiheshin si studjues të atyne krahinave dhe që ishin ba shumë të njohun për nga ana historike dhe kryesisht për njohje të folklorit, dokeve e zakoneve të Malësisë sonë.
Një ditë, aty nga janari i 1946, vjen në Kuvendin e Fretenve të Gjuhadolit një malësuer dhe kërkon për “një fjalë” At Konrradin. Kishte dalë dhe po ecshin në oborrin para Kuvendit. Mbasi i kishte tregue se asht i lidhun me “njerëzit e malit” (kështu thirreshin ata që ishin ndër shpella), i kishte tregue se vijnë e futen shpesh ndër ato zona edhe disa oficera jugosllavë në kerkim të malësorëve të anës së tyne nga Mali i Zi, që janë bashkue me malësorët tonë ndër shpella. Ai i kishte tregue At Konrradit se njeni prej tyne asht i dijtun dhe flet edhe për Ungjillin tonë. I kishte tregue se ky jugosllavi i “dijtuni”, një ditë, i kishte folë sesi një nga malësorët tonë andej nga Jugosllavia kishte vra një prift, sepse prifti kishte punue “kundër Atdheut”, gja të cilën e lejon edhe Ungjilli i juej, kur “Prifti asht tradhëtar i Atdheut e i Fesë”, dhe i kishte shprehë habinë e tij At Konrradit se, a mundet me kenë e vertetë një gja kësisoj “me vra priftin”, gja të cilën i kishte shpjegue oficeri i “dijtun” jugosllav?…
At Kondradi ishte njohës i mirë i ligjeve kanonike dhe i kishte pohue se këto gjana kanë ndodhë, por asht vështirë me përcaktue shkallen e “tradhëtisë” së Priftit. Malësori kishte shpreh se prandej kishte ardhë me pyet At Kondradin, se nuk i ka besue atij jugosllavit të “dijtun” e, tash që po ma thue edhe ti se “mundet me ndodhë” dhe nuk asht fajtor vrasësi i Priftit para Zotit e robit, po më mbushet mendja se nuk na paska rrejtë jugosllavi. Deri atë ditë ai nuk i kishte besue atij!
Kishin bisedue edhe ndonjë gja tjetër, por At Kondradi, i ardhun nga studimet prej Italie nga viti 1943, as nuk i njihte ata njerëz për të cilët bahej fjalë dhe as ato krahina…për të cilat fliste malësori.
Kështu, ai ishte përshndetë me At Kondradin e shkue në Malësi.
Mbas pak ditësh, vjen lajmi në Kuvendin Françeskan se ishte vra Don Nikollë Gazulli, i rrethuem nga forcat e ndjekjes komuniste në Vrith. At Kondradi as nuk ishte kujtue fare për biseden e bame para pak ditësh me malësorin në oborrin e kuvendit.
Don Nikolli kishte strehue Don Alfons Trackin, por për mos me ia gjetë kush në qelë, e kishte çue me fjetë ndër njerëz të besueshëm të vetë malësorë. Kur e kanë lajmue se forcat e ndjekjes po silleshin si shumë nga fshati ku shërbente Don Nikolli, dhe dishka po kerkonin andej ky e kishte dërgue për siguri Don Alfonsin tek Don Injac Gjoka në Dushman, i cili e ka mbajtë derisa Don Alfonsi asht bashkue me Kapiten Gjergj Vaten në shpellë të Mëri Kokës, në Cukal, vend ku Don Alfonsi asht kapë kur asht vra Ndoc Jakova tue i ba Shartet e fundit.
Don Nikolli, tue pasë frikë se Idriz Çoba, kryetar i ndjekjes në Dukagjin, me kriminelat Asllan Lici, Toger Baba, Xhemal Selimi, Haxhi Hajdari etj., që tashma njiheshin si vrasës terroristë në ata zona, do të masakronin malësorët me të cilët kishte lidhje Don Nikolli, merr malet dhe ikë e shkon në Vrith. Vendi ku ishte vra Don Nikolli quhej Kujej. Vrasësi në ditët e para nuk dihej. Flitej se Zoji Themeli kishte shkue vetë atje…
Mbas disa ditësh, po në Kuvendin Françeskan, vjen “malësori” që ishte kenë para sa kohe dhe i kishte kërkue me dijtë At Kondradit sesa asht e lejueshme nga Feja dhe Ungjilli me vra Priftin “tradhëtar”…
At Konrradi kishte marrë vesht se me Don Nikollin asht kenë malësori Nikoll Prekushi, për të cilin nga forcat e ndjekjes flitej se i ka ba hjeksinë Don Nikollit për me e vra ndjekja, e cila thonte se “vrasësi apo dorasi” asht kenë vetë Nikoll Prekushi bashkë me malësorin që tashti kishte ardhë me u “rrëfye” tek At Konrradi, emnin e të cilit, At Konrradi nuk mund ta tregonte në bazë të ligjit të ruejtjes së sekretit të sakramendit të Rrëfimit, gja e njohun prej të gjithëve. Këta të dy ishin kenë në shpellë me Don Nikollin, por me e vra Don Nikollin nuk e ka vra Nikoll Prekushi por një tjetër i ndodhun aty, “i panjohtuni”, që ka mbetë i pazbuluem nga ruejtja e sekretit të Rrëfimit të tij me At Kondradin.
At Kondrad Gjolaj ishte shumë i zemruem me pabesinë e atyne malësorëve të cilët kanë vra pabesisht Don Nikollë Gazullin, tue krye kështu një sherbim të flliqtë të sigurimit të shtetit dhe jugosllavëve.
Të gjitha variantet tjera që shpjegohen nga ato ana “janë vetëm rrena me bisht”, theksonte shumë i nervozuem At Konrradi…aqsa, kur fliste për atë vrasës, mbas plot 50 vjetësh që ai kishte ba pjesë në grupin e atyne kriminelave që kanë vra Dijetarin e Madh dhe Atdhetarin e flaktë, Meshtar i divoçëm e Shqiptar i Vërtetë, Don Nikoll Gazulli, një Martir i Kishës Katolike, i dridhej buza e i mbusheshin sytë me lot dhe thonte:
“Me beso, ishte e para herë që, mbasi Rrëfeva atë kriminel, kam shkue dhe jam Rrëfye për vete…mbasi po mos t’ ishe tue krye një shërbim aq të madh ndaj atij të “penduemi”…sot, Kisha do të më kishte edhe mue në fletën e zezë të kriminelave të saj…” (At Konrrad Gjolaj 1996).
Ky akt më kujton letrën e lanun nga i Ndjeri kapiten Gjelosh Luli, dërgue Llesh Marashit nga shpella e Vrithit: “Llesh…po u nise tek unë me ardhë këtu, kujdes, se malësorët kanë ndryshue shumë dhe nuk janë ma ata që kemi njoftë na.. ” (Dosja e Llesh Marashit, Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë, 1998).
Dijetari At Gjon Shllaku OFM., shkruente në vitin 1942, atëherë kur ndoshta parandiente dishka e që u shpreh për B. Currin, L.Gurakuqin dhe Dom Gjon Gazullin: “Fatosa të vramë dy herë, një herë kur i mbyten, dhe një herë kur i lanë në harresë”…..
Koha vërtetoi Ate shka Shqiptarët sot me vështirsi e pranojnë, se komunizmi ka shpartallue mjerisht cilësitë e tyne morale, zakonore dhe shpirtnore, tue i ba me ecë me sy mbyllë të kapun për dore nga komunistët ose bijtë e tyne….Dhe, me i pyet kush: “Ku veni?”, të gjithë “kujtojnë” se janë tue shkue në Europë…
Shtjefën Gàzulli:
Asht i treti i vëllazënve Gazulli, Shtjefni, apo Stefani si asht në dokumenta. Stefani vijoi studimet në Romë për letërsi të lashtë. Ishte edhe ky një student i shkelqyeshëm si vllaznit e vet.
U kthye në Atdhe dhe u përfshi në lëvizjen rinore të njohtun të Avni Rrustemit, me Shoqninë “Bashkimi”, dhe ishte edhe sekretar i saj (atëherë kur Kryetar ishte Avni Rrustemi). Mbas vrasjes së Avniut, e mbas arrestimit të dy vëllazënve, Don Gjonit e Don Nikollës, nga qeveria e Zogut, u detyrue të arratisej në Itali për mos me e ndjekë fati i tyne.
Atje ishte profesor po në atë Universitet ku kishte krye studimet, në “La Sapienza” të Romës, deri në 1961, i mbajtun aty për aftësitë e Tija dhe qendroi atje deri kur u kthye që t’i preheshin eshtnat në Atdhe.
Ai u ndrye në shtëpinë e vet si shumë të tjerë, se natyra e tij rebele nuk mund ta duronte dhunën e komunizmit e sidomos atë tufë injorantësh që sundonin Shkodrën e Shqipninë mbarë. Më 1964 Shtjefni vdiq.
Njohja nga afër dy vëllazenve të Tij, dhe përfundimi tragjik i tyne ka ba që edhe Ky, tue kenë një figurë e nderueme demokrate e Shqiptarëve të vitëve 1923 – 24, jeta e Tij me u mbyll vetem me “një datë” sipër vorrit ku prehet Shtjefni! Nuk duhet të çuditemi aspak, se kështu vazhdohet me u veprue edhe me emnat e Profesorëve Karl Gurakuqi, At Athanas Gega, Namik Ressuli, Xhevat Korça, e të sa dijetarëve të tjerë, sepse dihet “Fati i zi” i Tyne në Shqipni…Mjeti ma i miri ndaj Tyne asht “harresa”…
CIRKUS “SHQIPTAR” DHE… GLADIATORËT..!
Në vitin 1931, një dijetar shqiptar shkruen: “Romakët kanë pasë një cirkus. E cirkus kemi edhe na. E aty shkon populli i etshëm me u kënaqë e me soditë me dishirë, e brohoritë kur me një grusht në zemer gladiatori “modern” e, me mizori mase pagane len shokun e vet shakull mbi ranë. Panem et circenses kje britma e mbrame e perandorisë romake para se të shembej. Sot asht e jona.” (D. K. Prennushi, në librin “Rrimë shtremtë e flasim ndrejtë”, fq 5. 1931. Shkoder).
Veprat e artit dhe ma vonë filmat për gladiatorët ishin me të vërtetë një kënaqësi për ne si fëmijë me i pa, me i mendue, po shpesh, fantazia jonë mbetej deri tek pamja e synit, që na sillte dishka krejt të pabesueshme sesi, njeriu “gladiator”, mundet me kenë ma i fortë se “hekuri”…Kur filluem me kuptue ma shumë me moshën, kurioziteti i ynë filloi me u ngulitë tek një pikë tjetër vështrimi, ishte aftësia e rregjizorit të filmit dhe e artistëve që lonin në cirkus, ajo që nga ne kërkohej me kurreshtje: Si asht realizue ky kuadër filmi apo kjo skenë aq e mënershme..?
Kujtoj disa filma për Romën…që janë shfaqë edhe në Shqipni! Mbushej salla e kinemasë me të gjitha moshat për me pa ata filma, kur në Shqipni mbizotnonte kinematografia sovjetike…para vitit 1967.
Në një bisedë me mikun tem Don Mark Hasin, aty nga viti 1963, nësa po flitshim për një kuader pikture që pata gjetë në librari të Akilit, tue marrë rrëshanë mbas një karroce Hektorin… Don Marku, ishte i përgatitun mirë në letersi dhe fliste me kompetencë për te. Po në atë çast m’u duk sikur as nuk donte me e ndigjue bisedën, jo ma me e vazhdue e, si pa të keq…Ai më tha: “A e di se unë e kam provue “cirkus –in”…?” Për pak sekonda mendova qendrimin e Tij në Romë, atëherë kur ishte student i Universitetit për teologji, dhe menjëherë, tue vrojtue fëtyrën e Tij, aq sa ishte e rrebtë e pozante, me nofulla pak të daluna, me sy pak të thellë, mbi ballin e madh flokët e drejta të thijuna qysh i ri, e gojën shpatë ndër predikime, u kujtova se “cirkus” për të cilin Ai donte të më fliste, ishte pikërisht “cirkus shqiptar”, të cilin Ai e kishte provue në vitin 1946…
Ishte ai vit i zi, 1946, kur në Shkodër kishte 26 “cirkus” të njohun me ligj…në një qytet të lashtë, ku, në gjiun e një popullsie prej 28.000 banorësh, katolikë e muslimanë, kishte fillue me zanë vend qetetnimi evropian Përendimor, ku katër gjimnaze dhe disa shkolla ma të ulta, përveç edhe dy seminareve fetare të nalta, theatri, kinemaja, muzeu, bibliotekat e terrenet sportive ishin anë e kand qytetit për edukimin moral, kulturor e fizik të Rinisë Shkodrane. Muzika dhe artet zenin vendin e vet me Ata përsonalitete që jo vetëm kanë lanë një trashigimi të përjetëshme, por edhe me brezat që Ata ua trashiguen dijen dhe thesarin e vet, e që mbesin “perlat” e artit kombëtar edhe sot.
Një nga trashigimtarët e oratoreve të njohun të Kishës ishte edhe Don Mark Hasi…Zani i fortë dhe i plotë, kumbues e aq sa i naltë e i kandshëm kur këndonte, aq i padurueshëm për terroristët që në 1944 kishin ardhë në pushtet, e që në ditët e para të dhjetorit, në Malin Kolaj ku kishte shtëpinë e Tij, ata i kishin pushkatue axhën Kir Dulin, pa gjyq, mbas mullarëve të sanës …Disa herë tue këndue i kishe pa një shenjë si “vizë” horizontale në gjuhë rreth 4 – 5 cm. por, asnjëherë nuk më shkonte ndër mend sesi ishte krijue ajo “vizë” tek gjuha e një njeriu…
Kur ishte arrestue herën e parë në 1946, ishte i ri, 26 vjeç. Akuzohej si të gjithë klerikët… Ishte i fortë fizikisht, volejbollist i seminarit, por edhe aktor i teatrit të jezuitëve, ku me shokët tjerë kishte luejtë një rol në dramën “Juda Makabe”, dhe kujtohej zani i Tij tue thirrë në kupë të qiellit: “Trathtarët na lanë pa Atdhe..!”…Hetuesi Nesti Kopali kërkonte me dijtë se “kush ishin ata që ju i queni tradhëtarë e që ju lanë ju shkodranve pa Atdhe..?” – Don Marku ngulte kambë se drama asht shkrue shumë vite para 1944…dhe nuk ka asgja e cila të bajnë me ju! Hetuesi kriminel nuk bindet po vazhdon punën e vet!
Një ditë, katili Nesti Kopali kishte thirrë edhe dy torturues tjerë, kishte sjellë një tavolinë në mes të dhomës, e sipër saj urdhnon Don Markun me u shtri përmbys… i lidhë duert anash tavolinës dhe ndër kambë i ngarkon një kovë të randë të mbushun me gurë, për mos me lëvizë…Ai vetë qendron tek koka dhe, mbasi e pyet të fundit herë e Ky nuk përgjigjet, katili i njohun, me një thikë në dorë, po i pangopun me krime, urdhnon Don Markun, me nxjerrë gjuhën “me të cilën ke thirrur ‘tradhëtarët na lanë pa Atdhe…”, dhe porsa Don Marku nxjerrë gjuhën, ai ia terhjekë me gishtat e tij, dhe me dorën e djathtë i ngulë thikën në gjuhë dhe e mbërthen për tavolinë, tue i thanë, “po guxove me folë, përjetësisht do mbetësh pa gjuhë…prandaj…kur të mbushet mendja për të firmuar procesin më jep shenjë me sy…ndryshej, ashtu ke për të ngordhur…!” Mbas këtyne fjalëve, Don Marku ka pa tavolinën e mbulueme me gjak që filloi me rrjedhë poshtë në dysheme dhe atëherë, ka humbë ndjenjat…Nuk dinte fare se kur hetuesi kriminel e kishte dërgue në spitalin e burgut, ku aty e kanë mbajtë shumë ditë, sepse, nga t’ajtunit e gjuhës nuk kapërdinte as ujë…E në fund shtoi: “Cilit gladiator i shkon mendja dishka të tillë?”
Kishe ndigjue se ndër torturat e mënerëshme që u janë ba njerëzve asht ajo e “jelekut”, po asnjëherë nuk më kishte ra rasa me dijtë se ku qendron “e padurueshmja” e tij nga njeriu…
Një Burrit nga Malësia sigurimi i shtetit komunist i kërkonte me vra Priftin e fshatit… Kjo vepër terroriste në vitin 1946 asht kenë e panjohun për fshatarin tonë që në kohën e Turqisë. Nuk pranonte i shkreti malësuer me thye rregullat morale të kanunit të vet. Mbas sa torturash, një ditë, hetuesi Xhemal Selimi, në Koplik, i veshë “jelekun” malësorit të shkretë dhe i thotë: “Ke për të provuar çka nuk të shkon mendja…do ta vrasësh Don Nikoll Gazullin apo ta mora shpirtin?”
Malësori nuk e pranon kurrsesi këte akt të ultë..! Xhemali, mbasi i kishte veshë jelekun metalik për gjoks, e lidhë me zixhirë për një tra druni dhe e vendosë mbi dy mbajtëse, si vendoset kafsha me u pjekë për ferrlik …Poshtë trupit njeriut të vendosun horizontal ndezë një zjarr, që porsa merr flakë, tymi fillon me të marrë frymën e, dalngadalë, flaka, zjarri dhe ngritja e temperaturës, tue u bashkue me pamundësinë e frymëmarrjes nga shtërngesa e jelekut metalik, të bajnë me pranue vdekjen si t’ ishte një “rilindje” e dhurueme nga Zoti… Nuk di a jeton njeri që e ka provue..!
Hetuesi Nevzat Haznedari asht ndër kriminelët e njohun, që shkonte me pushkatue me andje njerëzit e dënuem me vdekje… kështu tregojnë, po, sa vetë ky katil ka mbytë pa shkue fare tek vendi i caktuem për vrasje as ka me u dijtë kurrë! Ku qendronte kjo kënaqësi e këtij, që ka ende emnin “njeri” edhe në Shtetin “demokratik” shqiptar..? Porsa njeriu i dënuem nxirrej nga makina tek vendi i vrasjes, ky ecte një hap mbrapa dhe, mbasi i binte me një levë hekuri mbas koke, aty qendronte kënaqësia e këtij përbindshi…tue pa njeriun tue u shkapetë si pula kur i pret kokën…
Po krimineli anadollak Shyqyri Qoku, ju kujton ndonjë “heroizem” të kryem në sigurimin e Shkodres në 1974… kundrejt Martirit 39 vjeçar Don Mikel Beltoja..? Mbasi e torturon për disa muej, asht i pangopun me gjakun e Tij! Me datën 10 Shkurt 1974, Shyqyriu e mbajti premtimin që i kishte dhanë kohë ma parë partisë së tij…Në orët e para të atij mëngjezi, hyni në qelinë ku ishte Don Mikeli dhe, kur pau se Ai po lutej tue u prëgatitë për pushkatim…Shyqi u rikthye në origjinën e tij të para 1912… Ishte me shokun e vjetër të “armëve” të sigurimit, Alush Bakallin…dhe, ashtu si ishte i lidhun djali i Beltojës, tue krye lutjen e Tij të fundit, e kapin dy xhullinjtë “modern” dhe e shkyejnë gjymtyrësh…
Këtu mendoni se mbyllet historia e “cirkus – it shqiptar” të nderuem lexues..?! – Jo, jo!
Unë jam i padijtun për ate shka asht ba në qelitë e sigurimit të shtetit…unë jam shumë e shumë larg nga realiteti i atyne veprave terroriste me të cilat katilët e pashpirtë u rritën dhe u banë “të besuarit” e Enver Hoxhes dhe të pasuesit të tij, Ramiz Alisë…Unë nuk i kam pa kur këta kafshë të egra u dekoronin me medalje “trimnie” dhe u përqafonin e rrokeshin me Haxhi Lleshin e Nexhmije Hoxhën…Unë nuk di pothuej asgja nga “bëmat e tyre” me të cilat këta bisha të përgjakuna kalonin të “gëzuar netët e festave” të tyne, tue u tregue mbasardhësve të vogjël rreth sofres se si masakronin “vëllaun shqiptar” …tue e konsiderue të huej… e tradhëtar e shpesh u shkonte goja “gabimisht” tue i quejtë “kaurr..”!
“Askush nuk mund të marrin me mend vuejtjet e mija vetëm se kishe mësue ndër bankat e shkollës Françeskane e, për këte, hetuesi më thonte se shkove atje për t’u bërë kaurr…!”, më ka thanë me gojën e vet i Ndjeri Osman Kazazi në vitin 1996, në shtëpinë e Tij…dhe, shtonte se: “Kur ishe në hetuesi në Tiranë, nën një shkallë çimentoje të ultë dhe të rrethueme me hekura si një kafaz kafshësh të egra, u mbante At Anton Harapi, ku asnjëherë Ai Burrë aq i gjatë nuk kishte mundësi me u ngritë në kambë ose me drejtue trupin…dhe, kurrë nuk kam ndigjue një ofshamje apo fjalë fyese prej gojës së Tij, që masakrohej ma shumë se të tjerët, veç lutje dhe kurajo për të tjerët…” (Dëshmi gojore nga z. Osman Kazazi).
Ka shumë klerikë që kanë “ngushllue” vetën, tue thanë: “Fali o Zot, se nuk dijnë shka bajnë..!” Ndoshta, kjo ishte rruga e zgjedhun prej Tyne! Por, tue analizue thanjen e hetuesit kur ai po torturonte Dedë Gjomarkagjonin, i cili po e vrojtonte Dedën e lidhun për karrigë, mbasi e kishte masakrue si një kafshë, i tha: “E di mirë se çfarë je duke menduar, sigurisht, të shkon mendja se një ditë ka për t’ardhur dita yte…por, as mos kujto se ndonjëherë do mundesh të bësh tek unë, ate çfarë jam duke bërë unë tek ti, sepse, edhe po të vijë dita yte, o Dedë, “ligjët e shtetit tuaj”, nuk do t’ ju lejojnë kurrë të bëni ate çfarë po bëjmë ne mbi juve..!”
A nuk asht kjo një thanje e “vetdijshme” e një gladiatori të përgatitun shpirtnisht nga “ajo shkollë”, ku njeriu nuk ruente ma asgja nga ndjesitë e njeriut për njeriun..? E si munden të na “gënjejnë” sot, “mjekët” e veshun deri dje me “bluzat e bardha” për qindra vetë që sigurimi i ka marrë dhe i ka dërgue ndër çmendina e spitale të Shqipnisë, e aty, hetuesit kriminelë edhe ata, si mjekët “me bluza të bardha” po, me shpirtin ma të zi se qymyri…vrojtonin ashtu si kanë vrojtue në çmendi të Ndjerin Imz. Jul Bonatin, kur “të çmendurit e pavetdijshëm” ishin tue e shkye “viktimen” e pafajshme…E dikush beson me të vertetë se ata ishin të çmendunit?
Mendoni, vëllazën e motra shqiptarë, për një moment një nga njerëzit tuej të dashtun, të nderuem, të pafajshëm, të dijtun dhe të kulturuem, të vendosun në Atdhedashuni…e marrin…e janë “gladiatorët modern” të shtetit tand shqiptar…dhe, kënaqën kur e shohin tue e shkye për së gjalli, derisa i del shpirti ndër duert e të “pavetëdijshmit”…vetëm për me u argëtue, me e shijue vdekjen e “shqiptarit”, tue u përdhosë nga “ylli i kuq” i bolshevizmit komunist.
E si mundet sot me u thanë: “…Asnjeni nga ne nuk asht përgjegjës për krimet komuniste në Shqipëri…” Kjo thanje më ka shtye me shkrue këta pak rreshta…shumë e shumë pak rreshta për gati 500.000 Shqiptarë, të masakruem nga komunizmi shqiptar, në “cirkus shqiptar”, e jo 5.000 apo 6.000 të vramë…Por mbi 45. 000 të pushkatuem, të humbun dhe të vdekun ndër hetuesi, burgje e kampe pune e shfarosje të sistemit komunist…Atij sistemi që sot, po trashigohet nga bijtë e tyne të pashpirtë, kriminelë, terroristë, katila hajdutë e plaçkitës… antinjerzorë e antishqiptarë..! Këta “gladiatorë” sot…edhe tallen edhe vazhdojnë e bajnë “sehir”…!
Don Lazër Shantoja porositë në vitin 1924:
“Keni me u kujtue se, …Tempulli ideal i një Shqipnie fare të lirë, për me ekzistue nuk ka nëvojë për grushtin e tiranve!”.
Po, kur…kemi me u kujtue nuk e di!
Ata Atdhetarë që deri dje u vranë dy herë…
Na i nxorëm nga vorret dhe i vramë edhe dy herë tjera!
I vranë komunistët, por nuk po i lanë asgja mangut “demokratët”!
Janë plot 20 vjet që “Arkivat e Historisë së vertetë të Shqipnisë” vazhdojnë me kenë të “dyllosuna”…
“DREJTËSIA..!”
Një fjalë e ndigjueme ndër shekuj…
Një fjalë krejt e pakuptueshme për shumë popuj!
Një fjalë sa e “panjohun”, aq “jashtë kohe” për Shtetin Shqiptar.
Një fjalë që asnjë “Kushtetutë” Shqiptare nuk e shpjegon!
Një fjalë e përkthyeme për qejfin e sunduesëve tonë!
Një fjalë që asht mohue nga vetë “krijuesit” e saj tokësorë!
Një fjalë që në të gjitha katedrat politike ngjason “banale”!
Një fjalë që në universitete mësohet “përmendsh”…
Një fjalë që në disa organe shtetnore përkthehet: “Me rrejtë!”.
Një fjalë që në shumë Parlamente kuptohet: “Me mashtrue!”.
Një fjalë që në shkolla shpjegohet e “shpikun” nga grekët!
Një fjalë që mendohet se asht “zhdukë” me gjuhen latine.
Një fjalë që e përdori edhe Pilati…mandej, “lau duertë”…
Një fjalë që e njeh vetëm një “liber”…ma i përkthyemi në Botë!
Një fjalë që nuk duhet të përdoret ma nga klerikët e vërtetë!
Një fjalë që nuk njihet ndër kasaphanë as në mejhanë!
Një fjalë që pushtuesit e quejnë privilegj të tyne!
Një fjalë që udhëheqësit e thonë: “Ma i forti, ma i drejti!”
Një fjalë që asht në “kasaforten” e Presidenti të Republikës…
Një fjalë që gjykatësve, kur e shqiptojnë, “u merret” goja…
Një fjalë që ndryshon me drejtimin e erës, thonë avokatët…
Një fjalë që të gjithë akademikët e përkthejnë si do “qeveria”…
Një fjalë që të gjithë shtetasit “nuk e besojnë”!
Një fjalë që asht e kundërta e fjalës “demokraci”…
Një fjalë që shpjegohet për me u kuptue me fjalën “padrejtësi”.
Një fjalë që u thohet fëmijëve për me i zanë gjumi!
Një fjalë që kur u thohet fëmijve ata nënkuptojnë “thupren”.
Një fjalë që kur u thohet pleqve ndezin një cigare…
Një fjalë që nuk e besojnë as diplomatët…
Një fjalë që gënjeshtarët nuk e hjekun goje…
Një fjalë që duhet e para në fushata elektorale…
Një fjalë që po e kuptove drejtë të merr edhe jeten…
Një fjalë që peshohet me monadha ari…ndër gjykata…
Një fjalë që vehet reklamë edhe ndër pallate…me drita…
Një fjalë që nuk e përdorin kurrë diktatorët…
Një fjalë që nuk e kanë as fjalorët e shteteve të zhvillueme…
Një fjalë që përdoret vetem në shtresat shoqnore të vorfna…
Një fjalë që matet me “rrypin” e belit të një burri…
Një fjalë që kontrollohet me aparate nga hetuesit.
Një fjalë që vlenë me zhdukë Atdhetarët e vertetë…
Një fjalë që asht e shkrueme në gjuhën shqipe…po nuk përdoret.
Një fjalë që kur thuhet duhen “mbyllë” sytë, mos me të kuptue!
Një fjalë që përfaqsohet edhe me vepra arti…ashtu si fjala “Liri”
Një fjalë që …
Ja një shpjegim edhe nga një amerikan: Me ambasadorin anglez Ahmet Zogu u ankue për klerikët katolik: “Ah sa shumë do të dëshroja t’i varja ashtu siç e meritojnë”…Me qellim që të kënaqte kërkesen e mbrendshme për të varur të paktën një prift, ai çoi në trikëmbësh një klerik tjetër…(Asht fjala për Don Gjon Gazullin, shenim i em FR).
Ky veprim bëri që përfaqësuesi amerikan në Tiranë të komentonte, lidhur me këte ngjarje, se ndryshe nga përsonifikimi i Drejtësisë Përendimore, e cila është një Perëndeshë me sy të lidhur që mban në dorë peshoren e paanshme të fajeve të gjithë atyre që gjykohen prej saj, drejtësia shqiptare është një zonjë muhamedane e cila herë pas herë vështron vjedhurazi përmes perçes së saj se cili apo çfarë ndodhet mbi pjatë, përpara se të rregullojë gurin e peshores.” (B.Fischer fq.125)
Ndërsa mbas 20 vjetësh, në vitin 1945, diktatori Enver Hoxha e fillon porosinë e Eduard Kardelit, numëri dy i Beogradit: “Nëse do të mbajsh pushtetin, në radhë të parë duhet të zhdukish klerin katolik” me Don Lazër Shantojën, Don Ndre Zadejën, At Anton Harapin dhe Don Nikoll Gazullin e vazhdon me genocidin e 131 Klerikëve Katolik, që u burgosën nga të cilët torturon e pushkaton, zhdukë në hetuesi e kampe shfarosje pune e burgje, 66 Klerikë, tue prëgatitë kështu vetën me kenë “Hero i popujve të Jugosllavisë” në 1 korrik 1946, si mik i Titos, Stalinit e Mao Ce Dunit, dhe sot “Hero i Popullit Shqiptar”! Edhe një turp tjetër!
Mos asht ky genocid që pengon edhe sot Kuvendin Popullor me ua heqë këto dekorata Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, Nexhmije Hoxhës e sa kriminelëve të tjerë, që zbatuen “drejtësinë shqiptare” të zonjës …?
“Heshtja”… domethanë vazhdoni!
“DREJTËSIA SHQIPTARE ME PESHORE NË DORË”
Leteratura ndihmëse:
At Kondrad Gjolaj, “Çinarët” Shkodër, 1996.
Fan S. Noli “Gjergj Kastrioti Skenderbeu”, Tiranë, 1968.
Bernd J. Fischer, “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri”
Libër i botuem në Tiranë, 2004.
Faik Quku, “Qendresa Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botnore 1”
Botue në Tiranë, 2006.
Fritz Radovani, “Një Monument nën dhe”, Zagreb, 2004.
Daniel Gazulli, “Vëllaznit Gazulli”, 2010
Gazeta “Bota e Re”, Tiranë, 1945.
Melbourne, Janar 2011.
Komentet