Numri i vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi në të gjithë botën kaloi shifrën e zymtë të 4 milionëve, sipas përllogaritjeve të bëra nga agjencia e lajmeve Reuters, ndërsa shumë vende ende përpiqen të sigurojnë vaksina të mjaftueshme për popullsitë e tyre. Ndërkohë Presidenti Joe Biden u bëri thirrje amerikanëve që nuk janë vaksinuar, që të mos ngurojnë, duke paralajmëruar se varianti Delta, i shfaqur fillimisht në Indi, është më ngjitës dhe përbën rrezik më të madh për personat e pavaksinuar.
Varianti Delta, i shfaqur fillimisht në Indi, është zbuluar në të paktën 46 shtete amerikane dhe pritet që të përhapet edhe më shumë, thonë zyrtarët e shëndetësisë.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC, paralajmërojnë se varianti delta është shumë më infektues ndërsa parashikon që të bëhet varianti dominues gjatë muajve në vazhdim.
Shefja e CDC-së, Rochelle Walensky, tha për kanalin televiziv CNN se varianti Delta po përhapet në pjesën juqperëndimore të Mizurit ndërsa zyrtarët e shëndetit njoftojnë se ky variant përbën 90% të rasteve.
Zyrtarët e shëndetit thonë se pacientët e infektuar janë më të rinjë në moshë dhe kanë simptoma më të rënda.
Shtetet e Bashkuara nuk janë pranë arritjes së synimit të Presidentit Biden për vaksinimin e 70% të të rriturve amerikanë me të paktën një dozë deri me katër korrik.
Ndërsa kanë rënë ritmet e vaksinimit, zyrtarët e shëndetësisë po kalojnë nga klinikat gjigande të vaksinimit në përpjekje për të shkuar tek njerëzit, nëpër komunitetet e tyre.
Një klinikë e lëvizshme në stacionin e transportit në Akron të Ohajos po përpiqet t’u ofrojë njerëzve mundësinë për t’u vaksinuar.
“Erdha për të marrë autobusin për në anën tjetër të qytetit. Nuk e dija që mund të vaksinohesha”, thotë James Crumbley.
Pesë shtete amerikane, me një numër më të vogël vaksinimi se mesatarja, kanë vënë re një rritje të konsiderueshme infektimesh gjatë dy javëve të fundit. Rastet në Arkansa janë rritur 74%.
Shumë shtete amerikane po ofrojnë shpërblime të ndryshme për njerëzit që vaksinohen. Varianti Delta, thonë zyrtarët, është përhapur në më shumë se 80 shtete në mbarë botën.
Komentet