Një hetim i Kombeve të Bashkuara për konfliktin në Libi i çoi hetuesit në një pistë të vogël avionësh në jug të Beogradit, ku një avioni “bujqësor” – i modifikuar për të mbajtur raketa dhe i gjurmuar se i përkiste kontraktorit amerikan Erik Prince – iu bë servisi më 2018
Hangari i Gas Aviation ndodhet në një fushë të vogël në qytetin Smederevska Palanka, rreth 80 kilometra në jug të kryeqytetit serb, Beogradit.
Ishte këtu që firma e mirëmbajtjes së avionëve, një lider në rajon, mori dorëzimin e një avioni bujqësor me një motor në fund të verës 2018. Kjo nuk kishte asgjë të pazakontë, tha pronari i Gas Aviation, Zeljko Ivoseviç.
Megjithatë më pak se tre vjet më vonë, në mars 2021, fotografia e të njëjtit avion u shfaq në një raport të botuar nga një panel ekspertësh të caktuar nga Kombet e Bashkuara, por me disa shtesa vdekjeprurëse: një raketa hedhës 16-57 mm, një raketa hedhës 32-57 mm dhe një armë me dy tyta 23 mm nën krahët e tij.
Në vitin 2018, “Kur erdhi tek ne, ai avion nuk kishte asgjë të modifikuar”, tha Ivoseviç, një ish pilot, për BIRN në prill të këtij viti.
Por ai ishte i modifikuar dhe madje që shumë kohë para qëndrimit të tij në Serbi, sipas hetuesve të Kombeve të Bashkuara që kanë zbuluar se avioni është pjesë e një skeme prej 80 milionë dollarësh nga kontraktori i sigurisë amerikane Erik Prince për të furnizuar me armë një komandant të milicisë libiane, duke shkelur një embargo 10 vjeçare armësh.
Projekti Opus
Embargoja e armëve e Kombeve të Bashkuara daton në shkurt 2011, kur Muammar Gaddafi po përpiqej të shtypte një rebelim kundër sundimit të tij dekada të gjatë. Gaddafi u vra në tetor të atij viti, por Libia nuk ka njohur stabilitet. Gjatë shtatë viteve të fundit, komandanti i milicisë rebele Khalifa Haftar ka luftuar për të marrë kontrollin e vendit, pasi ka siguruar tashmë lindjen e tij.
77-vjeçari gëzon mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe, Egjiptit, Rusisë, Francës dhe Arabisë Saudite ndër të tjera. Qeveria e Marrëveshjes Kombëtare, e njohur nga Kombet e Bashkuara, në kryeqytetin, Tripoli, mbështetet nga Turqia, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja. Embargoja mbetet në fuqi, por Paneli i Ekspertëve të Kombeve të Bashkuara e quajti atë “krejtësisht joefektive”.
Ndër të tjera, Paneli akuzoi Prince për shkelje, duke përshkruar një rrjet kompleks bashkëpunëtorësh për të cilët tha se “shkelën ose ndihmuan në shmangien e dispozitave të embargos së armëve në Libi”.
Prince nuk është hera e parë që përfshihet në polemika. Një ish-marins amerikan dhe një aleat i ish-presidentit amerikan Donald Trump, ai ishte themeluesi i firmës së sigurisë Blackëater që u bë sinonim i abuzimeve të kryera nga kontraktorët ushtarakë gjatë “luftës së SHBA-së kundër terrorizmit”. Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara, rreth 14 prillit 2019, disa ditë para një sulmi ndaj Tripolit nga forcat e Haftar, Prince i paraqiti tij “Projektin Opus”, një marrëveshje prej 80 milionë dollarësh për furnizimin me avion dhe pajisje të tjera ushtarake.
Sipas planit, bashkëpunëtorët e Prince do të blinin helikopterë të tepërt ushtarakë nga Jordania. Por kur Jordania e pezulloi ankandin në qershor 2019, Prince u desh të rimendohej shpejt dhe “të identifikonte dhe të blinte avionë të rinj”, pretendoi raporti. Njëri prej tyre ishte një specialist LASA T-Bird, “LASA” që në shqip do të thotë Avionë Sulmesh të Lehta dhe Avionë Mbikëqyrës, në pronësi zyrtare të L-6 FZE të Amanda Perry me bazë në Emiratet e Bashkuara, një bashkëpunëtore e afërt kjo dhe një partnere biznesi e Prince, dhe ish-pilotit australian Christiaan Durrant, i cili është gjithashtu drejtor i L-6 FZE. Hetuesit e Kombeve të Bashkuara thonë se Prince në fakt kontrollonte kompanitë që kishin në pronësi avionët. Avionët “u shpërndanë përpara çdo pagese dhe kujdesi normal”, shkrua ata, duke çuar në përfundimin se Prince kishte ndihmuar në prokurim.“Askush tjetër nuk ishte në gjendje të organizonte shitjen e atyre avionëve brenda një afati kaq të shkurtër”, shkruan ata.
“Është e ndaluar”
Sipas raportit, Prince organizoi për modifikimin ushtarak të avionit bujqësor në 2014/2015, nga Airborne Technologies GmbH e Austrisë, me Durrant në krye të projektit. “Një avion të cilit iu montuan një sistem mbikëqyrjeje me sensorë imazherik dhe gjashtë armë të çmontueshme nën krahët e tij”, tha raporti. “Puna e madhe inxhinierike brenda avionit u zhvillua për t’iu përshtatur sistemeve të shënjestrimit dhe lëshimit të armëve.”
Në 2015, avioni u regjistrua në Bullgari me LASA Engineering, e cila u themelua të njëjtin vit. Sipas raporteve të mëparshme të lajmeve, LASA u krijua si një kompani e Prince, duke zëvendësuar Airborne Technologies me bazë në Austri, të cilën e kishte gjithashtu nën kontroll ai, për të shmangur ligjet e rrepta austriake përsa i takon eksporteve të armëve. Në vitin 2017, LASA T-Bird debutoi në Paris Air Shoë, ku fotografitë në internet e tregojnë atë me dhe pa armë. Ai arriti në Serbi për servis në gusht 2018.
Avioni u regjistrua në Serbi me Gaz Aviation të listuar si operatorin e tij. Ivoseviç konfirmoi se ai kishte një kontratë me LASA Engineering bullgar për tí bërë shërbime avionit, por mohoi që ai të kishte mbërritur aty si një avion luftarak.
“Është e ndaluar”, tha ai për BIRN. “Nuk mund t’i kalojë kontrollet ndryshe.” Ivoseviç tha se ai kurrë nuk kishte punuar me LASA Engineering më parë, por që 90 për qind e kompanive bullgare të aviacionit përdorin shërbimet e tij “sepse ata nuk kanë asgjë të tillë” “Qendra më e afërt si kjo është në Gjermani”, tha ai.
Drejtoria e Aviacionit Civil në Serbi tha se avioni ishte regjistruar si një avion bujqësor “jo-komercial”. Ajo lëshoi një certifikatë vlefshmërie ajrore në qershor 2019, kur LASA Engineering e shiti atë te L-6 FZE, i kontrolluar nga Durrant. Në të njëjtin muaj, aeroplani udhëtoi për në Aman në Jordani, ku qëndroi deri më 11 korrik, kur, sipas raportit të Kombeve të Bashkuara, autoritetet jordaneze i thanë Durrantit të hiqte të gjitha asetet e pjesës së parë të Projektit Opus të identifikuar nga Kombet e Bashkuara si Opus A. Njëmbëdhjetë ditë më vonë, më 22 korrik, u paraqit një plan fluturimi që T-Bird të fluturonte për në Larnaka, Qipro.
Ivoseviç tha se Gas Aviation ishte kontaktuar kohët e fundit nga një “pilot anglez” i cili kërkonte që kompania t’i ofronte shërbime servili avionëve në Qipro, por që ai nuk kishte pranuar për shkak të kufizimeve për të operuar jashtë kufijve të Serbisë. Ivoseviç nuk pranoi ta jepte emrin e pilotit, duke përmendur si arsye konfidencialitetin. Deklarata e tij sugjeron që avioni është ende në Qipro, por hetuesit e Kombeve të Bashkuara thanë se kontrolli i trafikut ajror qipriot “nuk ka të dhëna që avioni të jetë ulur atje”.
Ata cituan se Durrant kishte thënë se nuk e dinte vendndodhjen e T-Bird, një pretendim që hetuesit thanë se ishte “shumë i pamundur”. LASA Engineering në Bullgari ka mohuar çdo shkelje, duke thënë për televizionin bullgar BTV se të gjitha licencat e saj janë në rregull. Kompania, megjithatë, nuk është e regjistruar në Regjistrin Publik të Bullgarisë të subjekteve të regjistruara për eksport dhe transferim të artikujve dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë. Nuk ka asnjë tregues që T-Bird të ketë mbërritur në Libi, megjithëse disa nga avionët e premtuar nga Prince arritën në Haftar, sipas raportit të Kombeve të Bashkuara.
Lidhjet
Gas Aviation nuk është kompania e vetme në Serbi që ka marrëdhënie me bashkëpunëtorët e Erik Prince. Në dhjetor 2020, BIRN zbuloi se një kompani që merret me tregti armësh, në pronësi të një zyrtari të lartë të Partisë Progresive në pushtet të Serbisë, SNS, kishte një marrëdhënie biznesi me Durrant dhe tregtarin maltez të armëve Fans James Fenech, të dy të përmendur në raportin e Kombeve të Bashkuara. VIP Global Logistics, e themeluar në 2017, është në pronësi të Nemanja Marijan, një anëtar i bordit kryesor të SNS.
Ndër partnerët e saj, kompania rendit Lancaster 6, një kompani malteze e kontrolluar nga Durrant dhe PBM Amunition e lidhur me Fenech, i cili gjithashtu akuzohet për shkelje të tregtisë së armëve nga Kombet e Bashkuara. Asnjë nga palët nuk pranoi t’i zbulojë BIRN natyrën e lidhjeve të tyre të biznesit.Ndërsa përshkruanin Lancaster 6, hetuesit e Kombeve të Bashkuara thonë se kompania u përdor për “rregullimin e transferimit të pajisjeve ushtarake dhe sigurimin e ndihmës tjetër në lidhje me aktivitetet ushtarake për një grup të armatosur në Libi”. Hetuesit e Kombeve të Bashkuara thanë se Fenech dhe Durrant “po rregullonin transferimin e pajisjeve ushtarake dhe po ofronin ndihmë tjetër në lidhje me aktivitetet ushtarake në një grup të armatosur në Libi”. I kontaktuar nga BIRN, Durrant ia kaloi të gjitha pyetjet avokatit të tij, Vince Gordon, i cili nuk u përgjigj deri në momentin e publikimit.
Svetoslav Todorov, korrespondent i Balkan Insight për Bullgarinë, kontribuoi gjithashtu në këtë artikull./BIRN/
Komentet