SPECIALE E GAZETES DIELLI
24 MAJI 1992, DITA E ZGJEDHJEVE TË PARA TË KOSOVËS REPUBLIKË
-Si sot e diel 24 Maj në vitin 1992 ishte dita kur Republika e Kosovës e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumit të 26-30 Shtatorit 1991 mbajti zgjedhjet e para pluraliste me pjesëmarrje masive mbi 89 përqind dhe Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i parë/
-Zgjedhjet në Kosovë të para 28 viteve u mbikëqyrën nga 8 grupe vëzhguesish nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shtetet evropiane. Konrad Hubers, që i printe Delegacionit të Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, vlerësonte se këto zgjedhje janë një moment historik për Kosovën/
-Po para 28 viteve, në 24 Majin 1992, raportimet për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, që i bëja me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, shënonin fillimet e korrespondenturës në Kosovë të Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, për të cilën kam zhvilluar intervistën e parë ekskluzive me Presidentin historik Rugova/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 24 Maj 2020/ Para 28 viteve, si sot e diel 24 Maj në vitin 1992 ishte dita kur Kosova Repoublika e Kosovës e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumit të 26-30 Shtatorit 1991, mbajti zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare, të lëvizjes për liri e pavarësi, me pjesëmarrje masive mbi 89 përqind, në rrethana të rënda okupimi e shtetrrethimi nga regjimi i dhunës serbe.
Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 Shtatorit 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 përqind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 përqind.
Në Kosovë 24 Maji, me simbolikë shtetformuese, shënohet si Dita e Presidentit të Republikës së Kosovës, pas zgjedhjes në këtë ditë të para 28 viteve të Presidentit historik Ibrahim Rugova.
Në mbledhjen 2 Majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.
Partia e parë e pluralizmit kosovar, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ishte angazhuar edhe për formimin e partive të tjera, në 8 Maj 1992 deklaronte se, “duke qenë se zgjedhjet e 24 Majit, të shpallura nga Kuvendi i Republikës së Kosovës i konsideron jo si luftë të partive politike të Kosovës për pushtet, por si përpjekje e organizuar e masive për të mos pranuar strukturat e pushtetit dhe statusin që po përpiqet të na imponojë Serbia, LDK-ja do të përpiqet që fushata parazgjedhore, organizimi dhe realizimi i zgjedhjeve të zhvillohen në frymë të bashkëpunimit të plotë, në mënyra e forma të ndryshme, në mes të të gjitha partive politike e të subjekteve të tjera politike”.
“Këshilli Qendror i Lidhjes Demokratike të Kosovës vendosi që LDK-ja, si parti politike vetë ose në bashkëpunim me partitë e tjera, të paraqesë kandidatët për deputetë në të 100 njësitë zgjedhore, kurse kryetarin e LDK-së dhe të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, Dr.Ibrahim Rugova, ta kandidojë për kryetar të Republikës së Kosovës”, theksohej në Konkluzionet e Këshillit Qendror të LDK-së për zgjedhjet shumëpartiake në 1992.
Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet në Kosovë theksonte se ato janë mbajtur sipas sistemit të kombinuar zgjedhor, dhe në vazhdim konstatonte:
“Nga së paku 130 vende për Parlament, 100 janë zgjedhur përmes votimit të drejtpërdrejtë, pra, në bazë të sistemit të shumicës, ndërsa 30 vende janë zgjedhur përmes sistemit proporcional.
Zgjedhjet u mbajtën më 24 Maj të vitit 1992. Vendvotimet ishin të hapura prej orës 7 deri në 19. Kandidatët për deputetë në Parlamentin e Kosovës i paraqitën 22 subjekte politike, të cilat kandiduan 490 kandidatë.
Lidhja Demokratike e Kosovës paraqiti kandidaturën e Dr.Ibrahim Rugovës për Kryetar. Kandidimi i tij është përkrahur edhe nga partitë e tjera politike shqiptare si dhe nga Partia për Aksion Demokratik dhe nga Partia Popullore Turke.
Regjistrin zgjedhor të Kosovës e përbënin 853.432 votues, prej të cilëve 762.257 kanë dalë në vendvotime, pra 89.32 përqind të votuesve të regjistruar. Nuk kanë dalë në votime 80.791 votues, ndërsa 10.384 fletëvotime ishin të pavlefshme.
Në zgjedhjet e drejtpërdrejta kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës fituan 574.755 vota, që do të thotë 76.44 përqind; kandidatët e Partisë Parlamentare të Kosovës morën 36.594 vota, ose 4.86 përqind; kandidatët e Partisë Fshatare të Kosovës 23.682 vota, ose 3.15 përqind; kandidatët e Partisë Shqiptare Demokristiane 23.303 vota ose 3.10 përqind; kandidatët e pavarur (jopartiakë) fituan 24.702 vota ose 3.29 përqind.
Subjektet e tjera zgjedhore që morën pjesë në këto votime fituan më pak se 1.87 përqind të votave, andaj ata nuk fituan të drejtën për të marrë pjesë në shpërndarjen proporcionale të vendeve në Parlament.
Shqiptarët, muslimanët, turqit, romët, kroatët dhe një numër i vogël serbësh dhe malazezësh poashtu morën pjesë në zgjedhjet e 24 Majit.
Pasqyra e vendeve në Parlament është si vijon: Lidhja Demokratike e Kosovës 96 deputetë, Partia Parlamentare e Kosovës 13 deputetë, Partia Fshatare e Kosovës 7 deputetë, Partia Shqiptare Demokristiane 7 deputetë, Kandidatët e Pavarur 2 deputetë.
Pjesëtarët e etnitetit musliman, në bazë të përqindjes së popullsisë dhe shpërndarjes proporcionale kanë katër deputetë, ndërsa një kandidat i këtij etniteti fitoi me votimet e drejtpërsëdrejta.
Në përbërjen e re të Parlamentit të Kosovës janë dy deputetë të etnitetit turk, të cilët u zgjodhën si kandidatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në Parlamentin e Kosovës kanë mbetur 14 vende të zbrazëta, të cilat sipas përqindjes së popullsisë së Kosovës dhe shpërndarjes proporcionale të vendeve në Parlament u takojnë pjesëtarëve të etnitetit serb dhe malazez.
Zgjedhjet për Kryetarin e Kosovës janë mbajtur në Kosovë dhe jashtë saj, në vendet ku shqiptarët nga Kosova janë të punësuar. Në Kosovë për Dr.Ibrahim Rugovën për Kryetar të Kosovës votuan 762.257 votues, (fletëvotime të pavlefshme dhe “kundër” ishin 3.812), ndërsa jashtë Kosovës votuan 105.300 votues. Gjithsej 867.557 votuan për Kryetarin e Republikës së Kosovës.
Në disa vendvotime policia serbe ndërhyri për të ndërprerë procesin zgjedhor. Në dy sosh policia konsifkoi një pjesë të materialit zgjedhor.
I tërë materiali zgjedhor i zgjedhjeve të 24 Majit i është dorëzuar Parlamentit të Republikës së Kosovës.
Zgjedhjet në Kosovë u mbikëqyrën nga 8 grupe vëzhguesish nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shtetet evropiane. Këto zgjedhje i përcollën 82 ekipe gazetarësh apo të agjencive të lajmeve nga mbarë bota.
Subjektet politike që morën pjesë në zgjedhje, Komisioni Republikan për Zgjedhje (kryetar Tadej Rodiqi), grupet e huaja vëzhguese, si dhe shumë raporte dhe artikuj të gazetarëve të huaj dhe të Kosovës, të cilët përcollën në tërësi procesin e zgjedhjeve, kanë raportuar për korrektësinë e votimeve.
Kosova ishte vendi i fundit në Evropë ku janë mbajtur zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat populli i Kosovës dëshmoi përcaktimin e tij për liri dhe demokraci”, përfundonte Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet Shumëpartiake Presidenciale dhe Parlamentare në Republikën e Kosovës, i prezantuar në Prishtinë në 15 Qershor 1992.
Vëzhguesit e huaj në një konferencë shtypi të mbajtur në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve në Prishtinë, deklaruan përshtypjet e tyre rreth zgjedhjeve të 24 majit në Kosovë.
Dr.Majkëll van Vajt Prag, sekretar i përgjithshëm i UNPO-s (Organizata e Kombeve të Papërfaqësuara në OKB) vlerësoi se zgjedhjet ishin organizuar në mënyrë korrekte dhe me rregullsi. Ai tha se, gjatë këtyre vëzhgimeve nuk ka hasur në ndonjë parregullsi, derisa veçanërisht e ka impresionuar organizimi i vendvotimeve rezervë.
Delegacioni i Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, i përbërë nga Konrad Hubers, Pol Berens, Çarls Braun, Debora Xehkobs, Rom Pameir, Maks Primorac, Karl Roads dhe Kevin Tin, theksoi se ishte madhështore pjesëmarrja e votuesve dhe dëshira e tyre për të shfaqur vullnetin politik përmes votimit. “Zgjedhjet janë mbajtur me efikasitet të madh, na ka impresionuar fakti se gjithkund ishin organizuar edhe vendvotimet rezervë, që viheshin në veprim kur policia ndërprente votimin në vendvotimet e para. Policia i ka penguar mjaft votimet edhe duke arrestuar njerëz”, thanë vëzhguesit nga SHBA. Poashtu theksuan se, grupi që vëzhgoi zgjedhjet në Prizren, gjatë kohës që u mor në polici, kishte parë në stacion policor të arrestuar dhe material votues e flamuj të konfiskuar.
Konrad Hubers, që i printe Delegacionit të Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, vlerësoi se këto zgjedhje janë një moment historik për Kosovën.
Debora Xehkobs tha se katër anëtarët e delegacionit amerikan, që vizituan Pejën, kanë fituar një përvojë të shkëlqyer nga vëzhgimi i këtyre zgjedhjeve.
“U mrekulluam nga mjeshtria e shqiptarëve për organizimin e zgjedhjeve”, u shpreh ajo.
Një anëtar tjetër i këtij delegacioni theksoi se ajo që na interesoi dhe mahniti ishte vetorganizimi i njerëzve. “Çdo gjë u bë në mënyrë vullnetare, duke u nisur nga shërbimet dhe punët që janë bërë këtu, e deri te njerëzit që kanë organizuar zgjedhjet në çdo pjesë të Kosovës”, theksoi ai.
Vlerësimet e vëzhduesve dhe gazetarëve nga bota ishin se zgjedhjet ishin të mira, të rregullta dhe fer. “Vëzhguesit dhe gazetarët e huaj i çmojnë shumë edhe mënyrat alternative të organizimit të zgjedhjeve, ngase bota di se çka do të thotë okupimi, prandaj edhe këtu ata e shohin aftësinë e këtij populli që dëshiron të fitojë dhe të jetë i lirë. Ky popull nuk kërkon asgjë tjetër pos shansit për t’u realizuar si popull, e të cilin nuk e ka pasur kurrë”, theksonin raportimet e kohës së zgjedhjeve të para pluraliste të Kosovës.
Po para 28 viteve, në 24 Majin 1992, raportimet për zgjedhjet e para pluraliste kosovare që i bëja me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Kosovë. Raportoja nga zyra e telexit që u bë edhe zyrë e Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Pallatin e Shtypit Rilindja – ambientet e gazetës së rezistencës “Bujku”, të vetmes së përditshme shqipe kosovare në atë kohë, me orientim e përcaktim të fuqishëm demokratik perëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, e që kishte nisë të dalë nga 18 Janari 1991 dhe sfidonte ndalimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja dhunshëm me ndërhyrje policore nga regjimi okupues i Beogradit. Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, nga e cila merreshin informacione e botoheshin në gazetën “Bujku” dhe kështu u themeluan bashkëpunimet e para të mediave Shqipëri-Kosovë.
Zyra e telexit – e Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Pallatin Rilinda u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.
Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive, të parën të një presidenti kosovar dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare para 25 viteve, të cilën e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, si edhe vazhdimisht, falenderonte dhe vlerësonte për informimin nga Kosova e për Kosovën.
“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.
Zgjedhjet e dyta parlamentare e presidenciale Kosova i ka mbajtur në kohë lufte në 22 Mars 1998.
Pas luftës së përfunduar në Qershor 1999, Kosova ka mbajtur 7 palë zgjedhje parlamentare, 4 prej tyre pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008, të njohur deri tani nga 116 shtete anëtare të OKB-së. Kosova e lirë gjatë 21 viteve ka mbajtur edhe 6 palë zgjedhje lokale, gjysmën prej tyre si shtet i pavarur 12 vjet.
VITI 1992 I ZGJDHJES SË DR. IBRAHIM RUGOVËS PRESIDENTIT I PARË I KOSOVËS – KRONOLOGJI:
1992
Më 24 maj, përkundër kërcënimeve të forcave serbe, mbi 89% të qytetarëve të Kosovës votuan për të zgjedhur Presidentin e Republikës së Kosovës dhe 100 deputetë për Parlamentin e Kosovës. Me shumicë dërrmuese të votave Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës, ndërsa partia e tij LDK fitoi shumicën absolute të vendeve në Parlament. Vëzhgues të huaj nga SHBA-të, Anglia, Gjermania, Franca, Danimarka, Norvegjia si dhe vëzhguesit e partive që morën pjesë në zgjedhje i vlerësuan ato demokratike dhe të organizuara mirë. Akti i votimit të lirë, pjesëmarrja masive e qytetarëve në votime dhe atmosfera e krijuar, u shndërruan në demonstrim dhe manifestim të vullnetit politik për pavarësi dhe demokraci të Kosovës.
Presidenti Rugova merr një telegram urimi nga Ministri i Jashtëm gjerman, Klaus Kinkel, i cili, në emër të Gjermanisë, e përgëzon për zgjedhjen e tij President.
Më 15 shtator Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova takohet me ministrin e Jashtëm të Austrisë Alojz Mok nga i cili kërkoi përkrahjen e Austrisë për vendosjen urgjente të misioneve vëzhguese në Kosovë. Alojz Mok nga ana e tij deklaroi se çelësi i zgjidhjes së çështjes së Kosovës gjendet në respektimin e vullnetit politik të popullit të saj.
Më 6 tetor Presidenti Rugova qëndron në Londër me ftesë të Partisë Konservatore të Britanisë së Madhe, ku takohet me zyrtarë të lartë të Britanisë.
Në muajin tetor Presidenti Rugova qëndron për vizitë zyrtare në Slloveni ku takohet me Presidentin slloven Milan Kuçan dhe kryemi-nistrin Janez Dërnovshek, ku kërkon përkrahje për zgjidhjen e statusit të Kosovës si shtet neutral dhe të pavarur
Më 22 tetor Presidenti Rugova takohet në Sofje me Presidentin e Bullgarisë Zhele Zhelev, i cili përshëndeti rrugën paqësore që ka marrë Dr. Rugova dhe populli i Kosovës për arritjen e qëllimit me mjete politike dhe potencoi se duhet të respektohet vullneti politik i shqiptarëve.
Në Shkup Presidenti Rugova takohet me Presidentin e Maqedonisë Kiro Gligorov. Të dy Presidentët theksuan se janë të vendosur për gjetjen e mënyrave paqësore për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe të Maqedonisë.
Më 28 nëntor Presidenti Rugova qëndron në Vlorë në festimin e 80-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri ai realizon takime me Presidentin Berisha dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit shqiptar.
Në dhjetor, në Bruksel, Presidenti Ibrahim Rugova takohet me sekretarin e shtetit të Amerikës Lorens Igëllberger, i cili i shpreh mirënjohje Pesidentit Rugova si lider i popullit shqiptar për kontributin e tij në ruajtjen e paqes në Kosovë. Sekretari i shtetit Igëllberger siguroi Presidentin Rugova se nga shqiptarët nuk kërkohet që të heqin dorë nga objektivi i tyre për të ardhmen e Kosovës.
MËNGJESI I 24 MAJIT 1992: NJË THIRRJE NGA TIRANA, PAS UDHËTIMIT TË PARË NË SHQIPËRI…
Raportimet nga Kosova për Agjencinë Shtetëtërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë janë raportime që nisën pas një thirrje nga Tirana, para 28 viteve, në mëngjesin e hershëm të një dite historike.
Mëngjesin e 24 Majit 1992 po dëgjoja Radio Tiranën që paralajmëronte angazhimet e përpjekjet që gjatë gjithë kësaj dite të jepnin informacione të mundshme për zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare, që do mbaheshin në Kosovë.
Një telefonatë e hershme mëngjesi më erdhi në ato momente pikërisht nga Radio Tirana, në telefonin e banesës në Lagjen Ulpiana në Prishtinë.
Më thirrnin për informacione për zgjedhjet dhe më treguan se numrin e telefonit e kishin marrë nga kolegë të mi në Tiranë, ku isha në 1 Maj dhe këmbyem adresat me disa që i takuam, në ato pak orë qëndrimi në kryeqytetin shqiptar, meqë shumicën e kohës së kufizuar na e mori rruga e gjatë përtej udhëtimit nga Kosova-Prishtina, nëpër Maqedoni.
Një maji 1992 për mua ishte ditë ëndërre, për herë të parë shkoja në Shqipëri. Në Kosovë Shqipërinë e kishim të ndaluar, na ndanin me kufi të hekurt, që ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si e përshkruaja në një titull reportazhi të botuar edhe në Prishtinë edhe në Tiranë, në 19 mars 1996.
Miq gazetarë shqiptarë nga Maqedonia më kishin njoftuar se atë ditë të parë maji do jetë i hapur kufiri për ta kaluar edhe me letërnjoftim te Dibra, ku bashkë me gazetarin e Rilindjes Bedri Sadiku shkova në mbrëmjen e një dite më parë, dhe pas natës pa gjumë e në festë, ujin e parë të Shqipërisë e piva në Hotel Turizmi në Peshkopi, me ndonjë gotë raki dhe kafenë e mëngjesit…
Pas ca më shumë se tre javësh më vinte telefonata nga Tirana, përmes së cilës dhash informacionet e para për zgjedhjet, që do të kenë qenë raportimi i parë i një gazetari nga Kosova për median në Shqipëri, ndërsa për komunikime tjera ua dhash numrin e telefonit të zyrës në Pallatin e Shtypit Rilindja, në Prishtinë.
U dhanë, pa saktësuar autorsinë, informacionet e mia të para në Radio Tirana dhe kur më telefonuan në zyrë më thanë se do i jepnin me emrin e autorit, po kishin frikë se për ato raportime që ishin të ndaluara do më arrestonin në ato rrethana okupimi e shtetrrethimi serb.
“Lajmet do i japim me emër-autorësi, që të mos mund të më akuzojnë për ‘veprimtari ilegale armiqësore’”, ju thash dhe shtova: “Problem është vetëm se lidhjet telefonike që më bëni janë shumë të dobëta, të zhurmëshme, ndërsa nga Kosova për në Shqipëri janë të pamundura. Më jepni ndonjë numër telexi…”
Të operoj me telex dija shumë mirë, se derisa isha ushtar në ish-federatën na kishin mësuar madje edhe “si të hyhet në lidhjet e armikut”…
Dhe, me ato mësime, u lidha me miqtë-vëllezërit, kolegët gazetarë e median në Tiranë. Funksionoi lidhja nga Prishtina, nga telexi i Rilindjes, në Tiranë – në telexin e Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmëve të Shqipërisë – ATSH…
Me falënderimet e vlerësimet për raportimet, që doja t’i përmbyllja me shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve, më kishte ardhur në telex nga ATSH edhe ftesa për të vazhduar me punën e nisur të korrespondentit në Kosovë…Dhe, raportimet vazhduan më shumë se çerek shekulli – nëpër vitet e para luftës e të luftës, të lirisë e të pavarësisë së Kosovës, në më shumë se gjysmën e këtyre viteve pa pagë – vullnetarisht…
Komentet