Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se synon të ndryshojë një marrëveshje të vitit 2013 midis ish kryeministrit Hashim Thaçi dhe ish sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, që ka të bëjë me mënyrën e veprimit të Forcës së Sigurisë në veriun e vendit.
Ai i bëri këto komente gjatë një debati në parlamentin e Kosovës i pyetur nga deputetët nëse kjo çështje ishte shtruar për diskutim gjatë vizitës së tij në selinë e NATO-s ku më 20 prill ishte takuar me Sekretarin aktual të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.
Kryeministrin Kurti në mandatin e parë si kryeministër në muajin shkurt të vitit të kaluar shpalosi një letërkëmbim të muajit prill të vitit 2013 ndërmjet ish sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen dhe ish kryeministrit Thaçi, në të cilin zoti Thaçi zotohej se Forca e Sigurisë së Kosovës do të nuk do të hyjë në veriun e banuar me shumicë serbe “pa një pajtim paraprak” të forcave paqeruajtëse të NATO-s. Po ashtu sipas letërkëmbimit, për të siguruar pajtimin, forcat paqeruajtëse mund të këshillohen me komunitetin në veri.
Kryeministri Albin Kurti tha se kjo është e dëmshme dhe duhet të ndryshohet.
“Unë nuk kam akuzuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së në lidhje me atë shkëmbim të letrave dhe nuk mund të kërkojë llogari prej tij, por kam akuzuar titullarin e atëhershëm të institucioneve të Republikës së Kosovës që ka vënë firmën në një shkresë të tillë. Një problematikë që i ka rrënjët 8 vite më parë nuk mund të adresohet e rregullohet përmes një takimi të vetëm që ishte edhe takimi im i parë në selinë qendrore të NATO-s. Atëherë e kam referuar çështjen në prokurori dhe tash çështja i mbetet prokurorisë për trajtim”, tha ai.
Zoti Kurti të enjten u përball edhe me akuza nga opozita për deklaratën e tij në Bruksel se një nga vlerat të cilave duhet t’u përmbahet Ballkani Perëndimor për të përparuar më shpejtë drejt integrimeve është ballafaqimi me të kaluarën, që nënkupton largimin nga skena politike e institucionale të kriminelëve të luftës. Edhe më tej në rajon tha ai ka kriminelë të luftës edhe kriminelë të paqes që dominojnë në institucionet dhe partitë politike.
“Kam dy pyetje për kryeministrin. E para është a je i rekrutum prej shërbimeve serbe prej kohës sa je mbajtur në burg, pra a mban Serbia diçka mbi ty me të cilën të mban peng sot e kësaj dite, pra a është më në rrezik Kosova prej teje si i rekrutu nga shërbimet serbe gjatë qëndrimit tënd në burg apo nga çlirimtarët që janë detyru me majt pushkën në dorë me luftu për lirinë e vendit duhet të deklarohesh sepse qarkullojnë gjatë këto edhe nga deklarimet e tua na bën me dyshu se mbahesh peng i shërbimeve serbe”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Është e rëndësishme që kryeministri të deklarohet dhe të sqarohet për deklarata të tilla se kush janë kriminelët e luftës që sot gjinden në institucionet e Republikës së Kosovës. A janë kriminel të luftës që dje ishin veteranë dhe dje luftuan për çlirimin dhe pavarësimin e këtij vendi”, tha shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Abelard Tahiri.
Aktualisht disa nga drejtuesit më të lartë të ish Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës ndodhen në Hagë të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara të Koosovës që trajtojnë pretendimet për krime të luftës dhe pasluftës.
Komentet